Në kuadrin e Bienales së ardhshme Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpalli thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Arkitekturës që do të jetë e hapur për publikun në periudhën 10 maj – 23 nëntor 2025, me temë: “Intelligens.Natyrale.Artificiale.Kolektive”.
MEKI njoftoi sot se hapi thirrjen për projektide të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve.
Ekspozita e 19-të Ndërkombëtare e Arkitekturës do të prezantojë, si zakonisht, pjesëmarrjet kombëtare me ekspozitat e veta në pavijonet në Giardini dhe Arsenale, si dhe në qendrën historike të Venecias.
MEKI inkurajon të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me kuratorë vendas ose të huaj që kanë përvoja respektive në organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme dhe të dorëzojnë projektet e tyre deri më 30 shtator 2024./atsh/KultPlus.com
Shqipëria prezantohet në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, e hapur deri në 24 nëntor, me veprat e realizuara mjeshtërisht nga artistja Iva Lulashi.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale momente nga kjo ekspozitë ku prezantohen vepra artistike nga artistë të ndryshëm nga mbarë bota.
“Arti dhe dashuria të pandara në veprat e realizuara mjeshtërisht nga artistja Iva Lulashi, e cila përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, e hapur deri në 24 nëntor”, shkroi Gonxhja.
Sipas tij, përmes “Love as a Glass of Water”, me kurator Antonio Grullo, Iva na fton të bëhemi pjesë e një udhëtimi emocionues, duke kapur çdo nuancë të dashurisë dhe çdo impuls të fshehur të instinktit, si gjuhë universale, forca primare që lidh njeriun me botën.
“Pavijoni shqiptar ka ngjallur shumë interes tek galeritë e rrethet artistike më në zë, duke marrë shumë vlerësime pozitive! Së bashku të mbështesim Ivën në rrugën e saj drejt një suksesi të shkëlqyer në skenën ndërkombëtare të artit”, tha Gonxhja.
Makrotema e këtij edicioni të Bienales së Venecias, 20 Prill – 24 Nëntor, është “Të huaj kudo” dhe vjen nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa.
Iva Lulashi e lindur në Shqipëri, është shkolluar në Venecia, në këtë qytet që bën bashkë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota, ku ndërthuren kultura. Edhe piktura e Lulashit është një shtresëzim i shkollës shqiptare me rrugëtimin e saj artistik në Venecia./atsh/KultPlus.com
U çel sot në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit – Biennale di Venezia, pavijoni i Shqipërisë i përfaqësuar nga artistja shqiptare Iva Lulashi, me projektin “Love as a Glass of Water”, mundësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
I pranishëm në këtë event, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh se, ““Love as a Glass of Water”, vepra e Iva Lulashit sillet rreth subjekteve universale të afta për të kapërcyer dallimet dhe kufijtë, jo vetëm ato gjeografike. Ajo arrin të thellohet në dimensione të kulturës vizuale dhe të tensionit që krijohet mes vetëdijes, publikes, dhe intimitetit që thërrasin ndjesi të trajtuara prej kohësh si tabu, sidomos gjatë epokës komuniste shqiptare”.
Shqipëria, vijoi ai, nuk ka patur përherë fytyrën që ka sot, dikur gjeneronte interes rreth rrezikut dhe pasigurive që ngjallte, ndërsa sot është një atraksion i njohur e kaq pranë me këtë qendër arti ku ndodhemi tani.
“Për të vazhduar integrimin cilësor të vendit dhe artistëve tanë në skenën dhe diskursin botëror, kemi vlerësuar se është shumë domethënëse dhe urgjente të sillen gjithë këto subjekte në këto hapësira ekspozitive, për të krijuar një kornizë koherente të ku ndodhemi sot, jo vetëm si lokacion, por si qendrime dhe projektime drejt të ardhmes”, tha Gonxhja.
Makrotema e këtij edicioni të Bienales së Venecias, 20 Prill – 24 Nëntor, është “Të huaj kudo” dhe vjen nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa.
Tema që ajo trajton merr shkas nga teoria e “gotës së ujit”, që i përket periudhës para revolucionit rus dhe lidhet me mendimtaren revolucionare feministe Alexandra Kollontai (1872 –1952).
Bëhet fjalë për një teori që lidhet me idenë e revolucionit seksual, ku impulset shihen si një nevojë e thjeshtë njerëzore që duhet përmbushur me lehtësinë e pirjes së një gote uji. Me një influencë shumë të madhe në qarqet artistike dhe letrare ruse, këto ide nisën të pengohen dhe përndiqen nga aparati politik revolucionar.
“Ndonëse metafora e gotës me ujë lidhet me lehtësinë e të pirit, nuk duhet harruar se uji është ai element jetësor, krejt si dashura. Dhe, është absurde që tema si dashuria dhe dëshira seksuale zënë një pjesë shumë të vogël në artin që prodhohet sot dhe ato asnjëherë nuk janë në qendër të aktiviteteve të mëdha apo të vogla, sikur të flitej për tabu për të cilat nuk flitet, apo si çështje të lehta, jo të denja për vëmendje”, shprehet kuratori Antonio Grulli.
Sipas tij, pyetja që ngre artistja përmes veprës së saj është: Përse ndjenja kaq thelbësore, që i japin kuptim apo rrënojnë ekzistencën tonë, madje edhe më shumë se çështjet politike, trajtohen kaq pak nga artistët?
“Pikërisht, vepra e Iva Lulashit vendoset në këtë boshllëk artistik. Dashuria, dëshira, sidomos ajo femërore, instinkti janë në qendër të veprës së saj. “Dashuria dhe instinkti si një gjuhë universale, në gjendje për të tejkaluar të ndryshmen, kufijtë, jo vetëm gjeografikë, por edhe ata që ekzistojnë mes nesh; dashuria si forca primare e njeriut dhe botës “që lëviz diellin dhe yjet”, shton Grulli.
Kuratori Antonio Grulli shpjegon se tema e bienales “Të huaj kudo” ka një kuptim të dyfishtë. “Së pari, do të thotë se kudo ku shkon apo gjendesh do të ndeshësh të huaj: janë/jemi kudo. Së dyti, pavarësisht vendndodhjes, në thelb mbetemi gjithnjë të huaj. Dhe, në Bienalen e Artit 2024 do të flitet për artistë që janë vetë të huaj, emigrantë, pjesë e diasporës, azilantë, refugjatë…”.
Iva Lulashi është një prej tyre. E lindur në Shqipëri, por e shkolluar në Venecia, në këtë qytet që bën bashkë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota, ku ndërthuren kultura. Edhe piktura e Lulashit është një shtresëzim i shkollës shqiptare me rrugëtimin e saj artistik në Venecia./KultPlus.com
Pavijoni i Kosovës ka shpallur konceptin kuratorial për Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës, një instalacion ngërthyes skulpturor nga Doruntina Kastrati dhe kuruar nga Erëmirë Krasniqi.
Në bashkëvajtje me temën e Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia, e cila përqendrohet tek ndjenja e së huajës brenda vetvetes dhe si gjendje e krijuar si pasojë e pabarazisë, përjashtimit dhe krizave botërore, Pavijoni i Kosovës do ta adresojë çështjen e punës së feminizuar përbrenda kontekstit të ekonomive të parregulluara. Instalacioni i Doruntina Kastratit do të krijojë një gjuhë për përvojën e tëhuajtjes së grave në kontekstin e prodhimit, gjë që ka për kontekst më të gjerë një shoqëri që ende i formëson narracionet e veta kombëtare, historike dhe kulturore përmes një objektivi patriarkal. Në veçanti, kjo shënon herën e parë që Pavijoni i Kosovës zgjedh të prezantojë një projekt që udhëhiqet nga një ekip i përbërë prej grave vendase dhe që përqendrohet tek to.
