AFP shkruan për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Për disa është një mrekulli arkitekturore, me kupolat e saj dhe grilat vezulluese prej çeliku.

“Është qershia mbi tortën e Prishtinës dhe të Kosovës”, deklaroi guida turistike vendase, Muamer Hasani.

Sa herë që “kërkoni diçka për Prishtinën, fotografia e parë që del është e bibliotekës kombëtare”, shtoi ai.

Por për të tjerët, ndërtesa është e neveritshme.

“Është aq e shëmtuar sa të verbon”, tha një banor i Prishtinës në moshë të mesme, i cili kërkoi të mos përmendet emri, shkruan AFP, transmeton Klankosova.tv.

“Kemi jetuar me të për dekada dhe ende nuk është rinovuar. Është e bezdisshme, por çfarë mund të bëjmë?”

E hapur në vitin 1982, biblioteka ka dëshmuar herë pas here ngritjet dhe uljet e hidhura të Kosovës — nga shpërbërja e Jugosllavisë te lufta e përgjakshme me Serbinë në fund të viteve 1990, pavarësia dhe gjithë historia e trazuar që atëherë.

‘Objekt ikonik’

74 kupolat e saj të tejdukshme u projektuan për të siguruar ndriçim natyral për dhomat e leximit. Rrjeti prej çeliku që mbulon pamjen e tij të jashtme brutaliste shmang dritën e diellit, duke ftohur ndërtesën dhe duke mbrojtur librat brenda.

Arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq, i cili mbikëqyri projektin, tha se ai u përpoq të pasqyronte kulturën dhe historinë e larmishme të Kosovës.

“Si çdo arkitekt, unë jam i dashuruar me ndërtesën time. Më vjen mirë që shoh se 40 vjet pas ndërtimit të saj, ajo është ruajtur aq bukur sikur u hap dje”, tha Mutnjakoviç për AFP.

Ai ka pak kohë për ata që e kritikojnë.

Drejtoresha e bibliotekës Blerina Rogova Gaxha është dakord.

“Është një objekt ikonë i kulturës kosovare, duke i dhënë vetë Prishtinës identitet sepse është objekti kryesor në kryeqytet që bie në sy”, tha Rogova Gaxha për AFP.

Dizajni i saj i bën homazh kulturave të lashta që dikur kishin sunduar Kosovën, tha ajo — romakët, bizantinët, osmanët dhe ilirët.

‘Vezë xhelatinoze’

Por për të sapoardhurit në kryeqytetin e Kosovës, referencat kulturore dhe shkëlqimi arkitektonik nuk janë gjithmonë të dukshme në shikim të parë, madje as në shikim të dytë.

Guida e udhëtimit Lonely Planet e quajti bibliotekën “lehtësisht një nga ndërtesat më të shquara të Prishtinës”.

“Mendoni vezët xhelatinoze të veshura me forca të blinduara”, shtoi ai.

“Ndërtesa duket mjaft e çuditshme. Është arkitekturë brutale, por interesante”, tha Julie, një studente nga Varshava, e cila po fotografonte bibliotekën nga disa këndvështrime.

“Ndoshta nuk është më e bukura sepse ka shumë beton dhe është gri nga jashtë”, tha Paula Gers, një studente që po vizitonte nga Gjermania.

“Unë nuk do ta renditja atë ndër më të shëmtuarat. Kam parë shumë më keq”.

Për drejtorin e bibliotekës, debati i vazhdueshëm mbi estetikën e saj është një bekim në maskim.

“Nuk ka lexues sa dikur, por ka një numër të jashtëzakonshëm të vizitorëve vendas dhe të huaj”, tha Gaxha.

“Të gjithë duan të vijnë dhe të shikojnë veten, tha ajo, duke u përpjekur të kuptojë “pse konsiderohet më e shëmtuara”, duke dashur ta shohë atë nga brenda dhe nga jashtë./klankosova/KultPlus.com

BKK në prag të 80-të vjetorit, drejtoresha Blerina Rogova- Gaxha paralajmëron program të veçantë për përvjetor jubilar

Vjollca Duraku

Institucioni më i madh bibliotekar në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” e cila është edhe një ndër objektet më ikonike në vend këtë fund nëntor organizon një festë të veçantë, me rastin e 80-të vjetorit të themelimit të saj, shkruan KultPlus.

25 Nëntori është Dita e Bibliotekës, dhe për këtë përvjetor jubilar ky institucion arsimor e kulturor i rëndësishëm për komunitetin shqipfolës në rajon po organizon një festë të madhe, në kuadër të së cilës do të bëhet edhe përurimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale dhe web-faqes së re të institucionit.

