Dje, në ambientet e Gjimnazit “Xhevdet Doda”, në kryeqytet, u mbajt aktiviteti i fundit i PEN Qendrës së Kosovës në kuadër të projektit të saj të sivjetmë “Ora e Shkrimtarit” që është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në këtë orë mysafir ishte shkrimtari, përkthyesi dhe publicisti Binak Kelmendi.
Për pjesëmarrje në këtë aktivitet letrar pati shumë të interesuar, si nga anëtarë të stafit të gjimnazit të cilët e kishin organizuar në mënyrë perfekte mbajtjen dhe zhvillimin e këtij aktiviteti, por dhe nga nxënës të cilët me poezitë dhe esetë e lexuara e bënë më të pasur këtë aktivitet.
Duke hapur punimet e aktivitetit, udhëheqësi i projektit, poeti dhe eseisti, Sali Bashota, theksoi rëndësinë e projektit dhe jehonën që projekti ka pasur nëpër qendrat e ndryshme të Kosovës: Skenderaj, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Fushë – Kosovë në Prishtinë.
Bashota në vazhdim tregoi se janë zhvilluar gjithesj 16 aktivitete me shkrimtarë, anëtarë të PEN Qendrës së Kosovës dhe të gjitha këto aktivitete janë përcjellë me një interesim të jashtëzakonshëm nga dashamirë të fjalës së shkruar, por dhe nga të tjerë që pasion kanë leximin e veprave të autorëve jo vetëm nga Kosova, por edhe më gjerë.
Ai në vazhdim ftoi talentet e reja që të mod ngurrojnë por të shkruajnë duke premtuar se kjo Qendër do t’i përkrahë këto talente në formësimin e tyre artisik.
Poeti Bashota foli poashtu dhe për historikun e PEN Qendrës duke treguar nëkohësisht edhe punën që kjo Qendër bën në PEN Interntioanal me seli në Londër.
Pastaj fjala iu dha Binak Kelemendit, i cili foli për aktin e frymëzimit të veprave të tij, për temat, motivet, idetë etj., si dhe për përvojën e tij të gjatë në fushën e krijimtarisë letrare. Kështu, shkrimtari, publicisti e përkthyesi Kelmendi foli për përvojën e tij krijuese si prozator e përkthyes.
Duke theksuar fillesat e tij letrare, Kelmendi përmendi shkrimet e veta botuar këtu e dyzet vjet më pare, por edhe të tjera shkruar më herët e që nuk e kanë parë kurrë dritën.
Kështu, ai foli për përmbledhjen e tij të parë me tregime me titullin “Rozafa”, si dhe për vepra të tjera pasuese në prozë.
Duke bërë numërimin e tyre, Kelmendi përmendi romanin e tij të parë “Vezët e Vdekjes”, një kronikë Kosove para lufte, nga fëmiëjria e tij e hershme, të demonstratave e deri te fillimi i luftës dhe deportimi i shqiptarëve të Kosovës.
Ky libër, tha Kelmendi, e dërgoi autorin te Guri i Vashës, një roman i tij me këtë titull, në të cilin ai paraqiti përdhunimet e femrës shqiptare të Kosovës nga ushtria dhe milicia e Serbisë gjatë luftën 1998-1999.
Në vazhdim autori foli për romanin tjetër “Portat e Pejës”, të cilin e quajti libër biografik për Pejën dhe rrethinën saj në vitet e terrorit të Rankoviqit e deri në vitet e shtatëdhjeta kur Kosova bëri vetëm një hap drejt barazimitime njësit të tjera federative të ish –Jugosllavisë.
Romanin vet të radhës “Rruga 66”, Kelmendi e quajti sfidë për zgjidhjen e enigmës rreth lirisë aktuale në vendin tonë që jo rrallë keqpërdoret jo vetëm nga ata që vijnë e shkojnë në dhe nga pushtetet, por dhe nga të tjerët që mendojnë se liria është vetëm e tyre dhe se për këtë arsye “kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan me lirinë e tjetrit”.
