Përkthehen dy veprat e Besim Xhelilit në gjermanisht

Veprat e Besim Xhelilit do të jenë më afër lexuesit gjerman, shkruan KultPlus.

Dy veprat e tij në gjuhën shqipe, të botuara në vitin 2019 janë përkthyer në gjuhën gjermane.

Poeti shqiptar nga Tetova, i cili jeton në Vjenë të Austrisë, sjell para lexuesve gjermanëfolës dy titujt e tij të fundit me poezi, vëllimin e tetë me radhë “Fragmente të një zemre të dalldisur…!” dhe i nënti “Vragë malli”.

Recensent i të dy vëllime është kritiku i mirënjohur shqiptar Prend Buzhala, për redaktimin u kujdesën Hasan Qyqalla dhe Ejup Ajdini, kurse kritkën letrare e ka bërë Migena Arllati.

Përkthimin në gjermanisht të këtyre dy lirikave të dashurisë e realizoi albanologu i njohur austriak Kurt Gostentschnigg, kurse pikturat e kopertinave janë vepër e piktores dhe artistes Saranda Kika-Bahtiri nga Mitrovica. Autori falënderon stafin punues në libra, të cilët gjithmonë i qëndrojnë pranë me mbështetjen e tyre.

Këto dy vëllime gjehen gjithandej në libraritë dhe bibliotekat, si dhe në platformat e shitjeve të librave në internet. Në linkun e mëposhtëm mund të gjehen librat direkt tek botuesi:

https://www.bod.de/buchshop/catalogsearch/result/?q=besim+xhelili

Më poshtë sjellim një cikël me lirika nga këto dy libra:

DY SY

Dy sytë e tu t’bukur, aq të përsosur
O sa janë të thellë dhe frymëzues
Por, një poet seç e kanë brengosur
Me atë shikim t’egër e pushtues…

SONATË

O këta sytë e tu një sonatë e përkryer
Brenda tyre një çerdhe e pavdekësisë,
E sikur rrugën me zili më kanë rrëmbyer
Disa valë të brishta brenda melodisë…

MELODI ME TINGUJ T’FIKUR

O melodi e qëndisur me tinguj t’fikur
Vjeshta sapo mbaroi e më s’u pamë,
Një lule n’mes vargjeve seç ka zbritur
Po pret t’pathënat që kurrë s’i thamë…

DIHATJE

Buzën pika t’verës po ta prekin
N’ato çaste hareje dhe kënaqësie
Timen ngrica akujsh seç e stepin
Nga dihatje t’lodhshme dashurie…

SI KAHERA

N’ballkon po qave sonte si kahera
Yjet po i pyete nëse jam gjallë e lotoj,
Do t’thonë se gjithmonë e gjithhera
Aty n’zemër t’kam e dot s’të lëshoj… / KultPlus.com

Përurohet në Vjenë romani në gjuhën gjermane “1803” i autorit Besim Xhelili

Shkruan: Arben Gjinaj

Shkrimtari nga Tetova me banim në Vjenë të Austrisë Besim Xheli, të premten në mbrëmje, më 7 dhjetor 2018, në ambientet e galerisë së artit “Der Kunstraum” në Vjenë, përuroi në gjuhën gjermane romanin “1803”. Ai tha se është në përgatitje edhe të vëllimit të dytë dhe të tretë të këtij romani, i cili në vitin 2016 u botua së pari në shqip, kurse në janar të këtij viti edhe në gjuhën gjermane dhe suedeze.

Në praninë e bashkatdhetarëve të shumtë, përfaqësuesve të Ambasadës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Kosovës në Austri, krijuesve dhe dashamirëve të artit të shkruar, në Vjenë të Austrisë u bë përurimi i romanit “1803” në gjuhën gjermane, të autorit Besim Xhelili.

Programin e këtij përurimi e udhëhoqi Kaltrina Durmishi, e cila ndër të tjera foli për një pjesë të biografisë së autorit.

Hapja u bë me një melodi të bukur në harpë, ekzekutuar nga Veronika Klavzar, dhe menjëherë pas kësaj një shkëputje nga romani e lexoi Time Durmishi.

I pranishëm ishte edhe vetë përkthyesi i këtij libri, austriaku Kurt Gostentschnnig i cili u paraqit me një vështrim mbi romanin. Ai shprehu fjalë të zgjedhura për këtë libër dhe sugjeroi lexuesit që ta lexojnë.

“Gjatë përkthimit kam gjetur shpeshherë veten në pasazhe të ndryshme në brendi të romanit, ngase edhe unë jam njeri dhe kam qenë disa herë i dashuruar. Sugjeroj lexuesit ta lexojnë romanin, të njihen me një ngjarje dashurie, që është më shumë se dashuria vetëm mes dy personave, e të qenurit nën një kulm bashkë, e afërsisë fizike, dhe e cila kalon ndjenjat e dhimbjes, sfidon çastet e vështira të jetës, sepse ajo është një dashuri hyjnore, një pasion që s’përshkruhet dot me fjalë, njashtu siç e thotë edhe vetë autori në paratekstin e romanit”, tha Gostentschnigg.

