Duket si imazh ofendues për gjithë neve, por edhe për botën, ngaqë aty ka defekte tejet elementare shkollore që kanë të bëjnë me matjen e trupit dhe të kompozimit. Është shtatore që i mungon baza artistike estetike, estetika është qëllimi kryesor i skulpturës. Kjo skulpturë është vetëm material i keqinterpretuar për nga dukja, por edhe nga brendësia, veçanërisht te pjesa e syve që aspak nuk ngjanë me të Clinton-it.
Ilir Muharremi
Është mirë të ekzistojnë shtatoret, por jo realizmi i tyre të jetë i mangët, karikaturë, fyes ose turp i dhimbshëm, sepse fëmijët tanë do të besojnë në imazhin bastardues të skulpturuar dobët nga artistët. Kujdes skulptorë, mos u tallni dhe mos krijoni pseudoskulptura, shtatore të zbehta, monumente nga figurat e merituara. Mos krijoni imazhe tredimensionale të turpshme, e nëse i krijoni siç ndodhi me shumë figura, atëherë ato duhet të ulërijnë, të lëshojnë britma, për ofendimet që po ju bëhen. Vet artistët duhet t’i shkulin, t’i çlirojnë nga turpet siç po ja bëjnë vetes dhe njerëzve që po i vështrojnë.
Sapo artisti fillon ta ndërton një monument ai mendon për hapësirën, kohën dhe historinë. Pastaj radhitet cilësia e lartë, përmasat e sakta, pastërtia, lëmimi i detajeve, punimi i thyerjeve nga koka gjerë te këmbët dhe shpirti ose karakteri identik me figurën të cilën skulptori pretendon ta paraqes. Skulptori është më i kufizuar se piktori, e këtë pak e dinë skulptorët tanë, sepse ata lirohen aq shumë dhe monumenti nuk i ngjan fare figurës reale.
Rasti konkret i shtatores së Bill Clinton, ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mik i ngushtë i shqiptarëve. Kjo shtatore e cila është punuar nga skulptori Izeir Mustafa peshon 900 kg e derdhur në bronz dhe është e gjatë 3 metra. Po ashtu bazamenti është 3 metra.
Gabimi i parë i shtatores është hapësira në të cilën u vendos ajo. Këtu duhet edhe të bashkëpunohet me arkitektë. Harmonia ndërmjet arkitekturës dhe skulpturës. Harmonia dhe skulptura nuk ndërhyjnë te njëra-tjetra, secila mbanë kuptimin dhe arsyen e vet, dhe e tëra jep përshtypjen se nuk mund të bëhen njëra pa tjetrën. Skulptorët thellohen vetëm në veprën e tyre, kurse syri i njerëzve vështron në total, e në total kjo nuk rri aty ku është, e rrethuar me ndërtesa 15 katëshe, të cilat e përpijnë shtatoren. Tereni duhet të jetë më i hapur me hapësirë të madhe pa ndërtesa. Ndërtesat e mëdha nëse e rrethojnë një shtatore ato e minimizojnë atë (devijojnë proporcionet, shëmtohet) edhe syri nuk e pranon. Rreziku është që shtatorja kalon në kiç, krijim i pashije i një stili tashmë ekzistues artistik. Është shije e keqe shumë komerciale.
Duket si imazh ofendues për gjithë neve, por edhe për botën, ngaqë aty ka defekte tejet elementare shkollore që kanë të bëjnë me matjen e trupit dhe të kompozimit. Është shtatore që i mungon baza artistike estetike, estetika është qëllimi kryesor i skulpturës. Kjo skulpturë është vetëm material i keqinterpretuar për nga dukja, por edhe nga brendësia, veçanërisht te pjesa e syve që aspak nuk ngjanë me të Clinton-it. Skulptori disi përpiqet t’i fryj rrathët rreth syve duke tentuar të gjej ngjashmërinë e kokërdhokëve, mirëpo skulptura i ka më të hapura, më të ekzagjeruara, derisa Clinton-i më të tërhequra. Shtatorja më shumë ngjanë me figurën e presidentit Hashim Thaçi se me Bill Clinton-in.
Sipërfaqja e shtatores nuk është dinamike, ngjyra duket si natyrale, linjat janë të holla diku edhe të trasha, varet prej lakimeve të kostumit dhe fytyrës. Fytyra duhet ende të punohet, të minimizohen elementet, të krijohet simetria më e përkryer, t’i iket fryrjeve të elementeve të fytyrës. Nëse rritet koka, normal edhe pjesët tjera, por duhet më shumë të saktësohen ato me figurën origjinale të Clinton-it.
Si duket artisti nuk i njeh mirë ligjet e optikës: nga poshtë-lartë figura rritet në tërësi jo vetëm ca gjymtyrë, sepse humbet dhe krijon disproporcion. Dorën e majtë e mbanë të ngritur në formë përshëndetje, ndërkohë që e djathta është e ulur poshtë dhe mban një mirënjohje të dhënë, që simbolizon titullin “Honoris Causa”, e cila i është ndarë atij nga Universiteti i Prishtinës. Ndërsa, serbët mendojnë se në dorën e djathtë mbanë librin në të cilin ka shënuar datën 24.3.1999, datë kjo e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe. Si duket nga shteti fqinj interpretohet mbas dëshirave të sëmura të tyre. Shuplaka e dorës është tejet e madhe si dhe koka krahas me harmoninë e trupit. Tërë vepra ka mungesën e karakterit nën pasqyrimin e vërtetë të Clinton-it.
