Bienalja e 5-të Ndërkombëtare e Akuarelit në Tiranë, risi dhe ekspozitë të 200 artistëve nga 25 shtete

Punimet e mjeshtrave të akuarelit janë në ekspozitat e Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit në Tiranë.

Edicioni i pestë i bienales sjell për publikun mjeshtrat e akuarelit botëror, ku dhe performanca live të artistëve nuk do të mungojnë gjatë këtyre ditëve.

“Tirana International Watercolor Biennale”, edicioni i 5, organizuar nga Shoqata Kulturore VIZart zhvillohet këtë vit nga data 4-14 maj, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës.

Punët në bienale janë ekspozuar në hapësirat e GAT, Galeria e Artit Tiranë dhe në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar (në katin e parë dhe të dytë). Punimet e artistëve nga Moldavia, Suedia, Koreja, Spanja, Tajlanda, SHBA, Gjermania, Izraeli, Ukraina, Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Meksika, Shqipëria, Kosova, etj, janë pjesë e bienales së akuarelit.

Ormira Lulani presidente e shoqatës kulturore VizArt tregon se disa evente do të zhvillohen paralelisht gjatë këtyre ditëve. Bienalja u hap një ditë më parë dhe Ormira Lulani thotë se këtë vit vjen e menduar dhe e konceptuar ndryshe për publikun.

“Bienalja këtë vit në edicionin e pestë vjen ndryshe nga vitet e tjera. Kemi ekspozitën personale të mjeshtrit ukrainas Ihor Mosiichuk, por ndërkohë është dhe ekspozita e 15 mjeshtrave ndërkombëtarë të akuarelit që është hapur te Muzeu Historik Kombëtar, krahas kësaj është dhe ekspozitë e mjeshtrave të tjerë të akuarelit që marrin pjesë, si dhe RINArt /Tirana International Contemporary Art Festival që është festivali i të rinjve. Në Galerinë e Artit Tiranë ( GAT) kemi punime të akuarelit, ndërsa te Muzeu Historik Kombëtar ekspozita zhvillohet dhe në mediume të tjera”, thotë Ormira Lulani.

Ekspozitë me veprat e mjeshtrit Ihor Mosiichuk në GAT

Ekspozita me veprat e mjeshtrit Ukrainas të akuarelit Ihor Mosiichuk, që u nda nga jeta vitin që kaloi në Galerinë e Artit Tiranë është e kuruar nga Helidon Haliti. Kuratori Helidon Haliti tregon se në GAT janë punimet e një prej peizazhistëve më të mirë. “Në GAT janë punët e ukrainasit Ihor Mosiichuk një nga peizazhistët më të mirë, që u nda nga jeta vjet. Unë ju luta familjes që të na jepte disa punime të tij, që ti bënim një ekspozitë personale. E bëmë ekspozitën dhe 20 punë i dhanë ata.

Një artist shumë i mirë, shumë i shitur dhe unë me mirësinë time i kam marrë gjatë viteve që ai ishte në Shqipëri rreth 12 punime, nga të cilat 8 më takojnë mua personalisht dhe 4 i takojnë fondit të VizArt”, tregon kuratori Helidon Haliti. Ihor Mosiichuk në vitin 1994 u diplomua në Institutin Poligrafik të Ukrainës, specialiteti “Grafikës”.

Që nga vitit 1984 jetoi dhe punoi në Transnistria Moldavi. Mori pjesë në 60 ekspozita kombëtare dhe 33 ndërkombëtare, si dhe 9 personale. Punoi në fushën e grafikës, skulpturës, artit monumental -dekorativ dhe dizajnit. Autor i monumenteve të ndryshme në Transnistria dhe Ukrainë. Ihor Mosiichuk ka fituar shumë çmime ndërkombëtare. Veprat e tij gjenden në muze dhe koleksione private në shtete të ndryshme në botës.

Mjeshtrat dhe artistët e rinj në bienale

Ekspozita e artistëve ndërkombëtar të akuarelit sjell në Muzeun Historik Kombëtar punimet e tyre, po në këto hapësira është dhe Festival Festivali Ndërkombëtar i Artistëve të Rinj, edicion i dytë, që zhvillohet në të gjitha mediumet e artit. Kuratori Helidon Haliti tregon se rreth 200 artistë ekspozojnë veprat e tyre këtë vit në “Tirana International Ëatercolor Biennale”, ku performaca live të mjeshtrave do të ndiqen nga artdashës e studentë, që do zhvillohen gjatë ditëve të bienales. Kuratori Haliti thotë se “Tirana International Ëatercolor Biennale” është një aktivitet i rëndësishëm, në jetën artistike në Tiranë. “E kam thënë që në fillim, që ne sjellim artistë, por në radhën e tyre artistët do të shtegtojnë dhe do të hapin sigurisht opinion pozitiv për Shqipërinë dhe veprat e tyre duhet të qëndrojnë këtu.

Të qëndrojnë dhe sigurisht t’i japin leksioneve brezave dhe të bëjmë atë, që themi shpesh që Shqipëria ka nevojë për koleksione të mëdha. Shqipëria ka nevojë për muzeume të mëdha dhe galeri të mëdha, që në fakt nuk kemi. Shqipëria ka nevojë për muzeume private siç ne duam të bëjmë në një moment të caktuar me ndihmën e shtetit muzeun e akuarelit, ku t’i bashkohemi vendeve më të zhvilluara të botës, të cilat për fatin tonë nuk ndodhen në rajon”, thotë kuratori Haliti. Sipas mjeshtrit të akuarelit Helidon Haliti, rajoni nuk ka muzeume akuareli dhe rëndësi ka dhe fondi i veprave, që mund të jetë për një muze të tillë. “Pse mos ta bënim ne të parin, ku ne dhurojmë një fond mbi 400 veprash që tashmë janë në koleksionin tonë të artistëve botërorë dhe bëhet fjalë që mbi 250 artistë kanë dhuruar, kemi shkëmbyer punë me ta dhe ky është një fond do të thosha vërtet prestigjioz, sepse bëhet fjalë për punë unike”, tregon kuratori.

