Filmi i shkurtër “Forgive me” me regji nga Besim Ugzmajli është selektuar në Buffalo International Film Festival, shkruan KultPlus.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Buffalo u themelua në vitin 2003 dhe zhvillohet në tetor të çdo viti në Buffalo të Nju Jorkut.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë regjisori Ugzmajli në rrjetin e tij social Facebook.
“Official selected. Buffalo International Film Festival 🇺🇸 ‘Forgive me’ , ‘Më fal’”, ka shkruar regjisori.
“Forgive me” deri më tani është prezantuar në disa festivale shumë të rëndësishme në botë, siç janë: Manchester Film Festival, ku të pranishëm ishin edhe aktorë hollivudian si Shia LaBeouf dhe Jonathan Rhys Meyers, por që në konkurencë kishte filma me Sean Penn, Judie Foster e shumë artistë të tjerë.
Pastaj vlen të përmendet edhe seleksionimi në festivalin Semana de Cine Internacional de Medina del Campo, festival ky që jep çmimin nga Akademia e Filmit të Spanjës.
Filmi Forgive me (Më fal), është realizuar në këtë vit me vetëfinancimin e producentëve Besim Ugzmajli dhe Agron Shala, ndërsa aktorët në këtë film janë: Agron Shala, Semira Latifi, Igballe Qena, Kushtrim Asllani, Ekrem Sopi, Sherif Bega, Orik Berani, Adrian Obertinca.
Një djalë i ri, i quajtur Bujar, manipulohet nga një imam kosovar që t’u bashkohet grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Ai i bashkohet luftës tinëzisht dhe pastaj i kërkon ndihmë vëllait të tij t’ia dërgojë në Siri edhe gruan. Por vëllai tmerrohet nga veprimet e Bujarit dhe i kërkon të kthehet në Kosovë. Bujari e kërcënon gruan e tij se nëse nuk i bashkohet në Siri do të martohet me një grua që ka mbetur e ve nga lufta./ KultPlus.com