U bë inaugurimi i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut me “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” nga Doruntina Kastrati

Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, i artistes Doruntina Kastrati, adreson çështjen e punës së feminizuar brenda kontekstit të ekonomive të parregulluara.  Kuruar nga Erëmirë Krasniqi, instalacioni prezanton katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë. Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.

Për shkak të natyrës së përsëritur dhe performimit të punës në këmbë në një fabrikë llokumesh në Prizren, pothuajse një e treta e grave i nënshtrohen operacionit të zëvendësimit të gjurit me proteza metalike. Metali që iu futet në trup mbetet gjurmë e orareve të gjata të punës, me pagesë të ulët, të grave në industritë e lehta, në Kosovë dhe botë. 

Me rastin e inaugurimit të Pavijonit të Kosovës në Bienalën e Venecias, para qindra mysafirëve nga mbarë bota, komisionerja Hana Halilaj tha:

“Falemnderit që keni ardhur në inaugurimin e Pavijonit të Republikës së Kosovës në edicionin e 60-të të ekspozitës ndërkombëtare të artit i cili prezanton projektin Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës, një instalacion skulpturor nga artistja Doruntina Kastrati, i kuruar nga Erëmirë Krasniqi. Edicioni i gjashtë i përfaqësimit të Kosovës në La Biennale, i vendosur në oborrin e Museo Storico Navale, i spikatë hapësirat e punës dhe problemet që ato paraqesin në shoqëritë bashkëkohore, duke theksuar dinamikën e pushtetit, hierarkinë, çështjet e pëlqimit dhe përjashtimit. Kjo përpjekje nuk do të ishte e mundur pa kontributin e pakompromis dhe punën e palodhur të një ekipi dhe bashkëpunëtorësh të mrekullueshëm.”

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, në fjalën e saj hyrëse u shpreh: “Si ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali, më lejoni t’ju them se jam thellësisht e nderuar dhe krenare që ju mirëpres në këtë ambient të cilin e konsideroj kulmin e diplomacisë sonë kulturore, inaugurimin e pavijonit tonë ‘Heshtjet kumbuese të Metali dhe Lëkurës.’ Ky instalacion i jashtëzakonshëm skulpturor, i krijuar nga artistja Doruntina Kastrati dhe kuruar nga vizionarja Erëmirë Krasniqi, nxjerr në dritë pabarazitë dhe sfidat me të cilat përballen gratë në ekonomitë e parregulluara, ku puna e tyre është kapitali i vetëm social dhe ekonomik që e zotërojnë.”


“Brezi ynë po identifikon se çfarë është strukturore në pabarazitë që përjetoi brezi i grave para nesh, dhe përmes punës sonë po përpiqemi ta bëjmë këtë botë pak më të jetueshme dhe më të përshtatshme për to dhe veten tonë. Duke u nisur nga përvojat e grave që punojnë në fabrikë, historitë e tyre që vijnë nga periferia e lëkurës sonë kolektive, jehojnë dhe ndërhyjnë në narrativën më të gjerë të Kosovës së sotme. Rrëfimet e tyre në vetën e parë i sjellim në botimin që e ndajmë sot me ju” – është shprehur kuratorja Erëmirë Krasniqi. 

“Tregimet na bashkojnë, historitë e patreguara na mbajnë larg. Ne jemi krijuar nga histori – ato që kanë ndodhur, ato që po ndodhin në këtë moment  dhe ato që formohen thjeshtë në imagjinatën tonë përmes fjalëve, imazheve, ëndrrave, dhe një ndjenjë të pafund habie për botën përreth nesh dhe si funksionon ajo. ..Të mos jesh në gjendje të tregosh historinë tënde, të heshtësh dhe të mbyllesh, do të thotë të dehumanizosh” me këtë citat nga shkimtarja Elif Shafak ka filluar fjalën e saj të hapjes artistja Doruntina Kastrati e cila vazhdoi: “Jam e lumtur që jam këtu sot dhe ndajë pjesë të një historie që është gjithmonë e pranishme në përvojën tonë lokale dhe globale, duke filluar nga nëna ime Fitnete, ish-koleget e saj Shaije dhe Mimoza, dhe shumë zëra të tjerë nga margjina, të paarritshëm, të padëgjuar”- ka thënë ajo.

Me këtë rast u promovua dhe u shpërnda edhe një botim i bazuar në hulumtim, ku prezentohen tri histori gojore me ish-punonjëset e fabrikës së llokumeve. Intervista, që artistja Kastrati ka realizuar me nënën e saj, Fitnete Veselaj Kastratin është pikënisje e këtij botimi. Artistja dhe nëna e saj, së bashku kujtojnë kohën kur ajo punonte në fabrikë. Intervistat kanë një strukturë biografike, duke reflektuar mbi mënyrën se si gratë menaxhuan përgjegjësitë dhe presionet në vendin e punës, si dhe marrëdhëniet e tyre si bashkëshorte dhe nëna, dhe se si kjo ka ndikuar në vetëvlerësimin e tyre. Intervistat shoqërohen me dokumentim fotografik nga Majlinda Hoxha. Publikimi është redaktuar nga Erëmirë Krasniqi dhe dizajnuar nga Nita Salihu Hoxha—Studio Permanent.

