Liridona Bregovina: Kosova ky vend me mentalitet diskriminues, me infrastrukturë përjashtuese

Sot teksa shënohet dita ndërkombëtare e personave me aftësi të veçanta, shumica e institucioneve publike nuk kanë infrastrukturë të duhur për këtë kategori të shoqërisë, shkruan KultPlus.

Pikërisht për këtë ka reaguar edhe Liridona Bregovina, e cila nëpërmjet shpërndarjes së 3 postimeve me fotografi, ka pasqyruar gjendjen diskriminuese për personat me aftësi të veçanta për hyrje në Bibliotekën Kombëtare, studime në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore.

KultPlus ua sjell të plota reagimet e Bregovinës:

Nese nje person ne karroce, i verber, me distrofi muskulore apo ndonje tjeter aftesi te kufizuar fizike don me hy ne biblioteke kombetare e ka te pamundur. Kosova ky vend me mentalitet diskriminues, me infrastrukture perjashtuese

Nese nje i verber, i cili e perdor shkopin don me kry studime ne UP e ka te pamundur, sepse mungon infrastrukutra(pllakat relievore)

Nese nje student qe perdor karrocen don me i vazhdu studimet ne FSHMN apo ne Fakultetin Filologjik e ka te pamundur.Te pamundur, sepse infrastruktura e perjashton ate. / KultPlus.com

Nesër nënshkruhet memorandumi për rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe

Minstria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bashkë me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të nënshkruajnë nesër memorandum bashkëpunimi për projektin e rrëfimeve të të mbijetuarve të Krushës së Madhe, shkruan KultPlus.

Duke filluar nga ora 12:00 në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës do të nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit për mbështetje financiare të projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”.
I pranishëm do të jetë edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti. / KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës themelon programin zyrtar kombëtar të arsimimit bibliotekar

Për herë të parë në historinë e zhvillimit bibliotekar në Republikën e Kosovës, falë ndihmesës dhe përkrahjes që Ambasada Amerikane në Kosovë i ka dhënë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, do të implementohet projekti “Biblioteka në shërbim të komunitetit: Themelimi i një programi kombëtar në fushën e arsimimit bibliotekar dhe kulturor”.

Ekspertë amerikanë të fushës së bibliotekarisë dhe shkencave të informacionit do të punojnë gjatë një viti për të ndihmuar bibliotekarët dhe specialistët e informacionit në Kosovë për të themeluar një program kombëtar në fushën e arsimimit bibliotekar dhe kulturor, si një komponent i rëndësishëm i programit mësimor profesional për biblioteka.

Ky program, që duhet të lidhet me seminare dhe kurse trajnimi në nivel kombëtar, do të ndihmojë bibliotekarët dhe specialistët e informacionit në dijet teorike dhe praktike, për të ruajtur kompetencat dhe për të mbajtur në dijeni për çështjet e zhvillimit dhe avancimit të dijeve bibliotekare dhe shkencave të informacionit.

Nisma për hartimin e një programi kombëtar të aftësimit bibliotekar ka filluar në vitin 2018, në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë – me temën: “Arsimimi dhe trajnimi bibliotekar”, në të cilën veprimtari ishte i angazhuar edhe dr. Robert Montoya, profesor i Shkencës së Bibliotekarisë dhe Informacionit, i cili, më pas, nëpërmjet programit Fulbright ka punuar edhe për zhvillim të plan-programit për arsimim bibliotekar që do t’i shërbente themelimit të programit studimor të studimeve bachelor në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

Arritjet e këtij projekti do të jenë hartimi dhe vënia në zbatim e programit të trajnimit bibliotekar që del nga struktura administrative e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Pra, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, pas realizimit të këtij projekti, përkatësisht themelimit të këtij programi, merr zotimin për përgjegjësitë që i përkasin edhe me Ligjin për bibliotekat, për akreditimin dhe më pas implementimin e programit kombëtar të trajnimit dhe aftësimit profesional të vazhdueshëm, duke organizuar edhe provimin profesional për punëtorët bibliotekarë.

