Kjo është e vërteta për Betejën e Kosovës (1389)

Nga Milazim Krasniqi

Vendi ynë së paku një herë në vit ballafaqohet me Betejën e Kosovës, e cila në çdo përvjetor të saj rikthen jo vetëm fantazmat e mitit por edhe nacionalistët e hakërryer serbë, që me të folurat e tyre përçartë, vazhdimisht përsërisin se si do të hakmeren për Kosovën e humbur në Mesjetë po edhe për këtë të humburën në fundin e shekullit XX. Kjo betejë e tyre absurde do të vazhdojë edhe për shumë kohë, prandaj krahas përgjigjes politike, të cilën tashmë e ka marrë, klerikalo-nacionalizmi serb duhet të merr edhe një përgjigje të re historike dhe kulturore nga ana jonë. Kjo do të thotë se qëndrimi i shqiptarëve ndaj asaj ngjarjeje dhe rrjedhimeve të saj duhet të ridefinohet, për të shpëtuar nga pamja halucinante e mitit serb, e cila për njëfarë kohe e ka turbulluar në njëfarë mase edhe mendjen tonë dhe për të krijuar një digë refuzimi ndaj manipulimit aktual serb lidhur me Kosovën. Rruga e vetme e drejtë për këtë ridefinim është që Beteja e Kosovës e vitit 1389 të interpretohet në bazë të fakteve historike dhe interpretimit logjik të tyre brenda kohës dhe konteksteve konkrete etnike, fetare, politike e kulturore.

Nisur nga kjo pikënisje, koalicioni për Betejën e Kosovës ka qenë i negociuar ndërmjet kontit Llazar Hrebelanoviqit dhe mbretit të Bosnjes, Tvërtkos, të cilët paraprakisht kishin arritur një marrëveshje për ndarjen e shtetit të Dushanit, i cili kishte filluar të shkërmoqej. Ajo ndarje e negociuar e trashëgimisë së Dushanit në dy njësi më të mëdha, i mbante ata të lidhur në interesat e tyre për mbrojtjen e sundimit dhe për eliminimin e pretendentëve të tjerë të fronit të ish shtetit perandorak serb. Pretendent serioz mbi trashëgiminë e Dushanit, krahas Llazarit e Tvërtkos, ishte Kraleviq Marku, i biri i mbretit Vukashin, i cili sundonte në Prilep dhe i cili në Betejën e Kosovës u rreshtua në anën e ushtrisë osmane. Rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e osmanëve, ka implikime serioze mbi karakterin e asaj beteje. E para, kjo tregon se nuk ka qenë një betejë ndërmjet një koalicioni të krishterë dhe një tjetri mysliman, meqë rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e forcave osmane, e rrëzon këtë pretendim. Pra, rivaliteti ishte edhe ndërmjet vetë serbëve, që po rivalizonin e po bënin përpjekje që të zhvatnin sa më shumë territore e pushtet mbi rrënojat e ish shtetit të Dushanit. Mbreti Vukashin nga ana e vet dhe i biri i tij, Kraleviq Marku, kishin pretendimin se ishin trashëgimtarë të ligjshëm të shtetit perrandorak serb. Në kohën e sundimit të car Dushanit, Vukashini ishte emërtuar prej vetë perandorit si sekretar i shtetit dhe me testament poashtu ishte emëruar këshilltar i Uroshit, të birit të Dushanit. Vdekja e mbretit Vukashin po edhe e Uroshit në Betejën e Maricës në vitin 1371, paraqet ngjarjen më kulmore tragjike të serbëve dhe nëse do të duhej të mbahej mend ndonjë ngjarje nga ajo periudhë, është pikërisht beteja e Maricës, me të cilën u shua dinastia nemanjide, me çka u hap rruga e shkërmoqjes së shtetit serb. Pas disaftës në Maricë, pra tetëmbëdhjetë vjet para Betejës së Kosovës, disa nga sundimtarët serbë e pranuan vasalitetin ndaj sundimit osman, e ndër ta edhe i biri i mbretit Vukashin, Kraleviq Marku. Ai si vasal edhe mori pjesë në betejën e Kosovës në anën e osmanëve, megjithëse arsyet e tij mund të kenë qenë më të thella, se sa detyrimi i imponuar nga vasaliteti. Kraleviq Marku mund të ketë pasur idenë që pas disfatës së Llazarit e të Tvërtkos, të shtrijë sundimin e vet edhe mbi territoret e tyre dhe të rikthejë territoret që ia kishin marrë Ballshajt, vetëm disa vite më parë. Nëse kjo do të mund të dokumentohej me të dhëna dokumentesh, atëherë do të rezultonte se beteja e Kosovës ka pasur edhe elemente të luftës civile ndërmjet vetë serbëve. Këngët epike serbe e theksojnë elementin e tradhtisë, të Vuk Brankoviqit, me çka në një mënyrë edhe e krijojnë idenë e një komploti brendaserb. E drejta, disa vite para Betejës së Kosovës, mbreti Vukashin marshoi kundër Llazarit dhe dhëndrrit të tij, Vuk Brankoviqit, duke ua marrë një pjesë të territoreve, gjë që konfliktin brenda vetë serbëve e mbante të gjallë.