Për romanin “Demë Dedë Boga”, botuar në vitin 2023 nga “KOHA”, Kelmendi tregoi se është një përpjekje për të treguar historikun e fillimit të ndërrimit të fesë katolike në fenë myslimane në Bogë të Rugovës, diku në fund të shekullit 17.
Kelmendi në vazhdim përmendi edhe përmbledhjet e veta me tregime: ”Ofelia e Dukagjinit”, “Dritat e Luftës” dhe “Lexuesit kartëemortaleve”, si dhe librin e parë të tij me poezi “Jeta ime”, që u botua në vitin 2024, si dhe për përvojën vet në lëminë e përkthimit nga gjuha frënge. Këtu Kelmendi u ndal sidomos te romani historik “Ilirja” i Flora Dosenit, por përmendi edhe veprat e përkthyera të Françoise Sagan e Marguerite Durras etj.
Në fund të aktivitetit u zhvillua një bashkëbisedim midis shkrimarit Kelmendi dhe nxënësve të Gjimnanizit “Xhevdet Doda”./KultPlus.com
Shkrimtari Binak Kelmendi së fundi ka publikuar librin e tij më të ri të titulluar “Jeta ime”, libër që është publikuar nga Pen Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.
Libri është me poezi dhe për redaktor ka shkrimtarin Sali Bashota. Ky libër është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.
Binak Kelmendi është shkrimtar, përkthyes dhe publicist, dhe në karrierën e tij letrare ka botuar romane dhe përmbledhje me poezi, ku për romanin “Portat e Pejës” është vlerësuar edhe me çmimin “Rexhai Surroi”.
Binak Kelmendi, aktualisht është kryetar i PEN Qendrës së Kosovës./ KultPlus.com
(Binak Kelmendi: “Lexuesit e kartëmortaleve”, Botimet REA, Prishtinë, 2023)
“… fatet dhe emrat e njerëzve përsëriten. Sikur ditët e javës dhe sikur muajt e vitit. ‘Sidomos fatet tragjike’, tha me vete, duke i futur fotot e varreve të Halilave në çantë.”
Binak Kelmendi (1950), përkthyesi, publicisti dhe autori i shumë veprave, njihet edhe për përmbledhjen e tij me tregime “Lexuesit e kartëmortaleve”, në të cilën vdekja e jeta si premisa filozofike paraqesin relacionin dualist të luftës së njeriut për mbijetesë përgjatë historisë.
Temat e këtyre tregimeve që në thelb kanë idenë e vdekjes, thelbin ontologjik të njeriut e të jetës shenjojnë një histori të lashtë të integrimit dhe komunikimit me artin e korpusin e veprave letrare. Që nga paraqitja e hershme e veprave si “Epi i Gilgameshit”, pyetjet filozofike e ontologjike të të cilit shenjojnë bashkëpunimin midis artit dhe jetës, kanë vazhduar edhe në ditët tona duke u shndërruar në truallin e hulumtimeve brenda së cilës letërsia dhe shkrimtari observojnë duke kërkuar dhe afirmuar vetveten. Kështu që nga titulli i veprës “Lexuesit e kartëmortaleve”, titull ky i cili vjen si emërtim i njërit prej tregimeve të veprës, paraqet ndeshjen e jetës me vdekjen e cila paraqitet si një enigmë e cila mbulon ekzistencën njerëzore, ngjall soditje, frikë dhe kuriozitet.
“-Çfarë lexojnë?
-Lexojnë, lexojnë, për shembull, kartëmortalet, a si quhen ato letrat që lajmrojnë për vdekje njerëzish.”
Eksplorimi i historive dramatike të luftës ofron një dritare për gjendjen njerëzore në rrethana ekstreme. Këto rrëfime përshkruajnë gjallërisht tmerret dhe heroizmin e luftës, duke treguar qëndrueshmërinë e individëve në mes të kaosit. Këto tregime përbrenda kodit të komunikimit letrar sikur e zhvillojnë betejën e personazheve me ngjarjet e paraluftës, të luftës dhe të pasluftës, karakteristikë kjo e cila është e pranishme edhe në disa vepra në prozë nga ky autor.