Republika e Kosovës merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia me pavijon kombëtar që nga viti 2013. Përfaqësimet e mëhershme kanë qenë paraqitje solo të veprave nga Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019) dhe Jakup Ferri (2022). Brenda dhjetë vitesh, Kosova është përfaqësuar me sukses përmes projekteve që janë marrë me politikat e identitetit, Luftën e Kosovës, personat e zhdukur dhe me mënyrën se si këto përvoja janë mediatizuar. Të gjitha këto projekte kanë rezonuar me njëra-tjetrën dhe vazhdojnë të kenë rëndësi të madhe për thurjen e narracioneve kolektive. Duke vijuar krahas kësaj pëvoje, projekti i Doruntina Kastratit adreson gjendjen e tëhuajtjes përmes hetimit të kundërhistorive, narracioneve në vetën e parë dhe përvojave të grupeve të margjinalizuara.

Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia është komisionuar nga Hana Halilaj, kuratore pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

Pavijoni i Kosovës si dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia mbesin të hapura deri më 24 nëntor, 2024./ KultPlus.com

“Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, një instalacion skulpturor që do të përfaqësoj Kosovën në Bienalen e Venedikut

Doruntina Kastrati është përzgjedhur për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në edicionin e 60-të të Bienalës së Venedikut.

Nëpëmjet praktikës së saj hulumtuese dhe artistike, Kastrati ka shqyrtuar trupin dhe marrëdhënien e tij me pushtetin biopolitik, shpesh duke u fokusuar në çështje sociale dhe politike të punës në kontekstin global. Në vitin 2024 ajo do të prezantojë projektin “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, një instalacion skulpturor që trajton punën e feminizuar dhe pabarazitë në vendin e punës. Pavijoni i Kosovës do të kurohet nga Erëmirë Krasniqi dhe do të prezantohet në Museo Storico Navale, lokacion ky në mes të Arsenales dhe Giardinit.

Deindustrializimi i ekonomisë dhe derregullimi i tregut të punës pas Luftës së vitit 1999 në Kosovë, krijoi mundësi mundësi të mëdha të zhvillimit të industrive të lehta (p.sh. prodhimi i ushqimit, letrës, plastikës etj.). Ky mjedis i ri ekonomik targetoi gratë dhe krijoi kërkesë për punë fleksibile dhe me pagesë të ulët. Angazhimi në punë me pagesë u ka dhënë grave një masë pavarësie financiare dhe pjesëmarrje në shoqëri. Larg nga të qenurit emancipues, feminizimi i fuqisë punëtore në industritë e lehta i ka mbajtur të paprekura rolet tradicionale gjinore, dhe duke mundësuar pak ose hiç promovim në pozita pune, i ka bërë gratë ekonomikisht të cenueshme dhe politikisht margjinale.

Projekti i Kastratit, “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” sjell në publik rrëfimet e grave, të cilat punojnë në margjinë të shoqërisë. Puna në fabrika është repetitive dhe dhe mund të bëhet vetëm në këmbë. Në këtë linjë pune, afër një e treta e grave i nënshtrohen operacionit të zëvendësimit të gjurit; objektet metalike të implantuara në gjunjë në mënyrë kirurgjikale janë gjurmë materiale të punës së tyre për orë të gjata me pagesë të ulët. Me synimin për të nxitur reflektim se pse dhe si këto praktika shfrytëzuese në vendin e punës kanë mbetur të pashqyrtuara, Kastrati do ta bëjë këtë në mënyrë abstrakte, duke theksuar karakteristikat e mishëruara të materialeve, veçanërisht atë të metalit.

Komisinere e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Artit 2024 është Hana Halilaj, Kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Doruntina Kastrati është artiste pamore me bazë në Prishtinë, Kosovë. Praktika e saj artistike përqëndrohet në skulpturë, instalacion dhe imazhe lëvizëse. Në vitin 2014 është shpërblyer me çmimin Artistët e Rinjë Vizuel nga Galeria Kombëtare e Kosovës dhe ka fituar çmimin Hajdex6 nga Fondacioni Hajde! në vitin 2017. Ajo ishte artiste në rezidencë në International Studio and Curatorial Program (ISCP) në Nju Jork në vitin 2015; në Art House në Shkodër në vitin 2018, dhe në Initiators në Athinë në vitin 2018. Puna e saj së fundmi është shfaqur në Eugster Belgrade (2023); Ring The Bells My Land në Manifesta 14, Prishtinë (2022); Temel në Muzeun Hessel, Nju Jork, (2022); Life without buildings në ETH Cyrih, (2022); Here (Air Carries Poison But Yet We Breathe) në ChertLüdde, Berlin (2021), What if a Journey në Autostrada Biennale, Prizren (2021); Bigger than Myself–Heroic Voices from ex Yugoslavia, Muzeun MAXXI, Romë (2021); Not Fully Human, Not Human at All në Fondacionin Kadist, Paris, dhe Kunstverein Hamburg, Hamburg (2021-2022); Tirana Patience, Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2020); Public Heroes and Secrets, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Prishtinë (2020), ndër të tjera.


