Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Firences, Elisabeta Sciarra, zbërthen koleksionet veneciane që ruhen në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.
Nga letrat e Shën Agustinit te instant books për Betejën e Lepantos dhe propagandën e luftës së ushtrive kristiane kundër Turqisë.
Rrugëtimet e botimeve katërqind–pesëqindvjeçare, të siguruara në masë përmes konfiskimeve, mund të rindërtohen nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas.
Dr. Sciarra ndan në “Artes”, me gazetaren Elsa Demo, disa qëndrime për gjendjen e sotme dhe të ardhmen e bibliotekave kombëtare: “Jemi si hambarët, prandaj duhet investuar.”
Intervista e plotë për “Artes” me Elsa Demon
Elsa Demo: Zonja Sharra, falemnderit që jeni këtu. Vizitova ekspozitën të shtunën e kaluar ku përjetova krenari dhe njëherësh bukuri. Këtu doja ta nisnim, pse ky koleksion na përcjell ndjesi të kësaj natyre?
Elisabeta Sciarra: Librat mua më emocionojnë gjithnjë. Nuk di të them nëse është prej bukurisë apo krenarisë, po librat për mua janë njerëz, janë njerëzit-autorë që i kanë shkruar, janë ata që i kanë zotëruar dhe çmuar, po edhe bibliotekat që i ruajnë, por sidomos që i vënë në përdorim për të gjithë, sepse janë institucionet më demokratike që ekzistojnë, porta e informacionit e hapur për të gjithë. Pra, pas librave janë shumë njerëz, ndoshta me këtë ka të bëjë emocioni.
Keni ndjekur një metodë për kurimin e ekspozitës?
Po. Duhet të falënderoj kolegët e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, sepse më kanë dhënë material dhe formatet e listave që unë të mund të kuptoja mirë përbërjen e koleksionit, që është i pasur, por që ka shumë ekzemplarë të së njëjtës vepër dhe shumë ekzemplarë për të njëjtin botim të së njëjtës vepër. Për ta dhënë këtë pasuri, mendova ta zbërthej këtë përsëritje në seksione që do të shpjegonin kompleksitetin e librit venecian, domethënë: si histori e librit në Venecia, po edhe si histori e Shqipërisë, apo si histori e raporteve mes Oksidentit dhe Orientit. Ka pasur edhe të papritura të bukura bibliografike.
Si për shembull?
Si për shembull, të ashtuquajturit instant book – libra të çastit, në lidhje me Betejën e Lepantos. Këto janë botime për një ngjarje të veçantë dhe në përgjithësi konsiderohen pararendës të gazetave. Midis tyre është edhe një i gjashtëqindës, që, me sa duket, tani për tani, është i vetmi në botë. Sot duke parë të gjithë librat që kam shqyrtuar, vura re që disa vijnë nga koleksione shumë të vjetra, edhe italiane, që i njoh si Biblioteka Hertziana, bibliotekat e Santa Maria dei Servi, që janë bibliotekat e shkatërruara të manastireve. Këta libra, të cilët, me sa duket, kanë dalë nga Italia, janë shpërndarë e kanë pasuruar edhe koleksionet private të qytetarëve. Kështu që rrugëtimet e librave mund të rindërtohen nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas.
Kur flisja për krenarinë dhe të bukurën nënkuptoja, për shembull, letrat e Shën Agustinit (354-430), shenjtor i Kishës Katolike, i njohur për “Rrëfimet”, vetëjetëshkrimi i parë perëndimor që vazhdon të lexohet, ose “Fjalor i rafinuar shprehish, vjelë nga letrat e Ciceronit”.
Ato janë inkunabula, nga koleksioni i inkunabulave. Nuk janë shumë, por janë të rëndësishme. Njëra është shtypur në vitin 1485 në Trevizo, me miniaturë, është dorëshkrim me miniatura. Ka një stemë që duhet thënë është vërtet shumë e bukur dhe dekorime, iniciale me spirale të bardha, siç e thashë, shtypur në Trevizo në 1485-ën.
Prezantimi i koleksionit fillon me një botim të rrallë mbi jetën e Jezusit nga Bartolomeo Platina, është një pikë referimi ky për artin e shtypit?
Janë inkunabula të rëndësishme për traditën e shtypit, për më tepër që ndonjë mes këtyre të katërve është shtypur nga Bernardino Benali. Ju i referoheni atij që përmban miniatura të realizuara me dorë. Këta dilnin nga shtypi të pazbukuruar dhe dekoroheshin më pas me dorë, sepse jemi në agim të shtypit. Kështu riprodhoheshin praktika dekorimesh që janë tipike për botën e dorëshkrimit, varësisht edhe nga sa ishte i personalizuar.