Luftërat gjatë historisë shpesh zbulojnë modele tragjike që përsëriten, duke treguar koston njerëzore të konfliktit. Nga ngritja e perandorive te konfliktet moderne, shkatërrimet e luftës dhe ndikimi i saj tek individët dhe shoqëritë bëhet jehonë me kalimin e kohës. Qoftë humbja e jetëve, zhvendosja e popullsive apo shkatërrimi i kulturave, pasojat tragjike të luftës përsëriten vazhdimisht, duke nënvizuar rëndësinë e kërkimit të zgjidhjeve paqësore të konflikteve. Përsëritja e vrasjeve gjatë luftërave nënvizon realitetin e zymtë të konfliktit, ku jetët humbasin tragjikisht në një cikël dhune dhe hakmarrjeje. I ndërtuar me këtë temë tregimi “101 vjet bashkë”, tregon historinë e përsëritur të dy Halilave të një familjeje që përfunduan tragjikisht nga okupatori serb:
“…Gjyshin ma kanë vratë ata, serbët. Ishte afër t’i bënte gjashtëdhjetë vjet. Ata serbë, nuk e lanë t’i bënte”
Vazhdimi i këtij cikli vrasjesh vazhdon edhe pas 101 vjetesh duke pasqyruar aspektet më të errëta të natyrës njerëzore.
“Ata. Serbët. Ata. Prapë serbët. Prapë ata. Njëjtë. Pas 101 vjetësh. Vrasje e re e një Halili tjetër. Afër shtëpisë së tij.”
Dashuria, atdheu dhe vdekja
Ndeshja e dashurisë dhe vdekjes në letërsi është një temë e përjetshme që është eksploruar në mënyra të ndryshme nëpër kultura dhe epoka. Dashuria dhe vdekja, forca në dukje të ndryshme, shpesh ndërthuren në tapiceri të ndërlikuar të ekzistencës njerëzore, duke formësuar rrëfimet e pasionit, humbjes dhe transcendencës. Konvergjenca e tyre ndriçon natyrën paradoksale të përvojës njerëzore, ku ekstaza e dashurisë mund të bashkëjetojë me pashmangshmërinë e vdekjes.
Në letërsi, tema e sakrifikimit të dashurisë personale për atdheun shpesh eksplorohet në mënyra të ndryshme, duke pasqyruar kompleksitetin dhe konfliktet me të cilat përballen individët kur ndahen midis dashurisë romantike dhe detyrës patriotike. Kështu me këtë tematikë shquajmë tregimet: “Te pllaka përkujtimore”, “Ofelia, shqip”, “Dashuria”.
“Te pllaka përkujtimore“– Epitafet, ato mbishkrime të përmbledhura por të thella të gdhendura në gurët e varreve, shërbejnë si kujtime të qëndrueshme për të vdekurit. Ato përmbledhin thelbin e jetës së një personi, virtytet, vlerat ose ndonjëherë veçoritë e tyre, me vetëm disa fjalë. Në zemër të një varreze solemne, mes vargjeve të varreve të gërryera që mbajnë emra të humbur nga koha, shtrihet një varr që tregon një histori dashurie e tragjedie. Këtu, nën tokë, prehen dy shpirtra të lidhur jo vetëm nga dashuria, por edhe nga dora mizore e fatit. Historia e tyre, e skalitur në gur dhe e pëshpëritur nga era, shërben si një kujtesë prekëse e kostos njerëzore të luftës dhe fuqisë së qëndrueshme të dashurisë.
“Ishte e ndaluar dhënia e kumtit për vrasjen e dashnorëve që kishin marrë pjesë në demonstratat e 28 Nëntorit të vitit 1968, tha ai me një zë të dridhur “.
Rrethana e vdekjes së tyre, të mbytura mes ujërave të trazuara të luftës e demonstratave, shërbejnë si një kujtesë e zymtë e natyrës së pafalshme të konfliktit. Në vdekje, ata u bënë dëshmorë të një kauze që nuk e zgjodhën ata, por viktima të një bote të copëtuar nga grindjet dhe përçarjet.