Erëmirë Krasniqi është kritike e artit, kuratore dhe hulumtuese me bazë në Prishtinë, Kosovë. Krasniqi magjistroi në Kolegjin Dartmouth dhe studimet bazë i mori nga Kolegji Bard në Berlin. Si kuratore e pavarur, ajo ka drejtuar dhe kuruar projekte për Galerinë Kombëtare të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri, Edicionin e 39-të të EVA International, Irlandë dhe Manifesta 14, Kosovë. Praktika e saj kuratoriale dhe hulumtuese ndërthuret me arkivat, historinë gojore dhe fabulimet kritike për të krijuar prani dhe korrigjuar mungesat në rrëfimet historike. Interesimet e saja kërkimore variojnë nga historitë e artit modern socialist deri tek njohuritë që vijnë nga poshtë dhe që kontribuojnë në sfidimin e narrativave historike zyrtare. Nga viti 2017, Krasniqi është drejtore ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore, një burim dixhital me qasje të hapur që angazhon forma të reja të prodhimit kulturor, duke mbështetur dhe avokuar për punën thelbësore të arkivave mediatike.

Republika e Kosovës është përfaqësuar në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut me pavijone shtetërore që nga viti 2013. Prezantimet e mëhershme përfshijnë ekspozita vetanake nga Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019) dhe Jakup Ferri (2022). / KultPlus.com

Kosova gati për Bienalen e Arkitekturës në Venedik

Ekipi i kuratorëve që do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venedik, Poliksen Qorri – Dragaj dhe Hamdi Qorri, po ashtu komisionerja e e MKRS për këtë bienale, Dafina Morina, u pritën sot në takim nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një postimi të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në vijim gjeni postimin e plotë të MKRS-së:

Kosova gati për Bienalen e Arkitekturës në Venedik

Ekipi i kuratorëve që do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venedik, Poliksen Qorri – Dragaj dhe Hamdi Qorri, po ashtu komisionerja e e MKRS për këtë bienale, Dafina Morina, u pritën sot në takim nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

U bisedua rreth fazës përfundimtare të përgatitjeve për “RKS2 Transcendent Locality”, projekt që brenda konceptit gërsheton edhe artin.

Ju urojmë suksese në këtë angazhim të rëndësishëm që shkon përtej arkitekturës. Duke e ditur rëndësinë e ngjarjeve të tilla, synim kemi përfaqësimin dhe promovimin e dinjitetshëm të vendit dhe vlerave tona./ KultPlus.com

Kosova në Bienalen e Arkitekturës në Venedik

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, duke u bazuar në raportin e Jurisë vlerësuese dhe të Komisioneres së Pavionit të Kosovës, ka nënshkruar vendimin për ekipin e kuratoratëve që do të përfaqësojnë Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venedik.

Kuratorët Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri do të prezantohen me projektin “RKS2 Transcendent Locality”.

Tema e sivjetme e ekspozitës, të cilën e ka përcaktuar Bienalja e Venedikut është “Laboratori i së ardhmes”./ KultPlus.com

Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venediku, Çeku mirëpret figura të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare

Numri i vizitorëve në pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venedikut po vazhdon të jetë shumë i madh.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku thotë se gjatë qëndrimit në Venedik ka mirëpritur në pavijonin e Kosovës zëvendëskryeministërin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ministren e kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, ministrin e kulturës në Zvicër, Alain Berset, sekretaren e shtetit në Ministrinë e Kulturës së Austrisë, Andrea Mayer, ministrin e kulturës së Sllovenisë, Vasko Simoniti, dhe ministrin e kulturës së Lihtenshtajnit, Manuel Frick.

Në vijim gjeni postimin  e plotë të ministrit Çeku:

Bashkë me artistin Jakup Ferri, kuratoren Inke Arns dhe komisioneren Alisa Gojani Berisha, zyrtarët e lartë të shteteve përkatëse i njoftuam për pavijonin tonë, jetën kulturore të vendit tonë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar artistik.

Në ditët e para pas hapjes në pavijonin e Kosovës pritëm shumë personalitete të politikës, artit e diplomacisë nga e gjithë bota. Numri i vizitorëve në pavijonin e Kosovës vazhdon të jetë shumë i madh./ KultPlus.com

Nën hijen e luftës, hapet ekspozita e artit ukrainas në Bienalen e Venedikut

Të enjten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky hapi një ekspozitë për mbrojtjen e lirisë së vendit të tij në festivalin e Bienales së Venecias, transmeton KultPlus.