Ç’është e vërteta, përçarjet dhe konfliktet ndërmjet sundimtarëve serbë, Vukashinit, Lazarit e Vuk Brakoviqit, të plotësuara edhe nga veprimet e Nikolo D’ Altomanos, pasardhësit të sundimtarit Vojsav Vojnovit, e lehtësuan marshimin e osmanëve. Prandaj, më shumë se sa epitetin e një koalicioni unik, sundimtarët serbë ata e kanë epitetin e rivalëve të përçarë, që ia kishin me hile njëri-tjetrin. Edhe fakti që menjëherë pas Betejës, trashëgimtarët e Llazarit e pranuan vasalitetin ndaj osmanëve dhe bënë krushqi të rrufeshme me ta, duke ia dhënë sulltan Bajazitit për grua Milevën, të bijën e Llazarit, është tregues i atij pasioni për ruajtjen e pushtetit me çdo kusht dhe i mungesës së përkushtimit për ruajtjen e një fronti të përbashët antiosman.

Një element me rëndësi lidhur me Betejen e Kosovës është abstenimi i dy sundimtarëve të fuqishëm të asaj kohe, Karl Topisë dhe Gjergj Strazimir Balshës II, territoret e të cilëve ishin me koncentrim më të theksuar të popullsisë arbëre. Mospjesëmarja e tyre në koalicion i ka brenda vetes dy motive, motivin etnik dhe atë fetar. Motivi etnik ka të bëjë me përpjekjet e tyre që të kompaktësohen e të forcohen, pas fillimit të shkërmoqjes së perandorisë serbe, e cila ua kishte zënë frymën. Fitorja e Gjergj Strazimir Ballshës I kundër Kraleviq Markut dhe marrja prej tij e Prizrenit, pak vite më parë se sa të ndodhte Beteja e Kosovës, kishte shkaktuar edhe fërkim etnik në territoret e përfshira në atë konflikt. Nga ana tjetër, dihet se “Ballshajt kishin përqafuar fenë katolike më 1369” gjë që ka pasur implikimet e veta, së paku psikologjike në raport me ortodoksinë serbe. Poashtu, edhe princi shqiptar, Karl Topia, ishte katolik dhe i lidhur me lidhje speciale me Venedikun, gjë që poashtu ka pasur implikimet e veta në qëndrimin e mbajtur ndaj koalicionit serb. Përfundimisht, mospjesëmarrja e dy dinastive me elemente shqiptare, e Ballshajve dhe e Topiajve në atë koalicion, tregon mospjesëmarrjen faktike të shqiptarëve. Pjesëmarrja e shqiptarëve në radhët e ushtrisë së Vuk Brankoviqit, ishte pjesëmarrje e të nënshtruarve, që ishin të detyruar të luftonin nën komandën e sundimtarit të tyre të imponuar. Ndonjë pjesëmarrës tjetër, si Muzaka e Dhimitër Jonima, (ishte edhe ai vasal i Brankoviqit), ishin feudalë të vegjël e pa asnjë element të subjektivitetit shtetëror, i cili në atë kohë, me aq sa ishte, ishte nën autoritetin e Ballshajve dhe të Topiajve.

