Vogëlushja shqiptare Rita Ora u shpërngul në moshën 1-vjeçare nga Kosova në Angli së bashku me prindërit e saj dhe motrën e madhe Elena, aty nga fundi i viteve ‘90. Por, ndërsa rritej e jetonte në Londër, do të ishte “e mbështjellë” me kulturën, njerëzit dhe traditat e vendit nga u largua.
Gjyshi Besim Sahatçiu, një regjisor i shquar në Kosovë, dhe gjyshja e saj aq e ëmbël dhe fisnike do të jetonin së bashku me prindërit e Ritës në të njëjtën shtëpi. Shpirtin e kishin ende në Kosovë.
I ati Besnik Sahatçiu Ora, rrëfen ekskluzivisht për “Shqiptarja.com” si nisi suksesi i këngëtares shqiptare në botë. Zbulimi i talentit nga mësuesja angleze kur ishte 9 vjeç dhe roli i parë si aktore në moshën 12-vjeçare.
Ruanin lidhjet miqësore, marrëdhëniet me kushërinjtë dhe gjuhën e traditat në familje, e me to mëkonin edhe mbesën e tyre të dashur, një fëmijë që e adhuronin, ndoshta pikërisht, sepse ishte çapkëne dhe këmbëngulëse në ato që dëshironte. Gjyshi e përkthente me epitetin “Rita Pita”, ndërsa në sytë e prindërve ajo konsiderohej “E trenta’ e familjes.
Të gjitha këto i mësojmë nga Besnik Sahatçiu, babai i Rita Orës, të cilin e takojmë një ditë pas koncertit që dha Rita Ora në sheshin “Skënderbej”. Pyeti thjesht si u prit koncerti, ndërsa ende nuk e kishte marrë kurajën të shfletonte gazetat se çfarë shkruanin për të. Ajo që donte të dinte ishte nëse u kënaqën ata që e dëgjuan. Në rreth 20 minuta biseda miqësore, ku i shkëputëm edhe këtë intervistë, Besnik Orën duket se e vumë në siklet me komplimente për të bijën. Dhe fjalë pas fjale, e pyetje pas pyetjesh zbuluam kaq shumë gjëra të panjohura nga jeta e këngëtares shqiptare.
Ndoshta askush nuk e ka ditur se Rita Ora ka ikur vetëm 1 vjeçe nga Kosova drejt Londrës, e megjithatë edhe pse u edukua në shkollat angleze në fëmijëri, dhe nisi karrierën në Amerikë që në adoleshencë, Rita Ora nuk e harroi origjinën e saj. Duke biseduar me të atin, Besnikun, të bie në sy ndjenja e patriotizmit. Besniku thotë se e gëzon fakti që në botë vajza e tij nuk është e vetmja shqiptare e suksesshme. Ishte e kotë t’i thoshe se Rita vetë është e paarritshme. Qëndrimi i tij modest të “çarmatoste”.
Besniku rrëfen me thjeshtësi të vërtetën e jetës së Rita Orës, sakrificat që kanë bërë ata si prindër për ta shkolluar, për të mos lënë në mes të rrugës talentin që shfaqte fëmija i tyre. Në këtë intervistë me Besnikun na duket sikur kemi udhëtuar në jetën e Rita Orës, duke e mbajtur që fëmijë përdore e deri sa ajo rritet e të rrëmben vëmendjen me artin e saj.
Intervista e plotë:
-Ju zoti Besnik jeni babai i artistes së famshme Rita Ora, por edhe djali i një regjisori të shquar kosovar Besim Sahatçiut, dhe keni lindur në Kosovë. Ju kujtohet në rininë tuaj si e keni përjetuar ndarjen e Kosovës me Shqipërinë, kur ju jetonit nën varësinë e Ish shtetit Jugosllav?
Besniku: Unë sot jam 57 vjeç. I kam përjetuar edhe si student demonstratat në ‘81-shin. Atëherë kam qenë 17-18-vjeç. Kam përjetuar luftën dhe megjithatë isha shumë i lidhur me ngjarjet që kanë ndodhur në rininë time, para se të fillonte lufta. Pastaj më vonë kam përjetuar edhe ngjarjet e pavarësisë së Kosovës, e të tjera. Unë kam qenë i lidhur me ngjarjet e Kosovës që në rini, sepse ne si rini kishim dëshirën të ishim së bashku me Shqipërinë. Ashtu mendonte atëherë e gjithë rinia kosovare dhe prindërit tanë që e vuanin ndarjen, dhe kjo dëshirë ishte e madhe. Asnjëherë nuk kemi menduar se jemi dy, kemi menduar se jemi një, shqiptarë e Shqipëri. Ai ka qenë ideali i asaj kohe, kur Kosova përjetonte nga njëra anë shtypjen e serbëve dhe nga ana tjetër mbylljen e kufijve për shkak të regjimit diktatorial në Shqipëri.