Kjo do të mundësojë që Biblioteka Kombëtare e Kosovës të jetë, gjithashtu, qendër metodike për zbatimin e standardeve dhe të rekomandimeve të institucioneve dhe asociacioneve përkatëse ndërkombëtare në veprimtarinë bibliotekare dhe të informacionit bibliotekar.

Në Kosovë deri më tash nuk ka ekzistuar një infrastrukturë e duhur arsimore dhe trajnuese për të mbështetur shërbimet kryesore të ofruara nga bibliotekat. Si përgjigje ndaj këtij problemi, bibliotekat e Kosovës, të cilat mbështesin komunitetin e përdoruesve e të hulumtuesve të tyre, do të kenë mundësinë të përgatisin një kuadër profesional nëpërmjet një modeli të zbatueshëm dhe të qëndrueshëm të trajnimit bibliotekar që mund të zhvillojë dhe përmirësojë, sipas standardeve të njohura bibliotekare, shërbimet e bibliotekave për qytetarët e Kosovës.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës synon që ky projekt të ketë ndikim afatgjatë në arritjen arsimore dhe aftësimin e bibliotekarëve të Kosovës.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, përmes këtij projekti, synon krijimin e bazës së përhershme për një program trajnimi të përvitshëm, të qëndrueshëm, të destinuar t’u ofrojë bibliotekarëve të Kosovës aftësi profesionale në përputhje me standardet ndërkombëtare të të nxënit dhe të arritjeve, siç artikulohen nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave dhe Institucioneve të Bibliotekave (IFLA) dhe Shoqata e Bibliotekave Amerikane (ALA), të cilat përmbajnë udhëzimet kryesore për edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm për profesionistët e bibliotekave.

Vlera e këtij projekti, i cili financohet nga Ambasada Amerikanë në Kosovë, është mbi 40 mijë euro.

Projekti do të realizohet me ekspertët amerikanë: Dr. Robert Montoya, Dr. Sean Pessin dhe Dr. Gregory Leazer – profesorë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles, ShBA. / KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare dhe 99 kupolat e saj karakteristike (FOTO)

Ndërtesa e Bibliotekës Popullore Universitare (sic quhej në atë kohë) filloi të ndërtohet në vitin 1975, dhe u hap plotësisht për lexues në vitin 1981. Ajo kishte një hapësirë prej 16,500m2, dhe do të njihej nga 99 kupolat e saj karakteristike.

Biblioteka Kombëtare është institucioni me i madh biblotekar i Kosovës i themeluar nga Asambleja e lokalizuar në Prishtina. Misioni i bibliotekës është për të përmbledh, të ruaj, të promovoj dhe ta bëjë të arritshëm trashëgiminë dokumentare dhe intelektuale të Kosovës. Përmban ekspozita dhe mban një arkiv me gazeta kombëtare.

Njihet për historinë e saj unike dhe stili i ndërtesës është i dizajnuar nga arkitekti Kroat Andrija Mutnjaković, por me polemika për pamjen e jashtme te saj.

Këshilli Udhëheqës i Bibliotekës Universitare të Kosovës:

Presidente: Sheherzade Shkrelji,
Anetar: Bozika Zdravkovic, Aferdita Raifi, Bujar Shehu, Idriz Mehmeti, Avdi Zeka, Jorgovanka Popovic, Lavdrie Domi, Milena Milentijevic, Saide Ahmetaj, Stojana Pavlicic, Remzije Bimbashi, Shyqeri Haliti,
Anëtar të jashtem: Prof. dr Mazllum Hasimija, Dr. doc. Dusan Kosanovic, Igjlale Mehmeti, Tahir Berisha, Violeta Peshku, Nazmi Rahmani, Svetomir Arsic, Hajredin Gashi, Hamdi Shala, Hamit Hamiti.

Foto: Fotografi e dokumente të vjetra/historike / KultPlus.com

Gajraku rizgjedhet drejtor i Bibliotekës Kombëtare edhe për një mandat

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do ta ketë përsëri drejtor Fazli Gajrakun, shkruan KultPlus.