Duke folur përmes video-lidhjes, ai tha se “arti mund t’i tregojë botës gjëra që nuk mund të ndahen ndryshe”.

Kultura e vendit të tij është në qendër të vëmendjes në Venecia dhe veprat e artit janë shoqëruar nga policia jashtë Ukrainës.

Në të kundërt, Pavijoni Rus qëndronte i mbyllur dhe bosh; shenjë e izolimit të vendit.

Presidenti Zelensky përshkroi dhimbjen e luftës teksa iu drejtua ekspozitës më të vjetër dhe më prestigjioze të artit bashkëkohor në fillim të kësaj jave.

Ai ofroi shembuj të ushtarëve ukrainas që gjenin civilë të vrarë në Bucha, të mjekëve që shpëtonin njerëz të plagosur në Kharkiv dhe të një vajze që i shkruan një letër nënës së saj që vdiq në Mariopul si përvoja që mund të pasqyrohen më së miri në art, “sepse kjo ka të bëjë me diçka. përtej fjalëve”.

Teksa foli për luftën e vendit të tij për liri, ai tha: “Nuk ka tirani që nuk do të përpiqen të kufizojnë artin. Sepse ata mund të shohin fuqinë e artit. Është arti që përcjell ndjenja.”./ KultPlus.com

Hapësira shumëngjyrëshe dhe plot jetë e Pavijonit të Kosovës po tërheq vëmendjen e artdashësve në Bienalen e Venedikut

Edhe pak orë kanë mbetur deri në hapjen zyrtare të Pavijonit të Republikës së Kosovës në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, përcjellë KultPlus.com

Hapësira shumëngjyrëshe dhe plot jetë e Pavijonit të Kosovës po tërheq vëmendjen e artdashësve.

Në këtë instalacion të veçantë po prezantohen pikturat, qilimat dhe qëndisjet e artistit Jakup Ferri, ndërsa interesimi për të parë punimet në parahapje të Bienales ishte i madh.

Zyrtarisht Kosovo Pavilion / 59th Venice Biennale / Jakup Ferri do të hapet sot në orën 16:30. / KultPlus.com

Promovohet libri ‘Containporary’, përmbledhje e shkrimeve të ekipit përfaqësues të Kosovës në Bienalen e Venedikut

Sot është bërë promovimi i librit “Pavilion of the Republic of Kosovo ‘Containporary’”, kuruar nga Maksut Vezgishi. Libri është përmbledhje e shkrimeve rreth instalacionit të ekipit të autorëve bashkëpunëtorë nga përfaqësimi i Kosovës në Ekspozitën e 17-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut, shkruan KultPlus.

Ekipi përfaqësues i Kosovës në ngjarjen më të rëndësishme të arkitekturën në botë përbëhet nga Merita Gorani Bajri, Anna Shkreli, Argjirë Krasniqi, Feray Dervis & Recep Kerkezi, Vildane Maliqi, Dea Luma, Era Ramoja, Sara Sylejmani, Vigan Nimani, Jeton Jagxhiu, Sadie Suhodolli—TADI, EC ma ndryshe, Artan Hajrullahu, Termokiss, Venera Mustafa, Fondacioni 17, Eli Krasniqi, Bashkim Dyla, Lulzim Zeqiri, Gresa Latifi, Driton Selmani, Lulzim Hoti, Elvis Bytyqi, Gjulian Bytyqi, Maksut Vezgishi.

Në promovimin e këtij libri foli edhe njëra ndër pjesëmarrëset në këtë aktivitet, Sara Sylejmani e cila thotë se ndër qëllimet kryesore të kuratorit Maksut Vezgishi ka qenë krijimi i hapësirave ku ne pjesëmarrësit duhet të shprehnim mendimet dhe qëndrimet e tyre individuale.

“Kjo ka qenë një analogji për temën ‘Si mund të jetojmë së bashku?’ sepse kjo është një mënyrë e bashkëjetesës, njëherë respekti për veten, e pastaj për çdo gjë që na rrethon. “, thotë Sylejmani.

“‘Containporary’ është një togfjalësh të nocioneve contemporary dhe kontejner. Me Contemporary autori jep një referencë komplekse karshi artit bashkëkohor, kurse kontejneri është një objekt i përditshëm, standard, e i cili nuk përfaqëson arkitekturën as kulturën dhe as traditën e ndonjë vendi, mirëpo, tregon, na reflekton neve karshi vetvetes dhe hapësirës ku ne e quajmë qytet”, vazhdoi ajo. 

Për fund foli vetë kuratori Vezgishi i cili fillimisht foli për ekipin e më pas edhe për instalacionin.