Për shkak të natyrës së përsëritur të punës në fabrikë dhe meqë bëhet vetëm në këmbë, pothuajse një e treta e grave në këtë sektor i nënshtrohen operacionit të zëvendësimit të gjurit; objektet metalike që u futen në trup mbesin si gjurmë të orareve të gjata të punës me pagesë të ulët. Me qëllim të nxisë përsiatje mbi mënyrën se si dhe përse praktikat shfrytëzuese të punës kanë arritur të vijojnë të pashqyrtuara deri më sot, artistja do të shfaqë një sërë skulpturash të përmasave të mëdha, duke i nënvizuar tiparet e trupëzuara të materialeve, veçanërisht të metalit. Vepra shoqërohet me material zanor.
Konferencën inauguruese për miq dhe media, të mbajtur sot nga ora 11:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, të cilën e hapi Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku duke bërë të ditur që hapja zyrtare e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias është 18 Prill në orën 15:00.
“Kanë mbetur fiks një muaj deri në hapjen zyrtare të pavijonit të Republikës së Kosovës në Venedik të Italisë, për edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit, Bienales së Venedikut, e cila për temë sivjet trajton çështjen e ‘’Të huajve kudo’’. Pra, me 18 prill të këtij viti, hapen dyert e pavijonit të Kosovës për adhuruesit e arteve pamore për të parë reprezentimin artistik të vendit tonë në një nga ngjarjet artistik të nivelit më të lartë botëror”, tha mes tjerash Ministri Çeku.
Duke përmendur zhvendosjen e Pavijonit të Kosovës në një vend të ri në Venedik, komisionerja Hana Halilaj u shpreh se pas ekspozimit në kompleksin ekspozues të Arsenales në edicionet e kaluara, Kosova sivjet ka një shtëpi të re për pavijonin e saj në Museo Storico Navale della Marina Militare (Riva S. Biasio, 2148, 30122 Venezia), e cila ofron hapësirë të shkëlqyeshme për instalacionin skulpturor të Kastratit.
“Me këtë vendim mirënjohim domethënien e thellë të narracioneve që sjellim në platformën prestigjioze të La Biennale di Venezia. Që nga viti 2013, Kosova ka marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit të La Biennale di Venezia me përfaqësime solo nga Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019) dhe Jakup Ferri (2022). Duke përzgjedhur një artiste të brezit të ri, Pavijoni i Kosovës mundëson një qasje dhe diskurs të ri, duke ndezur biseda të reja që kumbojnë larg përtej kufijve tanë”, tha Halili.
Ndërsa artistja, Doruntina Kastrati tha se në këtë edicion të Bienales së Venedikut bashkë me kuratoren Erëmirë Krasniqi janë përqendruar te puna e feminizuar, te pasojat fizike të punës dhe te pabarazitë në vendin e punës, duke synuar të sjellin në pah narracionet e grave në margjinat e shoqërisë.
“Ky projekt ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen time. Instalacioni përbëhet nga katër vepra skulpturore: dy të modeluara sipas gëzhojave të arrave që përdoren në prodhimin e llokumeve dhe dy të modeluara sipas protezave kirurgjike, të cilat reflektojnë operimet që u janë nënshtruar këto gra për shkak të orareve të gjata të punës në këmbë. Këto skulptura përcillen nga një material zanor që shërben t’i aktivizojë dhe janë të ndërtuara nga alumini, duke aluduar edhe te protezat kirurgjike, edhe te hapësira industriale e fabrikës, gjë që sjell ndër mend ftohtësinë e fabrikës dhe ftohtësinë e metalit të huaj ndaj lëkurës së punëtores. Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës përfaqëson tëhuajtjen që përjetojnë gratë e klasës punëtore dhe ndërthur asocime, referenca dhe histori që gjykojmë se janë tejet të rëndësishme të theksohen, edhe brenda Kosovës, edhe në skenën globale”, tha Kastrati.
Kuratorja Erëmirë Krasniqi potencoi se Pavijoni i Kosovës sivjet përqendrohet jo te lufta, po te pasojat e saj. Realitetet me të cilat përballen gratë në ekonomitë e parregulluara, të cilat kanë për kapital të vetëm shoqëror dhe ekonomik punën që ofrojnë, kanë shërbyer si pikënisje për artisten dhe janë thelbësore për hulumtimin që informon punën kuratoriale.
“Si kuratore, zhvillimi i një projekti që hedh dritë mbi narracionet e periferisë dhe që i përfshin ato përmes një këndvështrimi të informuar në mënyrë kritike nuk është vetëm i shënueshëm, por përbën edhe pikënisjen tematike. Vënia e këtyre çështjeve brenda një konteksti më të gjerë ka rëndësi të madhe, meqë nis biseda që shkojnë matanë lokales”.
Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës nga Doruntina Kastrati me kuratore Erëmirë Krasniqin është përzgjedhur përmes një thirrjeje të hapur nga një juri profesionale e emëruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Repubikës së Kosovës.
Me shpalljen e Doruntina Kastratit si artiste përfaqësuese e Pavijonit të Kosovës në shtator të vitit 2023, juria deklaroi:
“Anëtarët e jurisë janë bindur nga projektpropozimi i fortë, koherent dhe i elaboruar i Doruntina Kastratit, i cili zgjeron hulumtimin e saj artistik mbi kushtet e pasigurta të punës dhe subjektivitetin në kontekstin socio-politik dhe ekonomik të Kosovës, të rajonit dhe të Evropës”.
Anëtarët e jurisë përfshinë kuratorët Zdenka Badinovac, Massimiliano Gioni, Leonie Radine, Adam Szymczyk, si dhe artistin Alban Muja.
FAKTE:
La Biennale di Venezia
Ekspozitat Ndërkombëtare të Artit dhe të Arkitekturës — La Biennale di Venezia janë dy nga platformat më të rëndësishme të artit dhe arkitekturës bashkëkohore në botë. Ato ndërkëmbehen çdo vit, janë të hapura për publikun nga prilli deri në nëntor dhe vizitohen nga 800.000 njerëz për çdo edicion.
Titulli i Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit e La Biennale di Venezia Stranieri Ovunque – Të Huaj Kudo frymëzohet nga një sërë veprash të nisura në vitin 2004 nga kolektivi artistik parisien Claire Fontaine, që ndërkohë vepron në Palermo. Shprehja buron prej një kolektivi nga qyteti i Torinos që ka luftuar kundër racizmit dhe ksenofobisë në Itali në fillim të shek. XXI. «Shprehja Stranieri Ovunque – siç shpjegon Adriano Pedrosa – ka disa kuptime. Së pari, kudo që të shkosh dhe kudo që të jesh, perherë do të hasësh të huaj — ata janë kudo. Së dyti, kudo që të gjendesh, thellë përbrenda vetes, përnjëmend dhe gjithmonë do të jesh i huaj.»