“Dashuria” –Në zemër të këtij tregimi qëndron një çift dhe dashuria e tyre si një fener shprese mes kaosit të botës që i rrethon. Të lidhur së bashku nga një lidhje e krijuar në zjarret e pasionit, ata ëndërrojnë për një të ardhme të mbushur me premtime dhe mundësi. Megjithatë, ekzistenca e tyre idilike u shkatërrua nga gjëmimet ogurzezë të luftës, të cilat i ndanë me forcë mizore dhe të paepur. Dashuria ndaj atdheut e detyroi njeriun të dëgjonte thirrjen e detyrës, të vishte uniformën e kombit të tij dhe të marshonte drejt së panjohurës.
“Ai pastaj fiku televizorin, ngjeshu revolen, lidhi për rripi dy bomba dhe mori vrapthi teposhtë shkallët e ndërtesës.”
Shpirtërorja dhe materialja në tregimet e Kelmendit
Skema bardhezi e personazheve me bazë modelin përrallor si kudo në letërsinë e shkruar edhe në tregimet e Kelmendit i është nënshtruar një pluraliteti faktorësh që kanë determinuar në paraqitjen e karaktereve njerëzore nëpër dimensione diversive. Kështu marrëdhenia mes shpirtërores dhe materiales jepet në tregimin “Fëmija pa emër”. Dëshira e Zojës dhe e murgeshave për t’i shërbyer Perëndisë me përpikëmeri anashkalon nevojat e tyre fizike e aq më pak dëshirën për të pasur fëmijë, akt i cili konsiderohet si prostitucion dhe derivim nga misioni i shenjtë.
“Zoja shikon sidomos foshnjën në duart e murgeshës. ‘Është fëmija im’, thotë me një pendesë vrastate. ‘Jo, nuk është’, bërtet në kupë të qiellit duke ia plasur vajit.”
Mënyra sesi e ndërton Kelmendi figurën e Zojës na ngjason me figurën biblike të Shën Mërisë: lindja e foshnjës pa baba vetëm përmes frymës së shenjtë, frika e akuzimit nga masa për prostitucion dhe përdhunim, largimi nga vendi i saj, ndjenja në kishte bërë faj apo jo, aftësia e të folurit të foshnjës së sapo lindur, etj
Në Ungjillin sipas Mateut shkruan:
“ Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Josefin, para se të banonin së bashku, u gjet shtatëzanë për virtyt të Shpirit të Shenjt…. Qe, Virgjëra do të mbetet shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel – që do të thotë: Hyji me ne!“
Ndërsa aftësia e të folurit të foshnjës në djep të cilën e thekson Kelmendi në tregimin e tij ka gjithashtu premisa fetare:
Kelmendi:
“Foshnja lëshon një klithmë të madhe dhe ia nis edhe ajo një vaji idhnak.
“Pse nuk ma vë emrin?’
Ashtu dëgjon ose i bëjnë veshët Zojës.”
Ndërsa në Kur’an thuhet:
“Atëherë ajo u bëri me shenjë kah Isai. Ata thane: Si ti flasim atij që është foshnjë në djep?” (Merjem).
Simbolika e figurave historike
Tregimet e Binak Kelmendit të cilat janë derivuse të një shumësie persiatjesh mbi shumë premisa filozofike si mbi lindjen, vdekjen, kujtimet e së kaluarës që shpalosin ndër të tjerash edhe kujtesën dhe identitetin nacional, paraqesin edhe një realitet të përditshëm, madje edhe kur ndërfut dhe tipizon personazhe nga historia. Fjala vjen, Agata Kristi, Edit Durham, Karl Marksi, Skënderbeu, Genti, Ofeli, Don Kishoti, etj. Në këtë mënyrë, tregimtari Binak Kelmendi vë një relacion përshkrues e shpjegues për shëmbëlltyra të njohura historike, duke ndërtuar një lloj paralelizmi me ngjarje të ndodhura në kohën e tij aktuale. Marrja e këtyre figurave nga historia ndoshta mund të jetë intencë autoriale për të përshkruar laramanin e botës njerëzore në përgjithësi, e të asaj shqiptare në veçanti. Agata Kristi, për shembull, shpesh eksploron temën e drejtësisë dhe të vërtetës nëpërmjet romaneve detektivore. Karl Marksi nëpërmjet teorisë së tij thekson rëndësinë e ndryshimit shoqëror dhe drejtësinë sociale. Skënderbeu simbolizon rezistencën dhe krenarinë kombëtare. Genti, Ofelia dhe Don Kishoti kanë mesazhe të ndryshme rreth identitetit, ëndrrave dhe realitetit.