-Zoti Kopi Kyçyku, biografi i gjyshit tuaj Besim Sahatçiut, më pati treguar në një intervistë të mëparshme se e keni origjinën nga Shkodra. A kishit të afërm që ju kishin mbetur në Shqipëri?
Besniku: Po ne kemi një prejardhje nga Shkodra prej stërgjyshit tonë. Xhaxhallarët e mi kanë ditur më shumë, por sot nuk janë gjallë. E dimë se kemi origjinë prej familjes Kazazi nga Shkodra, dhe ata kanë ardhur në Kosovë disa vëllezër të kësaj familje, njëri nga shkuar në Gjakovë, njëri në Pejë, njëri ka mbetur në Kaçanik. Kjo është historia. Kanë ardhur prej Shkodrës andej dhe kemi mbetur në ato qytete, ku kemi mbetur, dhe kemi marrë mbiemrin Sahatçiu. Ende kemi kushërinj që kanë mbajtur mbiemrin Kazazi nga ata që erdhën në Kosovë.
Kushëriri ynë Abaz Kazazi, ka qenë guvernator i Bankës së Kosovës. Ai është kushëriri ynë direkt, dhe nuk e ka ndërruar mbiemrin. I ka mbetur Kazazi. Kjo është historia. Gjyshërit tanë kanë ardhur prej Shkodrës, dhe kanë mbetur në ato qytete që përmenda, duke ndërruar mbiemrin. Nuk e kemi ndërruar vet ne mbiemrin, por mbiemrin na e kanë ndërruar se të parët e mi, gjysh stërgjyshi janë marrë me tregti, me zeje, pra sahatçinj, orëndreqës, me tregtinë e orëve. Ndaj janë thirrur Sahatçi (orëndreqës). Dhe në atë kohë siç kemi qenë nën ndikimin otoman ngeli nga orëndreqës në Sahatçiu. Dhe unë duke qenë shumë i afërt me babën (se ai ishte, jo vetëm një regjisor në profesion, por edhe ishte i lidhur shumë e letërsinë), e si bisedonin shpesh për librat, e pyes njëherë: “Babë, po Sahatçiu nuk është emri ynë origjinal. A duhet ta lëmë ashtu siç është. Apo duhet shtuar edhe Ora sipas shqipes. Dhe kur i thashë këtë, unë e kisha edhe një vizion, se atëherë Rita ishte e vogël, mirëpo kishte shprehur një talent të madh. Dhe un mendova që nëse ndodh diçka që ajo të eci, është shumë më lehtë në atë botën perëndimore me promovu emrin.
-Në fotografitë e fëmijërisë, Rita shfaqet shumë ekspresive si karakter, cila ka qenë natyra e saj e vërtetë?
Besniku: Po gjithmonë ajo ka qenë më e “trenta” (çamarrokja) në familje. Dhe s’është ndalur për çfarë ka dashur ta bëj, asnjëherë.
-Më tregoni, ju lutem, hapat e parë të Ritës si këngëtare, si i nisi?
Besniku: Rita ka kënduar gjithmonë në korin e shkollës në Angli. Dhe në atë kohë kur ishte në moshën 8-9-veçare, gjithmonë mësuesja e muzikës e ka marrë në korin e shkollës, dhe në çdo vit kur bëheshin Kërshendellat (Krishtlindjet) dhe ajo këndonte dhe interpretonte. Dhe për shkak se mësuesja na tha se fëmijën e keni të talentuar edhe për aktrim, edhe për muzikë, mendoj se është më mirë, nëse keni mundësi ta çoni në një shkollë më profesionale. Po atëherë ishte gjallë edhe baba Besimi, gjyshi i Ritës, dhe ai atëherë na tha: “Çojeni në shkollë të aktrimit”.