Me rëndësi edhe më të madhe në këtë kontekst politik e fetar të ngjarjes, është qëndrimi abstenues që mbajtën ndaj koalicionit ndërmjet Tvërtkos e Llazarit dhe aleatëve të tyre dy shtetet më të fuqishme katolike të asaj kohe, Hungaria dhe Venediku. As njëri e as tjetri nuk e ndihmuan koalicionin serb, edhe pse formalisht Llazari ishte vasal i mbretit hungarez. Edhe ky qëndrim e bën të qartë se nuk mund të bëhet fjalë për një konflikt ndërmjet feve e qytetërimeve, sepse mospjesëmarrja e shteteve katolike të kohës, e përjashton motivimin fetar të asaj beteje. Disa vite më vonë, saktësisht në vitin 1396 u organizua një kryqëzatë e motivuar fetarisht e shteteve katolike kundër Perandorisë Osmane, kryqëzata e Nikopojës, por edhe ajo përfundoi me një katastrofë të tyre.

Nga ana tjetër, nuk duhet të shmanget nga vëmendja e vërteta se shtetet serbe të Tvërtkos dhe Llazarit, në atë kohë ishin të dobëta e nuk mund të konsideroheshin si lidere të botës krishtere. Përkundrazi, Hungaria dhe Venediku kishin primatin e shteteve lidere të krishterimit në këto hapësira, prandaj pa pjesëmarrjen e tyre në një koalicion, ai nuk ka mundësi kurrsesi që të quhet koalicion i krishterë. Në Betejën e Kosovës nuk ka marrë pjesë me asgjë as Raguza, poashtu një entitet i rëndësishëm dhe i proviniencës katolike e madje as Kotorri, apo ndonjë komunë tjetër bregdetare gjithashtu të proviniencës katolike. Edhe pse prezenca e raguzanëve ka qenë e dukshme edhe në qytetetet e gadishullit ballkanik nën sundimin serb në atë kohë, ata janë rezervuar nga çfarëdo implikimi në anën e koalicionit serb. Bile, është shënuar një gjest i tyre shumë domethënës edhe nga aspekti fetar: kur Gjergj Strazimir Balsha II ia mori Kraleviq Markut Prizrenin, raguzanët që jetonin në atë qytet, e kanë pritur me dhurata të vlefshme. Ndërsa, vetë sundimtari i Zetës, Gjergj Strazimir Ballsha II, sikundër pohon studiuesi i famshëm Gjuzepe Gelqiqi, “ në ditën fatale të betejës së Kosovës, ndodhej pikërisht në Ulqin”. Pra, e gjithë bota katolike e asaj kohe ka abstenuar nga ajo betejë, duke i lënë serbët ortodoksë dhe vasalët e tyre, që të rropateshin vetë në konfrontim jo vetëm me osmanët, po edhe me renegatët e vet, si puna e Kraleviq Markut.