Po ashtu rreth autorit dhe romanit “1803” foli edhe kryetari Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, Anton Marku.

“Libri është paksa mistik dhe flet për një dashuri në distancë. Libri komunikon mirë me lexuesin, është një tematikë moderne, sadoqoftë e trilluar dhe fitohet përshtypja se atë nuk e ka shkruar dora e autorit, por vetë shpirti i tij”, tha Marku.

Të gjithë ishin kureshtarë të kuptojnë se çfarë fshihet pas titullit të librit “1803”?! Me gjasë autori për këtë do të na shpjegojë në vëllimet e tjera të romanit.

“Jam duke punuar për pjesën e dytë dhe të tretë të librit. Ka disa shenja edhe në pjesën e parë të kësaj trilogjie, ku mundet të paramendohet se ç’do të thotë titulli “1803”, por qëllimi është që lexuesi vetë të gjurmojë, të argëtohet gjatë leximit, mbase aty-këtu ta gjejë veten dhe të gëzohet me vazhdimin e ngjarjes në dy vëllimet e ardhshme”, tha autori nga Tetova me banim në Austri, Besim Xhelili.

Programi u përmbyll suksesshëm me pikën muzikore “Margjelo”, kënduar nga mezzosoprania Blerta Ismajli, përcjellur në piano nga Vlora Jonuzi.

Përurimi i këtij libri është bërë në qytete dhe vende të ndryshme të Europës. Pronari i galerisë në qendër të Vjenës “Der Kunstraum”, z. Hubert Thurnhofer, vazhdimisht përkrah artistët, krijuesit dhe njerëzit e kulturës, duke lëshuar me një kompenzim të vogël objektin e tij tepër artistik dhe tërheqës për artdashësit. Ai gjithashtu e përgëzoi autorin Xhelili për romanin dhe i dëshiroi suksese të mëtutjeshme. Vlen të theksohet se botimin e romanit në gjermanisht, me një donacion e kanë përkrahur Ndërmarrja Publike “Wiener Linien” dhe Oda Ekonomike e Vjenës, gjersa përurimin e mbështeti Sektori për Kulturë (MA7) i qytetit të Vjenës. Autori u është mirënjohës dhe falënderues.

Shkrimtari Besim Xhelili përveç këtij romani është edhe autor i shtatë vëllimeve me poezi, si është prezantuar në disa antologji në shqip dhe në gjermanisht. Për vitin 2019 ka në prroces dy vëllime me poezi në gjuhën shqipe, një në atë gjermane si dhe shpresoj të mbarojë trilogjinë “1803”./ KultPlus.com

Autori shqiptar Besim Xhelili prezanton para austriakëve romanin “1803”

Besim Xhelili, autori shqiptar nga Tetova, i cili që nga viti 1998 jeton dhe punon në Vjenë të Austrisë, dje ka prezantuar romanin e tij me titull “1803” në Muzeun e Bashkisë Mödling. Ky roman, si pjesë e parë e një trilogjie me po të njëjtin emër, u botua në shqip në vitin 2016, kurse në janar të këtij viti edhe në gjuhët gjermane dhe suedeze, përcjellë KultPlus.

Me ftesë të Shoqërisë Letrare Mödling, dhe nën udhëheqjen e kryetares Nicole Fendesack, në Muzeun e Bashkisë Mödling “Thonetschlössl”, u mbajt një orë letrare me shkrimtarin dhe poetin shqiptar nga Tetova Besim Xhelili, i cili prezantoi para një publiku të konsiderueshëm, artdashës dhe adhurues të librit, romanin e tij me titull “1803”.

Këtë aktivitet me vlera letrare e hapi vetë kryetarja Fendesack, e cila pasi dha disa informacione mbi historikun e Shoqërisë Letrare Mödling, tregoi për aktivitetet dhe programin e planifikuar për këtë tremujor të fundit të këtij viti. Më pas ajo tha se ndjehet e gëzuar si mysafir kanë një autor siç është Xhelili, i cili premton shumë me krijimtarinë e tij të bujshme dhe shumë laramane, duke pasur parasysh që ai ka shtatë vëllime me poezi dhe një roman në gjuhën shqipe, porse ai tash ka bërë hapin e madh, duke na ofruar këtë roman në gjuhën gjermane dhe atë suedeze. Ajo dha disa njohuri biografike mbi shkrimtarin Xhelili dhe recitoi për të pranishmit një poezi nga ai, duke e shpallur kështu të hapur këtë pasdite kulturore.