E nisëm formimin e një ekipi nga një anë neutrale dhe kryesisht i kam zgjedhë njerëzit ku as 60% të tyre nuk i kam njohur më herët dhe me shumicën e tyre jam takuar për herë të parë me ta në Venedik.

Mendoj që ana e përmbajtjes dhe ana vizuale e këtij instalacioni kanë lënë shenjë atje dhe aq më tepër që duhet të kemi parasysh që ne si ekip nuk kemi pas qasje fizike as në hapësirë deri në momentin kur është vendosur instalacioni, kam qenë dy ditë përpara, do të thotë kemi qenë aty para aktit të kryer.

Bienalja e Arkitekturës në Venecia është ngjarja më e madhe dhe rëndësishme e arkitekturës në botë, ekspozita e saj e 17-të e titulluar “How Will We Live Together” është e kuruar nga arkitekti Amerikano-Libanez dhe Dekani i shkollës së arkitekturës dhe urbanizmit pran Massachusetts Institute of Technology zt.Hashim Sarkis. / KultPlus.com

Bienalja e Venecias, Margariti: Lumturi Blloshmi, artiste që fliste përmes artit

U zhvillua dje në teatrin “ArTurbina”, takimi mes kuratores së pavijonit shqiptar në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Adela Demetja dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të saj mbi veprën e Lumturi Blloshmit.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margriti e cila thekson se, çdo bisedë për Lumturi Blloshmin është një zbulim personal.

“Ajo ishte një artiste që kishte kaq shumë për të thënë dhe që për të tejkaluar çdo lloj kufizimi kishte zgjedhur të fliste përmes artit”, theksoi ministrja.

“Ishte frymëzues takimi i mbrëmshëm mes kuratores së pavijonit shqiptar të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Adela Demetja, që do të çojë veprën e Lumes në këtë aktivitet madhor të artit pamor, dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të artistes: Eleni Laperi, Suzana Varvarica Kuka dhe Krenar Zejno”, tha Margariti.

“Kolazhi i fotografive, që ndërtonte rrugëtimin jetësor të artistes u shoqërua me copëza kujtimesh dhe lexim të veprave të saj, që vinin si reagim ndaj realitetit, demokracisë së vonë, shoqërisë komuniste dhe dëshirës për liri”, u shpreh Margariti.

Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit. /atsh/ KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim artistin Jakup Ferri: Jemi të gatshëm për mbështetjen e projektit që do të prezanohet në Bienale

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim Jakup Ferrin, artistin që do të përfaqësoj Kosovën në Bienalen e Venedikut, përcjell KultPlus.

Sot në Ministrinë e Kulturës patëm kënaqësinë të presim artistin e njohur, Jakup Ferri, i cili do të përfaqësoj Republikën e Kosovës në edicionin e 59-të të Bienales së Artit në Venedik 2022.

Ai së bashku me komisioneren e Pavionit të Kosovës Alisa Gojani Berisha u pritën nga Ministri Hajrulla Çeku dhe shefja e kabinetit, Klodeta Krasniqi.

Artisti Jakup Ferri në këtë takim tha që ndihet i nderuar që është përzgjedhur puna e tij nga dymbëdhjetë propozime që garuan në thirrjen publike të Ministrisë së Kulturës.

Ai gjithashtu foli për projektin e tij “The Monumentality of the Everyday” me të cilin doli fitues, projekt ky që do të kurohet nga kuratorja e gjermane Inke Arns, ndërsa tha që do të integroj qasjen konceptuale nga praktikat e tij të mëparshme si vizatime, piktura etj, të cilat do të adaptohen në një medium më tradicional të thurrjeve si tapiceritë që do të realizohen në bashkëpunim me gratë e komunitetit tonë.

Ndërsa Ministri Çeku shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Kulturës për të mbështetur projektin që do të prezanohet në Bienale, në mënyrë që të kemi një Pavion sa më të denjë që do të prezatoj vlerat e krijimtarisë artistike të artit Kosovar“, thuhet në njoftimin e MKRS-së. / KultPlus.com

Kosova po depërton me art edhe në Evropë, por jo me liberalizim të vizave, Istrefi e Kabashi me kampanjë në Venecia

Filmi i gjatë artistik ‘Vera Andrron Detin’ me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës, nesër në Bienalen e Venedikut do të ketë premierën botërore, përcjell KultPlus.

Shkumbin Istrefi, njëherit edhe producenti i filmit sëbashku me artistin e mirënjohur Astrit Kabashin kanë filluar me një kampanjë për liberalizim e vizave nga Bashkimi Evropian.

”A film from Kosovo? Welcome Crew? Sorry, you need visa to ente EU”, thuhet në mbishkrimet e bluzave të dy artistëve.

Vlen të ceket se filmi në fjalë ka për personazh kryesor një 64-vjeçare përkthyese e gjuhës së shenjave, që jeton në Kosovë. Ajo e sfidon burrin e saj patriarkal me qëllim që të mbrojë vajzën e saj të cilën ai e ka mohuar.

