Letër dashurie nga Beethoveni: Mendimet e mia janë vetëm për ty, dashuria ime e përjetshme

Letra e mëposhtme është një nga tri letrat që u gjend në një sirtar të Ludwig van Beethovenit pas vdekjes së tij. Kjo letër nuk u dërgua kurrë dhe identiteti i gruas me të cilën kompozitori kishte rënë në dashuri mbetet ende sot i panjohur.

Letrën e përktheu Elona Caslli.

“7 korrik 1812
Në shtrat mendimet e mia janë vetëm për ty, dashuria ime e përjetshme; herë të lumtur, herë të trishtuar, në pritje që fati ta plotësojë dëshirën tonë . Mund të jetoj veçse me ty, me askënd tjetër… Po, kam vendosur të iki larg derisa të mundem të fluturoj në krahët e tu dhe të ndihem mirë pranë teje. Ta lë shpirtin tim, që mbështillet nga qenia jote, të hyjë në mbretërinë e shpirtrave. Kështu duhet të ndodhë… do të bindesh kur të njohësh besnikërinë time . Asnjë grua tjetër nuk mund ta pushtojë zemrën time, kurrë, kurrë, kurrë…

O Zot, pse duhet të më largosh nga një dashuri kaq e madhe? Jeta ime në Vjenë tani është e mjerë… Dashuria jote më ka bërë njeriun më të lumtur dhe më fatkeq në botë. Në moshën time, njeriu duhet të ketë një jetë monotone dhe të qetë, por a mund ta arrij këtë në gjendjen që jemi ne të dy?

Engjëlli im, tani sapo më thanë që posta punon çdo ditë dhe po e mbyll këtu që kjo letër të mbërrijë tek ty sa më shpejt…

Rri e qetë… Vetëm nëse arrijmë ta shohim kthjellët ekzistencën tonë mund t’ia dalim mbanë të jetojmë bashkë; rri e qetë; dashuromë në të tashmen; dashuromë në të shkuarën; sa nostalgji… sa dhembje për ty… për ty jeta ime… gjithçkaja ime…. lamtumirë… të lutem dashuromë dhe mos dysho kurrë tek zemra e të dashurit tënd besnik.

L.
Përjetësisht i yti.
Përjetësisht e imja.
Përjetësisht ne.”
 / KultPlus.com

254 vjet nga lindja e Beethovenit, kompozitorit të pavdekshëm

254 vjet nga lindja e Beethovenit, kompozitorit të pavdekshëm.

Veprat e tij më të njohura janë 9 simfoni, 5 koncerte për piano, 32 sonata dhe 16 kuartetet, si dhe muzikë dhome, vepra korale dhe këngë.

Beethoven shkoi në Vjenë në 1792; studioi për muzikë, dhe shpejt fitoi reputacion si pianist virtuoz. Në Boston, më 1947, Fan Noli botoi monografinë “Beethoven and the French Revolution” duke mbrojtur argumentin se Revolucioni Francez dhe idetë republikane patën ndikim të thellë në muzikën e Beethovenit.

Noli, i njohur si republikan dhe anti-monarkist, thotë se kompozimet më të dobta të Beethovenit janë ato të krijuara në Vjenë gjatë periudhës perandorake, kur kompozonte me kontratë për princër e perandorë, thjesht për para.

Biografët thonë se Beethoveni ishte tërhequr nga idealet e Iluminizmit. Në vitin 1804, kur ambiciet perandorake të Napoleonit u bënë të qarta, Beethoven i fshiu fjalët e përkushtimit për Bonapartin nga simfonia e tretë; më vonë ai ndryshoi edhe titullin (Sinfonia heroike për të festuar kujtimin e një njeriu të madh), dhe ia ripërkushtoi atë mbrojtësit të tij, Princit Jozef Franz von Lobkoëitz, në pallatin e të cilit simfonia e tretë u interpretua për herë të pare.

Beethoven jetoi në Vjenë deri në vdekje (1827). Në dekadën e fundit të jetës ai u bë thuajse krejtësisht i shurdhër; u tërhoq nga jeta publike, por vazhdoi të kompozonte. Kritikët thonë se shumë nga veprat e tij më të admiruara vijnë pikërisht nga kjo periudhë nën ndikimin perandorak. /KultPlus.com

Kujt ia kushtoi ”Heroiken” Beethoveni, për të cilën u pendua më vonë?

