Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, do të jetë pjesë e mbrëmjes së madhe të ndarjes së çmimeve, Billboard Music Awards 2023.
Ajo është nominuar në këtë event në tri kategori: “Bashkëpunimi më i mirë”, “Top Billboard Global Song” dhe “Kënga më e mirë ritmike/elektronike” për hitin “I’m Good (Blue)” me David Guettan.
Krahas shpresës për të fituar njërën nga këto çmime, 34-vjeçarja do të jetë në ngjarjen e madhe edhe për të performuar.
Në një postim të bërë nga Billboard Music Awards në Instagram, këngëtarja shqiptare është paraqitur si pjesë e listës së artistëve që do të performojnë.
Ajo do të këndojë live këngën e saj më të fundit “One in a milion”, shoqëruar nga DJ David Guetta.
Billboard Music Awards 2023 do të mbahet të dielën e 19 nëntorit në ‘Arena Paradise’ në Nevada të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Bebe Rexha këtë vit ka qenë e nominuar edhe për çmimet e rëndësishme: “Grammy” dhe MTV Video Music Awards. / KultPlus.com