Po të shikohen rrjedhimet pas Betejës së Kosovës, tabloja duket edhe më e habitshme dhe pa asnjë arsye për t’u krenuar humbësit serbë: e bija e Llazarit, Mileva u bë gruaja e sulltan Bajazidit, me çka lidhja e krushqisë u zgjerua edhe në raport me Vuk Brankoviqin, i cili ishte dhëndërr i kontit Llazar (Mara ishte gruaja e Vuk Brankoviqit). Ndërsa ajo lidhje shkoi duke u zgjeruar edhe më tej, meqë Helena, poashtu bijë e Llazarit, u bë gruaja e Gjergjit II të Ballshajve. Kjo lidhje krushqie ndërmjet tyre dhe sulltanit, e përjashton krenarinë kombëtare dhe fetare nga sjelljet e serbëve, të cilët me të siguruar të vasalitetit nga osmanët, u treguan shumë entuziast dhe besnikë të sulltan Bajazidit. Të dy bijtë e Llazarit, Stefani dhe Velkoja, luftuan me besnikëri në krahë të sulltan Bajazidit, deri sa ai humbi fatalisht në Betejën e Angorës më 28 korrik 1402, ndërsa ata u kthyen si humbës e kërkuan strehë në Ulqin, te dhëndërri i tyre, Gjergj Ballsha II. Ndërsa, lidhur me Millosh Kopiliqin, në relacione dhe dokumente të kohës nuk ka të dhëna të qëndrueshme e të besueshme, që do ta prezantonin si një personalitet historik. Formësimi i figurës së tij më shumë i dedikohet poezisë se sa historisë, ndërsa dihet që nga Aristoteli se poezia i paraqet gjërat ashtu si kanë mundur të ndodhnin e jo ashtu si kanë ndodhur. Prandaj, duken joseriozë ata historianë dhe intelektualë që hulumtimin dhe vlerësimin e bazojnë në këngët epike, qofshin ato serbe, shqiptare apo të popujve të tjerë. Në fund të fundit, vrasja e sulltan Muratit, nuk e ndërroi fatin e serbëve, nuk e pengoi disfatën e tyre, prandaj nuk ka pse të ekzagjerohet si ngjarje. Janë të shumtë mbretër e perandorë që kanë rënë në beteja, por edhe ajo inkuadrohet në rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve, e nuk ka pse të krijohen mite tronditëse, që pastaj e deformojnë pamjen e vërtetë të historisë. Por, kjo u ndodh popujve të vegjël e të kompleksuar, të cilët vogëlsinë e tyre faktike mundohen ta zëvendësojnë me madhështinë e rreme mitike të së kaluarës. Serbët janë shembull tipik i kësaj mendësie. Por ne shqiptarët nuk kemi arsye të kemi asnjë kompleks. Nëse arsyet e serbëve për të vajtuar disfatën e tyre janë psikologjike, arsyet e shqiptarëve, për ta trajtuar me të njëjtat përfytyrime atë betejë, nuk janë normale. Sipas mitologjisë serbe, gjaku i car Llazarit, i cili e ka “shenjtëruar tokën serbe të Kosovës”, është gjak i cili simbolizon serbizmin e Kosovës dhe prezencën e përhershme të Serbisë në Kosovë. Prandaj, nga pikëpamja shqiptare, ajo betejë ose roli i saj duhet të shikohet në mënyrë kritike, e jo romantike. Ndërsa, kremtimet e tashme klerikalo-nacionaliste të serbëve në Gazimestan janë vazhdimësi e asaj pamjeje të deformuar që ata kanë krijuar për veten e tyre dhe në atë kontekst edhe për betejën e Kosovës. Por shqiptarët nuk kanë pse të inkuadrohen në atë pamje të deformuar të historisë së rreme serbe. Më sa kanë arsye që të marrin pjesë në kremtimet e tashme histerike klerikalonacionaliste në Gazimestan. Pretendimi serb se pronësia mbi Kosovën u siguruaka nga Beteja e Kosovës e vitit 1389 dhe nga gjaku i car Llazarit i derdhur në të, është pretendim krejtësisht naiv, sikundër që pretendimi eventual shqiptar se gjoja pronësia mbi Kosovën ruhet duke participuar në mitin serb të Kosovës, është poashtu pretendim naiv. Pronësinë mbi Kosovën shqiptarët e kanë fituar në historinë e re, duke e finalizuar para disa viteve. Ndërsa, sa i përket të kaluarës, ne kemi mjaft ngjarje të tjera të historisë sonë për t’i mbajtur mend dhe për t’i kremtuar, pa qenë nevoja t’i mbajmë si tonat festat që i festojnë serbët, në dëm tonin./ KultPlus.com

Mund të jetë një imazh i 1 person

635 vite nga Beteja e Kosovës

Kanë kaluar 633-vjet nga zhvillimi i Betejës së Fushë -Kosovës, ose Beteja e Dardanisë.

Ajo u zhvillua më 15 qershor 1389 (sipas kalendarit të ri më 28 qershor). Kjo betejë u zhvillua midis ushtrive të principatave të Ballkanit dhe Perandorisë turke. Beteja e Fushë-Dardanisë është vepër e rezistencës antiosmane e popujve të Ballkanit.

