Fshati Labovë e Kryqit, i shtrirë rrëzë vargmaleve dominuese të luginës së Drinos, përfaqëson Shqipërinë në nismën “Best Tourism Villages” e iniciuar nga Organizata Botërore e Turizmit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Labova e Kryqit e përzgjedhur si një nga fshatrat turistikë më të mirë në botë.
Fshati që e merr emrin nga kisha e Shën Mërisë së Kryqit, sipas kryeministrit “këtë vit përfaqëson Shqipërinë në nismën ‘Best Tourism Villages’ e iniciuar nga Organizata Botërore e Turizmit.
“Best Tourism Villages” është një program që promovon fshatrat e të gjithë botës të cilat janë destinacione të turizmit të qëndrueshëm dhe mbështesin traditat, kulturën apo asetet natyrore përkatëse.
Pjesë e Bashkisë së Libohovës, emri i Labovës së Kryqit lidhet me kishën e Shën Mërisë së Kryqit, si një nga monumentet më të rëndësishme në vend dhe rajon e cila gëzon statusin e “Monument Kulture të Kategorisë së Parë”.
I vendosur rrëzë vargmaleve të luginës së Drinos, fshati është lehtësisht i aksesueshëm nga Libohova dhe Gjirokastra me një distancë prej 27 kilometrash.
Labova e Kryqit paraqet një identitet të fortë në të gjithë zinxhirin e fshatrave që hyjnë në luginën e Drinos.
Pasuria e dimensionit të saj fizik dhe jofizik përbën një surprizë të jashtëzakonshme për këdo.
Ndërthurja e vlerave kulturore si kalaja e Labovës rreth 2300-vjeçare apo gërshetimi i mikpritjes vendase me kulinarinë janë veçori që e bëjnë Labovën e Kryqit të përzgjidhet pjesë e fshatrave më të mirë të turizmit në botë nga Organizata Botërore e Turizmit./ atsh / KultPlus.com