Biblioteka e parë e Kosovës është themeluar në vitin 1944, kurse “Pjetër Bogdani” është hapur në vitin 1982. Njihet për stilin unik të ndërtesës të dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic, dhe paraqet një shprehje autentike arkitekturore kombëtare, e cila është projektuar në vitin 1971. Kupolat e saj e kategorizojnë atë në monument kulmor të arkitekturës sonë.

Lidhur me organizimet e kësaj feste mediumi KultPlus ka realizuar një intervistë me drejtoreshën e Bibliotekës, Blerina Rogova- Gaxha, e cila ka njoftuar se në këtë ditë të shënuar do të promovohet edhe Platforma Digjitale e Bibliotekës Kombëtare.

“80 Vjetori i themelimit, Bibliotekën e gjen me Qendrën e Digjitalizimit, si një ndër të arriturat kryesore në proceset transformuese të Bibliotekës. Në synimet tona për përmbushjen e objektivave strategjike, një ndër aktivitetet tona më të rëndësishme që është realizuar në vitin e fundit është edhe zhvillimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale” ka thënë Rogova- Gaxha, e cila është emëruar drejtoreshë e institucionit në korrik të këtij viti.

Drejtoresha e Bibliotekës gjithashtu ka njoftuar se në këtë ditë do të përurohet edhe Web-faqja e re e BKK-së, e cila pritet të lehtësojë qasjen dhe punën për këtë institucion me peshë të madhe për qytetarët e vendit.

“Aktivitet tjetër në shënimin e 80 Vjetorit të themelimit Bibliotekës është Përurimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale, e cila, nga Dita e Bibliotekës do të ofrojë qasje të lehtë dhe të shpejtë në objekte digjitale, përmes teknologjive të avancuara të informacionit duke respektuar standardet dhe normat ligjore”.

Ceremonia solemne do të nisë pasdite në orën 17.00,dhe të gjitha aktivitetet kryesore për këtë festë janë përfshirë në këtë ditë. Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në 80 vjetorin e themelimit të saj, gjithashtu është duke përgatitur ekspozitë me një përzgjedhje të koleksioneve të veçanta të fondit të saj. Antologjia e koleksioneve, përfshin botime të shtypura, dorëshkrime dhe materiale origjinale nga fondi i BKK-së.

Drejtoresha Rogova- Gaxha, në këtë intervistë për KultPlus ka bërë të ditur se përgatitja e Ekspozitës është duke u realizuar në bashkëpunim me Hana Halilaj, kuratoren e Galerisë së Arteve të Kosovës dhe arkitektin Okan Xhemajli.

Një koncert i veçantë artistik festiv do të jepet nga Filharmonia e Kosovës në Hollin e bukur të Bibliotekës, mozaiku i të cili për vite me radhë ka shërbyer si vend me një enterier të jashtëzakonshëm, të përshtatshëm për dhjetëra mijëra ngjarje intelektuale dhe kulturore.

Për këtë përvjetor jubilar drejtoresha Rogova- Gaxha është përkujdesur që festa të ketë edhe llogo të veçantë me sipirale të cilat gjenden sipër hollit të Bibliotekës, domethënia e të cilave lidhet kohën e neolitit të vonë.

“Inspiruar nga arti shkëmbor i Vlashnjes, spiralet të cilat thuhet se janë punuar midis neolitit të vonë (rreth 3600 pes) dhe epokës së hershme të bronzit (rreth 2000 pes). Vlashnja gjindet 6km nga Prizreni. Ka shumë teori se çfarë mund të reprezentonin në kohërat e lashta këto spirale: diellin, lindjen-rritjen-vdekjen-rilindjen dhe botën e përtejshme, pastrimin shpirtëror, etj. Por më së shumti që më ka lënë përshtypje është “rruga drejt iluminizmit”, ka bërë të ditur dizajneri Dardan Luta.

Një dokumentar për Bibliotekën Kombëtare me rastin e 80 vjetorit, i cili i referohet rolit dhe rëndësisë së Bibliotekës në kontekstin kulturor e historik të Kosovës, është duke u përgatitur nga Radio Televizioni i Kosovës-RTK. Në këtë dokumentar figura kontributdhënëse në zhvillimin e BKK-së do të pasqyrojnë zhvillimin e institucionit ndër vite.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka një rol të veçantë kulturor, kërkimor, shkencor dhe arsimor, qëllim kryesor i së cilës është mbledhja dhe ruajtja e trashëgimisë intelektuale në Kosovë./ KultPlus.com

Ministria e Kulturës dhuron sot libra për mbi 30 biblioteka komunale

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të dhurojë sot libra për më shumë se 30 biblioteka komunale.

