Ministri Çeku viziton Bienalen e Vendikut: Ngremë dolli për këtë sukses dhe mundësitë e reja që po vijnë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka vizituar selinë e Bienales së Vendikut pasi Pavijoni i Kosovës fitoi çmimin  “Special Mention for National Presentation”.

Ministri Çeku është shprehur se në Bienale kanë ngre dolli për këtë sukses të madh dhe për të gjitha mundësitë e  reja që do të hapen nga ky moment i rëndësishëm.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Ministrit Çeku:

Ditën e nisëm në selinë e Bienales së Venedikut, brenda sallës historike ku për 60 vjet janë ndarë çmime për artin dhe artistët më të mirë të botës. Republika e Kosovës këtë ditë do të shënonte historinë duke pranuar shpërblim si përfaqësim shtetëror për herë të parë. Për kontekst dhe perspektivë, nga të gjitha shpërblimet e fituara këtë edicion, i vetmi shtet nga vendet e Evropës me çmim të fituar, është Kosova.

Doruntina, Erëmira e Hana, nga podiumi ku pranonin mirënjohjen, reflektonin shumë porosi. Tregimin e zakonshëm të grave të jashtëzakonshme në realitetin e vështirë të punës dhe shtëpisë. Fuqinë e gjithë ekipit të pavijonit, plot profesionalizëm dhe vetëmohim. Dëshirën e flaktë për t’i treguar botës sa shumë potencial dhe energji jeton brenda nesh. Dhe që Republika e Kosovës është këtu për të vazhduar së qenuri gjithmonë.

Festën e vërtetë e mbajtëm në shtëpinë e pavijonit tonë, në ndërtesën Museo Storico Navale, ku bashkë me ekipin e pavijonit, familjarët, miqtë dhe komunitetin e artit nga Kosova që kishte ardhur për mbështetje, ngritëm dolli për këtë sukses të madh, dhe për të gjitha mundësitë e reja që do të hapen nga ky moment i rëndësishëm.

Urime të gjithëve, e faleminderit Dori, Era dhe Hana./KultPlus.com

 

Bienalja e Venecias u jep zë të huajve

Artistët e huaj, queer dhe indigjenë po marrin një platformë të vonuar në ekspozitën e 60-të të artit bashkëkohor të Bienales së Venecias që u hap të shtunën.

Vizitorët në dy ambientet kryesore, Giardini dhe Arsenale, do të priten me një tabelë neoni nga kooperativa konceptuale e artit Claire Fontaine me titullin e ekspozitës: “Stranieri Ovunque – Të huajt kudo”. Gjithsej 60 në gjuhë të ndryshme varen nëpër ambiente, shkruan euronews, transmeton Klankosova.tv.

Kur merret në kontekstin e konflikteve globale dhe forcimit të kufijve, titulli duket një provokim kundër qeverive të papajtueshme – të paktën një nxitje për të marrë parasysh njerëzimin tonë të përbashkët. Nëpërmjet artistëve me perspektiva të nënpërfaqësuara, ekspozita trajton temat e migrimit dhe natyrës së diasporës, si dhe indigjenitetin dhe rolin e artizanatit./KultPlus.com

Kosova fiton Mirënjohje të Veçantë në Bienalen e Venecias, ministrja serbe e lëshon sallën (VIDEO)

Pavijoni i Republikës së Kosovës sot ka marrë Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias, shkruan KultPlus.

Mirëpo, në këtë ngjarje përderisa ekipi i Kosovës është ngjitur në skenë për të marr çmimin “Special Mention for National Presentation”, zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Kulturës, Maja Gojkoviq, e ka lëshuar sallën.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili ka thënë se kjo është hera e parë që Kosova ka marr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013.

“Një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota. Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe komisionere Hana Halilaj, ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen e artistes”, ka shkruar Ministri Çeku./KultPlus.com

Iva Lulashi, artistja që prezanton Shqipërinë në Bienalen e Artit në Venecia

Shqipëria prezantohet këtë vit në Bienalen e Artit në Venecia me artisten Iva Lulashi, që është shkolluar në qytetin e ndërtuar mbi ujë. Kjo e bën më të ngushtë lidhjen mes dy kulturave në ekspozitën e këtij edicioni të 60-të që mbahet nën temën “Të huaj kudo”.

“Pavjoni shqiptar këtë vit do të jetë i lidhur ngushtë me Venecian, qytetin e ujit, qelqit e dashurisë” … E përshkruan në këtë formë kritika italiane pjesëmarrjen e Shqipërisë me Iva Lulashin në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, që kurohet nga Adriano Pedrosa.

Artistja u lind në Shqipëri por u shkollua në Venecia dhe vepra e saj “Love as a glass of  Water”, përpos rrugëtimit artistik e jetësor, është në simbiozë me temën  e ekspozitës “Të huaj kudo”.  Të qenit të huaj në një qytet ku kushdo mund të ndihet qytetar apo anasjelltas.

Projekti i artistes shqiptare “Love as a Glass of Water” , që kurohet nga kritiku italian Antonio Grulli merr shkas nga  teoria e “gotës së ujit”,  që i përket periudhës para revolucionit rus dhe lidhet me mendimtaren revolucionare feministe Alexandra Kollontai. Kjo teori lidhet me idenë e revolucionit seksual, ku impulset shihen si një nevojë e thjeshtë njerëzore që duhet përmbushur me lehtësinë e pirjes së një gote uji. Ide që u penguan në atë kohë nga aparati politik revolucionar.

