Nexhmije Pagarusha jetësohet në skulpturë, e para që i dedikohet një artisteje në Kosovë

Jeta Zymberi

Një ngjarje emocionuese që do të ndodhë së shpejti do të ndryshojë pamjen e vendlindjes së saj. Nexhmije Pagarusha, e njohur si “Bilbili i Kosovës” do të jetësohet në një skulpturë të veçantë në vendlindjen e saj, në fshatin Pagarushë në Malishevë, shkruan KultPlus.

Kjo skulpturë është një frymëzim i artistit të njohur Agon Qosja dhe me aq sa kemi parë nga fotografitë e publikuara nga vetë skulptori, ajo do të jetë një pamje që na kujton kontributin e madh të Nexhmije Pagarushës në muzikën shqiptare.

Nexhmije Pagarusha është një ikonë e muzikës shqiptare, e njohur për zërin e saj të veçantë dhe interpretimet e mrekullueshme në muzikën popullore dhe opera. Kryevepra e saj konsiderohet ”Baresha”, por pa lënë anash edhe këngët si: ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, “Dallëndyshe”, këngë këto që publiku vazhdon t’i dëgjojë me shumë nostalgji.

Kjo skulpturë dedikuar Nexhmije Pagarushës, padyshim do të jetë një ndër veprat më të rëndësishme artistike në Kosovë, veçanërisht në fushën e muzikës. Ky është një hap i madh në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare, veçanërisht në një vend ku skulpturat kryesisht janë të dedikuara ndaj burrave të shquar të historisë së Kosovës.

Agon Qosja, skulptori i talentuar i kësaj vepre arti, ka punuar me pasion dhe përkushtim për të krijuar një skulpturë që reflektonë fuqinë dhe pasionin e Nexhmijes për muzikën dhe që përmes saj të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë.

Në vendin e saj të lindjes, kjo skulpturë padyshim që do të bëhet një pikë referimi për turistët dhe për vendasit që do të kenë kënaqësinë të shohin këtë pamje të mrekullueshme të një artisteje të madhe.

Njëkohësisht, kjo është një ndër veprat e rralla që i dedikohet kontributit të një gruaje në Kosovë dhe ndoshta një shembull i mirë për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontributit të grave në artin dhe kulturën shqiptare.

Kjo dhuratë e bukur për kulturën shqiptare do të përurohet më datë 21 Tetor në Pagarushë, Malishevë. / KultPlus.com

‘Kompozitorin Rexho Mulliqi, për së gjalli e ndoqën, izoluan, burgosen, heshtën e anatemuan’

Shkruan: Ilaz Aliu

Edhe sikur Rexho Mulliqi, të ngritej nga varri, e të vetëdeklarohej i pakombësi, përsëri arti i tij, e bën atë shqiptar, dhe pjesë e fryt të kulturës tonë.

Kur gjatë një vizite në Tiranë e kishin pyetur se çfarë kombësie i takon, ai ishte përgjigjur shkurt : “Pyeteni muzikën time”.

Kompozitorin Rexho Mulliqi, për së gjalli e ndoqën, izoluan, burgosen, heshtën e anatemuan. Pas vdekjes, kombe e institucione, u përpoqën ta “përvetësojnë” e bëjnë pjesë të kulturës së tyre.

Serbët thonë se ai ishte jugosllav-serb, ndaj është i tyre. Boshnjakë thonë ishte boshnjak me origjinë, ndaj është pjesë e këtij kombi. Malazezët mendojnë se u takon kulturës së tyre, pasi ka lindë në rrethin e Plavës, maqedonasit lavdërohen më faktin që talenti i tij u zbulua gjatë shkollimit në Shkup, kurse shqiptarët e dinë, e duan dhe e respektojnë si kompozitor shqiptar. Mbi këto polemika qëndron një fakt i fuqishëm: Çdo gjë që Rexho Mulliqi krijoi, ishte shqiptare.

E bija (me gruan e parë) tenton që të i’a ndërron babait identitetin.

E bija e Rexho Mulliqit, Vesna Mulliq, thotë se babai i saj nuk mund të quhet kompozitor shqiptar. Madje, kërkon t’i respektohet emri dhe të mos shkruhet Rexho Mulliqi, por Rexho Mulliq.

“Ai është Rexho Mulliq dhe nuk ka nevojë të shkruhet Rexho Mulliqi”, thotë vajza e vetme e kompozitorit me nam nga martesa e parë e tij. “Ai nuk është kompozitor shqiptar”, reagon Vesna Mulliq, në pyetjen se si duhet referuar njërit prej krijuesve më në zë të muzikës shqipe. “Kurrë nuk është deklaruar shqiptar e as që ka mundur të deklarohej ashtu”, shton ajo.

Vajza e tij Vesna me gruan e parë, mund të flas për vete se çfarë përkatësie kombëtare ka, por nuk mundet të thotë se çfarë ka pas dhe si asht ndje kompozitori shqiptar Rexho Milliqi, apo Rexhep Mullaj. Përkundër që ajo ka pas privilegje për shkak të babait të saj, dhe asht pranua të punoj në korin e RTP, dhe si gazetare ku ka shkruar për muzikën, ajo edhe sot refuzon ti jep partiturat e babait Filharmonisë së Kosovës.

