Era Berisha
Projekti i bazuar në modelin amerikan për ndërtimin e Bibliotekës Presidenciale që ka për qëllim mbajtjen e kujtesës historike dhe shtetërore të popullit tonë dhe njëkohësisht dëshmon për përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për ndërtimin e një shteti të pavarur, sot bëri bashkë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,Hajrull Çekun me ç’rast edhe u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Bibliotekës Presidenciale ‘Ibrahim Rugova’ dhe Ministrisë për Kulturë, shkruan KultPlus.
Së pari, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nisi deklaratën e saj duke falënderuar të pranishmit për prezencën dhe në veçanti Ministrin Çeku, i cili sipas Osmanit, ka treguar një gatishmëri të menjëhershme për mbështetjen e Bibliotekës Kombëtare dhe institucioneve tjera bartëse të Ministrisë së Kulturës.
‘’Ministri Çeku ka treguar një gatishmëri të menjëhershme që ta mbështesë bashkërisht Bibliotekën Kombëtare por edhe institucionet tjera bartëse të Ministrisë së Kulturës. Projekti jonë është i bazuar në modelin amerikan të ndërtimit të Bibliotekave Presidenciale, prandaj kemi filluar me ndërtimin e Bibliotekës Presidenciale e cila do ta mbajë emrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Qëllimi i saj është mbajtja e kujtesës tonë historike dhe shtetërore dhe në veçanti përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për të ndërtuar shtetin e vet të pavarur dhe sovran”, thotë Osmani.
Sipas saj, duke u bazuar në modelin amerikan, rrjedhimisht është marrë përkrahje nga departamenti i shtetit amerikan i cili do të dërgojë një ndër ekspertët më të njohur të saj, për të ndihmuar që të kompletohet kjo bibliotekë nën modelin amerikan dhe në të njëjtën kohë sipas memorandumit të bashkëpunimit që sot është nënshkruar me Ministrin Çeku, do të punohet së bashku për zhvillimin e fondeve për bibliotekën.
“Biblioteka Kombëtare do të ofroj të gjithë bibliografinë që e kanë të ish-presidentit Ibrahim Rugovës siç janë: librat, artikujt e tij por edhe të gjithë librat e artikujt që janë shkruar për të. Kurse, lajm i rëndësishëm është që familja e ish-presidentit Rugova, ka vendosur që të gjithë Arkivin Privat të Presidentit, ta vë në dispozicion për Bibliotekën Presidenciale”, thotë Osmani.
Krejt në fund, ajo ka shfrytëzuar rastin që t’i bëjë thirrje institucioneve bibliotekare, arkivore dhe muzeore që të ofrojnë materiale të ndryshme rreth ish-Presidentit Ibrahim Rugova.
“Në këtë mënyrë do të ruhet kujtesa jonë dhe njëkohësisht do të ruhen në kujtesën tonë historike edhe përpjekjet e një populli të tërë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, përfundon Osmani.
Ndërsa, Ministri Çeku është shprehur se është një kënaqësi që ai është prezent jo vetëm për nënshkrimin e memorandumit por edhe për fillimin e një nisje të jashtëzakonshme.
“Për mua është kënaqësi që të jem së bashku me juve, jo vetëm për të nënshkruar memorandumin por për të qenë pjesë e një nisme të jashtëzakonshme. Kjo nismë ia shton Kosovës një institucion të ri të dijës dhe shkencës e të studimit duke besuar se ky krijim nderon figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe njëkohësisht edhe Republikën e Kosovës”, thotë Çeku.
Sipas tij, si Ministri e Kulturës, të gjitha pjesët përbërëse do të jenë në dispozicion dhe prandaj ata do ta marrin me seriozitet një detyrë kaq të rëndësishme dhe fisnike në të njëjtën kohë. Ata ndjejnë një obligim që ti përgjigjen kësaj nisme duke u bërë pjesë e Bibliotekës Presidenciale ‘Ibrahim Rugova’.
“Ky hap i rëndësishëm do ta pasurojë fondin e kësaj biblioteke e cila natyrisht duhet të zgjerohet përtej institucioneve që janë pjesë e Ministrisë së Kulturës dhe Presidencës për një nismë kombëtare për të pasur një fond të pasur reprezentativ dhe për të shtuar aktivitetin tonë studiues për të lënë një amanet ndaj brezave të ardhshëm”, përfundon Çeku. / KultPlus.com