Rreth vitit 1803, kompozitori gjerman Ludwig van Beethoven krijoi një nga veprat më të fuqishme dhe më domethënëse në historinë e muzikës, Simfoninë Nr. 3 në La maxhor, op. 55, e njohur edhe me titullin ”Simfonia e madhe”, kushtuar Bonapartit, e cila më vonë u quajt ”Simfoni heroike”, e kompozuar për të festuar vdekjen e një njeriu të madh, sipas focus.it.

Partitura monumentale, me forcë të jashtëzakonshme, fillimisht u konceptua si një nderim për udhëheqësin korsikan, konsullin e parë të Francës në atë kohë, të cilin muzikanti e admironte.

Por, ai pasion politik nuk do të zgjaste shumë.

Kur Napoleoni u kurorëzua perandor i francezëve, më 8 dhjetor 1804, Bethoven i pasionuar pas tij nuk e priti mirë.

Ai u tërbua dhe refuzoi përkushtimin e simfonisë.

Biografi dhe kolegu i tij, Ferdinand Ries e përshkruan episodin në këtë mënyrë në librin e tij ”Beethoven”.

“Ecte si i tërbuar duke bërtitur se edhe ai nuk është gjë tjetër veçse një njeri i thjeshtë! Tani edhe ai do të shkelë të gjitha të drejtat e njeriut, do ta vendosë veten më lart se të gjithë, do të bëhet tiran!”, shkruan Ries për Bethovenin.

Pas këtyre momenteve, Beethoveni grisi faqen e titullit të kompozimit të tij, fshiu titullin në faqen e parë dhe tha se do t’ia kushtonte princit bohem Lobkowicz, një admirues i madh i muzikës së tij.

Në heshtjen e Bethovenit: “Bëj një jetë mjerane, vetëm arti më mban në jetë”

Nga Gian Antonio Stella

“Veshët më zhurmojnë vazhdimisht, ditë e natë. Mund të them se bëj vërtet një jetë vetmitare. Prej gati 2 vjetësh kam shmangur çdo lloj shoqërie, pasi nuk u them dot njerëzve se jam i shurdhër. Nëse do të ushtroja ndonjë profesion tjetër do të ishte më e lehtë. Por me profesionin tim kjo është një fjali e tmerrshme!”.

Ishte 29 qershori vitit 1801 dhe Ludwig van Beethoven ishte përtokë me moralin. “Për t’ju dhënë një ide për këtë shurdhim të çuditshëm, do t’ju them se në teatër detyrohem të ulem pikërisht pranë orkestrës për të kuptuar aktorët. Tonet e larta të instrumenteve dhe të këngëtarëve, nëse janë pak më larg, nuk i dëgjoj më”- i shkruante përmes një letre nga Vjena mjekut Franz Wegeler, miku i viteve të rinisë në Bon.

“Gjatë diskutimeve është për t’u habitur që ka njerëz që nuk e kanë vënë re kurrë shurdhërinë time. Duke pasur parasysh reputacionin tim si njeri mendjemadh, shumëkush më cilëson si të tillë dhe jo si një njeri që nuk dëgjon. Ndonjëherë mezi dëgjoj dikë që flet me zë të ulët. Unë i perceptoj tingujt, por jo fjalët; e megjithatë nuk duroj kur dikush bërtet. Se çfarë do të ndodhë tani, këtë e di vetëm Zoti”- shton më tej ai.

Për të tjerat nuk mund të ankohej. “Kompozimet më garantojnë shumë të ardhura, dhe mund të them se marr më shumë porosi sesa mund të arrij t’i kryej. Për më tepër, për çdo vepër mund të llogaris 6 apo 7 botues, ose edhe më shumë nëse dua. Ata nuk debatojnë më me mua. Unë caktoj një çmim dhe ata bëjnë pagesën.

Nëse shoh një mik në vështirësi, dhe gjendja e financave nuk më lejon që ta ndihmoj në moment, më mjafton të ulem në tryezë të kompozojmë diçka, dhe kështu jam gjendje ta ndihmoj. Jetoj i zhytur në muzikën time dhe sapo e përfundoj një pjesë, nis të kompozoj një tjetër. Me ritmin që kompozoj tani, nxjerr shpesh 3 ose 4 vepra në të njëjtën kohë. Por ai demoni xheloz, shëndeti im i keq, më ka penguar shumë në punët e mia”.