Mund të na jepni një kuadër të Venecias si qendër e shtypit në Europë, me sa vjen në këtë ekspozitë?
Fakti që pjesa më e madhe e librave të katërqind-pesëqindës nga ky koleksion vijnë nga Venecia, është mëse normale, sepse përgjatë gjithë pesëqindës, Venecia është djep i librit. Kur thua libër i shtypur, thua Venecia, prandaj është shumë e zakonshme që koleksionet e librave antikuarë të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë përbëhen kryesisht nga libra të shtypur në Venecia.
Lucia Nadin ka kontribuar në gjurmimin e këtyre lidhjeve.
Po, ajo ka një rol të rëndësishëm për të kuptuar këtë lloj lidhjeje mes Venecias dhe Shqipërisë. Me kalimin e kohës dhe me përhapjen e shtypit dhe krijimin e shumë qendrave të tjetra të shtypshkrimit, Venecia, megjithatë, ruan disa përparësi. Në ekspozita janë shumë harta gjeografike, harta të Koronelit, çka tregon ende një përsosmëri veneciane – hartat, librat e udhëtimit dhe itineraret – dhe ruhet kjo përsosmëri edhe në gjashtëqind-shtatëqindën. Koroneli me globet e tij mbërrin deri në Paris, me globet e mbretit që janë ekspozuar në Versajë.
Është hera e parë, ndoshta, nuk jam e sigurtë, që mes hartave të Koronelit, ekspozohen edhe ato që paraqesin jo vetëm Shqipërinë e vjetër, Arbërinë, po edhe Kosovën.
Padyshim që qyteti i Venecias ishte i interesuar për lundrimin dhe, le të themi, për të gjithë portet, sidomos për portet. Nga ana tjetër, në Venecia prodhohen harta gjeografike për gjithë tregun botëror, po aq sa në Vendet e Ulëta. Pra, nuk është vetëm lidhje mes Venecias dhe Shqipërisë, por është Venecia që, për arsye tregtare, dërgon në botë hartat e saj, paraqet botën, dhe flet ndër të tjera edhe me Shqipërinë. Për këtë arsye, hartat më të vjetra që paraqesin Shqipërinë, janë shpesh veneciane.
Hyjnë tek botimet e rralla vepra si “Historia e luftërave të sulltan Mehmetit me Sinjorinë e Venecias”…
Ka botime të ndryshme për luftërat e Venecias me Orientin, ngjarje ku Perëndimi shihet në praktikë kundër turkut. Madje ka mjaft botime për fitoret, për raste të veçanta, për shembuj kyç që në sytë e perëndimorëve shënojnë pika kthesë për mbrojtjen e Europës kundër turkut. Kjo ishte çfarë shihnin perëndimorët në atë moment historik. Janë botime të rralla dhe është me interes që janë mbledhur këtu, diçka që nuk dihej.
Jam kurioze për një botim: “Teatri i Turqisë. Jeta dhe zakonet shoqërore të 14 kombeve që jetojnë nën Perandorinë Otomane”, i vitit 1684.
Në fakt, është normale që kur prezanton botën, me gjithë luftërat në mes, nuk ekziston ndonjë ndarje mes Orientit dhe Oksidentit që të pengojë dijen. Edhe pse ka momente që mund të përdoret për qëllime politike, dija është diçka transversale dhe për fat, kultura është transformuese. Prandaj, në çdo epokë, ekzistojnë këto lloj rrëfimesh, përdorimesh. Libri në fjalë është një nga ata që flasin për popuj të largët. Përmes printimeve dhe gravurave na jepet një botë përtej nesh që, ndoshta, lexuesi i zakonshëm italian apo shqiptar nuk do mund ta shihte.
Përse qëndron si seksion më vete, shpirti i aventurës së venecianëve dhe aftësitë e tyre gjeografike?