Filmi “Vera Andrron Detin” me producent Shkumbin Istrefin, është bashkëprodhim i Puntoria Kreative Isstra (Kosovë), Dream Factory (Maqedoni e Veriut) dhe Papadhimitri Production (Shqipëri), dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike Kosovës, Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore dhe Qendra Kombëtare e Kinemaografisë në Shqipëri. / KultPlus.com

Inaugurohet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut për vitin 2021

Sot u bë inaugurimi solemn i Pavionit të Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut.

Në këtë edicion Republika e Kosovës përfaqësohet nga artisti dhe arkitekti i mirënjohur Maksut Vezgishi, me projektin “Conteinporary”, ideuar dhe kuruar bazuar në temën e përgjithshme të Bienales “How will we live together”. Sipas autorit të veprës ‘CONTAINER’ është një ‘objekt’ i madh i hapur, i destinuar për ngarkimin e ‘PËRMBAJTJEVE’ të ndryshme.

Ka formë, funksion dhe dizajn të jashtëzakonshëm. Ndodhet në çdo komunë. Rreth këtij kontejneri mbetet i hapur peizazhi i ndërtesave të ndërtuara për të qenë të përjetshme.

Specifikat që ofrojnë ‘MUNDËSITË E REJA’ të përdorimit, hapësirat për eksperimentimin, socializimin, reflektimin, aktivizmin, shpresën, idetë e reja, fantazitë dhe qëllimet…

Kuratori dhe autori i ekspozitës, Maksut Vezgishi vë theksin në emërtimin e instalacionit të titulluar “Containporary”, duke e ndarë në togfjalshin “container” dhe “contemporary” me aludimin në të përditshmen bashkëkohore.

Në ceremoninë e inagurimit ishin prezent Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku, i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, si dhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë, znj. Lendita Haxhitasim.

Ata vlerësuan lartë përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në skenën kulturore ndërkombëtare dhe theksuan se Institucionet e Republikes së Kosovës mbeten të përkushtuara në përkrahjen e punës së artistëve në promovimin e kulturës dhe artit kosovar në rrafshin global.

Pavijoni i Kosovës për publikun do të qëndrojë i hapur nga 22 maj 2021 deri më 21 Nëntor 2021.

Më poshtë gjeni linkun e Pavijonit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

https://kosovopavilion17th.com/?fbclid=IwAR2Pcn0n8IO2aXlM6PszA7OwbbB8BBI9FHAE922QMfOE9J7v3ATXeRkOdwA

‘Shtëpia jonë’ e Shqipërisë hap dyert në Venecia

Nga e enjtja, artistët shqiptarë i flasin botës artdashëse në Venecia me konceptin e fqinjësisë, siç kuptohet ndër shqiptarë. Por, evokimi i tij është universalist në dritën e një bote që po ngrihet nga gërmadhat e koronavirusit. Në anën tjetër, edhe Kosova me pavijonin e saj që e hap zyrtarisht të premten i mëshon një teme po kaq universaliste: urbanizimit global dhe krijimit të mjediseve të qëndrueshme

“Shtëpia jonë” i ka hapur dyert në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. I realizuar në kushte të pazakonta, pavijoni shqiptar shpalos vizionin e tij për fqinjësinë, i cili – në thelbin e tij – mbetet aktual edhe sot.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti. Në një afishim në faqen e saj në “Facebook”, ajo ka përgëzuar artistet kuratore, Fiona Malin, Irola Andonin, Malvina Ferrën dhe Rudina Breçanin, duke e bërë një pjesë të përvojës shqiptare pronë të të gjithë artdashësve.

“Gjithkush mund të hyjë në të jo thjesht si vizitor, por për t’u bërë pjesë e saj, ashtu si ne duam të japim e të marrim nga familja jonë e përbashkët evropiane”, ka shkruar Margariti, e cila ka qenë e pranishme në ceremoninë e hapjes së Pavijonit.

Ministrja e Kulturës e ka cilësuar mbajtjen e Bienales së njohur si një lajm padyshim të mirë, duke vlerësuar se është dëshmi që bota po hapet dalëngadalë.

“Pas një viti e gjysmë në një luftë absurde, të paparashikueshme me një virus, që ende e kemi mes nesh, po përpiqemi t’i kthehemi normalitetit”.

Duke folur mbi pavijonin shqiptar në Venecia, ajo ka thënë se koncepti vjen me një histori lokale të mbushur me copëza historish personale, për të ndërtuar atë mozaik që “ne e quajmë ‘fqinjëri’, një vepër në proces ku secili mund të vendosë copëzat e veta, eksperienca jete që kanë shënjuar jetën e secilit prej nesh”.