Ai është rizgjedhur në këtë detyrë edhe për një mandat të ri.

Gajraku ishte në krye të këtij posti për 4 vjet, ndërsa në konkursin që është mbajtur arriti t’i mposhtë kandidatët tjerë, për ta vazhduar detyrën e drejtorit edhe për një mandat. /KultPlus.com

Sot në 75 vjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare, lexoni disa fakte rreth saj

Biblioteka Kombëtare sot shënon 75 vjetorin e themelimit të saj, duke qenë kështu institucioni më i madh dhe më i rëndësishëm bibliotekar i Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo bibliotekë është themeluar në vitin 1944 nga Ansambleja e lokalizuar në Prishtinë, me një mision që përfshinte dhe vazhdon të përshfijë përmbledhjen dhe ruajtjen e trashëgimisë dokumentare dhe intelektuale të Kosovës.

Në vijim mund të lexoni disa fakte jo shumë të njohura rreth Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

-Kjo bibliotekë njihet për stilin e saj të veçantë, që herë ka hyrë në listën e objekteve të shëmtuara e herë në ato më të veçanta.

-Biblioteka edhe pse me lokacion në Kosovë, është dizajnuar nga arkitekti kroat, Andrija Mutnjaković.

-Biblioteka Kombëtare është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe koleksionet e saj janë një thesar i i çmuar të trashëgimisë kombëtare, rajonale dhe asaj botërore.

-Selia e Bibliotekës Kombëtare dikur ka qenë në Prizren.

-Për shkak të rrethanave historike dhe politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, ka kryer funksionin nën praktikat dhe shtrëngesat e sistemit ideologjik e politik, duke u njohur me emra të ndryshëm, si: Biblioteka Krahinore, kur është themeluar më 1944 deri më 1952, Qendra Bibliotekare e KAKM-së (1956-1961), Biblioteka Popullore Krahinore (1961-1970), Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës e Metohisë (1990 – 1999).

-Nga viti 1999, ky institucion qendror bibliotekar i Kosovës njihet me emrin: Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, duke kryer funksionin si qendër e informacionit bibliotekar në nivel kombëtar, që mbledh, përpunon dhe ruan materialet bibliotekare me vlerë dokumentare për kulturën, artin dhe shkencën.

-Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në Prishtinë, Kosovë është gjithashtu edhe një monument i trashëgimisë kulturore. Ky monument është i kategorisë “Arkitekturor”, i miratuar me numër 3639.

-E ndërtuar në vitin 1974 dhe e dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic, biblioteka si tërësi arkitekturore paraqet një kombinim të kubeve dhe kupolave dhe i takon tipit të arkitekturës të “regjionalizmit të ri”.

-Biblioteka gjithsej ka dy amfiteatro, një me 150 + 40 ulëse dhe një me 75 ulëse. / KultPlus.com

Hapet ekspozita “Lufta e Kosovës në shtypin britanik 1998-1999″

Me rastin e shënimit të 75-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, sot është hapur ekspozita “Lufta e Kosovës në shtypin britanik”, në vitin1998-1999, i cili është përgatitur nga The Centre for Albanian Studies, nën përkujdesjen e Noel Malcolm.

Kuratorja Shqipe Canolli tha se kjo ekspozitë përbëhet nga 15 artikuj që kanë të bëjnë me raportimin e mediave britanike për luftën në Kosovë.

Canolli: Në këtë ekspozitë paraqiten rrëfime individuale për vuajtjet gjatë luftës në Kosovë

Video

“Në këtë ekspozitë, këta artikuj paraqesin shumë rrëfime individuale të njerëzve të ndryshëm të fëmijëve, të moshave të ndryshme, fëmijëve të moshuarve, për luftën për vuajtjen për ndjenjat e tyre, dëbimin e tyre nga shtëpitë e tyre. Këta artikuj janë të përzgjedhur në mesin e mijëra artikujve të shtypit britanik, të cilat si projekt i ka zhvilluar historiani i mirënjohur, Neol Malcolm në bashkëpunim me Bejtullah Destanin, i cili është organizatori i studimeve shqiptare në Londër”, tha Canolli.

