Era Berisha
Përpjekja e jashtëzakonshme e një nëne dhe vajzës së saj për të zënë vend në një shoqëri të kontaminuar patriarkale, përpjekja e tyre për të marrë atë që ato e meritojnë dhe kërkojnë me çdo kusht, persona të mveshur me pushtet që veçse fuqizojnë sfidat dhe vështirësitë e këtyre dy personazheve, janë shpalosur mbrëmë nëpërmjet premierës së filmit “Ditë e Kuqe” nën regjinë dhe skenarin e Besim Ugzmajlit, në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, shkruan KultPlus.
Filmi i metrazhit të shkurtë gjeti fillimin e tij tek në orën 17:08, teksa të pranishmit veçse kishin zënë vendin e tyre në ulëset në sallën e Kino Armatës. Me një sallë pothuajse të mbushur, errësira qe shoqëruesi i publikut për gjatë gjithë pesëmbëdhjetë minutave.
Me një mënyrë unike, regjisori Ugzmajli ka hedhur dritë mbi shumë faktorë negativ të shoqërisë. Ai nëpërmjet simboleve të ndryshme, artit filmik dhe mënyrës së trajtimit të ngjarjeve, na sjell historinë e Arsa Nolit, një 13 vjeçare e cila është një person me aftësi të kufizuara dhe pasi që ajo nuk mund të flas, ndeshet me sfida të shumta që i hedhen rrugëtimit të saj artistik për të interpretuar lirshëm në një skenë teatri.
Arsa, një vogëlushe e shurdhër dhe nëna e saj Dodona, ish-aktore, duan të jenë pjesë e “Festivalit të Performancës”. Arsa nuk është në listën e pjesëmarrësve por ajo dhe mamaja e saj janë gati të bëjnë gjithçka.
“Ditë e Kuqe” simbolizon një ditë alarmi për shoqërinë, duke sjell në vëmendje gruan si vlerë kulminante. Çështjet sociale krejt lehtazi tregohen nëpërmjet rrëfimeve që ndërtohen në rrafshin psikologjik të situatave dhe personazheve. Imazhet komunikuese janë ato që të shtyjnë drejt njohjes së secilit karakter dhe secilës ndodhi.
Është i realizuar vetëm në “One-Shoot”, dhe xhirimet e filmit kanë përfunduar brenda vetëm një dite, mirëpo në realizimin e tij janë përfshirë afro 150 persona të cilët kanë sjell një pikëpamje ndryshe nga e zakonshmja. Sinkronizimi dhe harmonia përbrenda ekipit, dukshëm kanë rezultuar që filmi të arrijë perfeksionimin. Kjo vërehet më së miri edhe nga puna e mahnitshme e aktorëve si: Teuta Krasniqi, Agron Shala, Orgesa Mehmeti, Bin Sylejmani, Gresa Gashi, Sherif Bega, Egzona Salihu, Milot Salihu e të tjerë.
Ndërsa, përgjatë gjithë filmit në sekuenca të ndryshme vërejmë edhe këndimin njëzëri të korit tashmë të suksesshëm “Siparantum” të cilët qëndrojnë në prapaskenë tërë kohën, me ç’rast këtij filmi ia kanë shtuar edhe një plus tjetër.
Nëpërmjet “Ditë e Kuqe” shpalosen mesazhe shumështresore, andaj edhe perceptimi i tyre mëton të jetë ndryshe për çdokënd. Diskriminimi, pabarazia gjinore, ngacmimet seksuale, shtypja ndaj grave, paragjykimi, egoizmi e nënçmimi, shtjellohen në mënyrë të duhur dhe shumë reale. E gjitha ndodh në prapaskenë, aty dhe ku këto raste ndodhin më së shpeshti në realitet.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet në publik ato që dukshëm dëgjoheshin në mesin e audiencës. Ndërsa, para shfaqjes së tij ishte ekipi i filmit “Ditë e Kuqe”, anëtarët e të cilit dolën në skenë për një fjalë rasti.
“Faleminderit që sonte jeni këtu me neve. Filmi ka pasur një udhëtim të gjatë, mirëpo asnjëherë ne nuk jemi ndjerë të plotësuar përderisa nuk e kemi shfaqur premierën vendore këtu. Ky film është bërë me shumë pak para por tepër shumë dashuri. Janë mbi 150 persona që kanë marrë pjesë në këtë film dhe ndjej një nevojë të veçantë për t’i falënderuar për gjithë angazhimin e tyre, për shkak se kemi punuar në kushte jo më të mirat të mundshme, mirëpo dashuria i ka tejkaluar krejt ato telashe dhe sot pas këtij viti relativisht të suksesshëm të filmit, kemi fatin që ta shfaqim para jush me shumë kënaqësi”, ka thënë regjisori Ugzmajli.
Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Ditë e Kuqe’, i pranishëm ishte vetëm regjisori Besim Ugzmajlit.
“Shpeshherë perceptimi i audiencës për të famshmit apo për njerëzit që merren me industrinë e filmit, konsideroj që është komplet një lloj stigmatizimi. Ideja jonë ka qenë për të prezantuar atë se shpeshherë ajo që ndodh prapa perdeve është shumë herë më interesant sesa ato që ne i prezantojmë publikut dhe për të treguar se sa e vështirë është ajo rrugë, në jo vetëm shoqërinë ballkanike por edhe në botë”, thotë ai.
Sipas tij, para së gjithash, për të, procesi është ‘imazhet’ dhe atmosfera, andaj ai këto i vendos në një situatë të caktuar duke i inkuadruar edhe personazhet që ai i konsideron që janë interesant për t’i parë mes vete.
“Filmi ka qenë pjesë e më shumë se tridhjetë festivale, deri tash ka marrë dy çmime dhe momentalisht është i nominuar për ‘filmin më të mirë’ në Gjeorgjia të Amerikës dhe së shpejti do t’i marrim edhe rezultatet. Dje ishte premiera kombëtare e filmit dhe sigurisht që ky nuk është fundi i tij”, përfundon ai.
Kujtojmë se filmi “Ditë e Kuqe” i metrazhit të shkurtër me regji të Besim Ugzmajlit, është shpallur filmi më i mirë në “KO:SH FILM FEST / National Competition”.
Po ashtu, filmi me regji të Besim Ugzmajlit “Ditë e Kuqe” është shpërblyer edhe me çmim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Cerdanya” në Spanjë, konkretisht me “Kinematografia më e mirë”. / KultPlus.com