Betim Bregovina çon përpara projektin ‘Vargjet Flasin’, promovon tetë libra në formatin braile dhe akustik

Një ngjarje e veçantë u mbajt sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. Një kapitull i ri u hap sot për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar me promovimin e tetë librave në formatin braile dhe formatin akustik, të cilët kanë qenë të botuar vite më parë në formatin tipik, libra këta të autorit dhe bashkëautorit, Betim Bregovina, shkruan KultPlus.

Hapësira e KultPlus Caffe Gallery u mbush përplot dhe në mesin e tyre një numër i madh ishin nxënës të Shkollës “Nexhmi Mustafa” të cilët me shumë entuziazëm po prisnin nisjen e kësaj ngjarje.

Filloreta Hyseni, asistente e projektit “Vargjet flasin” hapi këtë ngjarje duke u uruar mirëseardhje të gjithëve. Ajo theksoi rëndësinë e projektit “Vargjet Flasin”, i cili synon të mundësojë qasjen dhe përdorimin e letërsisë për personat e verbër dhe ata me shikim të dëmtuar.

Në këtë ngjarje të posaçme, përurimi i librave në formatin braile dhe akustik u dedikua jo vetëm personave të verbër dhe ata me shikim të dëmtuar, por gjithashtu lexuesve të tjerë që preferojnë apo do të preferojnë të përdorin formatin akustik për lexim.

Ky projekt shërben si një hap i rëndësishëm drejt shpërndarjes së letërsisë në një mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të arritshme për të gjithë. Përmes kësaj iniciative, “Vargjet Flasin” synon të bëjë fjalën shkruar një përvojë të përbashkët për të gjithë lexuesit, pavarësisht vështirësive të tyre.

Në këtë përurim, fjalë fillimisht e mori Enver Ulaj – redaktori dhe lektori i dy veprave të autorit, “Malli i murosur” dhe “ Flas me heshtjen”.

“Jam shumë i lumtur që jeni sot këtu, në një ambient kaq familjar në mesin e miqve. Unë kam 20-të vite në arsim dhe vitin e parë të punës kam qenë mësimdhënës së shkollën për të verbër në Pejë dhe në gjeneratën e parë e kam takuar Betimin. Betimi dhe të tjerët po bëjnë shumë në këtë fushë. Betimi që në atë kohë është marr intenzivisht edhe me letërsi po edhe me art figurativ ku ka hapur edhe ekspozitë. Ne i gëzohemi suksesit të Betimit dhe gjithë tjerëve që e kanë ndjek këtë rrugë të cilët janë edhe frymëzim për këta nxënës që sot janë të pranishëm këtu”, tha Ulaj i cili fjalën e mbylli duke thënë: “Betim, ne krenohemi me ty”.

Fjalën tutje e mori drejtoresha e Shfmu “Nexhmi Mustafa”, Xhevrije Osmani e cila tha se Betimi bënë punë të mirë kudo që shkon.

“Qe një vit që Betimi është pjesë e stafit të shkollës sonë, tek ne ka ndryshuar gjithçka për të mirë, falë tij. Andaj, nuk po dyshoj që ka bërë një punë shumë të mirë edhe në këta libra. Betimit i uroj shumë suksese dhe i them se është fat për ne që është pjesë e shkollës tonë”, u shpreh Osmani.

Pas këtyre fjalëve, u ftuan disa nga nxënësit e pranishëm që të lexojnë poezi nga librat e autorit, ku me plot emocion ata i dhanë ambientit një atmosferë të bukur dhe frymëzuese.

Krejt për fund, fjalën e mori autori Betim Bregovina i cili fillimisht falënderoi nxënësit e shkollës “Nexhmi Mustafa”, mësimdhënësit, miqtë e familjarët që ishin prezentë në këtë ngjarje. Tutje ai u shpreh i emocionuar për këtë moment të veçantë, duke ndarë me publikun historinë e punës së tij në fushën e shkrimit letrar për mbi dy dekada.

“Projekti “Vargjet flasin” është një përmbledhje e krijimtarisë sime modeste letrare prej vitit 2004 deri në vitin 2018. Unë ndihem jashtëzakonisht i nderuar si autor dhe bashkëautor që në këtë përurim të librave braile dhe akustik i cili i dedikohet shokëve dhe shoqeve të mija të komunitetit, ata që më njohin dhe ata që nuk më njohin, po shpresoj që ky do të jetë një kontribut i vogël në provën për të realizuar shtrimin e rrugën për gjithpërfshirjen e nxënësve”, tha autori.

Pas këtyre momenteve, në një koktej rasti, të gjithë u takuan me njëri tjetrin për një bisedim më të afërt rreth punës së Betimit dhe librave në fjalë.