Kosova në La Biennale di Venezia
Republika e Kosovës merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia me pavijon kombëtar që nga viti 2013. Përfaqësimet e mëhershme kanë qenë paraqitje solo të veprave nga Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019) dhe Jakup Ferri (2022). Brenda dhjetë vjetësh, Kosova është përfaqësuar me sukses përmes projekteve që janë marrë me politikat e identitetit, Luftën e Kosovës, personat e zhdukur dhe me mënyrën se si këto përvoja janë mediatizuar. Të gjitha këto projekte kanë rezonuar me njëra-tjetrën dhe vazhdojnë të kenë rëndësi të madhe për thurjen e narracioneve kolektive. Duke vijuar krahas kësaj pëvoje, projekti i Doruntina Kastratit adreson gjendjen e tëhuajtjes përmes hetimit të kundërhistorive, narracioneve në vetën e parë dhe përvojave të grupeve të margjinalizuara.
Pavijoni i Kosovës gjendet në Museo Storico Navale della Marina Militare (Riva S. Biasio, 2148, 30122 Venezia)
Pavijoni i Kosovës në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia ka për komisionere kuratoren e Galerisë Kombëtare të Kosovës Hana Halilaj dhe organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Për artisten Doruntina Kastrati është artiste pamore që vepron në Prishtinë. Praktika e saj artistike përfshin skulpturën, instalacionin dhe imazhet lëvizëse. Në vitin 2014 është shpërblyer me çmimin për Artistët e së Nesërmes nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Në vitin 2017 ka fituar çmimin Hajde x 6 nga Fondacioni Hajde. Kastrati ka qenë artiste në rezidencë në International Studio and Curatorial Program (ISCP) në Nju-Jork në vitin 2015; në Art House në Shkodër në vitin 2018 dhe në Initiators në Athinë në vitin 2018. Veprat e saj janë ekspozuar së fundi në Eugster Belgrade, (2023); në Manifesta 14, Prishtinë (2022); në Muzeun Hessel, Nju-Jork, (2022); në ETH, Cyrih (2022); në ChertLüdde, Berlin (2021), në Autostrada Biennale, Prizren (2021); në Muzeun MAXXI, Romë (2021); në Kadist Foundation, Paris dhe në Kunstverein Hamburg, Hamburg (2021-2022); në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2020); dhe në Muzeun Kombëtar të Kosovës (2020), përveç të tjerash.
Për kuratoren
Erëmirë Krasniqi është kritike e artit, kuratore dhe hulumtuese që vepron në Prishtinë. Krasniqi ka mbaruar studimet master në Kolegjin Dartmouth, ndërsa studimet themelore i ka kryer në Kolegjin Bard në Berlin. Si kuratore e pavarur, ajo ka drejtuar dhe kuruar projekte për Galerinë Kombëtare të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri dhe Edicionin e 39-të të EVA International në Limerik të Irlandës. Praktika e saj kuratoriale dhe hulumtuese ndërthuret me arkivat, historinë gojore dhe fabulimet kritike për të përfillur dhe për të korrigjuar mangësitë në regjistrat historikë. Interesat e saj kërkimorë luhaten mes historive të artit modern socialist dhe të shprehurit lokal që kontribuon për sfidimin e narrativave dominante historike. Prej vitit 2017 deri në vitin 2024 Krasniqi ka qenë drejtore ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore, një burim digjital që ndërvepron me forma të reja të prodhimit kulturor dhe që mbështet dhe avokon për punën e pazëvendësueshme të arkivave mediatikë.
Hapja zyrtare e Pavijonit të Kosovës do të mbahet më 18 prill 2024 në orën 15:00.
Ekspozita e 60-të Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia do të mbahet nga 20 prilli deri më 24 nëntor 2024.
Para hapjes së bienales për publikun do të mbahet një shfaqje njëditëshe për shtyp dhe më pas një hapje paraprake treditore. Të martën më 16 prill do të kenë qasje vetëm anëtarë të aprovuar të mediave. Të mërkurën (17 prill), të enjten (18 prill) dhe të premten (19 prill) do të kenë qasje vetëm personat me akreditim të veçantë. / KultPlus.com
Bienalja e Venecias është një nga ngjarjet më të shumëpritura të artit për 2024.
Ekspozita e 60-të Ndërkombëtare e Artit do të zhvillohet nga e shtuna e 20 prillit deri të dielën e 24 nëntor 2024 kuruar nga Adriano Pedrosa.
“Jam i nderuar dhe i përulur nga ky emërim prestigjioz, veçanërisht si i pari latino-amerikan që kuron Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit, dhe në fakt e para me qendër në hemisferën jugore”, komentoi Pedrosa.
Vizione feministe, ekologjike, dekoloniale, pozitive, cinike apo ironike, por të gjitha në përputhje me propozimin tematik të kuratorit Adriano Pedrosa ‘Të huajt kudo’.
Adriano Pedrosa (Brazil) është Drejtor Artistik i Museu de Arte de São Paulo Assis Chateaubriand, MASP që nga viti 2014, ku ka kuruar ekspozita të shumta, duke përfshirë Historitë e kërcimit (2020) dhe Historitë Braziliane (2022). Ai është nderuar me Çmimin Audrey Irmas 2023 për Përsosmëri Kuratoriale, dhënë nga Qendra për Studime Kuratoriale në Kolegjin Bard në Nju Jork.
Tashme me 128 vjet histori. Që nga themelimi i saj, Bienalja e Venecias ka qenë në ballë të promovimit të tendencave të reja artistike dhe eventeve në artet bashkëkohore sipas një modeli unik multidisiplinar./KultPlus.com
Është hapur Pavijoni i Kosovës në Ekspozitën e 18-të Ndërkombëtare të Arkitekturës ‘Bienalja e Venecias’, përcjell KultPlus.
Këtë vit përfaqësues të Kosovës janë Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri me veprën ‘Transcendent Localit’.
I pranishëm në hapjen e Pavijonit të Kosovës në Venecia ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Së bashku me Drejtoria e Urbanizmit Arber Sadiki, morëm pjesë në hapjen e pavijonit të Kosovës të quajtur: “Transcendent Localit”. Arkitektët Qorri- Dragaj dhe Qorri shfrytëzuan rastin për të shqyrtuar rolin e rëndësishëm që luan emigrimi në zhvillimin social të Kosovës. Një ekspozitë plot intensitet dhe kujdes, që nxjerr në pah praninë emocionale të emigrantëve si në diasporë ashtu edhe në atdheun e tyre, ndërmjetësia në të cilën gjenden: ndërmjet kufijve, ndërmjet shtëpive dhe ndërmjet fazave të ndryshme të jetës”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ndërkaq, këtë vit, bienalja u kurua nga akademikja, pedagogia dhe romancieria e mirënjohur Lesley Lokko dhe do të jetë e hapur për publikun deri të dielën më 26 nëntor 2023 në Arsenale./ KultPlus.com
Në ceremoninë e çeljes së pavijonit shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, do të jenë protagonistë dy artistë me bazë në Bruksel: Lola Vera dhe Ali Ismail. Ata do të sjellin shpirtin e tyre magjepsës në pavijonin shqiptar. Kostumografia do të jetë e Miguel Peñaranda e cila do t’i vijë në ndihmë një performance e cila do e çojë spektatorin në një tjetër dimension kohor.
Në faqen online të pavijonit shqiptar janë ndarë foto të artistëve që do të jenë në ceremoninë e hapjes. Lola Vera është një balerinë dhe koreografe nga Argjentina. Kërkimet e saj bazohen në kryqëzimin e gjuhëve dhe është influencuar nga artet pamore dhe shkrimi. Ndërsa Ali Ismail vjen me një sfidë mes arkitekturës e baletit si dhe na fton të zbulojmë hapësirat dhe lëvizjet që formësojnë botën tonë.
Projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 18-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias është “Përsiatje të pakohë ose: Si mësojmë të jetojmë në realitete të sintetizuara.
Ky projekt është paraqitur nga një grup artistësh të rinj: Era Merkuri, (arkitekte dhe drejtuese e ekipit), nga Martin Gjoleka (arkitekt), Ani Marku (arkitekt) dhe Geraldo Prendushi (artist digjital).
Ekspozita e 18-të Ndërkombëtare e Arkitekturës, e cila do të zhvillohet nga 20 maji deri më 26 nëntor 2023 në Giardini, në Arsenale dhe në vende të ndryshme përreth Venecias, do të titullohet: Laboratori i së Ardhmes. / atsh / KultPlus.com
Në kuadrin e Bienales së ardhshme Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Ministria e Kulturës, me cilësinë e komisarit të pavijonit Shqiptar, shpall thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Arkitekturës që do të jetë e hapur për publikun më 22 maj – 26 nëntor 2023, me temë “The laboratory of the future”.
Tema e kësaj Bienaleje “The laboratory of the future” është përzgjedhur nga Kuratorja e edicionit të 18-të Lesley Lokko, e cila e ka motivuar zgjedhjen e saj me faktin se: “Në Evropë flitet për pakicat dhe diversitetin, por e vërteta është se pakicat perëndimore janë shumica globale, diversiteti është norma jonë”.
“Teknologjitë e reja shfaqen dhe zhduken vazhdimisht duke na dhënë pamje të pafiltruara të jetës në pjesë të globit që ndoshta nuk do t’i vizitojmë kurrë, aq më pak do t’i kuptojmë. Por, të shohësh afër dhe larg në të njëjtën kohë, është gjithashtu, siç e kanë thënë Du Bois dhe Fanon, një formë e “vetëdijes së dyfishtë”, konflikti i brendshëm i të gjitha grupeve tË varura apo të kolonizuara, që përshkruan pjesën më të madhe të botës, jo vetëm “atje” në të ashtuquajturat botë në zhvillim, të treta dhe arabe, por edhe “këtu”, në metropolet dhe peizazhet e veriut global. Ka një vend në këtë planet ku të gjitha këto çështje të drejtësisë, racës, shpresës dhe frikës bashkohen dhe ndërthuren (shkrihen). Afrikë. Antropologjikisht ne jemi të gjithë afrikanë. Dhe ajo që ndodh në Afrikë, na ndodh të gjithëve”, është shprehur kuratorja.
Ministria e Kulturës hap thirrjen për projekt-ide të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve.
Ky edicion i Bienale do të kërkojë të konfirmojë ndër të tjera idenë se pikërisht në sajë të veçantisë materiale, hapësinore dhe kulturore të saj, arkitektura frymëzon mënyrat e ndryshme të të jetuarit sot. Në këtë mënyrë pjesëmarrësit e edicionit të 18-të duhet të nxjerrin në pah ato aspekte të temës kryesore që në thelb janë arkitekturë.
Kandidatët duhet të jenë studio arkitekturore apo ekipe multidisiplinare të cilët kanë në përbërje të tyre arkitektë (drejtues i grupit), artistë, graphic designer, kritikë arti, artizanë, sociologë urbanë, planifikues urbanë etj, të dëshmojnë njohuri të mira mbi arkitekturën shqiptare; të kenë përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, urbanistikës dhe peizazhit e cila do të dëshmohet përmes portofoleve të punimeve si dhe mund të jenë shqiptarë apo të huaj.
Sipas kritereve të publikuara nga Ministria e Kulturës, kandidati duhet të kryejë studimin dhe të zhvillojë konceptin origjinal të shoqëruar me një rrëfim kuratorial koherent, të hartojë projektin kuratorial të integruar për pavijonin shqiptar në Bienale së bashku me gjithë përmbajtjen e ekspozitës përfshirë këtu fotografi, instalacione, modele dhe material të shkruar për panelet e ekspozitës, të hartojë programin kulturor që do të shoqërojë pavionin shqiptar përgjatë kohëzgjatjes së Bienales si dhe të realizojë kurimin, zbatimin dhe menaxhimin e plotë të projektit .
Ministria e Kulturës inkurajon të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me kuratorë vendas dhe/ose të huaj që kanë përvoja respektive në organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme.
Përzgjedhja e kandidatëve do të kalojë në dy faza ndërsa juria do të bëjë përzgjedhjen e 3 projekt-ideve më të mira, që do të kualifikohen për në fazën e dytë të konkursit, brenda datës 23 dhjetor 2022./atsh/ KultPlus.com
Do të jetë “White noise”, i shkruar dhe me regji të Noah Baumbach, me aktorët Adam Driver, Greta Gerwig, Don Cheadle, Raffey Cassidy, Sam Nivola, May Nivola, Jodie Turner-Smith, André L. Benjamin dhe Lars Edinger, filmi i hapjes së Festivalit të 79 të Filmit të Venecias, që hap siparin më 31 gusht.
Ky film përbën edhe një rikthim të Noah Baumbach, pasi ka paraqitur në 2019 filmin “Marriage Story”.
Për regjisorin Alberto Barbera ”ia vlente të pritej kaq gjatë”.
Baumbach ka krijuar një vepër origjinale, ambicioze dhe imponuese, sipas kritikëve.
Ndërkohë, Italia do të konkurrojë me pesë filma, të përzgjedhur nga drejtori artistik, Alberto Barbera dhe presidenti, Roberto Cicutto.
Ata janë: ”Il signore delle formiche” i Gianni Amelios, me Luigi Lo Cascio, Elio Germano dhe Sara Serraiocco, ”Bone and all” i Luca Guadagnino, me Timothée Chalamet, ”Chiara” i Susanna Nicchiarelli, me Margherita Mazzucco, ”Monica” i Andrea Pallaoro dhe ”Immensity” i Emanuele Crialese, me Penelope Cruz. / KultPlus.com
Pavijoni shqiptar i prezantuar me artisten Lumturi Blloshmi i çelur në hapësirat e Arsenales në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias, po tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti , e pranishme këto ditë në Bienalen e Venecias tha se “miq të pazakontë e vizitojnë pavijonin shqiptar në Bienalen e Venecias. Mes qindra vizitorëve që vizitojnë “botën” e Lumturi Blloshmit ishte edhe aktorja Tilda Swinton dhe drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay”.
“Është kënaqësi që Shqipëria tërheq vëmendjen me art”, shprehet Margariti.
Në këtë edicion të 59-të të Bienales së Venecias, Shqipëria vjen për herë të parë me një ekspozitë personale të një artisteje grua dhe që nuk jeton më. Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” me kuratore Adela Demetja është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Prezantimi është konceptuar në tre pjesë. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga periudha të ndryshme. Arkitektura e ekspozitës është krijuar në bashkëpunim me arkitekten gjermane Johanna Meyer-Grohbrügge.
Atmosferën e plotëson një film për Lumturi Blloshmin në formën e një dokumentari eseistik. Ky i fundit synon të dokumentojë jetën e Blloshmit, punën dhe qenien e saj. Sipas kuratores Demetja, dokumentari është në vetvete një lloj vepre artistike e bashkëkrijuar nga mendimet/veprat/imazhet e Lumturi Blloshmit dhe nga regjisori meksikan Tin Dirdamal. / atsh / KultPlus.com
Kosova ka hapur zyrtarisht Pavijonin në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie.