Ajo tha se një ndër karakteristikat e kësaj ekspozite, e cila do të qëndrojë e hapur është paraqitja e eksodit shqiptar dhe gjenocidi serb gjatë periudhës së viteve 98-99.

Ndryshe, me rastin e shënimit të 75-vjetorit të themelimit, Biblioteka Kombëtare do t’ua shpërndajë të gjitha bibliotekave publike nga një kopje digjitale të projektit “Lufta e Kosovës në shtypin britanik 1998-1999″, i cili është përgatitur nga The Centre for Albanian Studies, nën përkujdesjen e Noel Malcolm, derisa është mbështetur edhe nga Qeveria e Kosovës./Q.Rexhaj/ KultPlus.com

“100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” promovohet në BKK

Me datë 28. 06. 2019 Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani“, do të bojë promovimin e librave në dhjetë vëllime “Kujtesa e Kosovës100 rrëfime nga 100 pleq e plaka

Promovimi i dhjetë vëllimëve do të bëhet në Hollin e Bibliotekës, duke filluar nga ora 11:00, ku është organizuar nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit/ KultPlus.com

Miratohet rregullorja për organizim të brendshëm të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”


Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës, pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka miratuar Projekt Rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Ministri Gashi tha se “Objektivat kryesore të kësaj projekt-rregulloreje janë organizimi i brendshëm dhe sistematizimi i vendeve të punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në harmoni të plotë me Ligjin për Administratën Shtetërore të Kosovës.

Po ashtu, ministri Gashi tha se “miratimi i kësaj rregulloreje do të sjellë qartësi të një niveli më të lartë, dhe do të ndikoj edhe në përformancën e stafit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, pasi që do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në funksionimin e strukturës organizative. Dispozitat e kësaj Rregulloreje janë në përputhje me dispozitat e legjislacionit të BE si dhe me  prioritetet e Qeverisë së Kosovës”.

“Kjo Rregullore ka kosto buxhetore mirëpo nuk krijon obligime buxhetore shtesë pasi që mjetet financiare do te ndahen nga linja për Paga dhe Mëditje e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Po ashtu nuk ka nevojë për krijim të mekanizmave shtesë, sepse   mekanizmat për zbatimin e saj tanimë janë funksionale. Duke marr parasysh atë që u tha me lartë, kërkoj nga ju aprovimin e Rregullores”, shtoi ministri Gashi. / KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare në prestigjiozen “Dezeen”

Fotografi Valentin Jeck ka udhëtuar rreth rajonit të ish-Jugosllavisë për të kapur imazhe të arkitekturës brutale për ekspozitën e quajtur Concrete Utopia në Muzeun e Artit Modern (MoMA) në New York.

E titulluar Drejt një utopie betoni: Arkitektura e Jugosllavisë, 1948-1980 (Toward a Concrete Utopia: Architecture of Yugoslavia, 1948-1980), ekspozita paraqet ndërtesat e dizajnuara për të formuar një identitet kombëtar gjatë viteve formuese të vendit socialist.

Jeck ishte autorizuar nga MoMA për t’i bërë fotografi nga shembujt më mbresëlënës të arkitekturës nga ajo periudhë kohore, shumë prej të cilave ishin ndërtuar nga betoni në një stil ekspresiv brutal. Fotografi i bazuar në Zvicër, i cili ka shumë përvojë në kapjen e këtyre llojeve të ndërtesave, iu dha liri të udhëheqë projektin.

“Nuk kisha asnjë të dhënë specifike. Isha krejtësisht i lirë të zgjedhja stilin dhe pamjen. Më dhanë një listë të ndërtesave dhe monumenteve përkatëse, si dhe kontaktet e individëve në vendet”, tha ai për Dezeen.