Koalicioni ballkanik në Betejën e Fushë – Dardanisë përbëhej nga :
Shqiptarët me – Princi Gjergj Balsha II, sundimtar i Shkodrës. Kjo principate kishte në zotërim midis të tjerave në jug Vlorën, në verilindje Pejën dhe Prizrenin, në lindje gjithë Dibrën e madhe dhe në veri shtrihej deri në jug të gjirit të Kotorrit (përfshirë Ulqin, Tivar, Budva)
– Princi Teodor Muzaka, zot i Beratit dhe i Myzeqesë.
– Dhimitër Jonima, zot i trevave përgjatë rrugës tregtare Lezhë-Prizren.
– Andrea Gropa, zot i Ohrit dhe i rajoneve për rreth tij.
– Morën pjesë dhe luftëtarë me kapedanët e tyre nga Himara dhe Epiri
– Një pjesë e ushtrisë e Vuk Brankovicit, sundimtar i pjesës veriore të Drenicës dhe i Fushë Dardanisë, ishte me luftëtarë shqiptarë.
Serbët u përfaqësuan me:
– Princi Lazar, sundimtar i serbëve të Rashkës
– Vuk Brankovic, sundimtar i pjesës veriore të Drenicës dhe i Fushë- Dardanisë(me pjesën serbe të ushtrisë).

Në prag të fillimit të betejës Vuku u largua nga beteja. Rumunët me : -Vojvod Mirçea,Kroatët me -Bani kroat Ivan Horvat,Boshnjakët-Mbreti Tverko i Bosnjes. Pothuajse të gjitha trojet shqiptare dërguan luftëtarët e tyre në këtë luftë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Beteja e Çabratit paraqet stoicizmin e vajzave e djemve të UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka kujtuar Betejën e Çabratit, duke thënë se kjo betejë paraqet stoicizmin e vajzave dhe djemve të Brigadës 137 “Gjakova”, të Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u vunë në mbrojtje të popullatës civile të Gjakovës nga barbaria e regjimit gjenocidal të Serbisë.

“Në këtë betejë ranë heroikisht 26 luftëtarë të UÇK, ndërkaq forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë mizorisht rreth 100 banorë dhe rrëmbyen me dhunë mbi 300 të tjerë. Vendosja e drejtësisë është angazhim i yni i vazhdueshëm. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë dëshmorët e UÇK-së dhe për të rënët për liri”, ka thënë Osmani.

‘Beteja’ ekspozita personale e Hagji Gjonit që shpërfaq ndeshjen e fronteve të luftës me skulptura në miniaturë

Vjollca Duraku

Gjashtë skulptura të ndërthurura me një fabul të thellë filozofike, prapa së cilës qëndron termi i luftës, janë paraqitur në ekspozitën e pestë personale të skulptorit Hagji Gjoni, shkruan KultPlus.

Ekspozita me theks të veçantë i është kushtuar shtetit të Ukrainës dhe vendeve të tjera të cilat aktualisht janë në luftë. Me theks të veçantë ekspozita shpreh shpirtin e ndjeshëm të artistit i cili edhe vet e kishte përjetuar luftën e Kosovës, ku me këtë rast ka marr mbi supe trajtimin e një teme të tillë dhe dërgimin e mesazheve nëpër botë brenda natyrës së humanizmit për këtë tematikë e cila rrezikon demokracinë dhe çdo gjë tjetër që përfshihet në të.

Secili punim ne thelb ka tregimin për të rënët. “Figurat e kuajve”- paraprojektohen si tankse, sinonim i armëve të rënda, formulë e shtigjeve garuese apo deshifrim i të fortëve.

“Figura e qiriut”- shpreh kufijtë e dhimbjes dhe të përlotjes, ndërsa “thesi me grurë” përkon me proverbin “çka mbjellë korrë” si metaforë për rreziqet potenciale gjersa të fortët godasin me bomba tokën për të helmuar tokë e ujë, kurse njeriu i thjeshtë ngel me thes në shpinë si hamall.

Përderisa “Saksia” paraqet paqen, aromën, ngjyrat e dashurisë, kthesat dhe dëshirën për të kapërcyer kufijtë gjembor dhe hasmëritë e mëdha që janë bërë nyje barrikaduese e mendimit të lirë në etherin qiellor.

Kjo ekspozitë me mesazhe të thella për botën u shpall e hapur në ambientet e ngrohta të strehës së artit dhe kulturës shqiptare dhe asaj botërore, në KultPlus Caffe Gallery.

Kuratorja e ekspozitës dhe njëkohësisht edhe drejtoresha e mediumit KultPlus në hapje të ngjarjes në fjalë tha se formati minimalist me të cilin skulptori kishte shprehur pasionin e madh për artin e kishte nxjerrë në pah edhe anën profesionale të tij.

