Biblioteka Shtetërore e Berlinit po vendos në ekspozitë partiturën origjinale të Simfonisë së nëntë të Ludwig van Bethoven për të shënuar 200 vjetorin e premierës së veprës.
“Dorëshkrimi do të shfaqet në Stabi Kulturwerk, hapësira e ekspozitës së bibliotekës, nga 7 maji deri më 25 gusht”, njoftoi sot biblioteka.
“Lëvizja e fundit, me vendosjen e “Ode to Joy” (Oda e Gëzimit) të Schiller, gjithashtu do të shfaqet”, tha bibliotika.
Kjo pjesë e simfonisë është përdorur si himni evropian që nga viti 1985.
Simfonia u shfaq në premierë në Vjenë më 7 maj 1824. Fletët e shkruara të muzikës u lidhën në formë libri rreth vitit 1850.
Sekretari i Bethovenit, Anton Schindler ia shiti pjesët e para të partiturës Bibliotekës Mbretërore në Berlin që në vitin 1846, ndërsa pjesët e munguara pasuan në 1901.
Vendndodhjet e ndryshme të ruajtjes për pjesë të veçanta të dorëshkrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore nënkuptonin se ai nuk u ribashkua plotësisht deri pas ribashkimit gjerman.
Pjesa origjinale tani ruhet në Bibliotekën Shtetërore të Berlinit, ku mbahet nën masa të rrepta sigurie. “Si rregull, partitura autografike nuk del kurrë nga kasaforta”, tha Martina Rebmann, drejtuese e departamentit të muzikës Stabi.
Ajo u shfaq për herë të fundit për publikun e gjerë në vitin 2020, kur u shfaq si pjesë e një ekspozite për të shënuar 250 vjetorin e lindjes së Beethoven./ora/KultPlus.com
Në nëntorin e krenarisë sonë kombëtare ka edhe një arsye më shumë për të festuar.
Së shpejti TKOB mbush plot 70 vite dhe drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP, Abigeila Voshtina, njoftoi se me rastin e këtij përvjetori do të vijë për artdashësit një nga kryeveprat e muzikës botërore: Simfonia nr. 9 e Beethoven-it.
Në 27 nëntorin e vitit 1953 u vu për herë të parë në skenën shqiptare opera “Rusalka”, e kompozitorit rus A. Dargomyzhsky. Ky moment shërbeu si një gurthemeli nga i cili mori rrugë krijimi i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe shumë shpejt në skenë u vunë edhe opera shqiptare.
“Ju presim më 27 nëntor, ora 19:30 për të festuar të gjithë së bashku ditëlindjen tonë të 70”, është shprehur në rrjetet sociale, drejtoresha e TKOBAP, duke shtuar se hyrja është e lirë për këdo që ndihet pjesë e këtij institucioni./atsh/KultPlus.com
Si çdo gjeni tjetër i artit, edhe jeta e Ludwig van Beethoven është e mbushur me sekrete, të panjohura, të vërteta të aluduara dhe mite, të cilat nuk e komprometojnë krijimtarinë e tij, as nuk e zbehin shkëlqimin e yjësisë ku ata shndrisin përgjithmonshmërinë.
Por thjeshtë, na japin mundësi të kuptojmë se çdonjëri nga ne, veçanërisht, të zgjedhurit të lindin të “pavdekshëm”, janë tokësor aq sa janë edhe qiellor. Shpesh fama dhe gjenialiteti i tyre ka shërbyer si një koracë mbrojtëse e padepërtueshme dhe kjo i ka lënë ata të qetë në gjumin e përjetësisë. Por vjen koha kur njeriu i zakonshëm kërkon të ngjashmen e tyre edhe tek njerëzit e jashtëzakonshëm, qofshin këta artistë, borrështetas, ushtarakë, eksploratorë apo edhe pretendues të froneve hyjnore.
Por kur lindi ai, Ludwig van Beethoven?
