Era Berisha
“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, projekti i ri i krijuar për herë të parë nën organizimin e ’PEN Qendra’, po vazhdon të sjell debat pas debati brenda hapësirës në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast mbrëmë u mbajt edhe një debat tjetër i radhës nëpërmjet të cilit u diskutua një raport mjaft i veçantë në kulturën tonë shqiptare, për të shënuar kështu natën e tretë me radhë, shkruan KultPlus.
Të pranishmit fillimisht zunë vendet e tyre për të dëgjuar nga afër debatin rreth temës “Libri, leximi dhe biblioteka”, ku të pranishëm në panel për të diskutuar më gjerë në një anë studimore, ishin: shkrimtari Ibrahim Kadriu, drejtori i Bibliotekës “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, Engjëll I. Berisha si dhe moderator i debatit, Binak Kelmendi.
Si gjithmonë, ishte një numër i vogël i publikut që çdo herë bëhet pjesë e këtyre aktiviteteve kulturore të cilat shtyjnë që të krijohet një interes e një kujdes më i shtuar ndaj jo vetëm shkrimtarëve por edhe ndaj librit në veçanti. Andaj, edhe këto ngjarje janë ato në të cilat i pranishmi ndjehet tejet i lirë që të futet brenda debatit të krijuar nga pjesëmarrësit në panel.
“Libri, leximi dhe biblioteka”, është tema e radhës e shtjelluar e që e njëjta është konsideruar se zgjon një interes brenda raportit të tyre mes vete. Libri, leximi dhe biblioteka gjithmonë gërshetohen mes vete qoftë në esencë apo edhe jashtë saj, por që gjithmonë lidhen diku në një vendtakim të përbashkët. E kjo ndërlidhje është ajo ngecja që është krijuar sot në mesin tonë ndaj këtyre tri shtyllave e që po vazhdon të sjell probleme nga më të ndryshmet, nga të cilat edhe nuk po gjendet asnjë zgjidhje.
Gjithashtu, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Binak Kelmendi i cili para të pranishmëve prezantoi të ftuarit në panel.
“Për temën e paraparë për sot do të flasin dy persona që janë të ndërlidhur me biblioteka, për shkak se Engjëll është drejtor i bibliotekës por para se të flasim për bibliotekën, duhet të flasim pak për librin, ku si autor i shumë librave e lexues i pasionuar, do të flasë Ibrahim Kadriu”, thotë Kelmendi.
Fillimisht në këtë ngjarje për të folur nga një anë studimore për sa i përket botimeve dhe vlerësimit të letërsisë sot, shkrimtari Ibrahim Kadriu ka treguar rreth mungesës së konsideratës shoqërore ndaj librit.
“Kur është fjala te libri, është e tepërt që, me këtë rast, të merrem me rëndësinë, meqë rëndësinë e librit vetëm injoranti nuk e kupton, por do i qasemi gjendjes së tij momentale. Njësoj si para njëzet vjetësh edhe sot shtyhet me të njëjtat plagë të pa shëruara, i lënë në mundësitë individuale të atyre që shkruajnë, të botimit mbase edhe të shpërndarjes. Për librin nuk ka konsideratë shoqërore (sistemore); është lënë si mall i pa etiketuar, për shitje në kontrabandë ku të gjithë përfitojnë përveç autorëve. Kjo ndodh për shkak se praktikisht libri nuk nderohet ashtu siç e ka edhe vlerën”, thotë Kadriu.
Sipas tij, është marrë parasysh edhe konkursi vjetor i Ministrisë së Kulturës ku u jepet përparësi botuesve për konkurrim, e jo autorëve. Pra, përherë janë bërë vërejtjet nga autorët të cilët nga botuesit, në rast se e fitojnë konkursin, si shpërblim marrin një sasi të vogël librash që do t’iu mbetnin në shtëpi. Por që, prapë botuesit janë ata të cilët do të përfitonin edhe kur një sasi librash blihen nga Ministria për t’iu dhuruar bibliotekave.