“Pikërisht, ky format minimalist e ka nxjerrë në pah anën profesionale të Haxhiut i cili ka sjell versione të ndryshme të cilat po i shohim në këtë ekspozitë.  Gjoni dëshmoi se jo gjithmonë formatet e mëdha tregojnë profesiosnalizmin, se pikërisht këto skulptura të formatit të vogël, të punuara me aq delikatesë tregojnë për punën artistike të Gjonit. Unë jam shumë kureshtare të di se si ka për të funksionuar Haxhiu gjatë kohës sa këto skulptura do të jenë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, pasi përgjatë takimeve që i kemi pasur me të deri në realizimin e kësaj ekspozite kam parë nga afër sa shumë ishte i lidhur me punimet e tij”, u shpreh kuratorja Pajaziti.

Drejtoresha Pajaziti më tej u shpreh e lumtur që pikërisht KultPlus Caffe Gallery është hapësira që po prezanton këto punime kaq elegante.

“Ne jemi me fat që KultPlus Caffe Gallery po i prezanton këto skulptura kaq të veçanta, andaj ftojmë edhe ata që nuk kanë arritë të jenë sonte, të vijnë përgjatë javës dhe të shohin nga afër këto skulptura” ka përfunduar Pajaziti.

Kurse Naser Shatrolli, zyrtar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila edhe e ka përkrahur ekspozitën, tha se artisti Gjoni është unik në llojin e vet pasi është i lidhur fuqishëm shpirtërisht me skulpturën si variant i artit në përgjithësi.

“Ardiana tha me plotë të drejtë që Gjoni është i lidhur fuqishëm shpirtërisht në kuptimin e përgjithshëm me skulpturën, me gurët, me miniaturat të cilat i zgjedh në të gjitha kontitnente të botës dhe i sjell e kontekstualizon me një ide të caktuar.  Kësaj radhe ekspozita i kushtohet Ukrainës ose vendeve ku zhvillohen luftëra dhe ku ajo ndjeshmëria ndaj njeriut ose botës njerëzore është element jetik për vetë universin dhe globin. Me këtë rast e kemi nisur me atë qiriun, grurin, kuajt atë supremacionin e asaj çka quhet e fuqishme e superfuqive kur të provojnë të ndeshen është një ekspozitë që është shumë simbolike por ka brenda vetvetes, brenda strukturës shumë elemente që japin porosi për botën”, ka thënë Shatrolli.

Ai më tutje tha se veprat e Gjonit janë unike pasi është pasioni i madh i tij që bën që artisti të jetë mikroskopik deri në detajizim të skulpturave, për të paraqitur një realitet të përmasave globale me fabula në miniaturë.

“Është krijues që nuk ndihet mirë kur sheh luftëra, sepse edhe vet e ka përjetuar luftën në Kosovë, ndërsa sot po e shohim në Ukrainë dhe vende të tjera me krizë lufte. Është misioni i artistit që këto mesazhe t’i dërgoj kudo dhe unë vërtetë e përgëzoj z. Gjonin, i cili është i përkushtuar jashtë mase në këtë fushë dhe këtu e shihni një dashuri të skajshme nën punën e tij. Është mikroskopik në trajtimin e këtyre veprave këto janë vepra me të vërtetë unike dhe kështu do të ngelen” është shprehur Shatrolli.

Shatrolli më tej e falënderoi edhe drejtoreshën e KultPlus, Ardianë Pajazitin për mundësinë dhe hapësirën që i jep në vazhdimësi artit dhe artistëve.

Ndërsa vetë skulptori Hagji Gjoni u shpreh falënderues për pjesëmarrjen e të gjithë artdashësve, duke i ftuar që ekspozitën ta shijonin nga afër secili në mënyrën e tij.

“Unë desha të ju falënderoj për pjesëmarrjen që keni gjetur kohë të vini në hapjen e këtij eventi. Shpresoj që puimet e mija do të ju pëlqejnë dhe ju ftoj që t’i shijoni nga afër” u shpreh artisti Gjoni.

Krejt në fund pjesëmarrësit patën mundësi që ta përgëzonin artistin për punën tij aq unike dhe të shijonin secili nga afër domethënien e veprave artistike.