Gjithë ideja e kërkimit identitar dhe rreziqeve brenda këtij kërkimi, paraqitja e modeleve përmes personazheve konkrete të veprës dhe personazheve historike shpalos kujtesën dhe identitetin nacional të Kelmendit. Identitetin nacional të tregimtarit e spikat edhe përmes vendosjes së ngjarjeve në tokat shqiptare ku edhe përmend toponime si: Prishtina, Deti Jonë, Bregu i Diellit, Bjeshkët e Nemina, Rugova, Malet e Sharrit, Drini i Bardhë, etj.
Instrument solid i Kelmendit është kthesa që realizon gjatë rrëfimit, duke e hedhur lexuesin brenda situatave të papritura që ngrisin dilema dhe paradoksalisht dërgojnë drejt zgjidhjeve tragjike e euforike.
Stili tregimtar i Kelmendit spikatet edhe te forma e ndërtimit të personazheve, ku vlen të ceket detajizimi në prezantimin jo vetëm të botës së jashtme si modelim, por veçmas të botës internale të personazhit si aspekt që distribuon gjithë strukturën e rrëfimit.
Kelmendi kodin e rrëfimit të tregimeve të tij e ndërton pëmes monologut të brendshëm në të shumtën e rasteve, por nuk lë anash as dialogët e shkurtë mes personazheve. Krahas monologut që ani pse element dramatik, realizon një narrator minor të tipit autodiegjetik që midis tjerash ravijëzon me një ton kritik portretin e psikokulturës shqiptare.
Tregimet e përmbledhjes “Lexuesit e kartëmortaleve” të shkrimtarit Binak Kelmendi përmes paraqitjes dualiste të premisave filozofike, paraqitjes nacionale të atdheut në vazhdën e okupuesve të shumtë përgjatë viteve, por edhe në paraqitjen e jetës në liri, duke kujtuar me krenari figurën e shquar kombëtare të Skënderbeut e figura të të tjera historike, arrin ta ndërtojë rrafshin tematik e ideor në mënyrë interesante. Kështu përmes elementeve të ndërtimit të këtyre tregimeve, si stilit, gjuhës, rrëfimit, figurave e motiveve, autori spikatë aftësinë e tij për të paraqitur realitetin kombëtar, si dhe për të ngjallur ndjenja estetike te lexuesit përmes përshkrimeve dramatike e tronditëse.
Shënim:
Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof. dr. Sali Bashota, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./ KultPlus.com
Dhoma ishte e errtë, vetëm drita e llampadarëve të ndezur në murin e nxirë sillte një shkëlqim të zberë në pjesët ku ishin vënë kornizat e kuqrremta me mbishkrimet që lexoheshin me shumë vështirësi. Era tundte flakët e tyre, dhe, varësisht nga forca e saj, vinte edhe shikimi më i qartë.
Ky është Genti.
Ai hapi sytë dhe pa: Dymbëdhjetë kuaj të mbrehur shkeleshko, me shkumbë që nxirrnin nga goja dhe hundët, me bishtin që mezi e mbanin përpjetë, tërhiqnin një karrocë dyrrotëshe nëpër makadamin buzë lumit me guralecë të zezë. Njerëz në të gjitha anët e sheshit, me çdo lloj rrobash, të zhveshur fare, duke kërcyer, duke kënduar, duke duartrokitur, bënin sehir dhe më së shumti qeshnin krejtësisht kot. Një ngazëllim i çuditshëm përndritte fytyrat e tyre të lodhura. Në fund të rrotëve të karrocës përzgjatej, si një anakondë e kuqe me lëkurë të rrjepur, një litar.