Me instalacionin “Monumentaliteti i Përditshmërisë” të artistit Jakup Ferri, Kosova prezantohet sivjet në ngjarjen më të madhe në botë të artit bashkëkohor.
Në edicionin e sivjetmë, të 59-in me radhë, Kosova merr pjesë për herë të pestë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit. Pavijoni i shtetit më të ri të Evropës është krahas atij të Ukrainës që paraqitet me ngjyra të zymta.
Me këtë rast, i pranishëm në hapjen e Pavijonit të Kosovës ishte edhe ministri Hajrulla Çeku i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet soicale ka përgëzuar artistin Ferri për punën e tij.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:
Në një mjedis plot energji pozitive dhe shumë pjesëmarrës, sot hapëm për vizitorë nga mbarë bota pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias.
Krenari pa fund të shohim punën e artistit Jakup Ferri dhe paraqitjen dinjitoze të vendit tonë në një prej ngjarjeve më të mëdha ndërkombëtare të artit. Hapësira plot jetë e pavijonit ku gjithçka brenda tij është e punuar dhe kuruar deri në detajin e fundit po tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve dhe ky fakt na gëzon shumë.
Përgëzime artistit Jakup Ferri, kuratores Inke Arns, komisioneres Alisa Gojani Berisha dhe gjithë ekipit për punën që kanë bërë në prezantimin e vlerave të krijimtarisë sonë artistike. / KultPlus.com
U hap sot në hapësirat e Arsenales në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias, pavijoni shqiptar, prezantuar me artisten Lumturi Blloshmi, kuruar nga Adela Demetja.
Në këtë edicion të 59-të Shqipëria vjen për herë të parë me një ekspozitë personale të një artisteje grua dhe që nuk jeton më.
Ceremoninë e hapjes e përshëndeti ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ndër të tjera u shpreh se “Lumturi Blloshmi është simboli i tejkalimit. I tejkalimit të çdo lloj vështirësie që të përball jeta.
“Lumturi Blloshmi është simbol i brezit të vet, që krijoi në një periudhë të egër për artin e më pas u përballën me ndryshimet e sistemeve politike, që i detyronin të vraponin për të kapur kohën e humbur nën diktaturë”, tha ministrja.
Margariti e cilësoi ekspozitën një copëz autentike shqiptare, që i prezantohet botës si një histori personale, por edhe si përfaqësuese e një brezi artistësh, që tejkaluan barrierat e regjimit, duke filluar çdo herë nga e para.
“Jam e kënaqur që këtë vit kemi në Bienale një skuadër më së shumti femërore, paraprirë nga Lumja, te Adela e stafi që bënë të mundur ngritjen e këtij pavijoni, në një format, që aq sa zbulon aq edhe na lë shijen e misterit dhe dëshirën për të zbuluar më shumë mbi botën e një artisteje; që i rri më së miri konceptit të përgjithshëm të këtij edicioni, që kurohet nga Cecilia Alemani, e para grua italiane në këtë pozicion kaq të rëndësishëm”, u shpreh Margariti.
Ndërsa kuratorja Adela Demetja u shpreh se asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur, që do të thotë promovimin e veprës së Lumturi Blloshmit.
“Lumja na ka lënë një arkiv shumë të pasur, e shtrirë në një periudhë të gjatë kohore. Na ka lënë vepra, dorëshkrime, letra, përmes së cilave kuptojmë botën e saj dhe kontekstin ku ajo jetoi”, tha Demetja.
I pranishëm ishte edhe nipi i artistes, Ervin Blloshmi, i cili u shpreh se Lumja “u martua me artin e saj”, jetoi për të dhe tejkaloi të gjitha pengesat që i përballi jeta.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë shumë artistë e artdashës nga Shqipëria e Kosova dhe pavijoni shqiptar u vizitua nga personalitete të artit dhe kulturës botërore.
Artistja Blloshmi u nda nga jeta në vitin 2020 për shkak të COVID-19.
Pavijoni
Puna ndër vite e Lumturi Blloshmit dhe koncepti kuratorial e vendos Pavijonin Shqiptar brenda kuadrit politik, artistik dhe konceptual të edicionit të 59-të të Bienales së Venecias dhe diskursit aktual të artit bashkëkohor.
Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Prezantimi është konceptuar në tre pjesë. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga periudha të ndryshme. Arkitektura e ekspozitës është krijuar në bashkëpunim me arkitekten gjermane Johanna Meyer-Grohbrügge.
Nëpërmjet një mjedisi të ndërtuar virtualisht publiku qaset në botën personale dhe mjedisin krijues të Blloshmit, përmes një arkivi virtual, të krijuar në bashkëpunim të ngushtë mes kuratores dhe artistit britanik të realitetit virtual Alexander Walmsley.
Atmosferën e plotëson një film për Lumturi Blloshmin në formën e një dokumentari eseistik. Ky i fundit synon të dokumentojë jetën e Blloshmit, punën dhe qenien e saj. Sipas kuratores Demetja, dokumentari është në vetvete një lloj vepre artistike e bashkëkrijuar nga mendimet/veprat/imazhet e Lumturi Blloshmit dhe nga regjisori meksikan Tin Dirdamal.
Skuadra e Pavijonit Shqiptar:
Kuratore: Adela Demetja
Asistent kuratore: Eni Derhemi
Artist i Realitetit Virtual: Alexander Walmsley
Regjisor: Tin Dirdamal
Arkitekte e ekspozitës: Johanna Meyer-Grohbrügge
Këshilltare e Pavijonit: Vivien Trommer
Përfaqësues ligjor i Lumturi Blloshmit: Ervin Blloshmi
Komisioner: Ministria e Kulturës së Shqipërisë /atsh/ KultPlus.com
Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit.
Në një atmosferë miqësore, mes artistësh e gazetarësh, kuratorja Adela Demetja ndau konceptin e saj kuratorial për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë Bienale.
Nga ana e saj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u ndal te rëndësia e këtij aktiviteti artistik të zhvilluar mbrëmë, ku u zbulua një copëz nga pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias, përfaqësuar nga artistja Lumturi Blloshmi, nën titullin “Nga e para”.
“Në një atmosferë miqësore, mes artistësh e gazetarësh, kuratorja Adela Demetja ndau konceptin e saj kuratorial për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë arenë ndërkombëtare të artit pamor: arkivën digjitale të artistes dhe një sekuencë nga filmi dokumentar eksperimental, që hedh dritë mbi botën e Lumes, që pak e njohën”, tha Margariti.
Piktorja e njohur Lumturi Blloshmi u nda nga jeta nga jeta si pasojë e COVID-19, në 27 nëntor 2020.
Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Turqi).
Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hagë, New York etj. Gjithashtu, Blloshmi ka fituar konkursin ndërkombëtar “Onufri ’94”. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës dhe Korçë./atsh / KultPlus.com
U zhvillua dje në teatrin “ArTurbina”, takimi mes kuratores së pavijonit shqiptar në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Adela Demetja dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të saj mbi veprën e Lumturi Blloshmit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margriti e cila thekson se, çdo bisedë për Lumturi Blloshmin është një zbulim personal.
“Ajo ishte një artiste që kishte kaq shumë për të thënë dhe që për të tejkaluar çdo lloj kufizimi kishte zgjedhur të fliste përmes artit”, theksoi ministrja.
“Ishte frymëzues takimi i mbrëmshëm mes kuratores së pavijonit shqiptar të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Adela Demetja, që do të çojë veprën e Lumes në këtë aktivitet madhor të artit pamor, dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të artistes: Eleni Laperi, Suzana Varvarica Kuka dhe Krenar Zejno”, tha Margariti.
