Në mesin e mbi 10.000 librave me temë mbi Kosovën, që kjo bibliotekë bavareze posedon, tanimë hulumtues e studiues të ndryshëm mund të gjejnë edhe një thesar të çmuar të trashëgimisë shpirtërore shqiptare përmes kompletit prej 13 vëllimesh “Anton Çetta” të botuar nga Instituti Albanologjik i Kosovës, përcjellë KultPlus.
Drejtori Gjeneral i kësaj biblioteke me traditë mbi 460 vjeçare, Klaus Ceynowa, priti në një takim zyrtar Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Mynih, Afrim Nura të shoqëruar nga Agata Çetta (vajza e prof. Anton Çettës). Në këtë rast u realizua ideja por edhe dëshira e Agata Çettës për dhurimin e vëllimit prej 13 veprash „Anton Çetta“ kësaj biblioteke, duke e përjetësuar kështu në këtë bibliotekë të përmasave botërore prof. Anton Çetta.
Kërkesa e Konsullit të Përgjithshëm, Nura për bashkëpunim në mes të Bibliotekës Shtetërore Bavareze dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, nga Dr. Ceynowa u pranua me kënaqësi.
Nga tani Biblioteka Kombëtare e Kosovës i ka dyert e hapura për vendosje dhe konkretizim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme si në shkëmbim të personelit, të koleksioneve, digjitalizim, restaurim e konservim, por edhe në organizime të përbashkëta të promovimeve dhe ekspozitave të ndryshme kulturore dhe shkencore. / KultPlus.com