Era Berisha
Regjisori Besim Sahatçiu është padyshim emër i madh i artit shqiptar, i cili arriti të krijoi karrierë të bujshme e të jashtëzakonshme. Për këtë personalitet me influencë në shoqërinë shqiptare, mbrëmë në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, u shpalos premiera e dokumentarit “Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra” skenarin dhe regjinë e të cilit e krijoi Burbuqe Berisha por që fatkeqësisht e la pa përfunduar, shkruan KultPlus.
Filmbërësja shqiptare vdiq më 27 tetor të këtij viti në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.
Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi. Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”. Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të “Operës së Kosovës”.
Andaj, mbrëmë në nderim dhe kujtim të saj, është shfaqur dokumentari ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’, një vepër që regjisorja Berisha na e la si kujtim të fundit.
Ndonëse, salla në Kino Armatë nuk u mbush plot, ishin kujtimet e shumta të personave në dokumentar, ato që sollën një ngrohtësi të papërshkrueshme. Rrëfimet nga Besa Sahatçiu, Besnik Sahatçiu, regjisori Isa Qosja, profesori i dizajnit grafik, Shyqri Nimani, aktorja Shirine Morina, aktorja Safete Rogova dhe aktori Enver Petrovci, jetësuan figurën e regjisorit Besim Sahatçiut, si dhe njëkohësisht shfaqën dashurinë, nderin dhe respektin që e kishin rrënjësisht për të.
Besim Sahatçiu, ishte drejtor i teatrit, filmit dhe televizionit. U lind më 2 tetor 1935, në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen, Besim Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind. Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve, për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindje”. Më pas u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb, të cilën e përfundoi më 1972. Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Si drejtor skenik, ai punoi në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ishte një regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite.
“Era dhe lisi” ishte njëri nga super-filmat shqiptar i prodhuar nga Kosovafilmi në vitin 1979 me regji të Besim Sahatçiut. Ndërsa në rolet kryesore ishin dy nga aktorët e mirënjohur, Faruk Begolli dhe Abdurrahman Shala.
Filmi i tij “117” morri çmimin kryesor në Festivalin e Dokumentarit në Beograd në vitin 1978.
Përveç informacioneve që treguan e shtjelluan jetën e tij, ca kujtime interesante si dhe vlerësime të duhura, zunë vend në këtë dokumentar që nisi fiks në orën 21:06.
Ishte regjisori Isa Qosja që kujtonte se “117” ishte një film i jashtëzakonshëm. Një film që sipas tij, solli diçka të re në kinematografinë e Ballkanit. Reagimet e publikut serb në Beograd, ishin të mëdha. Gjatësia e kuadrit, atmosfera e natës dhe para-mëngjesi, cilësohen nga Qosja si diçka e paparë deri atëherë e që pati një ndikim të jashtëzakonshëm.
Po ashtu, ai thoshte se Besimi qe një njeri i urtë i filmit kosovar dhe se komunikimi me aktorët, ishte pika e tij më e fortë. E kujtonte kohën kur Besimi e përtëriti konkursin tradicional “Katarina Josipi” e në juri përfshiu emra të njohur, si: Anton Pashku, Rexhep Ismajli, Ibrahim Rugova, Muharrem Qena.
“Unë tek ‘Era dhe Lisi’ e konsideroj që ka qenë një grimcë e vogël e mundësisë sime për ta parë atë si regjisor. Por kur i kam shikuar veprat e tij dhe duke u rikthyer në kujtesën time se çfarë kam parë, e shoh që Besimi ka vendos themelet e kinematografisë kosovare. Pra, me dy krijimet e tij; ‘117’ dhe ‘Era dhe Lisi’.”
Ndërsa, profesori i dizajnit grafik, Shyqri Nimani kujtoi kohën kur ai dizajnoi posterin e “117”, ku 50% ishte vizuale e pesëdhjetë tipografike. Ai thotë se Besimi qe fëmija i nëntë i familjes, dhe i cili i ka ikur zanatit familjar prej nga dhe vjen mbiemri i tyre.
“Besimi ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm. Ka qenë një njeri meritativ, ka menduar për temën qysh nga ideja e deri në implementim. Në këtë mënyrë, ai me të vërtetë ka arritur që secilin film ta afrojë drejt përsosmërisë.”
Gjithashtu, aktorja Safete Rogova kujton se Besimi punën më të madhe e ka bërë me aktorët. Ajo e cilëson atë si një pedagog shqiptar që dëshironte t’i mësonte studentët. Sipas saj, pjesën e parë të provave e bënte me rolet kryesore, ndërsa krejt klasën e përfshinte në rolet dytësore.
“Ne kishim nevojë për të. Ai ishte vërtetë një njëri shumë i kulturuar, e njihte klasiken ruse, dramaturgjinë angleze dhe amerikane. Na furnizonte me libra dhe literaturë të bollshme. Ai për të na e heq tremën, shpeshherë ulej ku ulet publiku e na vështronte që ne të liroheshim. Besimi na thoshte se çdo shfaqje është provim për ju dhe kur ballafaqoheni me të, ju veçse e keni dhënë provimin. Na thoshte se mos të mësojmë menjëherë rolin por të studiojmë autorin e të mëshirohemi me personazhin.”