Dhimbje të forta barku, kapsllëk, diarre… Një sfilitje e vazhdueshme. Ndaj artisti iu nënshtrua trajtimeve që i sugjeruan mjekët, ilaçe, masazhe tek veshësh me çaj dhe vajra të ndryshme, banjot në lumin Danub…. Por që të gjitha më kot. Vit pas viti, shëndeti i tij po vinte duke u përkeqësuar.

“Testamenti i Heiligenstadt dhe fletoret e bisedave të Ludwig van Beethoven”, është përkthyer në italisht për “Einaudi” nga muzikologu Sandro Cappelletto, tashmë autor i një biografie të kompozitorit të madh. Ai rindërton hap pas hapi tragjedinë e madhe të jetës së kompozitorit.

Sepse siç shprehej dikur poeti i famshëm italian Giacomo Leopardi (vetë me aftësi të kufizuara) “aftësitë e mrekullueshme që fitojnë të shurdhërit, të verbërit, të lindur apo paaftësuar gjatë jetës, janë një tjetër provë e madhe se sa shumë janë aftësitë tona dhe ato të të gjallëve burojnë nga rrethanat dhe zakonet; dhe sa e zhvilluar, e modifikueshme, e urtë, e palodhshme, e përputhshme është natyra njerëzore” duke fituar “thellësinë e të menduarit, në mësimin e muzikës dhe praktikimin dhe kompozimin e saj”.

Dhunti të jashtëzakonshme do të thoshte edhe Papa Françesku, nga “arkivoli ku ishin mbyllur”, por me çmimin e vështirësive, poshtërimeve dhe dhimbjeve. “Syzet që mbante Beethoven për shkak të miopisë i vareshin vazhdimisht nga hunda” shkroi Gerhard vonBreuning, mjek dhe djali i një miku të fëmijërisë së Beethoven.

Xhepat e palltos i rëndonin gjithmonë, sepse përveç shamisë që varej shpesh në njërën anë, ai mbante në to një fletore të palosur për notat muzikore, dhe një fletore së bashku me një laps për të komunikuar me miqtë dhe të njohurit që takonte por edhe një bori akustike.

Duke mos e humbur shpresën ai i shkroi sërish mikut të tij Wegeler në lidhje me studimet e shkencëtarit bolonjez Luigi Galvani, i cili kishte studiuar organet e dëgjimit të zogjve dhe mundësinë e shërimit të shurdhim përmes tkurrjes së një muskuli të stimuluar nga rryma elektrike.

“Quhen ndryshe edhe mrekullitë e galvanizmit, ju si mendoni? Një mjek në Berlin më tha se kishte parë një djalë shurdhmemec të rifitonte dëgjimin. Po ashtu një burrë që kishte 7 vjet që nuk dëgjonte…” A ishte vërtet e mundur? Në fakt ishin ëndrra të ndaluara.

I tillë ishte fati i tij: i izoluar në heshtje. Një vetmi e prishur vetëm nga momentet e pushimit, si pas takimit me Giulietta Guicciardi, 17-vjeçares që i kishte dhënë disa mësime pianoje në vitin 1801 dhe i kishte kushtuar sonatën “Al chiaro di luna”.

“Tani jeta ime është bërë më e këndshme sepse unë takoj më shumë njerëz. Nuk e imagjinon dot ndjesinë e zbrazëtisë dhe trishtimit që më ka shoqëruar këto 2 vitet e fundit. Dëgjimi i dobët me përndiqte gjithandej si fantazme, ndaj u distancova nga njerëzit. Mund të ju jem dukur një mizantrop, dhe unë jam në fakt paksa i tillë, dhe këtë ndryshim e ka sjellë një vajzë e dashur, simpatike, që më do dhe që unë e dua. Këto janë të vetmet momente të lumtura në 2 vitet e fundit, dhe është hera e parë që ndjej se martesa mund ta bëjë të lumtur njeriun. Mjerisht ajo nuk i përket shtresës sime shoqërore…”.

Ajo ishte fisnike, ai jo. Pra ai ishte një i burgosur i shurdhimit, i paragjykimeve, i dyshimeve se mos ishte sëmurë edhe nga tuberkulozi… Derisa ndjeu një ide që i gumëzhinte në kokë, së cilës do t’i kthehej disa herë. Dhe e përshkroi atë në “Testamentin e Heiligenstadt” të vitit 1802 drejtuar dy vëllezërve Karl dhe Johan.