Ai u ndal të vërente detajet.
Ky është Genti, dëgjoi fjalët sërish dhe tek nuk dinte saktësisht në ishte ai zëri i ciceronit apo zëri i kujtesës së tij historike, vazhdoi shikimin.
Ky është Genti, përseriti ai zë, dhe ai pastaj shikoi: një figurë e njeriut, me duar, me këmbë e me kokë, shtrirë sa gjerë gjatë, hije, zvarritej në makadamin e lagur nga lotët e të qeshurit. Një damar ishte çarë në ballin e të zvarriturit dhe gjaku i mpiksur kishte bërë një si hartë në ballin e tij: Adriatiku, Joni, Tireni, Egjeu…shplanin shpatet e Alpeve të Ilirisë.
O zot, sa shumë dete, sa shumë male, sa shumë fusha dhe sa shumë ujë që kishte.
Era lëkundte valët dhe lemba e vogël fshihej ndërmjet tyre duke u ndeshur me peshqit që fluturonin thik përpjetë për të zënë ndonjë mizë.
Agroni puthej me Teutën duke prekur dhembjet e gjoksit dhe duke treguar sekretet ushtarake.
Deti rrudhej valë-valë nga një puhizë.
Teuta mekej duke i hyrë në gjoks Agronit.
Mbreti im, tha me përgjërimë Teuta dhe preku kurorën që i shkëlqente në kokë. Mbreti im, nuk ka bir njeriu të shkelë as tokën dhe as detin tonë. Deti Jonë është ky, u betua ajo duke ngjeshur edhe më shumë kurorën në ballë dhe pastaj bëri t’ia mbyllte me gishtërinjtë e gjatë sytë Agronit. U ndal papritur. Një kaltri mbytëse me thellësi të pafundme shtrihej në sytë e Agronit që të hapur rrinin drejt qiellit një pjesë të të cilit e kishte zënë një diell shumë i madh. Teuta shikoi edhe një herë sytë e Agronit dhe Detin Jon dhe nuk kuptonte dot ku nisnin sytë dhe ku përfundonte deti.
Pastaj Teuta vuri strehën e duarve mbi ballë dhe nisi këngën e peshkatarëve. Peshkatarët ia behen dhe fill lëshuan rrjetat në ujë. Asgjë nuk u kap në kurthën e tyre të lëngët, vetëm kufoma e Agronit që nuk lëkundej fare, rrinte e ngrirë nga pasvdekja…
Era frynte tutje detit dhe valët e ujit përplaseshin mbi shkëmbinj.
Pulëbardhat, duke fluturuar me krrokamë drejt qiellit dhe drejt tokës, herë fusnin kokën në shkumbë duke zënë një peshkth dhe herë ndeshnin sqepin mbi gurë duke zënë ndonjë krimb…
Batuat, I, II, III….ende po luftonin për dele, për dete, për hardhi, për gra.
Ai kërkoi të fikeshin dritat në murin e zi dhe të çmbreheshin kuajt që kishin tërhequr rrëqanthi trupin e Gentit. Me gjasë nuk e dëgjoi askush ç’kishte thënë pasi që ai gjithnjë fshihej nga dielli nën një çadër plastike që sillte shumë ngrohtësi mbi kokën e tij tepër të djersitur.
Këmbanat binin me uturimë dhe një protestë kundër abortit ishte caktuar të mbahej në mesditë në sheshin Shën Pjetri. Pastaj ai hyri në kishën e parë që e pa. Dhe e shikoi orën. Ishte koha të lutej për shpirtin e papës Klimenti.
Zot shpëto, tha duke kërkuar ndihmë me shikim për të gjetur një zgjidhje në fjalëkryq. Një sirenë, zjarrfiksish, policësh, të ndihmës së parë, e të kujt o Zot, as ai nuk e dinte, e përmendi.
Pastaj ai futi lapsin në xhepin e këmishës, gazetën në xhep pantollonesh dhe duke ndrequr syzet mbi ballë, kërkoi që ciceroni të përsëriste fjalitë e fillimit./ KultPlus.com
Albi u ngrit nga shtrati, shikoi në një raft të vogël dhe nxori me përtesë një libër.
