Vendos KPM: ‘Big brother’ mund të shikohet vetëm me kod, ose pas orës 24:00

Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM) ka sqaruar opinion publik, se për t’ mbrojtur fëmijët dhe të miturit nga programet të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral, ka kufizuar nga platformat televizive shfaqjet reale televizive” realityshow” ose “reality tv. Këto shfaqje mund të transmetohen të koduara, ose pas orës 24:00 deri në 06:00 të mëngjesit, thuhet në sqarimin e KPM-së.

Sipas njoftimit për media, KPM me datën 21 dhjetor 2023 ka miratuar Rregulloren KPM-2023/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio dhe Audiovizuale.

“Kjo Rregullore ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga për mbajtje të programeve të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral, mbrojtjen e fëmijëve gjatë përfshirjes së tyre në përmbajtje mediale, me fokus të veçantë mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm, si dhe mënyrën e kategorizimit, sinjalizimit dhe kohën e transmetimit të programeve që ndikojnë negativisht në zhvillimin fizik, mendor, emocional dhe moral të fëmijëve dhe të miturve”, thuhet në njoftim.

Rregullorja KPM-2023/01, thuhet se për herë të parë në mënyrë specifike trajton dhe rregullon programet e tipit “shfaqje reale televizive”(“realityshow” ose “reality tv).

“Sipas nenit 2, paragrafi 5,të kësaj Rregulloreje“Programet e formatit “shfaqje reale televizive” (“realityshow” ose “reality tv), përfshin një zhanër ose format televiziv zakonisht pa një skenar të detajuar, me përmbajtje të realizuara kryesisht në një mjedis natyror ose të krijuar artificialisht në të cilin shfaqet jeta e një grupi pjesëmarrësish në një hapësirë të izoluar, të cilët janë vazhdimisht nën vëzhgimin e video kamerave në një zonë të mbuluar me mikrofona, të cilët në rastin më të shpeshtë janë në konkurrim me njëri-tjetrin në përpjekje për të fituar një çmim ose përfitime të caktuara pasurore ose jo pasurore”, thuhet në njoftim.

Sipas KPM-së, Rregullorja KPM-2023/01 nuk ka për qellim ndalimin e programeve Reality Tv,mirëpo ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtja e këtyre programeve dhe si masë parandaluese, në mënyrë që fëmijët “mos të kenë qasje në këto programe, ka përcaktuar që transmetuesit t’i kodojnë këto programe ose të njëjtat të shfaqen nga ora 24:00”.

“Në nenin 7, paragrafin 6, të Rregullores KPM-2023/01 është përcaktuar që “Programet e formatit shfaqje reale televizive (realityshow ose reality TV), njoftimet e transmetimit të tyre, si dhe programet që tregojnë pasqyra të ngjarjeve në ato përmbajtje, shënohen me 18+ dhe mund të transmetohen vetëm në periudhën nga ora 24:00 deri në 06:00. Ky kufizim nuk zbatohet për përmbajtjen e shfaqur me mbrojtje teknike (kodim me pin)”, thuhet më tej në njoftimin e KPM-së.

Të gjithë të licencuarit, sipas këtij institucion,  të cilët transmetojnë programet e formatit “shfaqje reale televizive” (realityshow ose reality TV), janë të obliguar të zbatojnë paragrafin 6, të nenit 7të Rregullores KPM-2023/01 për të gjitha format e shfaqjes se këtyre programeve, përfshirë transmetimin e drejtpërdrejtë, primet dhe përmbledhjet ditore.

Rregullat e përcaktuara në nenin 7, paragrafi 6 të Rregullores KPM-2023/01, sipas KPM-së, vlejnë edhe për kanalet e huaja të cilat shpërndahen përmes operatorëve të shpërndarjes, bazuar në paragrafin 7 të këtij neni.