Identiteti, origjina e Rexho Mulliqit:

Rexho Mulliqi u lind me 18 mars të vitit 1923 në Guci, Plavë, vdiq më 25 shkurt 1982 në Prishtinë, ishte një kompozitor shqiptar. Mbiemrin e mori nga fisi Mula, Mulaj, Mulaku, Muliqi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar Medresenë e Shkupit, deri në vitin 1941, pastaj u vendos në Prishtinë. Për shkaqe politike, u përndoq dhe u burgos, duke vuajtur dënimin në Goli Otok. Rexhep Mulliqi është njëri ndër krijuesit e traditës muzikore profesioniste në Kosovë. Ai është ndër të parët krijues të këngës korale, si autor i simfonisë së parë shqiptare në Kosovë, i së dytës në muzikën e gjithëmbarshme shqiptare, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në anën tjetër, Rexho Mulliqi bëri një muzikë që ishte dhe mbeti thellësisht shqiptare, në të gjithë përbërësit e saj.

Ai thoshte:” Muzika të cilën e krijoj, është rrëfimi im, por edhe i popullit tim, është apoteozë e nënqiellit të këtij vendi dhe e njerëzve të tij, këngë e maleve hijerëndë, e luginave të gjelbra, e lumenjve me zhurmë, rrëfim i legjendës së të kaluarës dhe këngë e agimit të diellit…”.

Në fillim e thërrisnin Rexhep Mullaj, Rexho Mulliq, Rexhep Mulliqi, kurse ai vetë, në të shumtën e rasteve, ka nënshkruar si Rexhep Mullaj. Megjithatë, ai mbeti i njohur te ne si Rexho Mulliqi.

Nexhmija Pagarusha nuk do të ishte ajo që u bë pa mbështetjen e jashtëzakonshme të bashkëshortit, Rexho Mulliqit që është një nga gjenitë e muzikës shqipe.

Gjeneratat e reja, e njohin më tepër si autor të këngës së popullarizuar “Baresha”. Mirëpo ai krijoi vepra shumë më të mëdha e më komplekse se “Baresha”.

Sot, mund të supozojmë se inspirimi krijues për “Bareshën” , mbështetej në dy burime: Zërin brilant të Nexhmije Pagarushës, dhe natyrën magjepse të vendlindjes së kompozitorit.

Pas vdekjes së Mulliqit, posaçërisht gjatë luftës, në Kosovë filluan të zhduken dëshmitë e punës së tij. Në Prishtinë u zhdukë busti origjinal i kompozitorit, punuar nga i ndjeri Agim Cavëderbasha, pronë e Shoqatës së Kompozitorëve.

Dikush u përpoq të fshijë gjurmët krijuese të Mulliqit në Kosovë. Janë zhdukur të gjitha partiturat origjinale të kompozitorit në Prishtinë.

Ka artistë që për së gjalli gjithnjë u identifikuan si shqiptar, mirëpo ju mungoi krijimtaria. Rexho Mulliqi, e bëri të kundërtën: Nuk eksponoi shumë kombin e tij, mirëpo punoi, e krijoi – shqip.

Nga fëmijëria barte një plagë të thellë. Ishte gati foshnje, kur në derë të shtëpisë së lindjes, i kishin vrarë të atin. Fqinjët joshqiptarë, i kishin thëne “…babanë ta vranë shqiptarët”, kurse pushteti kishte sulmuar shtëpinë më pretekst se aty fshiheshin kaçakët shqiptarë. Rexhoja u rritë, jetoj e vdiq më këtë enigmë në zemër.

Mulliqi mbetet kompozitori më i madh që ka dhënë Kosova, dhe njëri ndër krijuesit më të mëdhenj të muzikës artistike në botën shqiptare. Me Çeskë Zadenë, i cili priu në këtë fushë, janë dy etërit e simfonisë shqiptare.

FOTO : Nexhmije Pagarusha, Rexho Mulliqi dhe biri i tyre Leonardi. Vitet 1970-ta./ KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha si aktore në filmin “E kafshoja terrin”, në vitin 1977 (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha është këngëtare e njohur shqiptare apo siç njihet ndryshe si “Bilbili i Kosovës”. Veç kësaj, ajo ka qenë edhe një aktore e suksesshme, si në film ashtu dhe në teatër, shkruan KultPlus.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar si soliste në Radio Prishtinë.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi nga karriera e saj si aktore, në një skenë të filmit “E kafoshja terrin”, të realizuar në vitin 1977. Po ashtu më poshtë mund të ndiqni edhe një pjesë nga ky film.

“E kafshoja terrin” është një film televiziv prodhim i RTP TV Prishtina i vitit 1977, me skenar dhe regji të Ekrem Kryeziut. Filmi ishte pjesëmarrës në festivalin “Prix Italia 1978” në Milano të Italisë. / KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha ishte e re, një bukuri që të magjepsë (FOTO)

Nexhmije Pagarusha është këngëtare e njohur shqiptare apo siç njihet ndryshe si bilbili i Kosovës. Veç kësaj, ajo ka qenë edhe një aktore e suksesshme, si në film ashtu dhe në teatër, shkruan KultPlus.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu. “Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Krahas karrierës së suksesshme, Nexhmije Pagarusha shquhet edhe për bukurinë e saj. KultPlus sot ju sjellë një fotografi ku këngëtarja shihet në një moshë të re./ KultPlus.com