Ekspozita do të qëndroj e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery. /KultPlus.com

25 vite nga beteja e Fortesës së Rahovecit, përkujtohen të rënët për liri

Sot janë bërë 25 vite kur Ushtria Çlitimtare e Kosovës ka krijuar rezistencë në fshatin Fortesë, për të ndaluar forcat serbe për të hyrë në Rahovec, datë e cila shënon edhe një prej ngjarjeve më të rëndësishme të qytetit shkruan KultPlus.

 Më 18 korrik 1998, në Fortesë u krijua rezistencë në pjesën që lidh fshatin e Xërxës me Rahovecin, kundër pushtuesve serb të cilët i kishin mësyrë qytetit.

Në luftimet e ashpra, të cilat ndaluan për 30 orë depërtimin e forcave serbe në Rahovec, ranë dëshmorë: Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj, ndërsa të lënduar mbetën Isuf Gashi, Halim Kelmendi dhe Smajl Latifi.

Kryetari i Komunës së Rahovecit i cili atëkohë ka qenë pjestarë i UÇK-së përmes një postimi ka përkujtuar dëshmorët dhe këtë ngjarje me peshë të madhe për Rahovecin:

18 korriku i vitit 1998 shënon njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Rahovecit. 25 vjet më parë, në Fortesë u shkrua epopeja e qëndresës duke luftuar kundër pushtuesit që kishte mësyrë qytetin e Rahovecit ku forcat tona çlirimtare po luftonin me hordhitë serbe. Në rezistencën e Fortesës ranë në altarin e lirisë, heronjtë Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj.

Krimet barbare të forcave pushtuese serbe, u sfiduan heroikisht nga luftëtarët e UÇK-së, të cilët më 17 korrik të atij viti, u futën në qytetin e Rahovecit dhe si nevojë e ruajtjes së pozicioneve, njësitet e UÇK-së, në mëngjesin e hershëm të 18 korrikut, i zunë pozicionet e reja në Fortesë, në të dy anët e rrugës kryesore që lidh Xërxën me Rahovecin.

Luftimet qenë të ashpra. Forcat tona ishin të pabarabarta me forcat e pushtuesve serbe që angazhuan edhe forca shtesë, ato të ushtrisë serbe. Çmimi i kësaj përpjekjeje për liri u pagua shtrenjtë, pasi që ranë tre luftëtarë të sprovuar, heronjtë Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj, u plagosën rëndë Isuf Gashi, Halim Kelmendi dhe pata fatin që atë ditë të plagosem edhe unë.

Luftimet e UÇK-së në Fortesë ndaluan për 30 orë depërtimin e forcave ushtarake dhe policore serbe në Rahovec. Në këto luftime të përgjakshme, humbëm bashkëluftëtarë të sprovuar nëpër beteja, shumë shokë na u plagosën, disa prej tyre u zunë edhe rob, barbaria serbe vrau shumë bashkëqytetarë tanë, por luftimet e atyre ditëve të korrikut përvëlues, rezistenca e UÇK-së dhe mbështetja që i dha popull ynë në këto anë, i bëjnë nder Kosovës dhe kombit tonë.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të atdheut që ranë në betejën e Fortesës, më 18 korrik 1998!

Përulemi me përkushtim para veprës së tyre madhështore e të pavdekshme!

Lavdi Epopesë së UÇK-së në Fortesë!/KultPlus.com

25 vite nga Beteja e Grykës së Llapushnikut

Sot, shënohet 25 vjetori i Betejës së Llapushnikut, të zhvilluar në më 7-9 maj të vitit 1998 mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pushtuesve serbë, shkruan KultPlus.

Kjo betejë zgjati tre ditë dhe konsiderohet ndër betejat më të ashpra, që është zhvilluar në kuadër të luftës së popullit shqiptarë për liri.

Beteja e Grykës së Llapushnikut, ësht një ndër ngjarjet më me rëndësi që u zhvillua në atë kohë, e cila bëri një kthesë të madhe duke e shndërruar aktivitetin e UÇK-së nga një organizim gueril në një organizim më të lartë ushtarak./KultPlus.com

24 vjet nga Beteja e Koshares, thyerjes së kufirit Kosovë-Shqipëri

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, 24 vjet më parë në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike, ndihmë mjekësore, për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë./Gazeta Express/KultPlus.com

23 vjet nga “Beteja e Çabratit” ku ranë shumë dëshmorë e u ekzekutuan burra e djem

Janë bërë 23 vjet nga “Beteja e Çabratit”, e cila u zhvillua më 7, 8, dhe 9 maj.