Projekti “Tingujt flasin”, është i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Autori Betim Bregovina të enjten promovon tetë librat e tij në formatin Braile dhe formatin akustik

Autori Betim Bregovina do të promovojë tetë librat e tij ditën e enjte, më datë 14 dhjetor, nga ora 12:00, në KultPlus Caffe Gallery.

Librat që do të përurohen janë botuar në formatin Braile dhe formatin akustik për persona të verbër dhe me shikim të dëmtuar, të cilët kanë qenë të botuar vite më parë në formatin tipik.

Projekti “Tingujt flasin”, është i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Djaloshi me katër diploma universitare, disa vepra të botuara: Ndiqni ëndrrën tuaj deri në vetëmohim

Realizimi i ëndrrave ndërlidhet edhe me kushtet dhe rrethanat e vendit ku individi jeton. Përbrenda mundësive të pakta për personat me aftësi të veçanta në Kosovë, Betim Bregovina ka arritur të studioj bachelor dhe master në të njëjtën kohë dhe të jetë autor i disa veprave, shkruan KultPlus.

Bregovina i cili ka probleme me të pamurit e tij, nuk është ndalur asnjëherë. Ai ka arritur të diplomoj në bachelor në drejtimet e psikologjisë, pedagogjisë si dhe në master të vazhdoj në degën e psikologjisë. Gjithashtu ai mban autorësinë e disa veprave poetike.

Pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të personave me aftësi të veçanta, Betimi ka vendosur që të ndaj një rrëfim të tijin në rrjetet sociale, e cila ka një mesazh të fuqishëm. Për të, realizimi i ëndrrave duhet të shkoj deri në vetmohim por, asnjëherë të mos ketë ndalje.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Betim Bregovinës:

Për të tjerët e sidomos për njerëzit e zakonshëm(tipik) mund të jetë gjë e thjesht, madje mund të duket asgjë. Ishte dhjetori i vitit 2013 ku me disa vështirësi isha regjistruar ne nivelin Master Psikologji shkollore dhe Këshillim UP. Po thuaj gjithmon i kam ndjekur ligjeratat me rregull. Një shprehi apo nevojë e imja profesionale dhe për të përmbushur tiparin e saktësisë nuk më ka kushtuar gjithmon me çmim të zakonshëm. Një të mërkure kur isha student krahas Baçelorit të Pedagogjisë në vitin e tretë dhe në master siç e përmenda në vitin e parë. Të mërkureve si zakonisht ligjeratat e baçelorit të pedagogjisë fillonin në orën tetë, ndërsa ato të masterit të psikologjisë mbaronin në ora 20. Pra unë dilja nga shtëpia ende pa dal dielli mirë në horizon dhe kthehesha deri pesë orë pas errësimit. Një natë ligjeratat e masterit i përfunduam pak më heret se zakonisht dhe me aq sa më lejuan mundesit e mija u nguta për të dal në stacion që ta mbërrij autobusin e orës 19:10. Arrita ndoshta në kohën e saktë, ndoshta edhe me vonesë, sepse në atë kohë nuk kisha orë akustike që ta dija kohën e saktë. E di se kam pritur autobusin diku rreth 2 orë. Në një natë ku kishte mjegull, temperatura – (nuk e mbaj mend sa gradë). Me frikë se mos autobusi im ka kalu dhe shoferi apo kondukteri nuk më kanë pa që jam duke e prit autobusin. Diku pas rreth 1 orë pritje nëna më morri në telefon dhe më pyeti se ku isha dhe më tha “A vina të marrum me kerr”. Unë refuzova duke i thënë “tash vjen autobusi”.

Këtë e bëra që ta testoj vetën se sa jam në gjendje të pres dhe sigurisht për t’i kursyer prindrit, por edhe buxhetin familjar.

Kur vërtet u lodha dhe kisha të ftohtë u hap një derë autobusi dhe dëgjova që dikush më thirri. Duke hip në autobus i përshëndeta si zakonisht dhe pyeta për vonesën e termenive. Ata më than se ajo linjë e autobusëve kishte mungu. Kur i pyeta për orën. Ai kishte qenë nëse nuk gaboj diku afër orës 21.

Kjo histori më është përsëritur disa herë dhe disa herë jam lodh, jam mërzit, jam dëshpru, por asnjëher nuk kam mendu që të mos i vijoj ligjeratat me rregull.

Fal Zotit, përkushtimit të familjes, kolegëve, shokëve dhe shoqeve e në veçanti aksionerët dhe punëtoret e fimës Kastrioti(Obiliq), të cilët janë kujdesur dhe po kujdesën për mua njësoj sikur unë ta shihja numrin e autobusit. Kam arrit ta realizoj dëshirën time që të mbaroj dy herë baçelor, dy herë master dhe një semseter avancim të programit fillor.

Andaj ju porosis të gjithëve që ta ndiqni ëndrrën tuaja deri në vetëmohim

#3dhjetor #dita #ndërkombëtare #për #personat #me #aftësi #të #kufizuara . / KultPlus.com