Kuratori Grulli e quan absurd faktin që ende sot “tema si dashuria dhe dëshira seksuale zënë një pjesë shumë të vogël në artin që prodhohet sikur të bëhej fjalë për tabu , apo si çështje të lehta, jo të denja për vëmendje”.

Dashuria, dëshira, sidomos ajo femërore, instinkti janë në qendër të veprës së Lulashit, ku shtron pyetjen: Perse ndjenja kaq thelbësore, që i japin kuptim apo rrënojnë ekzistencën tonë, madje edhe më shumë se çështjet politike, trajtohen kaq pak nga artistët?

Në veprën e saj ndërthuret tradita piktoreske shqiptare, duke i mëshuar figurave të rëndësishme të njohura ndërkombtarisht dhe rrugëtimit të saj artistik në Itali.

“Love as a glass of Water” inaugurohet në 19 prill, ndërsa ekspozita Ndërkombëtare që mbahet në Arsenal, do të jetë e hapur për publikun nga  20 prilli deri në 24 nëntor./Shqiptarja.com/KultPlus.com

Ministrat e Kulturës nga shumë shtete europiane bashkë në Bienalen e Venecias

Kosova ka hapur zyrtarisht Pavijonin në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, shkruan KultPlus.

Me instalacionin “Monumentaliteti i Përditshmërisë” të artistit Jakup Ferri, Kosova prezantohet sivjet në ngjarjen më të madhe në botë të artit bashkëkohor.

Në edicionin e sivjetmë, të 59-in me radhë, Kosova merr pjesë për herë të pestë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit. Pavijoni i shtetit më të ri të Evropës është krahas atij të Ukrainës që paraqitet me ngjyra të zymta.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka ndarë një fotografi ku shihen ministrat e kulturës na shumë shtete europiane që morën pjesë në këtë hapje.

“Me ftesë të ministrit italian të kulturës Dario Franceschini, në solidaritet me popullin ukrainas, dje në pavijonin e Ukrainës në Bienalen e Venecias, bashkë me ministrat e kulturës nga shumë shtete europiane”, ka shkruar Çeku. /KultPlus.com

Artistët ukrainas sfidojnë Rusinë në Bienalen e Venecias

Kur Rusia nisi pushtimin e saj ushtarak në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt, artistja ukrainase Zhanna Kadyrova vuri në dyshim karrierën e saj.

Kjo pasi nuk e dinte nëse karriera e saj 20-vjeçare vlente, tani që familja dhe vendi i saj ishin në rrezik vdekjeprurës, shkruan Aljazeera.

“Në atë moment, mendova se arti nuk ishte asgjë në këtë situatë,” tha ajo, duke folur në ekspozitën e saj në margjinat e festivalit të artit të Bienales së Venecias të këtij viti, i cili hapet për publikun të shtunën.

Ekspozita e saj, Palianytsia, që do të thotë bukë në gjuhën ukrainase, paraqet gurë të mëdhenj të marrë nga Berezovo, të cilët ajo i ka lëmuar në forma si bukë dhe i ka prerë në feta. Që nga pushtimi, kjo fjalë e përditshme, e vështirë për t’u shqiptuar për rusët, ka fituar një valencë të re politike – një term që ndan miqtë nga armiqtë.

“Këtë bukë guri e ndryshova në bukë të vërtetë për njerëzit,” tha ajo për Al Jazeera.

Lufta në Ukrainë ka lënë gjurmë në edicionin e 59 të ngjarjes më prestigjioze të artit në botë, me artistët ukrainas që e përdorin atë si një vitrinë të rezistencës ndaj agresionit të Rusisë kundër popullit dhe kulturës së tyre. /KultPlus.com

Artisti Astrit Ismaili hap bienalen e Athinës, mahnit me performancën artistike të stiluar nga Valdrin Sahiti

Artisti kosovar, Astrit Ismaili e ka përfaqësuar Kosovën duke bërë hapjen në bienalen e Athinës me një performancën interesante artistike, përcjell KultPlus.

“Miss Kosova” titullohet kjo performancë e cila është dhënë në kuadër të nocionit “Creative when Limited”.

Në këtë performancën ai është paraqitur në rolin e MISS-it, duke ju referuar kështu figurave fiktive dhe jo fiktive nga e kaluara, ku me kreativitet ai arrin që të kapërcej kufizimet gjeo-politike dhe sociale.

Për herë të parë, performanca artistike e një kosovari është shfaqur edhe në Televizionin Kombëtar Grek, ku performanca “Miss Kosova” e Astritit është dhënë në një vend që nuk e njeh pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.

Performanca është organizuar nga kuratoret e ‘Omsk Social Club’, Larry Ossei-Mensah dhe Poka-Yio.

Kjo paraqitje e tij është bërë në kuadër të edicionit të shtatë të Bienales së Athinës “Eclipse”, e cila mbahet nga 24 shtatori deri më 28 nëntor të këtij viti.

“Një hapje e tillë është një nder i madh ndaj performancës ‘Miss Kosova’. Performanca MISS ndër të tjera merret me nocionin ‘Creative when Limited’ duke iu referuar figurave fiktive dhe jo fiktive nga e kaluara që duhej të ishin krijuese për të kapërcyer kufizimet gjeo-politike dhe sociale. Të qenit në Televizionin kombëtar grek si ‘Miss Kosova’ në një vend që nuk e njeh Kosovën, në një rajon ku jetët e çuditshme janë në rrezik, i shtoi një urgjencë performancës sime që ilustron pse bëj atë që bëj!”, ka shkruar Ismaili në rrjetet sociale.

Gjithashtu, veshja e tij është krijuar nga stilisti Valdrin Sahiti, ndërsa grimi nga Anna Bakatsaki. / KultPlus.com