25 vjet pas lansimit të parë hiti i këngëtares Mariah Carey, “All i Want For Christmas Is You”, ka arritur të shndërrohet në këngën më të madhe në botë teksa pozicionohet në vendin e parë të toplistës “Billboard Global 200”.
Ndërkohë, kënga e dyshes latine Bad Bunny dhe Jhay Cortez, “Dákiti”, e mbanë pozitën e parë në toplistën “Billboard Global Excl. U.S.”, e cila shtrihet në të gjitha territoret tjera duke e përjashtuar Amerikën.
Këto dy toplista i radhitin këngët më të mira bazuar në shitjet dhe shkarkimet e tyre online, nga 200 territore anembanë botës. “Billboard Global 200” bazohet në të dhënat e marra nga mbarë bota, ndërsa “Billboard Global Excl. U.S.” mbledhë të dhëna nga të gjitha territoret me përjashtim të Shteteve të Bashkuara.
Hiti i divës amerikane të muzikës Mariah Carey, “All i Want For Christmas Is You” rrëshqiti nga pozita e dytë në të parën, falë shitjes së 17.000 kopjeve brenda javës dhe 79.3 milionë shkarkimeve anembanë botës. Siç dihet tashmë, kënga fillimisht është publikuar si pjesë e albumit të vitit 1994 të këngëtares, me titull “Merry Christmas”.
Kënga “Dákiti” nga Bad Bunny dhe Jhay Cortez rrëshqiti në vendin e dytë të toplistës “Global 200”, pas tri javëve të qëndrimit të pozitën e parë, falë 97.1 milionë shkarkimeve të fituara gjatë javës.
Kënga klasike e grupit “Wham!” me titull “Last Christmas” e lansuar për herë të parë në vitin 1984, gjithashtu pësoi ngritje këtë javë duke e zënë vendin e tretë të toplistës, derisa pas saj renditen hiti “Blinding Lights” nga The Weeknd dhe “Dynamite” nga grupi nga Korea Jugore “BTS”. Edhe kjo këngë kishte qëndruar tri javë në vendin e parë të toplistës së famshme.
Ndërkaq renditja e këngëve më të mira të javës në toplistën “Billboard Global Excl. U.S.”, ndryshon shumë pak nga ajo “Global 200”.
Në vendin e parë të saj është pozicionuar “Dákiti” nga Bad Bunny dhe Jhay Cortez, për të pestën javë rresht. Pas saj renditet Mariah Carey me “All I Want For Christmas Is You”, në vendin e tretë gjendet grupi “BTS” me hitin “Dynamite”, dhe në vendin e katërt dhe të pestë janë pozicionuar këngët “Blinding Lights” nga The Weeknd dhe “Las Christmas” nga grupi “Wham!”. / Koha.net/ KultPlus.com