“Autorët mbesin më të goditurit. Vetëm njëherë, mbaj në mend, Ministria i ka shpërblyer autorët në një rast të konkursit të tillë. Por ai rast është i vetmuar, ndërsa ka ardhure në shprehje atëherë kur shkrimtari i nderuar, i ndjeri Rifat Kukaj, futet në zyrën e Ministrit dhe i thotë: po qe se nuk i paguani autorët me të cilat kanë fituar botuesit në konkurs, që nesër do të organizoj protestë dhe shkrimtarët do të vijnë që t’ua nxjerrin kolltukët në shesh. Të nesërmen, vërtetë, nuk pat nevojë për kurrfarë rebelimi. Nga Ministria i thirren autorët (në mesin e të cilëve kam qenë edhe unë) dhe ua ka ofruar t’i nënshkruanin kontratat për pagesë të honorarit. Sipas kësaj – duhet të bëhemi të gjithë si Rifat Kukaj dhe t’i nxisim të bëjnë aso rregulloresh ku autorët nuk do të ngelnin të anashkaluar”, shpalos Kadriu.
Për të, krahas fatit të librave, po ashtu është marrë parasysh edhe leximi i tyre; mungesa e shprehisë për lexim, shprehi kjo e cila duhet të fillojë nga shtytja që prindërit duhet t’i kenë ndaj fëmijëve të tyre. Pra, shprehia varet nga edukata që fëmijët marrin në familje. Ai thotë fëmijët, meqë në moshën më të re ata duhet të kenë shoqëri me librin, kurse përgjegjësinë të krijimit të shprehisë, ose të mos krijimit – u takon kryekëput prindërve, por edhe kuadrit arsimor. Natyrisht konsiderohet se kjo varet nga mosekzistimi i asaj shprehie te një pjesë e konsiderueshme e prindërve, prandaj edhe fëmijët e tyre në këtë aspekt mbesin të çalë.
“Është fakti se dikur ekzistonte lista e lekturës shkollore, por ajo listë nuk ekziston më, dhe mirë që nuk e ekziston si e tillë, por, megjithëkëtë i takon Ministrisë së Arsimit të bëjë listat e librave me prioritete për moshat e caktuara të nxënësve, që do të ishte një ndihmesë e madhe orientuese, por jo detyruese. Me sa jam i njoftuar Ministria e Arsimit në Shqipëri e ka regjistrin e tillë të librave të preferuese, jo nga aspekti ideologjik, por nga vlerat artistike. E sa për bibliotekat mund të thuhet se ato funksionojnë varësisht nga serioziteti veprues në komunat ku ato eksitojnë, por është e vërteta se, shumica nga bibliotekat, në fondin e tyre kanë vetëm botime të hershme nga ato me të cilat janë furnizuar atëherë kur ekzistonte marrëveshja me botuesit dhe kur, në nivel komunash, ishin edhe fondet e posaçme për sigurimin e librave për bibliotekë. Vërtetë, edhe tash Ministria e Kulturës bën një lloj furnizimi vetëm me atë sasi të paktë që i blenë nga botuesit, por ato nuk plotësojnë nevojën furnizuese të akëcilës bibliotekë”, përfundon Kadriu.
Ndërsa, drejtori i Bibliotekës “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, Engjëll I. Berisha, foli rreth shpërqendrimeve të ndryshme që konsiderohen si faktorë dominant në relacionin mes librit dhe lexuesit, e ku njeriu konsumohet nga informacione të shpejta.