“Kolazhi i fotografive, që ndërtonte rrugëtimin jetësor të artistes u shoqërua me copëza kujtimesh dhe lexim të veprave të saj, që vinin si reagim ndaj realitetit, demokracisë së vonë, shoqërisë komuniste dhe dëshirës për liri”, u shpreh Margariti.
Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit. /atsh/ KultPlus.com
Pavijoni Shqiptar në edicionin e 59-të të Bienales së Venecias do të përfaqësohet nga Lumturi Blloshmi, artistja e parë femër që përfaqëson Shqipërinë me një prezantim personal në Venecia, kuruar nga kuratorja shqiptare Adela Demetja.
Pak ditë më parë artistja Blloshmi bëri një vit që u nda nga jeta për shkak të covid 19.
Biografia e jashtëzakonshme e Lumturi Blloshmit, personaliteti i saj i fuqishëm dhe mbi të gjitha vepra artistike cilësore, e bëjnë atë vlerë unike dhe domethënëse për artin bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar.
Puna e Lumturi Blloshmit përshtatet gjithashtu më së miri me temën e këtij viti të Bienales së Artit të Venecias, titulluar “Qumështi i ëndrrave”.
Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar. / KultPlus.com
Edicioni i 78-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në qytetin italian të Venecias është vendosur të fillojë sërish, edhe këtë vit, nën kushtet e COVID-19, transmeton KultPlus.
“Kontrollet janë sërish të nevojshme dhe biletat do të duhet të rezervohen paraprakisht në internet”, shpjegoi presidenti i Bienales së Venecias, Roberto Cicutto.
Gjithashtu, disa shfaqje do të anulohen, për shkak të kufizimeve në kohë.
Sipas drejtorit të kinemasë së Bienales, Alberto Barbera, pandemia e COVID-19 duket se ka sjellë më shumë krijimtari.
“Cilësia e filmave është përgjithësisht mesatarisht më e lartë këtë vit, sikur pandemia të ketë stimuluar krijimtarinë e të gjithëve”, tha Barbera.
Sipas tij, këtë vit, në Bienale përfaqësohen një total prej 59 vendesh. Në të marrin pjesë pesë regjisore, tre më pak se në vitin 2020. Festivali i filmit zhvillohet nga 1-11 shtator. Konkursi i këtij viti hapet me “Madres Paralelas”, nga regjisori spanjoll Pedro Almodovar. / KultPlus.com
Datat e reja të Bienales së Arkitekturës në Venedik kanë lëvizur si pasojë e rrezikut nga Koronavirusi shkruan KultPlus.
Këto masa janë marrë me qëllim që të ketë efekt kur të mbahet Bienalja, pasi që, sic dihet lëvizja e njerëzve do të jetë e madhe.
Kjo Bienale komplekse, përfshin
arkitektë nga më se 60 shtete nga të gjitha kontinentet.
Situata aktuale paraqet
rrezik për realizimin e saj, e cila ishte paraparë të mbahet me datën 23 maj.
Duke parë situatën e krijuar, kuratori Hashim Sarkis ka vendosur që ta shtyjë përurimin e saj për datën 29 gusht, dhe kohëzgjatja të jetë deri në nëntor. /KultPlus.com
Fondacioni Kosovar i Arkitekturës do jetë pjesë e ekspozitës kryesore të arkitekturës të kuratorit të sivjetëm të Bienalës së Venecias zt. Hashim Sarkis. KAF në këtë ekspozitë do jetë pjesë e seksionit “Co-Habitats” dhe do prezentohet me paviljonin “Prishtina Public Archipelago”.
Sipas drejtorit të KAF-it dhe kuratorit të instalimit “Prishtina Public Archipelago” zt.Bekim Ramku, fakti se kjo është hera e parë që një arkitekt apo grup arkitektësh nga regjioni jonë ftohet të jetë pjesë e ekspozitës kryesore e bën këtë thirrje shumë të vecantë.
Ftesa nga zt. Sarkis për të qenë pjesë e ekspozitës kryesore në Bienalën e Venecias dhe fakti se për herë të parë një arkitekt apo grup arkitektësh nga regjioni jonë do jetë pjesë e ekspozitës kryesore të Arkitekturës në Bienale është një nder shumë i madh për ne. Pavlijoni “Prishtina Public Archipelago” (shq. Arqipelagu Publik i Prishtinës) trajton temën e “ishujve” publik në qendrën e kryeqytetit, nevojës për ti mbrojtuar ato nga privatizimi. Sipas zt.Ramku ekipi që përbëhet nga shumë kontribues duke filluar nga studentët e shkollave lokale të arkitekturës e deri tek filozof, urbanist e artist, do të shfaqet në Arsenale të Venecias me analizat e hapësirave të trajtuara në formë të diagamëve dhe dhe dokumentimit audio-vizual. Gjithashtu KAF është duke punuar në librin e ekspozitës i cili përpos teksteve dhe analizave mbi hapësirat e trajtuara në Prishtinë do ketë shkrime nga kontribues të shumtë regjional.
Bienalja e Arkitekturës në Venecia është ngjarja më e madhe dhe rëndësishme e arkitekturës në botë, ekspozita e saj e 17-të e titulluar “How Will We Live Together” është e kuruar nga arkitekti Amerikano-Libanez dhe Dekani i shkollës së arkitekturës dhe urbanizmit pran Massachusetts Institute of Technology zt.Hashim Sarkis. Kjo është hera e parë që në ekspozitën kryesore të Bienalës së Arkitekturës është pjesëmarrës një arkitekt (grup arkitektësh) nga regjioni jonë.
Për më shumë informata rreth Bienalës së sivjetme vizitoni faqën zyrtare të saj ku mund ti gjeni të gjitha informatat rreth temës dhe pjesëmarrësve të sivjetëm. / KultPlus.com
Një anije peshkimi që u mbyt në detin Mesdhe, në 2015, duke i marrë jetën qindra emigrantëve në bord, po prezantohet në Biennalen e Venecias. “Barca Nostra” është pjesa kryesore e një projekti të artistit Christoph Buchel.
Vetëm 28 pasagjerë mbijetuan kur anija e peshkimit u përplas me një tjetër barkë ndërsa ishte nisur nga Libia drejt Lampeduzës, në 2015, me 700 deri 1100 njerëz që humbën jetën në tragjedi. Barka u nxor nga qeveria italiane vitin që pasoi dhe tani është pjesë e një projekti më të gjerë të artistit islandezo-zviceran, që eksploron emigracionin dhe kufijtë, transmeton TCH.
Vetë artisti është përballur me disa sfida ndërsa e ka transportuar anijen në Venecia, jo vetëm se ajo nuk ka një pronar zyrtar por edhe për faktin se anijet e mbytura në Itali duhet të shkatërrohen. Sidoqoftë, ajo do të shërbejë tani si një kujtesë e fatkeqësive dhe krizave të emigrantëve. Pas Biennales, Buchel planifikon ta kthejë anijen në një kopsht kujtese, në qytezën August, në Sicili, që ajo të qëndrojë si një monument për njerëzit që humbën jetën në fatkeqësi.
Një performancë operistike në një plazh artificial, në të cilën pushuesit paralajmëronjë një katastrofë ekologjike, ia siguruan Lituanisë çmimin kryesor në Bienalen e Venecias, një nga ekspozitat ndërkombëtare më të mëdha dhe më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë.