“Shtëpia jonë”, sipas Margaritit, nuk është një pavijon nostalgjik, por nxitje për reflektim mbi atë çka përbën vlerë, “mbi atë që duhet ta ruajmë apo rishikojmë nga e shkuara”.

“Gjatë pandemisë filluam të ridimensionojmë raportin tonë me shtëpinë si hapësirë, me të afërmit dhe fqinjët. Ky pavijon është një përgjigje për pyetjen e madhe të këtij edicioni: Si do të jetojmë së bashku?”, ka shkruar Margariti.

Në zemër të konceptit shqiptar, siç përmblidhet shkurt në një video përmbledhëse në kanalin zyrtar të Bienales në “Youtube”, janë skena nga filmi “Në shtëpinë tonë” të regjisorit Dhimitër Anagonsti më 1979.

“Tri apartamente fqinje që ndajnë shumë më shumë sesa veç muret. Pavijoni shqiptar do t’ju ngashënjejë të kridheni në kuptimin e të jetuarit bashkë në shtëpitë tona, në ndërtesat e lagjet tona”, thuhet në përshkrimin kuratorial për Shqipërinë në faqen “labiennale.org”.

Ndryshe, sipas kuratorëve, me 20 filma të kinemasë shqiptare, në Venecia do të jetë jo vetëm fqinjësia, por edhe kinematografia shqiptare. /koha/ KultPlus.com

Ideuar nga Maksut Vezgishi, sot hapet Pavijoni i Kosovës në Venedik

Pavijoni i Republikës së Kosovës do të inaugurohet sot në kuadër të ekspozitës së 17-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut.

E titulluar “Containporary”, ekspozita e Kosovës në këtë Bienale është ideuar dhe kuruar nga arkitekti dhe artisti Maksut Vezgishi.

Kujtojmë që tema e përgjithshme e Bienales është “How will we live together”

Komisioner i Republikës së Kosovës është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfaqësuar nga Jehona Shyti.

Inaugurimi zyrtar i Pavijonit të Republikës së Kosovës do të bëhet nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku në Arsenale.

I pranishëm në inaugurim do të jetë edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, si dhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë, Lendita Haxhitasim. Pavionin e Republikës së Kosovës mund ta gjeni në këtë LINK. / KultPlus.com

The Economist shkruan për pjesëmarrjen e Kosovës në Bienalen e Venedikut

Artisti Alban Muja, sivjet përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut, që llogaritet si njëra ndër ngjarjet më të mëdha në fushën e artit bashkëkohor.

“Albumi Familjar” ka emrin projekti ku Muja flet për të kaluarën e kosovarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, ngjarje kjo që ndodhi 20 vjet më parë, njofton Klan Kosova.

Për “Albumin Familjar” Muja ftoi katër persona që të flisnin mbi fotografitë e tyre të bëra dy dekada më parë.

“Një njeri duket përtej kamerës, sytë e tij luten dhe mbushen me lot. Ai e mban portofolin e tij, duke treguar dy fotografi të fëmijëve të vegjël – ku ata janë duke qëndruar duke qeshur. Është një imazh tragjik, marrë në vitin 1999 nga Peter Turnley, një fotoreporter i cili po dokumentonte luftën e Kosovës. Rreth 13,500 njerëz u vranë ose u zhdukën gjatë konfliktit, i cili zgjati nga shkurti 1998 deri në qershor 1999; mendohet të ketë shkaktuar një nga zhvendosjet më të mëdha të popullsisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Fotot e tilla si kjo treguan vuajtjet personale prapa titujve”, thuhet në shkrimin e The Economist për Alban Mujën.

“Duke shënuar përvjetorin e 20-të të përfundimit të luftës, Alban Muja, një artist kosovar, ka bërë në tre prej këtyre imazheve pikënisjen për në Bienalen e Venedikut. Në tre filma, të titulluar “Albumi Familjar”, ai interviston katër refugjatë fëmijë, tani të rritur, të cilët ishin subjekt i fotografive. I ndezur në një sfond të errët, pjesëmarrësit diskutojnë fluturimin e tyre nga Kosova, momenti kur u fotografua dhe ndikimin që shpërndarja e tij kishte mbi familjet e tyre”, thuhet mes tjerash në shkrim.

“Kemi kërkuar që ta përshkruajnë imazhin, por përmes imazhit ata flasin për atë që përjetoi familja e tyre”, ka thënë Muja./KultPlus.com

Zbulohen disa nga artistët pjesëmarrës në Bienalen e Venedikut 2019

Tashmë dihen disa nga artistët të cilët kanë konfirmuar që do përfaqësojnë vendet e tyre në Bienalen e Venedikut në vitin 2019, përcjellë KultPlus.

Deri në maj të viti 2019 nuk do të filloj edicioni i radhës i Bienales së Venedikut mirëpo News.artnet.com ka publikuar një artikull ku bënë të ditur disa nga artistët të cilët do të jenë pjesëmarrës.