“Kjo temë, e ngreh për debat të vazhdueshëm relacionin në mes librit dhe lexuesit, nga shpërqendrimet me vrull që po i bëhet kësaj marrëdhënie, nga faktorë dominant, e që vijnë nga dinamika e jetës, nga elektronika, apo ekrani, ku sipas studiuesve, njeriu po konsumohet prej informacioneve të shpejta. Pastaj sikur po mjaftohet prej copëzave të cituara të librave. Dhe, po hamendet se po shërbehet nga bibliotekat digjitale, duke iu dorëzuar rastësisë, “ jep çka të japish”, apo, “kap çka të kapish”. Nuk do mend, se nuk duhet injoruar informacionet elektronike, pasi që e ka ndryshuar jetën, ngase ekziston edhe libri digjital, edhe bibliotekat digjitale edhe përdoruesi i tyre që është lexuesi i rregullt, bile i varur nga elektronika”, thotë Berisha.
Sipas tij, psikologjia e besimit të fjalës së shkrimtarit bartë gjenialitetin dhe magjinë për mendimin e mençur, e më së miri kjo bëhet në libër. Pra, libri fizik, mbetet më i besuari deri me tani. Pastaj është më praktik dhe bartet kudo. Ndërsa, konsiderohet se etimologjia e fuqisë së fjalës, ka invencion në zhvillimin e ideve kur temat pikin nganjëherë prej qiellit, e nganjëherë personazhi i provokon idetë, prej të cilave dalin libra që lexuesit i duhen në kohën e duhur.
“Është shkrimtari ai që dhuron një libër të mirë dhe përmirëson mënyrën sa të lexojmë sot. Është shkrimtari ai që imponon lexueshmërinë. Disa nga lexuesit në bibliotekë na thanë, janë shkrimtarët ata që na mbajnë gjallë, sepse, komunikojë me personazhet deri në librin tjetër. Përfytyrimin e imazhit, shkrimtarit me lexuesin, e paraqet në komunikim me librin, njëri dërgues i mesazhit dhe tjetri pranues i mesazhit. Lexuesi lexon për veten, e jo për interesat që e shndërrojnë atë në detyrime, sikur lexova një ese nga Margaret Atvord, kur thotë se “Gjithmonë ka mjaft shkrimtarë, veprat e të cilëve kanë arritur – krejt dukshëm – lexuesin e gabuar. Një recensë e keqe është si plumbi pas qafe, thotë ajo”, shpalos Berisha.
Për Berishën, gjatë kohës së pandemisë është bërë një vrojtim se çka kërkohej më së shumti ato ditë të mbyllura nga lexuesit ku sipas tij nuk kanë mjaftuar librat psikologjikë aq u kërkuan. Pastaj, kërkoheshin romane, bile konsiderohet se për dhjetë vjet nuk janë lexuar më shumë romane sa atyre ditëve.
“Bibliotekat nuk janë depo të librit, as thjesht vetëm një objekt ku ruhet libri. Bibliotekat janë burim i informimit për të gjithë, koncept i mësimit për tërë jetën, por në koherencë, me një rol për situata të reja sipas trendit të ri, ku jep mundësi ndryshe të edukimit formal për ta krijuar po ashtu një shoqëri inkluzive e cila ofron mundësi në pjesëmarrje kualitative në mësim, edukim, sipas nevojave dhe interesit. Sot, nëpër botë bibliotekën e shohin me perspektivë edhe në mbështetje të demokracisë dhe qytetarisë, në zhvillim e gjuhësor”, përfundon Berisha.
Kështu krejt në fund, biseda u zgjerua edhe më shumë me bashkëngjitjen e Avni Spahiut, shkrimtarit dhe profesorit në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota dhe shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berisha, të cilët së bashku me të pranishmit bisedën e zgjeruan tutje me mendime dhe analiza të ndryshme personale për të krijuar kështu një atmosferë të qetë por serioze mes tyre. E gjitha kjo u zhvillua nën prezencës e ngrohtësisë shpirtërore të bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery dhe pikturave të artistit Sadri Morina, ekspozita e të cilit ende po vazhdon të qëndrojë e hapur për admiruesit.
Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë, Komunikimi ndërkulturor, Gjuha e shkrimit letrar sot, Letërsia dhe teknologjia, Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.
Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar tri tema si: Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi, Vlerësimi i letërsisë sot dhe Libri, leximi dhe biblioteka. / KultPlus.com