Gjatë dy viteve të fundit, ai bëri shtatë udhëtime të veçanta në vendet e ish-Jugosllavisë, të cilat përfshijnë Kroacinë, Serbinë, Slloveninë, Bosnjës dhe Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Kosovën. Gjatë vizitave të tij, ai gjeti shumë nga strukturat me riparim të dobët, siç shihet në disa nga imazhet ku janë ngritur skela dhe strukturat janë të rrethuara prej tyre. Por betoni i moshuar dhe i gërmuar bëri imazhet më interesante, Jeck.

“Strukturat e para të betonit paraqiten shumë fotogjenike. Më pëlqen patina, veçanërisht fakti që ato nuk janë restauruar dhe janë në gjendjen e tyre origjinale”, shprehet ai.

Ndërtesat dhe monumentet përfshijnë kullën televizive Avala TV të Beogradit prej 205 metrash e cila u ndërtua fillimisht në vitin 1965, por u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në qytet gjatë luftrave jugosllave në vitin 1999. Më vonë u ri-konstruktua dhe u rihap në vitin 2010.

Ndër të tjera theksohet edhe Monumenti i Betejës së Sutjeskës – një nga shumë strukturat e ndërtuara në të gjithë rajonin për të përkujtuar ata që vdiqën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një qendër e telekomunikacionit në Shkup, banesa sociale, Biblioteka Kombëtare në Prishtinë dhe një kullë zyrash në Lubjanë janë gjithashtu pjesë e serisë./KultPlus.com


Objekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës zgjon interesim në MoMA

Objekti i cili disa herë nga revista të ndryshme u cilësua si një prej më të shëmtuarve në botë, ka tërhequr vëmendjen e publikut në muzeun prestigjioz amerikan.

Objekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është prezantuar në Museum of Modern Art (MoMA) në New York, në kuadër të ekspozitës gjigante, që është para e llojit të tillë e prezantuar ndërkombëtarisht dhe që flet për arkitekturën e kohës së ish-Jugosllavisë. Është titulluar “Toward Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia 1948 -1980”.

Arkitekti kosovar Bekim Ramku, i cili është pjesë e ekipit kuratorial të kësaj ekspozite, organizuar nga Martino Stireli, shef kuratorial i arkitekturës në MoMA, ka thënë se objekti i Bibliotekës e ka tërhequr vëmendjen e publikut njujorkez.

“Stafi i MoMA-s më ka treguar se interesimi më i madh ka qenë për Bibliotekën”, ka thënë Ramku. Kjo ekspozitë që u hap për donatorë, financues e njerëz të tjerë të rëndësishëm, më datën 10 të këtij muaji, të dielën u hap edhe për publikun e gjerë, shkruan sot “Koha Ditore”./ KultPlus.com

Kosova në MoMA me modelin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

‘Towards Concrete Utopia​ / Arkitektura në Yugosllavi mes viteve 1948–1980’ është ekspozita më e madhe e arkitekturës jugosllave, që këtë verë hapet në Muzeun e Artit Modern – MoMA në New York.

Arkitekti kosovar Bekim Ramku, konsulent kuratorial i kësaj ekspozite, ka konfirmuar që në këtë ngjarje të madhe të arkitekturës, mes tjerash përfshihet edhe modeli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me arkitektin kroat Andrija Mutnjakovic.

Kjo ekspozitë eksploron temat e urbanizimit, teknologjisë në jetën e përditshme, konsumizmit, monumenteve dhe memorializimit përfshin më shumë se 400 vizatime, modele, fotografi dhe filma nga një koleksion arkivash komunalë, koleksionesh familjare dhe të muzeve në të gjithë rajonin. Në të tregohen edhe punët e arkitektëve të rëndësishëm të kohës, si Bogdan Bogdanoviq, Juraj Neidhardt, Svetlana Kana Radević, Edvard Ravnikar, Vjenceslav Richter dhe
Milica Šterić.

Vëmendje e posaqme i është dhënë Xhamisë së Bardhë në Bosnjën rurale, projektit të rindërtimi i qytetit të Shkupit, në bazë të dizajnit metabolist të arkitektit japonez Kenzo Tange si dhe shtesës së qytetit Beogradi i Ri.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në Prishtinë, është monument i trashëgimisë kulturore. E ndërtuar në vitin 1973-81, kjo biblotekë është dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic. Si tërësi arkitekturore paraqet një kombinim të kubeve dhe kupolave që i takojnë tipit të arkitekturës “regjionalizmi i ri”.