Ludwig van Beethoven ka lindur në Bon më 15, 16 apo 17 Dhjetor? Burime të ndryshme nuk ofrojnë sigurinë e datës së saktë, kur u lind kompozitori i madh. Por bien dakord për 17 dhjetorin 1770, datën e pagëzimit. Fëmija çudibërës, i’u nënshtrua një disipline të rreptë, e cila, siç ndodh shpesh me mrekullitë e fëmijëve, i kushtëzoi moshën dhe tërë jetën.
Përbindësh i talentit … dhe jo vetëm .
Ludwig van Beethoven arriti të vendoste veten si një nga artistët më të mëdhenj të kohërave, pavarësisht të metave të tij të karakterit. Ai kurrë nuk kishte qenë një bukurosh. Në fëmijëri atë e quanin Der Spagnol (Spanjisht), për shkak të fytyrës së tij të ullinjtë. Ishte shtatshkurtër, jo më shumë se një e gjashtëdhjetë e pesë metra i gjatë, i gjerë në shpatulla, me kokë të madhe dhe flokë të rrëmujshëm, dhëmbë të dalë, një hundë të vogël të rrumbullakosur, gjithashtu pështynte kudo. I ngathët në lëvizjet e tij, ai vazhdimisht rrëzohej dhe thyente objektet që prekte. Kurrë nuk mësoi të kërcejë, dhe gjithmonë e priste veten gjatë rruajtjes.
Kalitja
Ai ishte i zymtë dhe i dyshimtë, i ndjeshëm, mizantrop dhe i fiksuar në atë se të gjithë donin ta mashtronin. Shquhej për një sjellje jo të mirë dhe ishte aspak tërheqës. Ai gjithmonë harronte gjithçka. Kishte zemërime të pakuptimta dhe nganjëherë kishte marrëdhënie korrektësie të dyshimtë me botuesit. Një beqar i përjetshëm. Jetoi në një konfuzion të papërshkrueshëm, veçanërisht pasi nuk kishte asnjë shërbëtor të gatshëm të toleronte nervozizmin e tij.
Muzika i dilte nga zemra
Gjithmonë është spekuluar për sëmundjet e shumta që kompozitori kishte vuajtur që në rini, nga astma në sindromën e zorrëve të irrituar, nga sëmundja e veshkave deri te ciroza e mëlçisë. Dhe historianët kanë pyetur gjithashtu se si sëmundjet fizike të muzikantit, mund të kishin ndikuar në artin e tij. Hipoteza e 3 studiuesve është se ritmet e disa prej kompozimeve të tij më të famshme dhe prekëse, do të ndikoheshin thellësisht nga aritmitë kardiake, nga të cilat ndoshta vuante kompozitori.
Ai ishte vërtet i shurdhër?
Tashmë në të tridhjetat, ai deklaroi se kishte vështirësi të kuptonte fjalët e një personi që fliste me zë të ulët. Për të dëgjuar aktorët në teatër, ai u detyrua të afrohej me orkestrën. Megjithatë, shurdhimi në rritje, e degdisi atë në një gjendje të thellë depresive, e cila në vitin 1802 e çoi në një tentativë për vetëvrasje. Për shkak të problemeve të dëgjimit, Beethoven u izolua në mënyrë progresive nga njerëzit përreth tij, duke kompromentuar shumë marrëdhënie shoqërore dhe emocionale. Në vitin 1819, tetë vjet para vdekjes së tij, ai ishte plotësisht i shurdhër. Pavarësisht kësaj, Beethoven vazhdoi të kompozonte: E famshja Simfonia e Nëntë me Odën e Gëzimit, u shkruan në vitin 1824, duke sjellë jo një muzikë dëgjimi se sa një shpërthim shpirti.