Ai u gjet vetëm pas vdekjes së tij, 25 pesë vjet më vonë. 892 fjalë të shkruara me sa duket me një frymë, me 48 presje, 21 pikëpresje dhe asnjë pikë. Aty një gjeni kaq i brishtë dhe i palumtur shprehej: “Është e pamundur që unë të kem lehtësim në shoqërinë e njerëzve. As bisedat e nivelit e lartë, as zbulimet e ndërsjella. Unë mund ta frekuentoj shoqërinë e tyre vetëm kur e kërkojnë nevojat më urgjente. Jam i detyruar të jetoj si një mërgimtar. Nëse i afrohem një shoqërie njerëzish përjetoj ankth të tmerrshëm, pasi kam frikë të ekspozohem ndaj rrezikut të zbulimit të gjendjes time.

Kështu ka qenë edhe gjatë këtyre 6 muajve të fundit që kalova në fshat, duke ndjekur këshillën për ta kursyer sa më shumë dëgjimin, që ma dha mjeku im i mençur, e cila e ka përmbushur prirjen time të tanishme natyrore. Edhe pse ndonjëherë i prekur nga dëshira për shoqëri jam shtyrë që ta frekuentoj atë, por çfarë poshtërimi nëse dikush afër meje dëgjonte tingullin e largët të një flauti, dhe unë nuk dëgjoja asgjë.

Apo nëse dikush dëgjonte një bari të këndonte, dhe unë sërish nuk dëgjoja asgjë. Këto episode më zhysnin në dëshpërim. Isha në prag të vetëvrasjes. Por ishte vetëm arti që më mbajti në jetë. M’u duk e pamundur të largohesha nga kjo botë, para se të kisha realizuar plotësisht atë që ndihesha i aftë të bëja. Kështu e zgjata këtë jetë të mjerë…”. / “Corriere della Sera” – Bota.al / KultPlus.com

Pse Beethoveni? Njëmbëdhjetë përgjigje nga dirigjenti Kent Nagano

Dirigjenti amerikan Kent Nagano shpjegon për ne se çfarë do të thotë Ludwig van Beethoven sot – dhe si e ka ndikuar ai botën.

Në vitin e 250-të pas lindjes së Ludwig van Beethoven-it, Kent Nagano reflekton për mënyrën se si ndikoi Beethoveni në histori – edhe përtej fushës së ngushtë të muzikës klasike.

1. Jeta koncertore sot do të ishte krejt ndryshe, pa Beethovenin. Sinfonitë dhe koncertet e tij solistike në veçanti kanë ndihmuar në institucionalizimin e gjërave që ne i konsiderojmë si të natyrshme sot: sistemin e orkestrës, ​​seritë e koncerteve, ditët përkujtimore muzikore dhe festivalet.

2. Shprehja e thellë e humanizmit që ngërthen muzika e Beethoven-it pasqyron idealet e iluminizmit: të drejtën për liri dhe drejtësi, për vetëvendosje, individualizmin dhe përparimin njerëzor. Koha e Beethoven-it ishte një kohë trazirash, lufte dhe nacionalizmi, por edhe një kohë në të cilën lindën koncepte të reja të individit, shoqërisë dhe botës. Në këtë kohë të ndryshimeve rrënjësore njerëzit duhet të luftonin për dinjitetin e tyre, për lumturinë e tyre – dhe të merrnin edhe përgjegjësinë për këtë. Për këtë mënyrë të re të menduari, Beethoveni kompozoi muzikën përgjegjëse duke komunikuar në të idealin e një bote më të mirë, më humane.

3. Beethoveni shkroi muzikë që flet për humanizmin dhe për përvojën njerëzore. Shpesh, p.sh. në një koncert live, mund të dallosh në të tensionin midis individit dhe shoqërisë. Veprat pasqyrojnë edhe vlerat e shoqërisë borgjeze që po shfaqeshin në kohën e Beethoven-it. Këtu bën pjesë vlera e punës, e ideve, e ndjeshmërisë dhe e emocionalitetit. Pra, muzika e Beethovenit ndonjëherë ka edhe përmbajtje politike, të cilat mund të dallohen përmes përkapjes së publikut ndër vite.