Ndërtesa është katërkatëshe me sipërfaqe prej 16.500 m², prej të cilave 13.500 m² sipërfaqe të shfrytëzueshme. Në pikëpamjen kompozicionale biblioteka veçohet si tërësi kubesh të mbështjella me membranë skeletore çeliku, e cila në kombinim me ndriçimin zenitor të realizuar përmes kupolave, krijon një sistem ndriçimi që siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar.

Në vitin 2016 Fondacioni Kosovar i Arkitekturës u shpërblye me grantin “Keeping it Modern” nga Getty Foundation për ta përpiluar Planin e Konzervimit dhe Menaxhimit të ndërtesës. Sipas Bekim Ramkut, qe poashtu drejton kete fondacion, fakti që Biblioteka Kombëtare do të paraqitet në këtë ekspozitë në MoMA, do kontriboj edhe më shumë në promovimin e arkitekturës moderne Kosovare jasht vendit e në vecanti objektit të Bibliotekës Kombëtare që fatkeqësisht është në gjendje jo të mirë dhe e neglizhuar. / KultPlus.com

Promovohet romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i autorit Stefan Çapaliku

Të enjten më 14 dhjetor me fillim nga ora 12:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, bëhet promovimi i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, shkruan KultPlus.

Ky roman i shkruar nga Stefan Çapaliku me dy vëllimet e botuara në harkun e një viti, ka ndarë me ne një periudhë njëzetvjeçare prej një kohe të çmendur, e cila kaloi si një sëmundje e gjatë dhe sfilitëse mbi trupin e një vendi të varfër e të pashpresë siç qe Shqipëria komuniste.

Romani është botim i Botimeve Fishta./ KultPlus.com

Hapet ekspozita me dorëshkrimet dhe gjërat personale të At’ Zef Pllumit në BKK (FOTO)

Në dhjetë vjetorin e ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit, veprimtaria e tij është e shtrirë në një ekspozitë e cila u hap sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Provinca Françeskane Shqiptare organizuan këtë ekspozitë me dorëshkrime dhe gjëra personale të Át Zef Pllumit, Át Shtjefën Gjeçovit dhe Gjergj Fishtës.

Në hollin e Bibliotekës Kombëtare kishin zënë vend dorëshkrimet e tij të shkruara në mënyrë klasike përmes lapsit , brenda kësaj ekspozitë gjendej edhe Bibla e tij personale dhe disa nga dorëshkrimet e veprës “Rrno për më tregue”. Po ashtu në mes të kësaj ekspozite ndodheshin tre shkopinjtë e Át Zef Pllumit, Át Shtjefën Gjeçovit dhe Gjergj Fishtës, dhe shumë pranë tyre maska mortore e At’ Gjergj Fishtës.

Akademiku Sabri Hamiti, e quajti Pllumin si një misionar të humanizmit, dhe jo vetëm i besimit dhe i kulturës.

“Ky takim dhe takimet e tjera dëshmojnë se mirënjohja jonë për Zefin, ekziston andaj dhe mirënjohja jonë për Zefin sot është ta lexojmë veprën e tij. Botimet françeskane kanë bërë një punë mirënjohjes sepse i kanë botuar librat e tij, bile në një libër kanë botuar edhe një dorëshkrim të tij”, ka thënë Hamiti në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite.

Prirësi katolik në Kosovë, Don Lush Gjergji tha se e gjithë veprimtaria e Zefit përmblidhet në dy shtylla të besimit të krishterë, që janë e vërteta dhe dashuria që aftësojnë dhe dhurojnë vlerën më të madhe për falje dhe pajtim.
“At’ Zef Pllumbi është një histori e gjallë dhe tronditëse e tmerrit dhe ferrit shqiptar që pa dorëza dëshmoi dhe tregoi ideologjinë komuniste dhe ateiste. Kjo histori dhe dëshmi ka edhe një anë tjetër ku vjen edhe vuajtja, qëndresa, pafajësia, shpresa, duresa stoicizmi i besimit të krishterë deri të ngadhënjimi, paqja, liria demokracia që përmblidhen në kryeveprën e tij që përmblidhen në veprën “Rrrno për me tregue”.

