Në këndin e bibliotekave personale të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës sot është bërë hapja e Bibliotekës së Esad Mekulit.
Gili Hoxhaj
Në kuadër të kësaj biblioteke janë të përfshirë librat e tij të blerë, librat që janë redaktuar nga ky autor, gazetat, revistat. Po ashtu në këtë bibliotekë zë vend edhe makina e tij e shkrimit, kapela, syzet, tavolina e punës, lapsat… Në një kënd të BKK-së është i vendosur edhe shtrati i Esad Mekulit, po ashtu dhe vitrinat origjinale të bibliotekës së tij.
Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës tregoi për KultPlus, se hapja e kësaj biblioteke të pasur në BKK vije pas një punë të gjatë dhe intensive.
“Familja e Esad Mekulit, ia ka dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, bibliotekën e Esad Mekulit, dhe kësisoj ne e kemi krijuar një hapësirë për të që të duket tamam si biblioteka që ai e ka pasur në shtëpi. Ne kemi angazhuar njerëzit kompetent që të merren me këtë punë dhe pas një pune goxha të gjatë dhe intensive, sot edhe arritëm ta sjellim brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, bibliotekën e Esad Mekulit, e cila është shumë e pasur”, ka thënë Gajraku për KultPlus.
Ai poashtu shtoi për KultPlus, se kjo bibliotekë do të jetë e përhershme ndërsa do ta pasuroj Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, pasi që, sjellë shumë gjëra të vlefshme nga jeta dhe veprimtaria e tij Esat Mekulit.
“Kjo bibliotekë do të jetë e përhershme në institucionin tonë dhe të gjithë të interesuarit mund t’i shohin nga afër shumë gjëra të papara deri më tash të shkrimtarit Mekuli. Po ashtu kemi shumë dorëshkrime ekskluzive që asnjëherë nuk janë publikuar dhe mund të them se është një ambient shumë i këndshëm që na e ka pasuruar Bibliotekën Kombëtare të Kosovës”, shtoi tutje Gajraku.
Tash e tutje kjo bibliotekë do të jetë në dispozicionin e artdashësve të Esad Mekulit dhe jo vetëm./ KultPlus.com