Sipas njoftimit të ministrisë, në objektin e Bibliotekës Kombëtare, për secilën bibliotekë do të dhurohen më shumë se 600 tituj të autorëve të ndryshëm.

Ceremonia e shpërndarjes pritet të filloj nga ora 13:00.

“Ky aktivitet është i përvitshëm dhe shërben për pasurimi ne fondit bibliotekar në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e ministrisë/KultPlus.com

Blerina Rogova- Gaxha zgjedhet drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Poetja dhe studiuesja Blerina Rogova- Gaxha do të jetë drejtoresha e re e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë publik njoftimin për kandidatin e suksesshëm për pozitën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare.

Në njoftimin e publikuar nga Ministria, pikët e plota të kandidatit të suksesshëm janë si vijon: Pikët e testit me shkrim 51.8, pikët e intervistës 26, gjithsej 77.8.

Konkursi u hap në shkurt të këtij viti./KultPlus.com

“Ngjyrat e dashura të Akilit”, shpaloset ekspozita e parë e Akil Dashevcit në BKK

Mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është shpalosur ekspozita e Akil Dashevcit.

Përmes ekspozitës së tij të parë “Ngjyrat e dashura të Akilit”, ai ka sjell vepra të shkëlqyeshme artistike.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tutje ka njoftuar se Qeveria e Kosovës po punon vazhdimisht për të mundësuar sa më shumë aktivitet dhe integrim shoqëror për personat me aftësi të kufizuara. / KultPlus.com

Fillon edicioni i 18-të i ‘Java e Bibliotekës në Kosovë’ (LIVE)

Për të nëntëdhjetën herë me radhë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” organizoi veprimtarinë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë”, shkruan KultPlus.

Aktivitete të shumta të natyrës kulturore e bibliotekare dhe sesione shkencore që trajtojnë tema të rëndësishme nga bibliotekaria, komunikimi, historia, teknologjia informative, referencat, digjitalizimi janë disa nga ngjarjet që do të ndodhin gjatë kësaj jave, duke filluar nga sot e deri më 11 shtator.

Tashmë tradicional, eventi më i madh kushtuar bibliotekarisë temë bosht në këtë edicion ka ‘Dokumentimi i kulturës së emigracionit: koleksionet e shtypura dhe digjitale’.

Më poshtë mund ta ndiqni LIVE ceremoninë e hapjes në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

“Hartimi i Koncept Dokumentit për Rininë”, synohet fuqizimi i rolit të rinisë në Kosovë

Muaji i Rinisë është duke u zhvilluar me aktivitete të ndryshme dhe dinamikë të lartë.

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ministri Çeku takoi të rinj dhe përfaqësues të organizatave rinore, në kuadër të ciklit të takimeve të organizuara nga zyra e RYCO në Kosovë.

Bashkë diskutuan tema që ndërlidhen me rininë tonë, përfshirë këtu rëndësinë e hartimit të Koncept Dokumentit për Rininë, që do të trasojë rrugën e reformës ligjore e institucionale për politikën shtetërore që synon fuqizimin e rolit të rinisë në Kosovë.

Një ngjarje plot interaktivitet dhe diskutim konstruktiv për shoqërinë tonë dhe punën që po bëhet dhe duhet të bëhet në fushën e rinisë. / KultPlus.com

Çeku takohet me Këshillin e ri Drejtues të BBK-së, diskutoi për sfidat dhe prioritetet e tanishme

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim anëtarët e Këshillit të ri Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Bardh Rugova, Ervina Halili, Gëzim Selaci, Ardiana Shala si dhe Feim Hoxha, përfaqësues i MKRS-së ishin të pranishëm në takimin me Çekun.

Gjatë këtij takimi diskutuan për gjendjen aktuale të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, sfidat nëpër të cilat po kalon aktualisht ky institucion, si dhe për prioritetet dhe vizionin që duhet të ketë Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”. /KultPlus.com

Nesër fillon “GRAN Fest” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Nesër në orën 19:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës hapet edicioni i Gran Fest, përcjell KultPlus.

Shumë aktivitete, e artistë të huaj i pret Prishtina, për të sjellë diçka më ndryshe në kulturën tonë!