Gjeniu dhe rregullsia
Gazetari amerikan, Mason Midnight Currey mblodhi detaje biografike të 168 artistëve, duke treguar se të gjithë, madje edhe ata që konsideroheshin të pabindur dhe instiktivë, ndoqën një program specifik. Stili i jetës së Ludwig van Beethoven, veçanërisht vitet e fundit, ishte shumë i rregullt. Por në periudha të tjera, Beethoven kompozonte madje deri në dy të mëngjesit. Gjithmonë duke ndjekur një orar të rreptë.
Gjeni falë sifilizit?
Sipas studiuesit, Deborah Hayden, sifiliz, prej të cilit shumë personazhe në histori ishin prekur ndoshta, nga Abraham Lincoln te Friedrich Nietzsche dhe Oscar Wilde, mund të shpjegonte gjenialitetin ose çmendurinë e tyre. Euforia sifilitike mund të ketë amplifikuar gjenialitetin krijues të Ludwig van Beethoven dhe të shumë personazheve të tjerë të cilët, si ai, ishin prekur nga e ashtuquajtura sëmundje franceze. Teza, e përfshirë në një libër nga Hayden, nuk është konfirmuar kurrë. Sidoqoftë, studime të tjera tregojnë se Beethoven vuante nga çrregullimi bipolar .
Ai nuk është një romantik
Beethoven ishte mendimtari më i frikshëm muzikor. Shumë kanë dashur të shohin tek ai urën midis periudhave klasike dhe romantike, por është vetëm një etiketë e përshtatshme, dhe jo shumë e saktë. Në realitet, ka shumë pak romantik në muzikën e tij. “Beethoven nuk fliste gjuhën e romantikëve”, shkroi Harold C. Schonberg . “Ai filloi të kompozonte në traditën klasike dhe më pas shkoi përtej kohës dhe hapësirës, duke përdorur një gjuhë që ai vetë e kishte falsifikuar. Një gjuhë e ngjeshur, enigmatike dhe shpërthyese, e shprehur në forma të sajuara prej tij”.
Revolucionar
Karakteristikë që e dallonte Beethoven nga të gjithë muzikantët e tjerë që i paraprinë, përveç gjenialitetit dhe forcës së tij të pakonkurrueshme, ishte ajo që ai e konsideronte veten artist dhe mbronte të drejtat e tij si artist. Ai ishte një artist, një krijues, dhe për këtë arsye ishte superior ndaj mbretërve dhe fisnikëve. Ai kishte një konceptim revolucionar të shoqërisë dhe ide romantike rreth muzikës. “Ajo që kam në zemrën time duhet të dalë dhe kështu e shkruaj”, i tha ai dishepullit Carl Czerny. Mozart nuk do ta kishte ëndërruar kurrë të thoshte një gjë të tillë, as Haydn apo Bach.
Vdiq nga plumbi?
Në të vërtetë jo. Për disa ishte faji i një vaji të njomur, pas një operacioni kirurgjikal. Për të tjerët, nga një kupë prej së cilës piu kompozitori. Cilado qoftë, përqendrimi i lartë i plumbit që gjendet në trupin e Beethoven shpesh është përmendur si shkaku kryesor i vdekjes së tij në moshën 56-vjeçare. Për të ushqyer edhe më shumë teorinë e vdekjes nga plumbi në gjak, u aludua se përqindja e lartë e këtij vrasësi i shkaktoi atij nervozizëm. Për studiuesit nuk ishte as e re as e panjohur, nervozizmi dhe temperamenti shpërthyes i kompozitorit, bllokimi i veshkave dhe mëlçisë, simptoma që iu shfaqën gjithnjë e më agresive, duke i dëmtuar cilësinë e jetës muzikantit në fundin e jetës. Sidoqoftë, kërkimet nga shkolla e mjekësisë, Mount Sinai në New York, i kanë hedhur poshtë këto hipoteza. Analiza e niveleve të plumbit në kockat e kompozitorit, gjeti një përqendrim shumë të ulët, që të ishte shkaktari i helmimt me pasojë vdekjeje të gjeniut të muzikës. /focus/ KultPlus.com
Nuk ka gjë më të bukur se sa shpërndarja e lumturisë për shumë njerëz, janë fjalët e Ludwig van Beethovenit, të shprehura edhe nga muzika e tij.