Botimet për itineraret dhe udhëtimet janë një normë, sepse në Venecia udhëtohej dhe udhëtohej kryesisht për tregti, jo për luftë. I pari është Marko Polo. Por Venecia është edhe atdheu i paraqitjes së botës. Mjafton të kujtojmë hartën gjigante të botës nga Fra Mauro, rreth 1470-ës, që është një lloj enciklopedie e dijeve gjeografike deri para pak se të zbulohej Amerika. Për sa kohë Pellgu i Mesdheut ka qenë qendra e udhëtimeve, Venecia ishte vendi ku mblidheshin udhëtarët dhe rrëfimet. Për këtë arsye është një vend i privilegjuar për të shtypur dhe shkruar libra udhëtimi, për të blerë dhe shitur libra udhëtimi, të cilët ishin një mënyrë për të shoqëruar udhëtarët që niseshin nga ai qytet. Brenda këtij seksioni janë udhëtimet në Tokën e Shenjtë, janë itineraret. Këta libra ishin edhe një mënyrë për të udhëtuar pa udhëtuar, për të njohur atë që është ndryshe.
Dhe “Teatri i botës”?
Po, është një nga këta që të bën të udhëtosh pa udhëtuar, si dokumentarët e sotëm që na tregojnë vende të largëta apo si revista “Nature” që na çon në vende që nuk do t’i vizitojmë kurrë. “Teatri i botës” na tregon veshjet, zakonet, sjelljet, arkitekturën, kafshët, përshkruar faqe pas faqeje në mënyra të ndryshme.
Ju keni dijeni për historinë e këtij koleksioni?
M’u shpjegua si është krijuar. Koleksionet që e formuan vinin nga konfiskimet dhe nga mbyllja e kuvendeve të mëparshme. Këto që kanë ndodhur janë normale. Kanë ndodhur edhe në Itali, pavarësisht se duhen parë me lente të ndryshme. Po pjesa më e madhe e bibliotekave italianeve janë krijuar nga koleksionet e kuvendeve të mbyllura dhe nga rënia e familjeve të mëdha fisnike. Janë përmbysje të historisë këto, që çojnë të krijimin e koleksioneve, në përqendrimin e të mirave kulturore. Ne pajtohemi me këtë histori. E rëndësishme është që këto të mira kulturore, të bëhen një instrument i ri për të zgjeruar kulturën dhe demokracinë. Përndryshe, mendoj se është normale që koleksionet vijnë nga mbyllja e enteve që nuk ekzistojnë më ose edhe nga ngjarje të dhimbshme.
Ka edhe këngë për fitoret e ushtrisë kristiane kundër Turqisë…
Janë shumë të këndshme këto. Janë të gjithë instant book, krijime bërë për ngjarje të veçanta dhe në mos gabohem, këtu është edhe Beteja e Lepantos. Janë zbavitëse sepse janë këngë popullore, zgjasin ato pak ditë, ato pak muaj sa dhe ngjarja. Janë bërë shumë si këto atë kohë. Duke qenë popullore, ndodhte shpesh që humbisnin.
Është një formë e propagandës së kohës?
Është propagandë, absolutisht. Është interesante, sepse gjërat që ne sot i shohim me teleskop historik, dikur kanë pasur një valencë politike, që e kanë humbur. Prandaj them, kur ngjarjet vijnë në bibliotekë, bëhen histori. Kjo na ndihmon për t’u dhënë një dimension tjetër. Këta libra jetojnë më gjatë se jetët tona, na flasin ndryshe, në kohë të ndryshme. Për mua, për shembull, ata janë të bukur për historinë e shtypit.
Çfarë do të gjejnë të rinjtë në këtë ekspozitë?
Do të gjejnë edhe gjëra të bukura, të kuptimin, të lezetshme për vështrimin, nga hartat tek veshjet. Nuk mendoj që librat antikë nuk u flasin të rinjve, përkundrazi. U flasin shumë, mjafton të shihen me një vështrim historik, konsistent, të shihen si trashëgimi e madhe dijesh që shkon përtej tekstit – janë tekste që në pjesën dërrmuese nuk janë rishtypur më – deri te historia e ekzemplarit ose, për shembull, edhe te historia e libërlidhjes. Ekzemplarët që munda t’i shoh këto ditë, nuk kanë ndonjë vlerë shtypi, por ama kanë lidhje të mrekullueshme, kanë qenë të rëndësishëm për ata që i kanë pasur në një moment specifik historik, sidomos librat e kuvendeve që janë ekspozuar në një vitrinë më vete. Janë shumë të bukur. Kam hasur në disa lidhje të veçanta konvencionale që tregojnë origjinën nga kapuçinët, nga urdhri i fretërve françeskanë, që parapëlqenin t’i spikatnin me nga një motiv të veçantë në shpinë, si shenja përkatësie, po edhe krenarie, që i zotëronin këto biblioteka.
