Besim Zekthi, mjeshtri i madh i valles popullore

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit kujtoi në ditën e tij të lindjes, mjeshtrin e madh të valles popullore shqiptare, Besim Zekthi (1936-2020).

TKOB e cilësoi Besim Zekthin si “figurën e ndritur që la një trashëgimi të pashlyeshme në artin koreografik dhe interpretimin skenik”.

Besim Zekthi, një legjendë e skenës shqiptare, interpretoi mbi 200 valle si solist, duke krijuar qindra figura artistike që mbeten të paharrueshme.

Gjithashtu ai ishte koreografi i disa prej valleve më ikonike: “Dasma e Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, etj. Ai ishte virtuozi që i dha Shqipërisë “Gjerdanin e Artë” në Festivalin e Dizhonit në Francë dhe që me energjinë, temperamentin dhe mjeshtërinë e tij, magjepsi spektatorët në skenat e Ballkanit, Europës, Azisë dhe Afrikës.

Besim Zekthi, laureat i dhjetëra çmimeve e titujve, u vlerësua edhe me titullin më të lartë, “Nder i Kombit”./KultPlus.com

Përkujtohet Besim Zekthi, valltari i shquar i Ansamblit Popullor

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përkujtoi sot, në 88-vjetorin e lindjes, të madhin Besim Zekthi (5 shkurt 1936 – 28 qershor 2020), me një klip të shkëputur nga dokumentari “Vallëzimi i shqipeve” (Endri Keko, 1960).

“Mjeshtër i valles popullore shqiptare, valltar solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e epikës legjendare duke performuar me shpirt dhe hijeshi të veçantë eposin shqiptar”, shkruan AQSHF në faqen e tij online, duke e falenderuar mjeshtrin, për çdo emocion që i dhuroi zemrave të shqiptarëve.

Mjeshtri i valles popullore mbarëshqiptare Besim Zekthi, u nda nga jeta 4 vjet më parë. Ai ishte vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit” dhe “Gjerdani i artë”. Në kalendarin artistik të 2023, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore vendosi koncertin “Legjenda e valles shqipe, Besim Zekthi – Nder i Kombit”, dedikuar valltarit të shquar. /ATSH /KultPlus.com

TKOB, koncert dedikuar mjeshtrit të valles, Besim Zekthit

Në nderim të mjeshtrit të valles popullore mbarëshqiptare, Besim Zekthi, i vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit” dhe “Gjerdani i artë”, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të sjellë për të gjithë artdashësit, koncertin “Legjenda e valles shqipe, Besim Zekthi- Nder i Kombit”.

Koncerti do të shfaqet sonte në TKOBAP, në orën 19:00. Në të do të interpretojnë Orkestra, Grupi i Valleve dhe Grupi Vokal i Ansamblit Popullor. Gjithashtu do të interpretojnë dhe solistët e Ansamblit Popullor, Iris Bega, Adela Bezhani, Malvina Likaj, Aranit Hoxha, Denisa Xhemnica. Në këtë event do të jetë pjesëmarrës edhe grupi i mirënjohur “Pleqtë e Krujës”.

Koncerti do të prezantojë krijimtarinë dhe interpretimet solistike të mjeshtrit Zekthi, bazuar në repertorin krijues të tij, shoqëruar me këngë të përzgjedhura, duke përfshirë dhe momente nga jeta dhe aktiviteti i tij artistik apo vlerësime nga personalitete të ndryshme./ atsh / KultPlus.com