Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja mori pjesë sot në një takim me punonjës të bibliotekës së Elbasanit dhe të rinj, në kuadër të Tetorit të Librit.
Në takimin e zhvilluar në një nga bibliotekat më të pasura, sidomos me fonde albanologjike e balkanologjike, “Qemal Baholli”, u diskutua për librin si dhe problematikat e të rinjve dhe qytetit të Elbasanit, në përgjithësi.
Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare dhuroi 133 tituj librash për Bibliotekën Publike duke e pasuruar me vepra të autorëve tanë klasikë, nobelistë e klasikë të huaj, si dhe botime origjinale të para Luftës II Botërore.
Tetori është një muaj, i cili e lidh lexuesin më shumë me librin dhe nevojën që ata kanë për t’u mbështetur te leximi. / KultPlus.com
Bibliotekat publike në Tiranë, duket se po kthehen në tendencë për qytetarët e të gjitha grupmoshave. Falë Bashkisë së Tiranës, ato që dikur ishin shndërruar në kafene dhe pika bastesh, brenda mandatit të parë të kryebashkiakut Veliaj i janë rikthyer komunitetit.
Brenda tyre gjen studentë, njerëz të profesioneve të
ndryshme, deri dhe mësues e pedagogë, të cilët jo vetëm ndjekin pasionin për
librin, por i shfrytëzojnë këto ambiente dhe për të studiuar apo për t’u
përgatitur për sezonin e provimeve.
Rea, Ervisi, Fatjona, Edisa etj., janë disa prej dhjetëra e
qindra emrave të tjerë, të cilët frekuentojnë bibliotekat publike në Tiranë, të
cilat janë kthyer tashmë edhe në qendra me natyrë sociale, ku mjaft të rinj dhe
të reja takohen për të studiuar bashkë, apo dhe për miq me moshë m, të cilët
vijojnë të jenë lexues të rregullt të librit dhe të medias.
Biblioteka “Musine Kokalari”
E vendosur përgjatë unazës, biblioteka “Musine Kokalari”
është thuajse e tejmbushur gjatë gjithë ditës. Ndonëse është plot, askush nuk
pipëtin për t’i krijuar mundësinë çdokujt të lexojë dhe të studiojë i qetë. Rea
Ahmetbeja është një studente e juridikut dhe frekuentuese e rregullt e
bibliotekës. Sipas saj, biblioteka është një vend ideal për të mësuar. “Ka të
gjitha komoditetet, që nga ambienti moderne, qetësia e pse jo dhe luksi. Në një
Tiranë pak të zhurmshme, por dhe me problematikat e ndotjes akustike në
pallate, këtu ndihesh si në një liman. Është absolutisht një vend shumë i mirë,
ku gjithësecili shikon punën e tij. Është një investim që ja ka vlejtur për
Tiranën”, shprehet ajo.
Ndërsa Ervis Nilo është student i inxhinierisë elektrike.
Sipas tij, çdo gjë në bibliotekë është jo vetëm funksionale, por dhe shumë
moderne. Teksa vlerëson punën e Bashkisë së Tiranës për hapjen e këtyre
bibliotekave nëpër lagje, Nilo thekson se ato po kthehen dhe në një stil jetese
për të rinjtë. “Jemi një grup që vimë vazhdimisht në bibliotekë. Ndjehemi shumë
mirë këtu, pasi jo vetëm ka kushte shumë të mira, por edhe personel të
përkushtuar. Më vjen mirë që janë rihapur bibliotekat dhe janë rregulluar në
mënyrë fantastike. Sa më shumë pika të tilla, që po kthehen dhe në një stil
jetese për të rinjtë, aq më shumë ka dhe rritje të komunikimit dhe të
marrëdhënieve sociale mes vetë të rinjve apo grupmoshave të ndryshme”, shprehet
Ervisi.
Biblioteka “Misto Treska”
Fatjona Murati dhe Edisa Rushiti, janë dy vajza që studiojnë
për ekonomik. Ato, në një farë mënyre, ‘hapin’ bibliotekën, pasi vinë që në
orët e para të mëngjesit. Fatjona shprehet se aq sa është e lehtë, ndonjëherë
është dhe jo pak e komplikuar për të gjetur fjalët e duhura për të shprehur
gjithë pozitivitetin për rregullimin e dhe vënien në funksion të bibliotekave
në Tiranë. “As në shtëpi nuk kemi kushte kaq perfekte. Askush nuk të shqetëson.
Madje këtu po njohim dhe shoqe dhe shokë të rinj, duke dalë pak dhe nga
klishetë e përditshmërisë së Tiranës: kafe, shtëpi, shkollë. Dua vërtetë t’i
ftoj të gjithë të interesuarit për librin apo për studim, që t’i frekuentojnë
bibliotekat. Më mirë 2 orë në bibliotekë sesa 4 orë parazit në kafe”, shprehet
Fatjona.
Ndërsa Edisa është e mendimit se kjo përvojë duhet të çohet më tej nga Bashkia e Tiranës. Ajo madje i kërkon Bashkisë që për blloqe lejesh ndërtimi që jep t’i kushtëzojë firmat private që t’i japin bashkisë një hapësirë dhe për bibliotekë. “Dija kushton pak sot, por padija është më e kushtueshme nesër. Ja pse duhet të kemi sa më shumë biblioteka”, komenton Edisa.