Pasi e kishte lidhur devenë për këmbë të piramidës së Keopsit, Agata Kristi kishte shkundur flokët nga pluhuri me elbazën e fletores ku kishte mbajtur shumë shënime. Një korb glasiti mbi majë piramide dhe Agata Kristi u përpoq të lidhte më shtrëngueshëm shaminë në kokë. Pastaj ajo kishte marrë frymë thellë dhe elbazja me fletët e gjera kishte hudhur grimca guri mbi sfingë. Njeriu me fytyrë luani ishte lëkundur në rërë dhe ciceroni kishte dridhur krahët pa ditur si të vepronte: tre-katër figura njerëzish të kamufluar shtinin me të gjitha armët në të gjitha drejtimet dhe njerëz me pantollone të bardha e me kapele kashte në krye rrëzoheshin duke këlthitur mbi gurët dhe duke lënë njolla të kuqe mbi ta dhe në rërë. Agata Kristi, pasi mbuloi shpejt e shpejt fytyrat e të rrëzuarve mbi gurët me lagështi të kuqe që tashmë po nxirrnin avull me fletë itinerari, zuri për freri devenë që qiste shkumbë nga goja e nga hunda dhe me revanin e saj arriti në një lug të vogël të një lumi të madh në shkretëtirën e paanë. Gjatë gjithë rrugës ajo kishte parë vetëm një shenjë drejtuese: Tutankamoni, Ramzesi. Tutankamoni, Ramzesi, me të gjithë numrat, romakë e arabë… para dhe pas.
Agata Krsiti ia lëshoi në duar recepsionistit frerin e devesë dhe pasi u ngop me frymë, avull e pluhur, erë e shi, ngjiti shkallët spirale nga druri. Në katin trembëdhjetë, në dhomën numër trembëdhjetë, nga dritarja xhami i së cilës ngjante i krisur nga larja keq e tij, ajo, pasi nuk po e zinte dot gjumi në krevatin që vetëm kërciste, zuri të sodisë: Nili gjarpër humbiste pas ndërtesës së gjelbër harkore në kënd, nje minare me hënën sipri çikte yjet që xixëllonin në qiell, valët llambuçisnin mbi lumë… Një hipopotam u ngrit mbi ujë, hapi gojën shumë të madhe me dy dhëmbët gërremç dhe e shtyri trapin me turinj.
Zëra njerëzish, duke bërtitur pa shpjegueshëm, u krridhën në thellsinë e errtë të ujit. Agata Kristi vrapoi ke tavolina të merrte lapsin për të mbajtur shënim: Urgjenca, policia lumore, kishte ndezur reflektorët dhe bërtiste, fishkëllonte, urdhëronte kot së koti. Elizabet Tejlori nxirte me pincetë qimet nga hunda e nga vetullat e Kleopatrës dhe duke shpluar gjoksin lyente buzët me karmin.
Hanibali dhe Cezari mprehnin shpatat duke shtënë në nësqetulla me spreje deodoransi. Agati Kristi mbylli me gishtërinj hundët dhe në krevatin e prishur pa një këmbë, ajo e kontrolloi shpejt e shpejt biletën e udhëtimit: Treni “Ballkan ekspres” kishte bërë ndeshje me trenin “Inter Europa City” në Kaçanik. Kishte shumë të vdekur, shumë të zhdukur, shumë të lënduar, shumë të traumatizuar. Të vrarët, pasi dërgoheshin kot së koti në morgje për identifikim, futeshin në një gropë të përbashkët ku nuk kishte mjaft dhé për t’i mbuluar. Qentë luanin me gjymtyrë të tyre të thara e të përziera dhe askush nuk mund të shkruante as epitafe pasi askush nuk i dinte emrat e tyre. Të plagosurit e mbetur pa gojë me qerre kuajsh e me qe dërgoheshin në Shkup, në Tiranë dhe në Prishtinë, në Nju-Jork, Londër, Berlin, Paris, Romë, Skandinavi…O zot, çdokund dërgoheshin të plagosurit që nuk nxirrnin fjalë nga goja, vetëm e gjëmë e rënkime e ankime nxirrnin. “Hetimet mund të vazhdojnë”, shkroi Agata Kristi në anën e mbrapme të biletës ndërkohë që dëgjoi një trokitje të lehtë në derë.
