Alberina Haxhijaj
20 vite më parë kur Kosova ishte në luftë, fotoreporter të njohur vizituan këtë vend dhe realizuan fotografi që preken gjithë botën.
Një nënë me gjirin jashtë duke ushqyer të bijën (të cilën e kishte menduar të ngrirë dhe e kishte vendosur në shporet për ta ngrohur), një babë i cili tregon fotografin e djalit dhe vajzës së tij (për të cilët nuk dinë se a janë gjallë) dhe një fëmijë duke kaluar mes telave me gjemba, ishin në mesin e fotografive të realizuara 20 vite me parë e që akoma të ngjallin mornicat në trup.
20 vite pas, këta katër personazh të këtyre fotografive kanë rrëfyer për artistin Alban Muja ato çfarë kujtojnë nga kjo periudhë. Rrëfimet e tyre janë bërë pjesë e projektit multimedial “Albumi Familjar” me të cilin Muja po përfaqëson Kosovën në ngjarjen më të madhe të artit pamor, Bienalen e Venedikut.
Për artistin ishte e rëndësishme që të mësonte sesi i kujtojnë këto momente pas 20 viteve këta fëmijë. Mirëpo projekti “Albumi familjar” shkon përtej të treguarit se çfarë ka ndodhur në Kosovë pasi që po ashtu vë theksin te ajo se çfarë po ndodh sot dhe vë në fokus çështjen e refugjatëve edhe në ditët e sotme.
Republika e Kosovës merr pjesë në Bienalen e Venecias me një pavijon kombëtar që nga viti 2013. Prezantimet e mëparshme përbëheshin nga prezantimet solo të punimeve të Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015) dhe Sislej Xhafa (2017). /KultPlus.com