Poezi nga Binak Kelmendi
(Për Azem Shkrelin)
As gur as pishë në majë të Hajlës
Vetëm Zoti vjen të të vizitojë Ty
Ai (s)’ flet Shqip me Gjuhën e Nanës
Se ti Muzë herët i shkove në sh’pi
A vure syzë e dylbi në majë
Kosovën a e pate në shuplakë dore
Rrafshi e bjeshka a kishin kund skaj
Tomori a kishte ende lara bore
Në Mokna a ushtonte bubullimë topi
Në Smilovicë a ishte zënë prita
Gurra e Synës a nxirrte ujë loti
Në Gropa t’Buk’ra si zbardhte dita
Karvani i Bardhë a u ndal në pikë
N’Kacuberr e n’Neqinat lart n’sogjore
Tek bëre bashkë Korab e Koritnik
A i njome me këngë gjithë ato bregore
A i hodhe shigjetat te Kom’i Kuçit
A i lave sytë në Liqenin e Shkodrës
Ç’bënin në Malësi trimat e Dedë Gjo Lulit
Të fala a u bëre Prespë e Ahritë motrës
Ç’kënge ia thoshin Therandë e Pashtrik
Si gurgullonte Drini nëpër Alpe
A vezullonte ari mbi Kopaonik
Tek vendoste sitat për fjalët kalke
Çyçavicë e Sharr a ta bënë me dorë
A të lodhi me dylbi bukuria
Ajme! Kësaj herë s’pimë tamëleborë
Se llava priste grixhën te Rusolia
Hajla ngritet lart e lart mbi qiell
Me këngën tënde herët të këputur
Ajo me Shkëlzenin lahet në diell
Bashkë me vargun tënd t’bukur
Zëri yt gjithmonë vjen ke Vërrini
Natën e ditën në gjumë dhe në mur
Unë si s’e mësova atë këngë hutini
Që cicërin e këndon zog mbi gur
(Me rastin e 86-të vjetorit të lindjes së Poetit)/ KultPlus.com