“Sun & Sea (Marina)” – prezantuar nga artistet Lina Lapelyte, Vaiva Grainyte dhe Rugile Barzdziukaite, mori çmimin “Luani i Artë” për pjesëmarrjen më të mirë kombëtare në Bienale, duke mundur 89 pavione të tjera, përfshirë edhe atë të Kosovës të përfaqësuar nga Alban Muja, transmeton Koha.net.
Kjo është hera e dytë që çmimi shkon për një vepër performuese: Më 2017, fitues ishte Pavijoni i Gjermanisë me Anne Imhof “Faust.”.
Çmimi tjetër i madh në këtë Bienale u nda edhe për artistin amerikan Arthur Jafa. I cili ka treguar film prej 50 minutash “The White Album”, përmes së cilës manifeston supremacinë e bardhë përmes portreteve të njerëzve të bardhë, dhe gjithashtu shfaq një set të skulpturave monumentale të gomave të kamionëve në zinxhirë, shkruan NYT.
Edicioni i 58-të i Bienales së Venecias do të jetë i hapur deri më 24 nëntor. / KultPlus.com
Presidenti i Bienales së Venecias Paolo
Baratta dhe kuratori i saj Ralph Rugoff këtë vit për edicionin e 58-të të
Bienales kanë vendosur si titull të saj shprehjen kineze “Jetofsh në kohëra
interesante”.
Kjo ka bërë që të gjithë pavijonet të
cilat janë paraqitur të kenë lidhshmëri me temën e cila provokon idenë për të
sfiduar kohën, por mund të konsiderohet edhe si një ftesë për të parë gjithmonë
dhe për të shqyrtuar rrjedhën e ngjarjeve njerëzore në kompleksitetin e tyre.
Mirëpo Pavijoni i Shqipërisë “Maybe the cosmos is not so extra ordinary” apo në
shqip “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm” i realizuar nga
artisti Driant Zeneli, e që është hapur sot në Bienale, ka ardhur si një përgjigje
ndaj këtij titulli. Kur është fjala për kohën, vepra e realizuar nga Zeneli nuk
dëshiron që të flas as për të kaluarën e as për të ardhmen, ajo fokusohet tek e
tashmja.
Gjithë kjo erdhi përmes një trajtimi
metaforik pasi që “Maybe the cosmos is not so extraordinary”, një
video-instalacion skulpturor, në fakt në fokus të tij ka pesë fëmijë dhe sferën
kozmike. Instalacioni zhvillohet nga një film me dy kanale, ngjarjet e të cilit
zhvillohen në minierat e Bulqizës, një qytet në verilindje të vendit, ku, që
prej vitit 1918, është nxjerrë minerali i kromit. Projekt i artistit Driant
Zeneli, kuruar nga Alicia Knock sfidon marrëdhënien fizike dhe metafizike midis
njeriut dhe hapësirës, materies dhe ëndrrës, gravitetit dhe kontrollit. Artisti
Driant Zeneli tregoi për KultPlus se përfaqësimi i Shqipërisë në ngjarjen më të
madhe të artit pamore, për të është një përgjegjësi e bukur.
“Është një përgjegjësi e bukur dhe kjo përgjegjësi
ndahet me shumë miq të cilët kanë punuar më shumë se një vit me e sjellë këtë
vepër e që titullohet ‘Maybe the cosmos is not so extraordinary’. Mund të them
se vepra ka lindur nga një bashkëpunim i jashtëzakonshëm i shume personave dhe
pikërisht një nga gjanat kryesore që ka kjo vepër është se ju dedikohet
njerëzve të cilët punojnë çdo ditë brenda në minierë dhe nxjerrin mineralet e
kromit dhe na e sjellin neve në të përditshmen tonë që ta përdorim. ”, tha ai.
Vepra e Zenelit bazohet në një projekt
shumëdiciplinar emërtuar “Beneath a surface there is just another surface”, i
cili nisi në vitin 2015 në Metalurgjikë, një kompleks industrial dystopian, në
qytetin e Elbasanit në Shqipëri. Projekti dhe titulli i tij rrjedhin nga novela
fanatastiko-shkencore “Drejt Epsilonit të Eridanit” (1983) e shkruar nga
fizikani dhe shkrimtari shqiptar Arion Hysenbegas.
“Titulli lind si një lloj përgjigje e
kësaj thënies kineze e që është edhe tema e Bienales. Vepra nuk dëshiron me fol
as për të kaluarën as për të ardhmen po për të tashmen. Vepra kërkon me fol për
këta pesë fëmijë që e gjejnë një sferë kozmike në një fabrikë dhe pas kësaj
fillojnë udhëtimin e tyre drejt trupit të një mali ku do të fshehin sferën kozmike.
Në realitet është e gjithë historia e kromit dhe udhëtimi i tij nëpër vende të
ndryshme”, theksoi Zeneli për KultPlus.
Pavijoni i Shqipërisë i zë vend afër
pavijoneve të shteteve si Madagascar, Latvia, Malta, Philippines. Lidhshmëria e
tematikave që shtjellojnë këto pavijone dhe të tjerat në këtë hapësirë, sipas
Zenelit thekson se në kontekstin global të gjitha vendet kanë të njëjtat
probleme dhe ajo që mbetet e rëndësishme është një bashkëjetesë e mirë.
“Në një kontekst global sot përjetojmë
si të mirën si të keqen pra gjithë gjërat bashkë, këtu e kemi nda hapësirën me
shtetet e tjera dhe kur e sheh në fund të fundit kemi të gjithë të njëjtat
probleme, të njëjtat çështja, kështu që sot jetojmë në një hapësirë të vogël
globale por ne duhet t’i ndajmë këto hapësira bashkë dhe të mendojmë si me bashkëjetua”,
tha ai.
Pavijoni i Shqipërisë i cili është hapur të premten do të mund të vizitohet që nga nesër e deri më 24 nëntor, datë kjo që shënon edhe mbylljen e edicionit të 58-të të Bienales së Venecias. Po ashtu nesër, më 11 maj do të bëhet edhe ndarja e çmimeve në kuadër të Bienales./KultPlus.com
Bienalja e Venecias këtë vit do të çelet me filmin klasik të kinemasë pa zë, “Golem – si erdhi në jetë’, i Paul Wegener. Filmi, i shfaqur në një kopje të re digjitale, do të shoqërohet me muzikën e mjeshtrit shqiptar Admir Shkurtaj, bën të ditur ATSH.
I diplomuar për muzikë në liceun artistik Jordan Misja në Tiranë, Admiri është një kompozitor i shumëvlerësuar në Itali.
I vendosur në Pragën e shekullit të 16-të, II Golem tregon përrallë hebraike për krijesën e baltës që u krijua nga rituali i egër i një rabi. Duke pritur dëbimin e ardhshëm të hebrenjve nga qyteti, Rabbi Loew zgjon Golemin mitik për të mbrojtur popullin e tij.
Pas një sërë ngjarjesh, Golemi shpëton jetën e Perandorit (Otto Gebühr), duke e bindur që të mos i dëbojë më hebrenjtë. Por për shkak të intrigave të një shërbëtori xheloz (Ernst Deutsch), Golemi del jashtë kontrollit dhe kthehet kundër krijuesit të tij.
Drejtori dhe skenaristi Paul Wegener, i cili gjithashtu luan Golem, kishte përshtatur më parë dy herë historinë, në vitin 1914 dhe më pas në vitin 1917. Por vetëm përpjekja e tij e tretë, e udhëhequr nga një ambicie e madhe artistike, e bëri atë të fitonte një konsensus të gjerë .