Për të muzika ishte toka në të cilën shpirti jeton, mendon dhe shpik.
”Muzika dhe pasioni i tij simbolizojnë idealet e Europës, të solidaritetit, paqes dhe lirisë dhe projekti ynë për një botë më të mirë”, kështu u shpreh presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli duke folur në seancë plenare.
“Me rastin e 250-vjetorit të lindjes së Beethoven, dëshiroj të ndaj me ju një moment frymëzimi”, shtoi ai.
Himni i gëzimit i Simfonisë IX nga Beethoven u miratua si himni zyrtar i Bashkimit Europian.
Ai dëgjohet në Parlament në hapjen e secilës prej seancave si edhe në raste solemne.
Ai do të interpretohet sot nga ansambli ”Oxalys” nga Brukseli, me aranzhim nga kompozitori Jago Moons.
Është himni i Europës për të gjithë: Të bashkuar në diversitet./ atsh/ KultPlus.com
Veprat e artistëve të përzgjedhur botërorë të muzikës klasike do të shfaqen në festivalin ndërkombëtar në Seul (Koreja e Jugut) nga tetori në nëntor të këtij viti për të shënuar 250 vjetorin e lindjes së kompozitorit Ludwig Van Bethoven, e në mesin e veprave që do të shfaqen në këtë festival është edhe një vepër e kompozitorit/profesorit nga Kosova, Mendi Menqjiqi.
Festivali vjetor në Seul mbahet nga 20 tetori deri më 1 nëntor, ndërsa vepra prej 13 minutash e Menqjiqit e titulluar ‘Forsaken’ (Të braktisurit) do të shfaqet me 30 tetor, transmeton KultPlus.
Sipas programit të ditës ( http://www.simf.kr/program.html ) me 30 tetor, pas veprës së kompozitorit nga Lupçi i Epërm, e profesorit në Universitetin e Prishtinës, do të ekzekutohet vepra ‘Misa Solemnis’ (Lutje Solemne) e Bethovenit.
Vepra e Menqjiqit i kushtohet masës së varfër, të vuajtur e të shkelur dhe ajo në një mënyrë është thirrje për shpëtimin e saj.
Për nder të kësaj përmbajtjeje të veprës së kompozitorit Mengjiqi, edhe dita e shfaqjes me 30 tetor është emëruar nga organizatorët koreanë “Salvage of the Forsaken” (Shpëtimi i të braktisurve).
Menqjiqi veprën e tij të porositur nga organizatorët e festivalit e punuar enkas për këtë festival në Seul, pasi e kishte marrë kërkesën për një vepër të re për nga vetë koreanët qysh vitin e kaluar.
Vepra në fjalë të Menqjiqit dhe ajo e Bethovenit do të ekzekutohet nga orkestra simfonike SIMF e Koresë së Jugut, dirigjuar nga Hogeun Yoon.
Është kjo hera e parë që një kompozitor i rajonit të Ballkanit Perëndimor ftohet në këtë festival tashmë 12 vjeçar, dhe është pikërisht kompozitori shqiptar nga Kosova, Menqjiqi, i ftuari i cili me punën e tij tashmë mbi 20 vjeçare në muzikë klasike e ka tërhequr vëmendjen e organizatorëve botëror, e tash edhe në Kore të Jugut.
Dtt-net.com mëson se kompozitori Menqjiqi do të jetë edhe personalisht pjesëmarrës në festivalin në fjalë në Seul i ftuar dhe i kontraktuar nga organizatorët.
