Komuna e Gjilanit ka inauguruar sot objektin gjigant të Bibliotekës Regjionale “Fan S. Noli”, i cili është ndërtuar sipas standardeve europiane me financim të Komisionit Europian në vlerë prej 2.3 milionë euro.
Në ceremoninë e inauguruimit ka marrë pjesë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, Riccardo Serri, shef i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Europiane në kuadër të Zyrës së BE’së në Kosovë, sikurse edhe përfaqësues të institucioneve tjera.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi ka falënderuar Komisionin Europian për financimin e objektit të Bibliotekës, ka folur edhe për problemet që e ka gjetur këtë projekt me të marrë mandatin e kryetarit.
“Administrata e kaluar e ka nisur këtë projekt, por unë e kam gjetur të ndalur. Kemi arritur me komunikim të vazhdueshëm me Zyrën e BE’së që t’i tejkalojmë problemet e kohës dhe operatori i ri ka arritur që ta përfundoj në afat rekord”, tha Haziri.
Kryetari Haziri tha se ky objekt, i cili ka mbi 3200 metra katrorë, do të jetë një mundësi e madhe për dashamirët e librit, nxënësit dhe studentët.
“Studentët e Universitetit “Kadri Zeka”, nxënësit, qytetarët, dashamirët e librit e të kulturës, do të kenë mundësi, hapësirë dhe kushte jashtëzakonisht të mira. Ky objekt me standarde europiane, do të jetë i nxënies së dijes dhe leximit të librave. Poashtu, edhe biblioteka elektronike do të jetë ajo që do t’i shërbej të rinjve e të rejave. Tradicionalisht, biblioteka “Fan S. Noli” ka qenë e vendosur në hapësirën e teatrit dhe tashmë ajo hapësirë i kthehet këtij institucioni. Ky flamur dhe këta yje të BE’së do të ruhen në Gjilan me respekt maksimal për sa të jetë jeta”, pohoi Haziri.
Ndërsa, Riccardo Serri, shef i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrime Europiane në kuadër të Zyres së BE’së në Kosovë, theksoi se ndihet i nderuar që po e inauguron këtë objekt.
“Është kënaqësi e madhe që ta inaguroj këtë hapësirë këtu. Kjo është një shenjë se ne po përpiqemi të kontribuojmë në arsimin dhe qasjen në informacion në Kosovë. I falënderoj të gjitha palët që kanë kontribuar në këtë ndërtim, MAPL, Komunën e Gjilanit, kryetarin, mbikëqyrësit dhe kompaninë e kontraktuar. Uroj që qytetarët e Gjilanit të përfitojnë plotësisht dhe të lexojnë sa më shumë libra”, tha Serri.
Ndryshe, përveç ndërtimit të bibliotekës, Komisioni Europian ka mbështetur Gjilanin edhe në ndërtimin e parkut në lagjen “Dardania” dhe programin për bashkëpunim ndërkufitar me Komunën e Çairit, ku kanë përfituar zejtarët, përderisa KE është financues edhe i hapjes së vendkalimit ndërkufitar Stanqiq-Bellanoc. / KultPlus.com