Ja edhe një herë krenaria… Drejtori i Bibliotekës Kombëtare po më thoshte që botimet e historisë së Bizantit janë të rralla edhe për vetë studiuesit shqiptarë të kësaj periudhe. Për shembull, “Historia e Konstandinopojës” nga Gregorasi, botuar në Venecia më 1569.
…Ana Komnena.
… Historia e Prokopit të Cezaresë, historian bizantin i kohës së Justinianit (500-565), i konsideruar historiani i fundit i madh i antikitetit.
Janë histori të perandorisë bizantine, të shkruara kryesisht në periudha të caktuara nga Ana Komnena, Niçefor Gregorasi, shkruar pothuajse në fund të perandorisë bizantine. Janë botime veneciane greko-latine, të cilët kishin një lloj botuesi të specializuar në këtë fushë. Në të vërtetë, Venecia ishte e specializuar për shtypin grek, sepse Venecia është atdheu, është parë si atdheu i grekëve që humbën atdheun e tyre në vitin 1453, dhe që nga ai moment bëhet përgjithmonë atdheu i dytë i grekëve. Në fakt, Biblioteka e Marçanës në Venecia lindi nga kjo trashëgimi: një grek që dëshiron t’i dhurojë qytetit të Venecias bibliotekën e vet, e cila përbën farin për grekët që kanë humbur atdheun. Kështu shtypi grek, me grafema greke zhvillohet në Venecia deri në fund të tetëqindës, nga tipografë të specializuar edhe për librin kishtar ortodoks që prodhohet në një masë të madhe në Venecia, për ortodoksët, për liturgjinë greke.
Prej muajit maj ju drejtoni Bibliotekën Kombëtare Qendrore të Firences. Me çfarë sfide përballet sot një bibliotekë kombëtare?
Është një lloj kantieri i vazhdueshëm…
U informova pak për aktivitetin tuaj, çfarë bëni, pashë ekspozitat dhe më pëlqen qasja tematike që përdorni për ngritjen e ekspozitave, si për shembull “Të mbyturit të shpëtuar”, “Gratë e qiellit”…
“Gratë e qiellit” ishte projekt i mbyllur kur unë erdha në maj.
Kjo lloj metode është një mënyrë për t’i bërë interesante koleksionet tuaja, apo jo?
Tani kemi një ekspozitë për historinë e radios, sepse për ne në Itali është 100-vjetori i transmetimit radiofonik. Në fund të vitit prezantojmë një botim të rëndësishëm për blerjet cilësore, që janë blerjet në tregun antikuar italian, në të ashtuquajturin eksport, kur librat dërgohen për eksport. Ligji italian e pengon daljen jashtë shtetit të të mirave kulturore, pa iu nënshtruar kontrollit, kontroll për qarkullim ndërkombëtar të të mirave kulturore dhe falë këtij ligji, ka tetë vjet që Biblioteka Kombëtare e Firences, blen vëllime të tëra dhe është pasuruar me gjëra të rralla. Prandaj jam e lumtur për aktivitetin në dhjetor. Pastaj sfidë e madhe e vërtetë, që është sfidë komplekse, është depozitimi ligjor digjital, gjithçka që është digjitale vendase. Ne kemi përsipër depozitimin ligjor të të gjithë vendit. Çdo ditë na vjen i gjithë shtypi dhe në vit na vijnë rreth 70 mijë monografi. Është një bibliotekë e pafundme që gjithnjë do të ketë probleme të mëdha për hapësirë. Sfida është si të jemi konkurrentë dhe efikasë me depozitimin ligjor të digjitalit vendës për ruajtje afatgjatë të çfarë është digjitale. Kjo po që është sfidë komplekse. Tani kemi inauguruar tezat e doktoraturës dhe vitin e ardhshëm shpresojmë të trajtojmë çështjen e kërkimit shkencor, pra depozitimin e gjithçkaje që është prodhuar nga universitetet italiane. Është vërtetë sfidë, jo vetëm e vjetra, po edhe bashkëkohorja. Bibliotekat kombëtare duhet t’i përgjigjen të vjetrës edhe bashkëkohores për të qenë kujtesa e sotme e kombit për të ardhmen. Jemi si hambarët, prandaj duhet investuar.
Ju falënderoj shumë për këtë udhëtim të mrekullueshëm mes librave-njerëz.
Përgatiti: Elsa Demo/rtsh.al/ KultPlus.com