Sigurisht se keni lexuar dhe keni bërë joga e meditim për qejf ose dhe qëllime terapeutike.
Mirëpo ekziston edhe një terapi shumë e lashtë që quhet “Biblioterapi” dhe është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë të gjithë: të lexojmë, transmeton Klan Kosova.
Për të praktikuar këtë nuk kemi nevojë për veshje, përgatitje, organizim e as ndonjë gjë tjetër pasi që librin mund ta lexojmë kurdo e kudoqoftë.
Për herë të parë, “Biblioterapia” si term është përdorur në vitin 1916, në artikullin “Një klinikë letrare” të “Atlantic Monthly”.
Autori fliste aty për një institut “bibliopatik” të ndodhur në bodrumin e një kishe, e të drejtuar nga një person i quajtur Bagster, në të cilin leximi rekomandohej për vlerat shëruese.
“Biblioterapia është një shkencë e re”, thoshte Bagsteri.
“Një libër, – arsyetonte ai, – mund të jetë stimulant ose sedativ, mund edhe të ngacmojë. Mund të jetë shurupi qetësues ose mustarda që djeg. Ai, me pak fjalë zgjon dhe përçon jetë të re në dejet tona”.
Sot “Biblioterapia” ka marrë forma të ndryshme, duke nisur nga kurset e literaturës në burgje, e deri te grupet e leximit për të moshuarit që vuajnë nga demenca.
Mjafton vetëm të uleni e të lexoni, për të mirën e mendjes dhe shëndetit tuaj.