Tre grupet dhe Shtabi i Brigadës ‘137 Gjakova’, ishin vendosur në lagjjen e Çabratit. Në orët e hershme të datës 7 maj ’99, lagjja e Çabratit në Gjakovë u rrethua nga forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe bashkë me vullnetarë rusë.

Lufta e pabarabartë sa i përket armatimit, u zhvillua thuaja se fyt më fyt, për shkak të konfiguracionit të terrenit. Në anën e luftëtarëve të lirisë ishin rreth 100 ushtarë të armatosur, e përafërsisht edhe dy herë aq ishin pa armë të cilët “shpresën” e vetme për të mbërri tek arma e kishin, nëse vritej apo plagosej ndonjë shok i tyre.

Beteja zgjati deri në orët e mbrëmjes. Humbje pati në të dy anët. Luftë sporadike pati edhe me datat 8 dhe 9 maj.

Në këto luftime ranë dëshmorë:

Ahmet Gjikolli (nga Peja)
Bujar Roka
Tom Gjoka (nga fshati Dashinoc-komuna e Deçanit)
Kushtrim Hoxha (vdiq me 8 maj nga plagët)
Dashmir Krasniqi
Visar Juniku
Sefedin Xërxa
Hamëz Zymberi (vdiq me 15 maj nga plagët)
Agim Haxhiavdyli
Yllka Domi
Ilir Berisha
Taulant Nura
Ali Hoxha
Hazyr Këpuska.

Forcat serbe u hakmorrën në civilë të paarmatosur, duke ekzekutuar burra e djem që hasnin nëpër shtëpi e oborre.

Kjo është lista e civilëve të ekzekutuar:

07.05.’99

Elez Bakalli, Selim Lluhani, Tefik Lluhani, Esat Bicurri, Ferhat Bicurri, Nexhdet Bicurri, Sadri Binaku, Florim Berisha, Gëzim Berisha, Shani Luzha, Florim Luzha, Sami Luzha, Gëzim Luzha, Ylber Mejzini, Basri Nura, Halit Nura, Agim Efendija, Astrit Rexha, Kastriot Zherka, Lulzim Jaka, Halil Axhemi, Burim Bardhi, Fehmi Haxhidauti, Genc Këpuska, Ali Krypa, Ali Beqrama, Ibrahim Gojani, Ejup Huma, Faton Huma, Florent Sulejmani, Avni Shasivari, Shkëlzen Ajrani, Ganii Ibrahimi, Demush Lata, Hasan Smajli,Ramë Syla, Sokol Zenuni, Musa Binaku, Shaban Dodaj, Osman Tafa, Xhelal Sefa.

08.05.’99

Neki Pula, Megzun Boshnjaku, Halil Gashi, Faik Qava, Kujtim Nuka.

10.05,’99

Arben Gexha, Osman Haxhiavdyli, Agron Haxhiavdyli, Afrim Haxhiavdyli, Driton Lluhani, Bekim Haxhibeqiri, Dukagjin Haxhibeqiri, Edmond Haxhibeqiri, Bashkim Domi, Bardhyl Çaushi, Ylber Hoxha, Mentor Shtaloja, Avni Spasi, Islam Koci, Idriz Mehmeti, Njazi Mehmeti , Agim Berisha, Albert Berisha, Fadil Berisha, Qazim Kajdomqaj, Muhamet Dyla, Isa Lokaj, Cenë Hajdari, Afrim Dana, Labinot Dana, Luan Dana, Albert Dana, Kastriot Dana, Gëzim Dana, Agron Dana, Osman Dana, Genc Haraqija, Mehdi Haraqija, Genc Morina, Adriatik Morina, Skënder Morina, Isuf Saraqini, Agim Saraqini, Arben Saraqini, Veli Saraqini, Skifer Sharani, Valon Sharani, Visar Sharani, Isuf Sharani, Mentor Sharani, Tahir Sharani.

11.05.’99
Ramdan Dana, Shyhrete Dana.

Të dhënat nga Gurakuq Dobruna. / KultPlus.com