Në po të njëjtin festival me 23 tetor do të ekzekutohet edhe vepra « Ciaccona » e ish-profesorit dhe mikut të ngushtë të Menqjiqit gjatë studimeve në Krakow të Polonisë në vitet 90-ta Krzysztof Penderecki, i cili ka ndërruar jetë në Mars të këtij viti. Menqjiqi ndërkohë është duke edhe punuar në një vepër tjetër kushtuar profesorit Penderecki. / KultPlus.com
Muzika e Bethovenit nuk ka më sekrete, në sajë të Big Data: për herë të parë analizat shkencore, bazuar në sasinë e madhe të të dhënave, ka mundësuar identifikimin e karakteristikave të stilit të muzikantit.
”Ky rezultat konsiderohet hapi i parë i një revolucioni të menjëhershëm në studimin e këtij arti”, sipas studimit të publikuar në revistën ”Plos One”, analiza e së cilës u krye nga Universiteti Politeknik i Lozanës (Epfl) dhe koordinohet nga Martin Rohrmeier.
“Metodat e reja moderne të bazuara në statistika dhe shkenca të të dhënave na lejojnë të analizojmë muzikën në një mënyrë të re, e cila ishte përtej mundësive të muzikologjisë tradicionale. Qëllimi ynë është të kuptojmë se si funksionon muzika”, vëren Rohrmeier.
Për të deshifruar stilin muzikor të Bethovenit, studiuesit analizuan rezultatet e 16 krijimeve të përbërë nga muzikanti gjatë jetës së tij.
“Ne kemi gjeneruar në thelb një sasi të madhe të të dhënave dixhitale, në të cilat kemi kërkuar skemat muzikore të Beethoven”, thotë Fabian Moss, autor i studimit.
Kompozimet për dy violina, një violë dhe një violonçel, përfaqësojnë mbi 8 orë muzikë dhe përmbajnë gati 30 000 akorde.
Për të identifikuar stilin e muzikantit, studiuesit analizuan akordet, si llojet e përdorura ashtu edhe mënyrën se si përsëriten ato./ atsh/ KultPlus.com
Ludvig van Bethoven, një nga kompozitorët më të njohur të të
gjitha kohërave, përveç simfonive legjendare, njihet – të paktën nga të
pasionuarit e krijimtarisë së shkruar – edhe për letrat e dashurisë.
Bethoven nuk u martua kurrë, por në fillim të të 40-ave ai u
dashurua marrëzisht pas një gruaje misterioze, e cila edhe sot njihet me termin
“e dashura e pavdekshme”, me të cilin kompozitori i njohur i drejtohej në
letrat e tij.
Libra të tërë janë shkruar me supozime për identitetin e
kësaj gruaje dhe shumë historianë besojnë se bëhet fjalë për Antonie Brentano,
një aristokrate vjeneze e martuar me një biznesmen nga Frankfurti.
Të përfshira në 50 letrat më të bukura të dashurisë, ashtu
si edhe muzika e tij, këto letra mbeten kryevepra të një gjeniu romantik.
E diel, 5 korrik 1812
“Engjëlli im, vetja ime… A mund të ekzistojë dashuria jonë
pa sakrifica, pa kërkuar asgjë nga njëri-tjetri? A mund ta ndryshosh faktin që
nuk je plotësisht e imja dhe nuk jam plotësisht i yti? I dashur Zot, shikoje
natyrën me gjithë bukurinë e saj dhe vendosi gjërat ku duhet të jenë.
Dashuria i kërkon të gjitha dhe me të drejtë. Sa shumë gjëra
dua të të them! Por ka momente kur kuptoj se fjalët janë të papërshtatshme për
ty. Ji e gëzuar dhe ji gjithmonë e imja, e dashura ime e vetme, gjithçkaja ime,
ashtu sikurse unë jam i yti. Zoti do të na dërgojë gjithçka tjetër.
I yti, Ludvig”.