‘GRAN Fest 2022’ me slloganin “MIXED IDENTITIES” bashkë me emrat si: Ruben Pellejero, Duchy Man Valdera, Li-Chin Lin, Baryl Baruti, Fumio Obata, Mana Neyestani, Abdel De Bruxelles, Matija Pisacic, Jan Bachmann dhe Adrian Jakupi Del moral, do të sjellë ekspozita, konferenca, botime dhe film. / KultPlus.com

Nesër në BKK promovohet “Tregimet e tranzicionit” nga autori Stefan Çapaliku

Nesër në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të promovohet libri më i ri i autorit Stefan Çapaliku, përcjell KultPlus.

Libri i autorit mban emrin “Tregimet e Tranzicionit”. Ndërkaq, ngjarja do të filloj nga ora 14:00.

Promovimi i librit do të moderohet nga shkrimtari Ag Apolloni. / KultPlus.com

Sot mbahet ekspozita me dokumente nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës

Sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, në orën 15:00, do të organizohet ekspozita me dokumente arkivore dhe fotografi ekskluzive nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës.

Kjo ekspozitë paraprakisht do të organizohet në Shkup, kurse ditën e nesërme, të martën, edhe në Tiranë.

Ekspozita organizohet nga ITSHKSH-Shkup AQSH-Tiranë dhe përfaqësuesi i trungut familjar Hasan Prishtina,

Mehmet Prishtina në nderim të 100-vjetorit të kryeministrit të tetë të Shqipërisë, Hasan Prishtina. /KultPlus.com

No description available.

Nuhi Vinca nderohet me çmimin ‘Esad Mekuli’

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka vendosur që të nderojë Nuhi Vincën me çmimin letrar “Esad Mekuli”, shkruan KultPlus.

Ky çmim jepet për krijmtari të përgjithshme letrare të shkrimit, derisa dorëzimi i çmimit do të bëhet më 17 dhjetor në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Këtë vit është mbajtur një tryezë shkencore për 90-të vjetorin e Nuhi Vincës, veprat e të cilit patën ndikim të madh në zhvillimin e poezisë.

Nuhi Vinca ka lindur në Veleshtë të Strugës, Maqedoni, ku më së shumti njihet për rolin e tij si pedagog, poet e përkthyes letrar. Vinca njihet si poet i parë me vepër të botuar lirike për të rritur në gjithë trevën e Strugës me librin “Dallge Jugu” e cila konsiderohet një nga veprat e para shqipe për të rritur në Maqedoni.

Disa prej veprave të tij më të njohura janë: “Këngë pune e pushimi (poezi), Dallgë jugu, Vrulle lirike, Një ylber pa ty, Te guri i kufirit. /KultPlus.com

Përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-së, Robert Montoya, laureat i çmimit ‘Pjetër Bogdani’

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka kremtuar sot 77 vjetorin e saj, ku edhe si zakonisht për katër vite me radhës është duke u bërë ndarja e çmimit “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Çmimi “Pjetër Bodgani” u nda për herë të parë në vitin 2017, për kontributin e çmueshëm në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare.

Këshilli drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në shenjë falënderimi për personat dhe institucionet vendore dhe kombëtare të cilët në angazhimin e tyre kanë ndikuar në avancimin e biblotekave të Kosovës ka ndarë çmimin “Pjetër Bodgani” për profesorin nga Kalifornia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Montoya.

No description available.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ia dorëzoi çmimin profesorit universitar, derisa Montoya u ftua edhe për një fjalim rasti.

“Faleminderit shumë të gjithëve për fjalët e juaja, dua të falënderoj të pranishmit që janë këtu por veçanërisht kolegët e mi. Sot është një ditë e rëndësishme për Bibliotekën e Kosovës pasi feston 77 vjetorin e krijimit. Bibliotekat në përgjithësi janë një pjesë esenciale e një vendi”, filloi ai.

Profesori universitat vuri theks të madh në imagjinatën, dhe madje tha se një person, një komunitet dhe një vend nuk është asgjë pa imagjinatën.

“Ne nuk jemi këtu vetëm të shënojmë një ditë të një institucioni ose diçka e ngjashme, por është një ditë që ne duhet të festojmë. Biblioteka e Kosovës është një koncept që kosovarëve iu duhet, kur e mbështesim BKK-në, ne po mbështesim Kosovën”, vazhdoi ai.

Në fund, Montoya shfaqi shpirtin e tij modest, ku edhe tha se nuk është mësuar të marrë mirënjohje të tilla, por ndjehet shumë i nderuar nga ky çmim.

Gjatë kësaj ceremonie u ndanë edhe disa mirënjohje për persona që kanë dhënë kontribut në zhvillimin e veprimtarive brenda bibliotekës dhe jashtë saj. /KultPlus.com