Kent Nagano dëgjon tërë gamën e përvojës njerëzore në muzikën e Beethovenit

4. Kompozimet e Beethoven janë të një cilësie të shkëlqyer. Veprat e tij ishin dhe janë një sfidë, si në aspektin e teknikës së interpretimit, ashtu edhe për t’i interpretuar.

5. Beethoven ishte mjeshtër i zhanreve të ndryshme muzikore: muzikë solistike për piano, muzikë dhome, sinfoni, oratorio, opera etj. Ai u përqëndrua në veçantitë e zhanrit përkatës dhe vendosi standarde në to.

6. Ai ndihmoi të krijohej një lloj i ri kompozitori, ai që nuk ndihej i detyruar ndaj kishës ose autoriteteve, por vetëm ndaj zërit të tij të brendshëm. Në përputhje me shoqërinë që po lindte të kohës së tij, ai gjeti forma të reja të shprehjes muzikore. Me Beethovenin erdhi koncepti i detyrimit artistik dhe i vërtetësisë artistike. Kjo rezultoi në një kuptim të ri të muzikës si një formë të artit shoqëror.

7. Ky kompozitor u bë figurë udhëheqëse e muzikës së kohës së tij: të gjithë të tjerët duhet të mateshin me të. Humanizmi në muzikën e tij ishte lënda për legjendën, për stilizimin dhe ikonizimin e figurës së Ludwig van Beethoven-it.

8. Ai ndryshoi mënyrën se si e dëgjojnë dhe e kuptojnë njerëzit muzikën. Muzika e tij u përhap me shpejtësi në formën dhe ritualin e koncertit publik – dhe përtej vlerës thjesht argëtuese ose vlerës së shpërqendrimit, shumë njerëz rizbulonin veten në të. Ajo përmban mesazhin e përvojës jetësore individuale, subjektive të vetëperceptimit ekzistencialist.

9. Në muzikën e Beethovenit dëgjon përparim dhe zhvillim të mëtejshëm. Shpesh ajo duket se flet për të ardhmen ose proceset e ndryshimit. Kemi të bëjmë me një muzikë të guximit dhe optimizmit, gjallërisë dhe energjisë, plotërisë dhe lëvizjes – dhe ajo shkakton në të dëgjuar, një përjetim sensual, shpirtëror. Ndonjëherë në të tingëllojnë edhe shqetësime, dyshime për idenë e përparimit ose për aftësinë e njeriut për t’u zhvilluar në mënyrë cilësore. Mbi të gjitha, vepra e viteve të vona rrezaton ndonjëherë edhe skepticizëm, ose mund ta perceptosh si diçka medituese ose si vetëreflektim.

10. Muzika e Beethovenit të shtyn përpara, ajo vazhdon, shpërthen kufijtë e së dhënës, të të paracaktuarës ose të asaj që tashmë ekziston. Ajo vë në dyshim rëndësinë e së transmetuarës dhe nënkupton idenë e përparimit përmes iluminizmit.

11. Muzika e Beethovenit është universale. Ajo komunikon jo vetëm me një pjesë të zgjedhur të shoqërisë, por dëshiron të arrijë tek të gjithë. Arti i tij i përjetshëm është i vendosur përtej kufijve të të gjitha tendencave të modave. Ai pasqyron të vërteta të caktuara – dhe njerëzit kanë nevojë për këtë të vërtetë.

Kent Nagano është pjesë integrale e jetës muzikore në Gjermani prej dekadash. Nga viti 2000 deri në vitin 2006 ai ishte dirigjenti kryesor i Orkestrës Sinfonike Gjermane Berlin (DSO) dhe nga 2006 deri 2013 Drejtor i Përgjithshëm i Muzikës i Operës Shtetërore të Bavarisë në Mynih. Që nga viti 2015 ai është Drejtor i Përgjithshëm i Muzikës në Operën Shtetërore të Hamburgut.

Maestroja amerikan është edhe një komunikues pasionant muzikor dhe e shpjegon muzikën klasike në libra, transmetime dhe dokumentare. Në librin e tij “Prisni mrekulli!” ai shpjegon se sa e rëndësishme është muzika klasike në jetën moderne dhe se si mund të ofrojë ajo mbështetje dhe orientim të nevojshëm në një epokë të kompleksitetit të pashembullt. / KultPlus.com