E hënë, 6 korrik
“Çfarë jete kjo tani, pa ty! Sado e madhe të jetë dashuria jote për mua, ajo që ndiej për ty është akoma më e madhe. Zot i madh! Sa afër! Sa larg! A nuk është dashuria jonë e lidhur në parajsë?”
Mëngjesi i 7 korrikut
“Edhe pse jam në shtrat, mendja më shkon te ti, e dashura ime e pavdekshme! Ji e qetë, më duaj. Sot, dje, sa lot të derdhur për ty, ty, jeta ime, gjithçkaja ime…! Oh, vazhdo të më duash, mos e gjyko keq zemrën besnike të të dashurit tënd! Përjetësisht i yti. Përjetësisht e imja. Përjetësisht tanët”./KultPlus.com
Gjashtë milionë euro është shuma e parave që Gjermania do të shpenzojë vitin e ardhshëm, për 250-vjetorin e lindjes së kompozitorit Ludwig van Beethoven, njoftoi sot Ministria gjermane e Kulturës.
“Programi ynë në përvjetorin e vdekjes së kompozitorit do ta promovojë Beethovenin përtej kufijve kulturorë”, u tha gazetarëve në Berlin, ministrja për Kulturë, Monika Gruetters.
“Sidomos për të rinjtë, ne duam të përcjellim
diversitetin e pabesueshëm, fuqinë dhe imagjinatën që Beethoveni la”, ka
thënë Gruetters shkruan JavaNews.
Beethoven vdiq në moshën 56-vjeçare, në vitin 1827. Ai mbetet një nga kompozitorët më me ndikim në botë. I lindur në Bonn, Beethoveni mbeti veçanërisht i famshëm për krijimet e tij edhe kur ishte pothuajse plotësisht i shurdhër në fund të jetës./ KultPlus.com
Letra e mëposhtme është një nga tri letrat që u gjend në një sirtar të Ludwig van Beethovenit pas vdekjes së tij. Kjo letër nuk u dërgua kurrë dhe identiteti i gruas me të cilën kompozitori kishte rënë në dashuri mbetet ende sot i panjohur.
Letrën e përktheu Elona Caslli.
“7 korrik 1812 Në shtrat mendimet e mia janë vetëm për ty, dashuria ime e përjetshme; herë të lumtur, herë të trishtuar, në pritje që fati ta plotësojë dëshirën tonë . Mund të jetoj veçse me ty, me askënd tjetër… Po, kam vendosur të iki larg derisa të mundem të fluturoj në krahët e tu dhe të ndihem mirë pranë teje. Ta lë shpirtin tim, që mbështillet nga qenia jote, të hyjë në mbretërinë e shpirtrave. Kështu duhet të ndodhë… do të bindesh kur të njohësh besnikërinë time . Asnjë grua tjetër nuk mund ta pushtojë zemrën time, kurrë, kurrë, kurrë…
O Zot, pse duhet të më largosh nga një dashuri kaq e madhe? Jeta ime në Vjenë tani është e mjerë… Dashuria jote më ka bërë njeriun më të lumtur dhe më fatkeq në botë. Në moshën time, njeriu duhet të ketë një jetë monotone dhe të qetë, por a mund ta arrij këtë në gjendjen që jemi ne të dy?
Engjëlli im, tani sapo më thanë që posta punon çdo ditë dhe po e mbyll këtu që kjo letër të mbërrijë tek ty sa më shpejt…
Rri e qetë… Vetëm nëse arrijmë ta shohim kthjellët ekzistencën tonë mund t’ia dalim mbanë të jetojmë bashkë; rri e qetë; dashuromë në të tashmen; dashuromë në të shkuarën; sa nostalgji… sa dhembje për ty… për ty jeta ime… gjithçkaja ime…. lamtumirë… të lutem dashuromë dhe mos dysho kurrë tek zemra e të dashurit tënd besnik.
L.
Përjetësisht i yti.
Përjetësisht e imja.
Përjetësisht ne.”