Demostrime live të mjeshtrave të akuarelit

Në Muzeun Historik Kombëtar te salla “UNESCO” do të ketë demostrime live të mjeshtrave të akuarelit që janë Atanur Dogan / Turqi; Miranda Kim / Kore; Nicolas Lopez / Peru; Cese Farre / Spanjë. Sipas kuratorit Helidon Haliti studentë, artistë dhe dashamirës të artit janë të mirëpritur dhe janë raste, që nuk duhen humbur, një shkollë për të gjithë ata që duan artin dhe akuarelin. Po ashtu mjeshtrat e akuarelit nuk do të mungojë dhe në Universitetin e Arteve. Kuratori Helidon Haliti tregon se aktiviteti këtë vit është në Tiranë dhe në rrethinat e saj, por do të vijojë dhe në Pogradec dhe Korçë.

“Performancat live zhvillohen në Universitetin e Arteve, që i është bashkuar kësaj thirrje dhe do të japim mësime falas për rreth 3 orë dhe më pas do të kalojmë në peizazh të hapur në rrethinat e Tiranës, ku do të pikturohet. Por dhe në Pogradec do të pikturohet”, tregon ai. Haliti tregon se në Muzeun Historik Kombëtar janë ekspozuar rreth 70 punime të 15 mjeshtrave të mëdhenj, që janë përzgjedhur nga “VizArt”, por janë dhe rreth 100 vepra të akuarelistëve të ndryshëm botërorë në formën e një dimensioni më të vogël. “Por krahas tyre unë i propozova që të vinin studentët e Universitetit të Arteve, të cilët bashkë me artistë që kanë mbaruar kanë aplikuar me qindra, po ne përzgjodhëm vetëm 70 prej tyre dhe ata ekspozojnë në mediume të ndryshme 70 vepra në sallën sipër në MHK dhe në sallën poshtë i kam lejuar që ta vetkurojnë ekspozitën, duke kërkuar leje nga “VizArt”. Kemi bërë një lloj eksperimenti, që besoj është i suksesshëm ku bashkojmë artistët gjithë bashkë me logjikën, që artisti konkurron mes të tjerëve”, tregon Halidon Haliti.

Në bienale janë rreth 200 artistë pjesëmarrës me punët e tyre, por kuratori Helidon Haliti shprehet se eventi ka gjithashtu rëndësi se është i gërshetuar me aktivitete të ndryshme. “Nuk kemi vetëm një vizitë për një ekspozitë, por kemi biseda mes artistësh, kemi takime me ata dhe zhvillimin e disa ëorkshopeve, që artistët mund ti pyesësh për teknikën dhe eksperiencën. Pra është më interaktive se ndoshta çdo gjë tjetër”, thotë ai.

Bienalja, e kthyer tashmë në një traditë, është një mundësi e shkëlqyer për të sjellë në Tiranë artistë nga më të mirët./KultPlus.com

310 artistë ekspozojnë veprat në Bienalen e Akuarelit, Kuratori: Përmes luleve i japim kuptim jetës

Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. 310 artistë nga 58 vende të botës ekspozojnë tablotë, në të cilat kanë trajtuar temën  “Natyra e qetë”.

Kuratori i ekspozitës, piktori Helidon Haliti e cilëson këtë edicion të katërt të Bienales, që po zhvillohet në këtë periudhë të pazakontë për shkak të pandemisë Covid 19, si kremtim të bukurisë së natyrës dhe jetës

“Janë veprat e 310 artistëve, mes tyre 150 profesionistë edhe të tjerët amatorë në këtë fushë, që prezantohen këto ditë në Muzeun Historik Kombëtar. Së bashku me kuratoren Ormira Lulani vendosëm si subjekt kryesor “Natyrën e qetë”. Artistët sjellin botën e tyre shpirtërore, që kanë kaluar gjatë pandemisë. Këtë e kemi bërë për të treguar se në këtë vit të vështirë jemi të gjithë bashkë”, thotë Helidon Haliti.

Artistët, si Skënder Kamberi, Ronald Runaj apo edhe të huaj, Hermi Kurner, Gerta Sabbe, Olga Vatkova, Li Lei, Aneta Gajos etj.,por edhe amatorët përmes akuareleve sjellin skena të gëzueshme, që kanë në qendër ardhjen e pranverës, lulet dhe frutat, jetën e përditshme, objekte, por edhe imazhe të tjera që vijnë si rezultat i imagjinatës së tyre

“Për hir të së vërtetës mungon e qeshura. Ne sjellim një lloj gëzimi, pasi arti pamor nuk ka pengesa sa i përket numrit të vizitorëve, që mund të vijnë ta shikojnë nga afër një vepër arti. Në ekspozitë, por edhe në katalog do të vihet re ndryshimi se si artistët nga një vend në një tjetër trajtojnë natyrën në akuarel. Shkolla e Europës e koncepton ndryshe, më me mençuri edhe përkushtim, ndërsa shkolla aziatike vjen me një teknik të përsosur, që është kulmi dhe fundi i akuarelit”, thotë Haliti.  

Bienalja do të qëndrojë hapur në sallat e Muzeut Historik Kombëtar deri në datë 24 mars. /shqiptarja/ KultPlus.com