“KPM me qëllim të vlerësimet të pajtueshmërisë me Rregulloren KPM-2023/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio dhe Audiovizuale, do të bëjë monitorimin e të gjithë të licencuarve dhe në rast të mosrespektimit të kësaj Rregulloreje do të aplikoj sanksionet e përcaktuara me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave”, thuhet në njoftimin KPM-së lëshuar të mërkurën.

KPM kërkon po ashtu nga të gjithë të licencuarit që të respektojnë Rregulloren KPM-2023/01 dhe se obligohen të gjithë Ofruesit e Shërbimeve Mediale Auidovizuale dhe Operatoret e Shpërndarjes “t’i ndërmarrin masat teknike gjatë transmetimit të përmbajtjeve programore me pritshmëri për të dëmtuar zhvillimin fizik, mendor ose moral të fëmijëve”./KultPlus.com

Revoltohet Rame Lahaj, reagon për Big Brother: Tmerrohem me nivelin në të cilin kemi rënë dhe çka po i ofrojmë shoqërisë

Rame Lahaj, ka reaguar së fundmi për showin televiziv, “Big Brother”, duke e cilësuar si gërrdi, mjerim, ofendim e analfabetizmin shtëpitë më të “famshme” në Kosovë e Shqipëri, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë:

“Gërrdi, mjerim, ofenduese, analfabetizem e po ashtu ndikim shumë i keq në aspektin edukativ, të dyja programet e Big Brother si në Kosovë ashtu edhe ai në Shqipëri. Edhe pse për fat të keq përfaqëson një pjesë të madhe të realitetit tonë shoqëror.

Ndonëse kam pa shumë pak për të bërë ndonjë koment të mirëfillt dhe pa dashur t’i hyj në hak askujt por, ishte mjaftueshme sa për t’u revoltuar e irrituar besa edhe tmerruar me nivelin në të cilin kemi rënë dhe çka po i ofrojmë shoqërisë si programe argëtuese në këtë përiudhë krize që ka përfshirë çdo fushë të jetës, sidomos atë të edukimit e moralit kombëtar.

Ngacmimet seksuale, nënçmimi, përqeshja e përbuzja ndaj gjinisë femrore por edhe ndaj njëri tjetrit janë të pafalshme sidomos nëse i tolerojmë nëpër emisione e programe mediale dhe nuk reagojmë e protestojmë kundër kësaj shëmtie në rritje drastike. Pastaj nëse e tolerojmë s’kemi pse befasohemi kur të njejta sjellje ndodhin ndaj nënave tona, motrave, mbesave dhe shoqeve.

Kam parë shumë MAGARË të estradës kur ngacmimin seksual e demonstrojnë në formë humori dhe argëtimi mbi kurrizin dhe përbuzjen e grave.

Si artist e më shumë si Rame i rritur mbi vuajtjet e gëzimet e kësaj shoqërie do të dëshiroja që lëshime të këtilla së paku të filtrohen e censurohen nëse për asgjë tjetër për hatër të etikës profesionale nëse jo për shkak të asaj që quajmë kulturë, virtut e moral kombetar.

Përiudha në të cilen po jetojmë është mjaftueshëm e rrezikshme, ekseprimentale e sidomos internetit ka shumë ndikim tek secili prej nesh andaj kishte me qenë investim kombëtar për shoqëri sa më të shëndoshë nëse do të kishte më shumë kujdes rreth përmbajtjes mediale. Po ashtu na duhet ndërgjegjësim duke filluar nga shkollat fillore.

Kemi nevojë më shumë se kurrë për programe që për bazë kanë edukimin e jo degjenerimin.

Po e shkruaj këtë status jo me shpresën se do të ketë fuqi për të ndryshuar diçka por, për ta lehtësuar veten me idenë se kam dhënë kontributin tim qytetar duke reaguar si individ ndaj këtij fenomeni degjenerues. Madje e di se ka shumë njerëz të cilët mendojnë si unë dhe bashkë kemi ngritur zërin kundër këtij trendi e fenomeni të shëmtuar të kësaj kohe.

P.S. respektoji gratë mos i nënçmoni!”, thuhet në shkrimin e tij. /KultPlus.com