‘E ardhmja hibride’, hapet edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Durrës

Këtë fundjavë, në Durrës u çel edicioni i parë i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor me temë Inteligjenca artificiale: “E ardhmja hibride”. 

Kjo temë bëri bashkë 40 artistë nga 17 vende të ndryshme të botës. Artistët pjesëmarrës kanë prekur kufijtë mes reales dhe surreales në veprat e tyre që janë ekspozuar në disa prej institucioneve dhe hapësirave publike të qytetit, duke përfshirë monumentet e trashëgimisë kulturore.

“Është një risi për Durrësin dhe vendin pasi nuk ka pasur një bienale kushtuar artit bashkëkohor. Patjetër që duhet të kthehet në një brand për qytetin për artin pamor dhe për ta kthyer atë në një hapësirë shumë të mirë promovimi për turizmin”, tha Oltsen Gripshi,  Kurator i Bienales.

Në ceremoninë e hapjes, u ndanë disa çmime të rëndësishme, përfshirë Çmimin për Pavionin më të Mirë të Bienales që shkoi për pavionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Çmimin Special për Artistin e Ri që e mori Lai Junjie nga Kina, si dhe atë të karrierës për skulptorin shqiptar Sadik Spahija.

“Është sukses kjo bienale duke parë artistët pjesëmarrës që vijnë nga përvoja të rëndësishme dhe i bashkon shpirti. Inteligjenca artificiale padyshim qw do ta ndihmojë botën të bëhet më e mirë, por arti gjithnjë do të përfaqësojë, në bashkëpunim me të, një nga motivet bazë për zhvillimin e kulturës dhe njerëzimit“, tha Massimo Scaringella, kryetar i Jurisë.

Bienalja e Durrësit synon të kthehet në një event të qëndrueshëm duke i dhënë vlerë të shtuar dhe turizmit në Durrës. Punimet e saj do të vazhdojnë të ekspozohen deri më 24 nëntor./ Top Channel/ KultPlus.com