Australia do të prezantohet nga artistja Angelica Mesiti e cila është e njohur për përdorim të gjuhës kinematografike dhe për performanca me të cilat rrëmon thellë brenda historive të ndryshme që shpalosë.

Pastaj Estonia do të përfaqësohet nga artistja Kris Lemsalu, Finlanda nga grupi i artistëve “Miracle Workers Collective”, Franca nga Laure Prouvost, Britania e Madhe nga Cathy Wilkes, Hong Kong nga Shirley Tse.

Austria do të përfaqësohet nga Renate Bartlmann. Performanca e saj Nusja shtatzëna me çantën e mbledhjes – në të cilën ajo ishte veshur si një nuse shtatzënë dhe i kërkoi publikut të dhurojnë për mirëmbajtjen e një objekti të rëndësishme, e cila doli të ishte një skulpturë e një dildo – u censurua nga Qendra Pompidou më 1979.

Po ashtu tashmë dihet se edhe Islanda do të përfaqësohet nga Hrafnhildur Arnardóttir / Shoplifter, Irlanda nga Eva Rothschild, Lituania nga Nida Art Colony që përbëhet nga Lina Lapelyte, Vaiva Grainyte, dhe Rugile Barzdžiukaite, Luksemburgu nga Marco Godinho.

Kanada do të prezantohet nga Inuit artist collective Isuma, udhëhequr nga regjisori Zacharias Kunuk dhe Norman Cohn. Pjesëmarrja e tyre do të shënojë edhe pjesëmarrjen për herë të parë të Kanadasë në Bienale.

Pastaj Holanda do të përfaqësohet nga Remy Jungerman dhe Iris Kensmil, Zelanda e Re nga Dane Mitchell, Skocia nga Charlotte Prodger, Slovenia nga Marko Peljhan, Zvicra nga Pauline Boudry dhe Renate Lorenz dhe Turqia nga İnci Eviner./KultPlus.com

Tirana hapi tetë dyer në Bienalen e Venedikut (FOTO)

Tetë dyer dhe shumë fotografi janë vendosur në Pavijonin e Shqipërisë në Pavijonin e Bienales së Venedikut, te cilat krijonin një mini-Tiranë në mes të Venedikut e që e kanë quajtur “Zero Space”, shkruan KultPlus.

Dyert më të vjetra të Tiranës kanë lënë oborre shtëpish pa dyer, por ato tashmë po vizitohen nga vizitorë të shumtë, të cilat bartin edhe numrat e shtëpisë në dyert e prezantuara, që tregonin vjetërsi të madhe. Dhe mbi dyer janë vendosur shumë fotografi, të cilat janë shkrepur nga qytetarë tiranasë, të cilët nëpërmjet fotografive tregojnë pjesë Tirane, nga më të ndryshmet.

Kuratori Elton Koritari ka thënë për KultPlus se ky prezantim i Tiranës sjellë pikërisht Tiranën në këtë bienale, pasi që, është përfshirë hapësira, sidomos kati përdhes.

“Ne kemi dashur që vizitorët në Pavijonin tonë, mos të ndihen si vizitorë por si qytetarë të Tiranës”, ka thënë ai.

Ndërkohë edhe Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, por edhe kryetari i Bashkisë Erion Velijaj janë shprehur të kënaqur me këto porta të Tiranës ne Venedik, kurse për fotografitë, pasi që janë fotografi të ditëve të sotme, Velijaj ka thënë se këto fotografi janë përshkrimi më i mirë i punës së tij, si kryetar bashkie.

Poashtu të dy kanë vlerësuar lartë prezantimin e Kosovës në këtë Bienale, ku kanë thënë se artistët shqiptarë duhet të jenë krenarë për punën e tyre, pa përmend ngjyrën e pasaportës./ KultPlus.com

Ka nisë ndërtimi i Pavijonit të Kosovës në Venedik

Komisionerja e Paviljonit të Kosovës Jehona Shyti dhe përfaqësuesja e Pavijonit të Kosovës në Ekspozitën e 16 Ndërkkmbëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut për vitin 2018 Eliza Hoxha po qëndrojnë në Venedik, për të përcjellur nga afër ndërtimin e Pavijonit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Siç është publikuar edhe më herët, tema e sivjeme e Pavijonit të Kosovës fokusohet në rrëfimin e viteve të 90-ta, mbijetesën kolektive, mobilizimin shoqëror dhe krijimin e hapsësirave të lira për veten dhe realizimin e ëndrrës për shtetin e Kosovës. Kjo temë shpaloset në Venedik nën ombrellën me titull THE CITY IS EVERYHERE, qyteti është gjithandej.

Edhe pak ditë kanë mbetur deri tek hapja zyrtare e Pavijonit, e cila do të ndodhë më 24 maj 2018, ku do te jenë prezent krerët më të lartë të shtetit, arkitektë, artistë, medie dhe miq të Kosovës./KultPlus.com