Në këtë skulpturë unë nuk shohë vërtetësi dhe interesim të vërtetë artistik, por një tendencë politike dhe nacionale e humane lavdëruese, rrahje shpine për një shoqëri të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Por, arti ka tjetër mision. Skulptura më parë ta shprehë gjestin, shprehjen e fytyrës origjinale e jo të zbrazët mbi të cilën vërshohen të gjitha shikimet e botës. Duhet të kemi kujdes kur bëhet fjalë për figura të famshme. P.sh në muzg dhe mbrëmje, kur lëshohen dritat artificiale mbi shtatoren ajo përhumbet dhe nuk ngjanë as me vetveten e as me Clinton-in, duhet të kemi kujdes ndaj hijeve kur depërtojnë mbi të, sepse menjëherë pason ndryshueshmëria.
Pjesët elementare të skulpturës janë: volumi, forma dhe hapësira. Pastaj, radhiten pjesët e tjera si vija, ngjyra dhe sipërfaqja. Për ta kurorëzuar tërë veprën, artisti duhet të ketë kujdes me kompozicionin, dritë-hijen, gdhendjen, modelimin… dhe ngjyrën. Sipërfaqja e shtatores konkretisht e skulpturës krijon lojën ndërmjet dritës dhe hijes, andaj gjithmonë i gjejmë të lakuara, lëmuara, jo të drejta, të ndrydhura… Të lëmuara siç e kemi në këtë rast shtatoren, krijojnë hije të lehta të buta, kurse në sipërfaqe të ashpra dhe drita është më e fortë, e ndjeshme, krijon kontrast të fuqishëm ndërmjet dritë-hijes, duke theksuar vrazhdësinë dhe vdekshmërinë e materialit. Shtatorja në fjalë ka shumë lëmime dhe krejt fokusohet në shkëlqimin prej ari sesa në karakterin origjinal. Figura e Clinton-it është ofenduar me këtë shtatore.
Nëse analizojmë pjesët e linjave të shtatores në fjalë, nxjerrim lidhjen ndërmjet hapësirës dhe vëllimit. Janë të pastra, të thjeshta, të thyera, të lakuara. Linjat shpesh këtu janë të vetëmjaftueshme duken sikur vizatim ose skicë. Skulpturat reale përbëhen vetëm nga linjat hapësinore që e rrethojnë tërë hapësirën, kjo më shumë referohet në artin klasik, por duhet t’i nxjerrim edhe në shtatoren e Clinton-it. Lartësia krahas me bazamentin është e devijuar nuk i ka proporcionet e sakta.
Skulpturat e mëdha nuk e kanë për detyrë të imitojnë, por të stilizojnë shprehjet domethënëse: trupin dhe qëndrimin. Normal duhet edhe t’i ngjajë, sepse bëhet fjalë për një emër. Skulptura është vepër artistike dhe nga skulptori më parë duhet ta kërkojmë veprën e pastaj anën patriotike dhe shoqërore. Diku gjejmë linja dekorative të lëmuara dhe gjest patetik që ndikon në sundimin politik të së shkuarës sonë. E mira e së mirës është se gjymtyrët nuk janë të fryra të trupit siç i bënin më herët artistët komunistë shqiptarë, vetëm kjo mund të vlerësohet, ndoshta se Akademizmi ynë qe më i lirë në ndërtim të skulpturave krahas me atë të Shqipërisë.
Nuk e di nëse Clinton-i u dëshpërua me pamjen e shtatores, ngaqë shtatorja nuk është aspak e denjë për figurën e mikut tonë më të madh. Është dashur të shpallet konkurs publik dhe të ftohen skulptorët të konkurrojnë me boceta të krijuara si bazë. Kjo shtatore nuk i tejkalon as ato në shtetet komuniste. Në kohën tonë duhet të ketë paksa nuanca të postmodernitetit, e kjo shtatore është tipike soc-realiste duke mos e patetizuar në tërësi. Ata i vendosnin shtatoret si zbukurim e jo si revoltë ose si miqësi reale me përmasa të natyrshme. Çdo shtatore komuniste ka defekte anatomike, sepse më shumë i referohen historisë sesa artit. Shtatorja në fjalë ka edhe bazamentin e dështuar. Aty Clinton-i buzëqesh, thuajse tërë populli jonë është i zhytur në humor dhe komedi. Të largëta janë ato shtatore që duhet të buzëqeshin. Tentimi për ta imituar skulpturën reale, e kthen në shëmti figurën, nuk e di përse skulptori nuk ka punuar me asistentë ose sugjerues. Nuk kemi ne skulptorë si Mikelanxhelo ose Rodeni. Realizmi edhe pse është i tejkaluar, nëse punohen figurat e famshme historike duhet të respektohet me përmasa të sakta. Bëhet fjalë për vendosjen e tij në sheshe publike. Shpesh, shtatoret me figura të famshme cilësohen si pika reference dhe atraksioni nga turistët dhe njerëzit./KultPlus.com