Ajo tutje mbante mend se Besimi pati dëshirë të krijonte edhe “Pigmalonin” me Adem Mikullovcin dhe Dibran Tahirin, por që xhirimet e “Era dhe Lisi” e larguan atë nga teatri, kur dhe rrallë më e panë.
Kurse, aktorja Shirine Morina e kujtonte Besimin si një njeri të afërt me të por edhe shumë inteligjent.
“Atëherë mendonim se Besimi e ka lexuar krejt bibliotekën e Pejës.”
Në anën tjetër, aktori Enver Petrovci e vlerëson Besimin si një shembull me të cilin duhet të punohet në një serial.
“I kam thënë Besimit se ai ka qenë për mua jo vetëm regjisor i parë i filmit në Kosovë, por ai ka qenë një shembull se si vërtetë punohet në një serial. Ka qenë një zotëri në punë. Asnjëherë nuk ka përfol. Sado që ka dhënë, ai ka pas dijeni me dhënë edhe shumë më tepër. Besimi ka lënë gjurmë të mëdha.”
Gruaja e Besimit, Besa Sahatçiu tregonte kohën kur ai pati konkurruar në Akademinë e Teatrit e të Filmit në Zagreb, dhe se nga gjithsej treqind persona, ishin pranuar vetëm pesë, njëri ndër ta qe edhe vetë Besimi. Për Rita Orën, mbesën e Besimit, Besa thoshte se Rita gjithmonë e kujton dhe e falënderon gjyshin e saj.
“Rita kujtonte se gjyshi ishte ai që i ka thënë se gjithmonë ajo do të mbërrij lartë dhe Ritës këto fjalë i janë dukur se e kanë shtyrë përpara e se ka arrirë aty ku ajo është. Gjithmonë e kujton dhe e falënderon gjyshin e saj. Besimi ishte shumë i kënaqur e sidomos kur Rita e pati xhiruar filmin e parë, dhe atëherë Besimi më pati thënë mua se Rita do të arrijë shumë.”
Besnik Sahatçiu, djali i Besimit, e kujtonte babin e tij nëpërmjet këshillave të tij.
“Ai ka qenë një idol për mua, na ka dhënë disa këshilla si të gjendemi e të lundrojmë në jetën tonë, në të ardhmen tonë. Na dha atë ndjenjën e drejtë që të mos lakmojmë por të shkollohemi e t’i shikojmë punët e kombit e shtetit. T’i mësojmë gjeneratat e sidomos fëmijët tanë, për të gjitha ato pikëpamje. E shfrytëzoj rastin të them se Rita e donte gjyshin e vetë dhe e përmend shumë. Ajo mburret me prejardhjen e saj dhe veprimtarinë e gjyshit të vetë.”
Përveç këtyre artistëve që shpalosnin kujtime, momente e çaste të ndryshme përbrenda dokumentarit, të futura qenë edhe disa video të vetë Besim Sahatçiut, nga ku edhe po i sjellim disa sekuenca më poshtë.
“Unë i shpëtova zejes së babës dhe katragjyshit, kjo qe për shkak se vëllezërit u rritën e u punësuan në dyqanet e babit. Ky ishte fati im. Në shkollë isha një nxënës i shkëlqyer ndërsa në gjimnaz, merrja pjesë në aktivitete të ndryshme muzikore. Kësisoj, më lindi dashuria ime e pavetëdijshme për teatrin, filmin, e sidomos për librin.”
“Për artin e regjisë, duhet vite të tana, studime të tana dhe praktikë të madhe për të zbatuar atë në mënyrë të suksesshme.”
“Mbaj mend vetëm që shumë kemi vuajtur së bashku. Shumë erëra e stuhi janë përplasur mbi supet tona.”
Pas shfaqjes së dokumentarit ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’, duartrokitjet e zjarrta zunë vendin e fjalëve dhe kujtimeve që përçoheshin në atmosferë. Ndërsa, producenti Agron Vula, i cili ka përfunduar filmin e fundit të regjisores Burbuqe Berisha, doli në skenë për një fjalë rasti.
“Ky është filmi i fundit i Buqes, të cilin ajo nuk arriti ta përfundojë por më erdh mua si amanet dhe e kam pasur shumë vështirë ta kryej. Montazhi më ka zgjatur afro tre muaj, dhe gjithmonë e dëgjoja zërin e Buqes, andaj edhe ka zgjatur aq shumë. Buqja ia ka kushtuar filmin një regjisori i cili ka kryer shkollën në Zagreb. Besimi ka qenë ai që i ka nënshkruar diplomat e secilit punëtor të Radio Televizionit të Prishtinës, në atë kohë, e që më pas janë bërë regjisorë”, thotë Vula.
Sipas tij, përpos këtij filmi, regjisorja Berisha e ka pasur idenë për një seri prej dhjetë filmave dokumentarë që ajo i ka pas të përgatitura për t’i nisur por që fatkeqësisht nuk mund të realizohen më.
“Filmi nuk është i përfunduar sepse unë nuk kam dashur të ndërroj asgjë prej asaj që e ka bërë Buqja. Nëse kishim hyrë në montazh së bashku, besoj kish pas ende xhirime të shumta për t’i kryer. Por megjithatë jam shumë i lumtur që filmi është kryer”, përfundon Vula.
Kujtojmë se dokumentari ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’ është jashtë konkurrencës në “PriFest”. / KultPlus.com