Drejtimi i tij i shquar, me skenografinë e Hans Poelzig dhe fotografinë e Karl Freund, e bëri II Golemin një nga filmat më të vlerësuar dhe të famshëm të kinemasë së Weimar. Filmi u bë një sukses i madh ndërkombëtar për industrinë e filmave të heshtur gjerman, me parashikime të shitura për muaj edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë. Stili emblematik ekspresionist ka ndikuar në klasikët e Hollivudit të horrorit dhe kulturës popullore deri më sot.
Sa i përket muzikës origjinale me të cilën II Golem do të shoqërohet në mbrëmjen e 28 gushtit, maestro Admir Shkurtaj tha,”e gjithë vepra i referohet një leksiku muzikor, duke reflektuar rastësinë e formës që është e përshtatshme për argjilën; një përzierje në të cilën mund të njihen elementet e xhazit, muzikës bashkëkohore, modulet melodike dhe ritmike të traditës muzikore të Evropës Lindore dhe të muzikës elektronike”.
Festivali i Filmit të Venecias do të zhvillohet në Lido nga 29 gusht deri më 8 shtator 2018 drejtuar nga Alberto Barbera dhe me organizator Paolo Baratta./KultPlus.com
Një pjesë e mjedisit urban të Tiranës do të shkojë në Bienalen e Venecias. Në edicionin e 16 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës, në Bienalen e Venecias 2018, Shqipëria do të përfaqësohet me projektin “Hapësira zero”, i cili ka zgjedhur portat e vjetra të marra nga banesa në kryeqytet, si element për të shpjeguar Tiranën ku bashkëjetojnë e vjetra me modernen.
I pranishëm në prezantimin e këtij projekti, që mbështetet nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi idetë e prezantuara dhe pritshmërinë e lartë për pavionin shqiptar.
Ai u shpreh i entuziazmuar për përfaqësimin e vendit tonë në Bienalen e Venecias, si një mundësi për të prezantuar një pjesëz të Shqipërisë në botë.
“Me çelësin e dyerve do të takohemi në Venecia. Është një fabul fantastike. Historia jonë duhet treguar. Jemi të lumtur që do shkojmë ta tregojmë historinë tonë falë këtij grupi historik dhe që jam i sigurt se do të na bëjnë shumë krenarë”, nënvizoi ai, përcjell GSH.
Veliaj shtoi se Tirana është një nga qytetet më me jetë, i mbushur me plot sfida dhe ku ia vlen që të jetosh.
“Në punën time qëllon që takoj shpesh shumë kryetarë bashkie të qyteteve më të zhvilluara, të cilët kanë infrastrukturën, pra tramin, metrotë, ndërtesat luksoze, rrugët me infrastrukturë shumë moderne, por s’kanë njerëz, s’kanë jetë. Nëse do të kisha një zgjedhje midis kësaj Tirane me shumë sfida në infrastrukturë dhe një qyteti me infrastrukturë perfekte, por pa jetë, ku çdo gjë mbyllet në orën 17, do të zgjidhja Tiranën. Kam përshtypjen se, për të gjithë ne që kemi zgjedhur Tiranën, si vendin ku të jetojmë e ku kemi familjet tona, kjo vepër është konfirmimi i kësaj zgjedhjeje që kemi bërë. Kemi zgjedhur të jetojmë me shumë sfida në infrastrukturë, por me jetë kudo”, tha kreu i Bashkisë.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nënvizoi se projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë bienale sjell jo vetëm një ide, por mbi të gjitha qytetari.
“Erioni e ndërton dhe e zhvillon bashkë me ekipin e tij në Bashki, ndërsa Ministria e Kulturës ka marrë përsipër përgjegjësinë ta transformojë në një projekt, që përmes arkitekturës ta përcjellë artistikisht në një publik ndërkombëtar, me një kalendar shumë të ngjeshur 6-mujor, duke synuar që të shkojmë jo vetëm në Venecia, por përtej Venecias, përtej Italisë, të bëjmë një ekspozitë shëtitëse. ‘Kati zero’, që ne në shqip i themi kati përdhes, atje ku ndodh gjithçka, ku është Tirana jonë me zhurmë, me ndryshim, pa zhurmë, me imazhe, me zërin e njerëzve që çdo ditë të jetojnë, çdo ditë të gëlojnë nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë bashkë duam ta çojmë si një pasaportë në këtë ekspozitë botërore të arkitekturës”, deklaroi Kumbaro.
Seria e dyerve, e instaluar në “Hapësirën zero” linjëzon kalimin mes të brendshmes dhe të jashtmes në urbanistikën bashkëkohore të Tiranës, karakterizuar nga prania e shumë dyqaneve, punishteve, kafeneve, të pranishmë kudo nëpër qytet dhe pothuaj 24 orë në shërbim të qytetit.
Pasuri e një kulture antike, e adaptuar në mënyre kreative me nevojat e përditësuara të qytetarëve për një hapësirë totalisht në dispozicion, një hapësirë të lirë për publikun. Për këto arsye, “Hapësira zero” e Tiranës ridimensionon qytetin në shkallë njerëzore, duke u kthyer tashmë në këtë hapësirë ku gjeneratat e ardhshme njohin vetveten./ KultPlus.com
Projekti “Hapësira zero” përfaqëson Shqipërinë në Bienalen e 16-të Ndërkombëtare të Arkitekturës, Venecia 2018.
Ministria e Kulturës shpall projektin që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 16-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2018. Projekti fitues është “Hapësira zero”, i paraqitur nga Commonsense, Studio/PRGBR Architektur FABLAB, Tirana.
Ky projekt u përzgjodh nëpërmjet një thirrjeje të hapur për projekt-propozime (2 gusht – 3 nëntor 2017), shpallur nga Ministria e Kulturës në rolin e komisionerit të pavijonit të Shqipërisë, në vijim të tre fazave të procesit selektiv, nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga: Gëzim Qendro, Bekim Ramku, Simon Battisti, Adelina Greca dhe Arta Dollani.
Anëtarët e jurisë arritën në përfundimin se ky është projekti më i mirë dhe ekipi më bindës për realizimin e suksesshëm të pavijonit shqiptar në Bienale, i cili përmbush kriteret e paraqitura në thirrjen e hapur.
Juria u frymëzua nga lidhja e propozuar nga ekipi midis Venecias dhe Tiranës për të sjellë një pjesë të mjedisit urban të Tiranës në Venecia, një pjesë që Tirana po humbet në procesin e zgjerimit urban / rindërtimit.
Projekti “Hapësira zero”
Ridimensionimi i Tiranës, i qytetit në shkallë njerëzore, duke u kthyer në një hapësirë ku gjeneratat e ardhshme njohin vetveten. Ekipi përkthen dhe interpreton natyrën e çastësishme të jetës së Tiranës, kap një moment nga fluksi i saj dhe ja dorëzon atë publikut të Biennales. Një instalacion që interpreton pozitivisht një fenomen që lind si social, por që përkthehet në një energji që modelon nëpërmjet arkitekturës së qytetit të gjithë mënyrën tonë të jetës, në një pikëtakimi domethënëse të njeriut me hapësirën. Tirana hap dyert e saj komode, plot ngjyra dhe tinguj primordialë, në Biennalen e 16 Ndërkombëtare të Arkitekturës./ KultPlus.com