Kjo ishte ekspozita e cila u hap sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, dhe do të vazhdoj të qëndroj e hapur përgjatë 1 jave./ KultPlus.com

Në Prishtinë një ekspozitë për Robert Elsie, institucionin e studimeve të gjuhës e kulturës shqipe

Arbër Selmani

Një jetë e tërë kushtuar gjuhës shqipe nuk është pak. Sidomos kur ky përkushtim ka qenë serioz, profesional, me gatishmëri që të studiohet secila skutë e gjuhës shqipe, e kulturës dhe letërsisë së saj, secili tis i vogël që pa dashje mund ti ketë ikur një tjetër studiuesi a dijetari.

Albanologu Robert Elsie ishte i tillë. Bektashinjtë thonë se edhe 40 ditë pas vdekjes, ende i vdekuri është me ne, akoma nuk vdes shpirti i tij. Albanologu që ndërroi jetë para pak ditësh, duke lënë kësisoj disa projekte në gjysmë e disa ekspedita e hulumtime që i nisi e nuk i përfundoi kurrë, u kujtua sot me një ekspozitë dhe me një mbledhje përkujtimore në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës – “Pjetër Bodgani”.

Ata që e lexuan Elsien, të tjerë që do ta lexojnë në të ardhmen, edhe pse jo në numër të kënaqshëm sikundër kur dikush vdes dhe të gjithë bëjmë hov ta nderojmë shpesh në mënyrë artificiale, mund të njoftoheshin në këtë ekspozitë në hollin e Bibliotekës me intervistat, botimet, deklaratat e fuqishme gjithmonë pozitive krahas shqiptarëve nga albanologu britanik. Kopjet e Lahutës së Malësisë të cilën Elsie e përktheu me mund e me zemër, Këngët e Kreshnikëve, poezitë e Ali Podrimës, legjendat dhe mitet shqiptare, të gjitha u shpalosën për publikun.

Në anën tjetër, në mbledhjen përkujtimore, Muhamet Hamiti tregoi edhe njëherë për vlerat e Elsie, për dëshirën e tij për ta afirmuar gjuhën shqipe kudo në botë, shkruan KultPlus.

“Robert Elsie ka punuar në dokumentet themelore të kulturës shqiptare. Për “Lahutën e Malsisë” ai thoshte se është kontributi i parë që gjuha shqipe i dha letërsisë botërore. Sot po e nderojmë figurën e tij, me ikjen e tij të hershme. Me rreth 60-të libra e me artikuj të ndryshëm, në shqip e në anglisht e gjermanisht, ai ka dhënë kontribute të vlefshme diturore, bile edhe për disa vite në Seminarin e Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare në Prishtinë” ka treguar mes tjerash Hamiti, i cili e ka njohur Elsie me anë të misionit të tij diplomatik si Ambasador i Kosovës në Londër, ku Elsie e kishte vizituar në ceremoninë e dorëzimit të kredencialeve tek Mbretëresha.
Arsim Canolli e quajti përkthimin e Elsie një përkthim institucional, aspak mekanik, të rastësishëm apo si rezultat i ndonjë kërkese miqësore.

“Përkthimi i tij është përkthim institucional, në sensin e krijimit të një atlasi të trashëgimisë letrare shqiptare dhe asaj shpirtërore. Si linguist i ri, duket se ai u mbërthye menjëherë nga sensi albanologjik dhe kësisoj, në një jetë të tërë kushtuar gjuhës shqipe, ai i dha bibliotekës botërore e cila më shumë ka botime në anglisht, përkthime të autorëve të traditës shqipe dhe përkthime të krijimtarisë popullore, nga Këngët e Kreshnikëve e deri te Këngët e Arbëreshëve” tregon Canolli në këtë mbledhje përkujtimore.