Shkrimtari Besim Xhelili falënderoi Shoqërinë Letrare Mödling, kryesinë dhe vet kryetaren për ftesën dhe mundësinë që ai të prezantojë romanin e tij para lexuesve dhe dashamirësve të librit të Bashkisë Mödling.

“Ndjehem shumë i gëzuar dhe i nderuar të jem sot këtu në mesin tuaj, si mysafir i Shoqërisë tuaj, e cila ka tashmë një historik dhe një veprimtari prej më shumë se 80 vjet. Falënderoj të gjithë të pranishmit, miqtë e shumtë për përkrahjen dhe natyrisht lexuesit që përcjellin krijimtarinë time”, ka thënë në fjalën e tij autori Xhelili. Më pastaj ai rrëfeu pak për përmbajtjen e romanit në fjalë, pa u futur në detaje, si dhe lexoi disa fragmente nga po ky libër. Në fund pati një bisedë të ngrohtë me të pranishmit, të cilët morën nga një libër dhe i bënë pyetje autorit. Ishte kërkesë e madhe të njihen me atë se çka do të thotë titulli “1803”, por autori tha se kjo do të zbulohet në pjesën e tretë të romanit.

Përndryshe Besim Xhelili ka prezantuar tashmë romanin e tij në disa vende të tjera në Europë si Gjermani, Zvicër, Greqi, Suedi dhe në vendet autoktone shqiptare. Recensionin e ka bërë kritiku i mirënjohur Prend Buzhala, kurse përkthimin në gjermanisht Kurt Gostentschnigg dhe atë në suedisht Ullmar Qvick. Autori ka shpresë që deri verën e ardhshme të arrijë të mbarojë dy pjesët e tjera të romanit, kurse ka në proces edhe disa vëllime me poezi. Ai është anëtar i PEN Qendrës Austriake, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë dhe ka marrë pjesë me disa krijime në disa antologji në shqip dhe në gjermanisht./ KultPlus.com

Besim Xhelili botoi romanin “1803” në gjuhën gjermane dhe suedeze

Shkrimtari shqiptar nga Tetova i cili jeton në Vjenë të Austrisë botoi romanin e tij të parë me titull “1803” në gjuhët gjermane dhe atë suedeze. Ky roman u botua në shqip në vitin 2016.

Besim Xhelili emigroi në Austri në vitin 1998, ku dhe sot e kësaj ditë jeton e vepron. Deri më tani ka botuar në gjuhën shqipe 7 vëllime me poezi dhe një roman, i cili do të vazhdojë me dy pjesë të tjera, duke u bërë kështu një trilogji. Ai gjithashtu është prezantuar në disa antologji shqipe dhe gjermane, është anëtar i PEN Klubit austriak, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, një ndër themeluesit dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ndër themeluesit dhe kryetar në periudhën 2011-2015 i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, me seli në Vjenë dhe pritet në një të ardhme të afërt anëtarësimi i tij në Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.

Për krijimtarinë e shkrimtarit dhe poetit Xhelili kanë shkruar shumë kritikë letrarë dhe njohës e përcjellës të shkrimeve të tij. Ai dallohet për aktivitetet e ndryshme letrare e kulturore në diasporë, duke lënë vragë e shembull të mirë të ruajtjes e zhvillimit të gjuhës shqipe, identitetit shqiptar, pasurisë kombëtare dhe vlerave shpirtërore patritotike. Bashkëpunon me thuajse të gjitha shoqatat relevante shqiptare në diasporë, por dhe me qarqet e rëndësishme letrare dhe kulturore austriake, me shkrimtarë e krijues vendas e të huaj në Austri etj.

Një ndër qëllimet e tij madhore është prezantimi dhe përfaqësimi i denjë e i mirëfilltë i kulturës shqiptare, i letërsisë moderne shqipe, para së gjithash i asaj që krijohet në diasporë, përballë shoqërive vendase ku janë vendosur shqiptarët në diasporë.

Me botimin e romanit “1803” në shqip dhe suedisht u realizua një ëndërr e tij e kahmotshme, kurse tani pritet përurimi i kësaj vepre në Austri, Gjermani, Zvicër dhe Suedi. Përkthimin në gjermanisht e bëri albanologu nga Universiteti i Gracit Kurt Gostentschnigg, kurse atë në suedisht e bëri albanologu Ullmar Qvick.
Ky roman në të dy gjuhët mund të gjendet në internet si libër i shtypur dhe si libër elektronik (E-Book), duke kërkuar me emrin dhe mbiemrin e autorit për shembull në Amazon etj., ose në libraritë lokale gjithandej globit. Librat mund të porositen dhe dërgohen në gjithë botën. Numri ISBN në gjuhën gjermane: 9783746066134 dhe në atë suedeze: 9789176997864. Autori mund të kontaktohet edhe gjithandej në rrjetet sociale ose duke vizituar webfaqen e tij personale www.besimxhelili.at, si dhe përmes postës së tij elektronike [email protected]./ KultPlus.com