Kështu u lidhën rrethanat, në kohën e caktuar, momentin e caktuar. Ishte dhe fati i saj dhe talenti dhe ndërsa të gjitha u lidhën së bashku, erdhi dita dhe e kemi çuar në një shkollë prestigjioze në Londër. Kemi pasur vështirësi me e pagu, se ishte shkollë e rregullt, jo me korrespodencë. Ishte shkollë private dhe ka kushtuar shumë. Mirëpo ia kemi dalë qysh unë me bashkëshorten kemi punuar shumë për ta ndihmuar atë, por nuk e kemi ditur nëse do të arrinte sukses, por në fund të fundit erdhi ai moment që ajo ia doli.
-E keni pasur të vështirë komunikim si prind me të në moshën e adoleshencës. Ka një pikë të jetës së tyre që prindërit hasin në vështirësi të komunikimit. Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja?
Besniku: Vështirë ka qenë, sepse në moshën 17-vjeçare, Rita ka dalë prej shtëpisë, sepse e ka marrë në Amerikë Jay Z, që e ka marrë që asaj kohe e kanë nënshkruar kontratën me Roc Nation.
-Ishit i shqetësuar që iku aq herët nga shtëpia?
Besniku: Natyrisht se ajo ishte ende fëmijë, por nga ana tjetër kishim atë krenarinë, se po arrin shumë gjëra dhe po zhvillohet. Kështu që dhe kjo na ka mbajtur pak me kurajë, për të na shëruar nga dhimbja e mungesës. Rita ka qenë e dëgjuar shumë në atë kohë, se ishte e para shqiptare, që arriti një nivel aq të lartë, por tani ne me të drejtë mburremi se janë shumë artistë të tjerë që po marrin emër në botë. Është Dua Lipa, është Bebe Rexha, Era Istrefi, kemi dhe futbollistë të shumtë që tregojnë sukses dhe talent në botë.
-Me Jay Z, që e promovoi për herë të parë pati një ndarje jo të mirë për shkak të gjyqit, apo ka mbetur miqësia e mirënjohja mes tyre?
Tani unë nuk duhet të flas shumë për këto. Po ashtu kane qenë interesat e secilit prej tyre dhe ashtu i kanë kryer punët. Për promovimin që i bëri artisti Jay Z ajo është mirënjohëse. Ata të dy kanë një respekt të dyanshëm për njëri-tjetrin. Jay Z është emër shumë i suksesshëm, si artist, si biznesmen. Mirëpo në një çast të caktuar interesat i kanë pasur të tjera, por Jay Z është një faktor shumë i madh që i ka ndihmuar Ritës për të mbërritur aty ku është, edhe në ditët e sotme rrinë së sëbashku, kur takohen me atë dhe me Bionce.
-Le të kthehemi sërish tek rrënjët shqiptare. Sepse koha e qëndrimit tuaj nuk mjafton për të përshkruar karrierën e Rita Orës. Cilat janë marrëdhëniet e saj me gjuhën shqipe, me Kosovën, shqiptarët?
Besniku: Rita ka shkuar qysh një vjeç në Londër, por edhe atje kemi pasur një komunitet të vogël shqiptarësh. E atje Rita ka ndenjur me shoqet. E kemi komunikuar me familjet shqiptare. Kështu që ajo ka folur edhe gjuhën, edhe në familje e kemi folur gjuhën se ne në emigracion kemi jetuar së bashku me prindërit. Ajo ka folur shqip me gjyshërit dhe me shokë e shoqe të Shqipërisë. Asaj i është dashur gjithmonë të tregoj edhe origjinën se nga është.
-Deri në cilën fazë të suksesit e arriti ta shihte Ritën gjyshi i saj, Besim Sahatçiu?
Besniku: Gjyshi nuk e arriti me pa suksesin e madh, por ai arriti ta shikonte kur Rita mori pjesë në një rol të vogël në moshën 12-vjeçare në një serial televiziv në BBC, të quajtur “The Brief” dhe ka qenë shumë i lumtur dhe na tha se ajo është gati për të arritur suksese. Por suksesin e mëvonshëm, fatkeqësisht nuk e ka arritur, sepse babai im në 2005-n ka vdekur. Suksesi i Ritës ka marrë zhvillime më vonë.
-Së fundi, çfarë mund të thoni për koncertin e saj në Tiranë?
Për koncertin e Tiranës, ndihem i nderuar dhe i falënderoj për organizimin e koncertit, veçanërisht kryebashkiakun Erjon Veliaj. E falënderoj që e krijoi këtë mundësi për të ardhur Rita në Tiranë. Dhe besoj se do vijojë me të tjerë artistë. Është pozitive për rininë./ KultPlus.com