Diku në një intervistë të moçme të Elsie, ai tregon se interesimi i tij për shqipen nisi kur njoftoi disa studentë nga Kosova në një stacion treni në Lucern të Zvicrës. Nga aty, ai vjen e njoftohet për së gjalli më shqiptarët rreth viteve 70-të, e ky do të ishte momenti vendimtar që ai të bëhej një me gjuhën shqipe dhe të provonte ta tejkalonte atë, mjeshtërisht.
Në një tjetër intervistë, ai thotë se dëshiron të jetë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Me datë 10 janar 2001, për Bota Sot ai thotë “Nuk dua më shumë në jetë sesa të shoh Kosovën e lirë, pas kaq shumë viteve të tmerrit”.

Bejtullah Destani, studiues dhe një dorë e djathtë e Elsie në shumë projekte, e pati të vështirë të fliste shumë për punën e Elsie, por tregoi se trashëgimia e tij nuk njeh kufi. Dyshja janë takuar në vitin 1994 dhe kanë bashkëpunuar deri kur Elsie ndërroi jetë.

“Ai ka dashur të shkruante për shumë çështje shqiptare. Më tha se duhet të shkruajmë dicka për Çamërinë, pasi çështja çame është me rëndësi shkaku i vuajtjeve të popullit. “Lahutën e Malësisë” tha që e ka të vështirë ta përkthente por e bëri një gjë të tillë pas disa vitesh, me ndihmën e disa miqve në Nju Jersey. Besoj që shumë shpejt do të botohen edhe veprat tjera të cilat ai i nisi e nuk mundi ti përfundonte” tregoi Destani.
Robert Elsie ndërroi jetë me datë 2 tetor. / KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës hapë ekspozitë në kujtim të Robert Elsie

Albanologu i njohur Robert Elsie i cili ndërroi jetë para pak ditësh në moshën 67 vjeçare, po vazhdon të përkujtohet me vente të ndryshme si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Kësisoj me këtë rast Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’, më 6 tetor organizon mbledhje përkujtimore dhe hapë ekspozitë në hollin e këtij institucioni për këtë figurë kaq të rëndësishme për shqiptarët, shkruan KultPlus.

Të premten më 6 tetor me fillim nga ora 11:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, do të përkujtoj albanologun Robert Elsie, me një mbledhje komemorative dhe ekspozitë./ KultPlus.com

Ambasada Amerikane në Kosovë përkrahë projektin ‘Kujtesa e Kosovës: Histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka’

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, nënshkroi grantin e dhënë nga Ambasada Amerikane për realizimin e projektit “Kujtesa e Kosovës: histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka”.

Ky projekt do të bashkëfinancohet nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Ky projekt është hartuar dhe do të realizohet nga Dega e Antropologjisë e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Projekti ka për synim mbledhjen, dokumentimin, publikimin dhe promovimin e historisë gojore të personave të moshuar në Kosovë – mbi 80 vjeç, në mënyrë që rrëfimet dhe kujtimet e popullit të ruhen si histori autentike e jetës në Kosovë.

Projekti “Kujtesa e Kosovës: histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” ka për qëllim krijimin e një modeli dhe një qendre informative e trajnimi për projektet e mëtejme të historisë gojore me anë të të cilave do të arrihet edhe një lidhje më e fuqishme e bashkëpunimit midis Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe studiuesve dhe hulumtuesve të Departamentit të Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Temat që do të trajtohen në historitë gojore të 100 të moshuarve të intervistuar, e që do të botohen si përmbledhje rrëfimesh, do të jenë tema mbi zhvillimin e jetës në të kaluarën, zakonet ekonomike e familjare, marrëdhëniet tregtare brenda dhe jashtë vendit, mbajtjen e fesë, tolerancën, artin dhe zejtarinë, martesat dhe të drejtat e grave në përgjithësi.

Projekti “Kujtesa e Kosovës: histori gojore – 100 rrëfime nga 100 pleq e plaka” do të fillojë më 1 tetor të vitit 2017 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator të vitit 2018. / KultPlus.com