-Hyr, bëri Agata Kristi.
Dera, u hap krah më krah.
Agata Kristi u trallis nga pamja: Miss Edit Durham ishte ndalur në hekurudhë dhe nxirte gjymtyrë fëmjësh dhe koka fëmijësh nga vagonët që pas rrokullisje nga hekurudha binin në një ujë shumë shumë të zi.
-Mbaj shënime, bërtiti me psherëtimë Edit Durham.
Agata Kristi e shtrëngoi më fuqishëm shaminë në kokë duke e tundur si elbaze fletoren e shënimeve.
Albi pastaj u ngrit sërish nga shtrati, hapi dritaren dhe pasi u ngop me frymën e natës, u lut: “Eja o gjumë më t’i harroj të gjitha dhe çdo gjë në këtë botë që duket të jetë megjithatë e mirë”…Dhe e fiku dritën./KultPlus.com
Këto ditë doli nga shtypi romani “Ilirja” i Flora Dosenit i përkthyer nga Binak Kelmendi.
Romani “Ilirja”, i cili sërish i ofrohet lexuesit shqiptar, është një roman historik me tematikë jetën e ilirëve përgjatë tri deteve të tyre (Adriatik, Jon, Egje)në vitet 200 para epokës sonë. Më saktë, jetën e disa fiseve ilire që udhëheqës kishin Mbretëreshën Teutë dhe Mbretin Agron, derisa në territorin e tyre, në Siujdhesën Ilirike, nuk ia behën, si pushtues, romakët.
“Ilirja”, në fakt mbretëresha Teutë, është historia e shkurtër e mbretërimit të Agronit dhe të Teutës në ato vise bashkë me bëmat e dështimet e tyre në shtetin e lashtë paraarbëror buzë dhe përgjatë këtyre deteve.
Kjo mbretëri ose ky mbretërim, sado që ka zgjatur pak, ka intriguar krijues të ndryshëm që të merren me të. Edhe romansieren Flora Dosen, me origjinë kroate që romanin e ka shkruar në gjuhën frënge.
Në këtë roman Dosen ia ka dalë me mjeshtri që konfliktet për prona e fron t’i shndërrojë edhe në konflikte dashurie dhe shteti e pushteti mbretëror. Përplot me humbje e fitore, xhelozi e dashuri, tradhti e besnikëri, bazuar në faktografi historike për jetën antike të ilirëve, e edhe me të gjitha dashuritë e Teutës nga të cilat spikat dashuria e saj për Ilirinë, “Ilirja”, përkthyer besnikërisht në gjuhën shqipe, lexohet me një frymë.
Binak Kelmendi është përkthyes nga gjuha frënge në gjuhën shqipe tash e katër deciene. Ka përkthyer kryessht Letërsi bashkëkohore franceze por dhe letërsi të tjera nga kjo gjuhë.
Kelmendi nga gjuha franceze në gjuhën shqipe ka sjellë këta tituj:
“Mirëdita Pikëllim”, Françoise Sagan, “Dashnori”, Marguerite Durras, “Ilirja”, Flora Dosen, “Hajni dhe qentë”, Nagib Mahfuz, NN, Kronika kosovare, Stéphane Vanderveken, “Kosova: Rrëfime për ndërtimin e një shteti”, grup autorësh francezë dhe vepra të tjera për fëmijë e të rritur.
Ka bashkëpërkthyer: “Akrobatët”, Kostas Valetas, “Figurat”, Gérard Genette.
Binak Kelmendi është edhe autor i romaneve “Vezët e Vdekjes”, Guri i Vashës”, “Portat e Pejës”, “Rruga 66” dhe i përmbedhjeve me tregime “Rozafa”, “Ofelia e Dukagjinit” dhe “Dritat e Luftës”.
Dielli sa nuk kishte perënduar, s’e kishte as një konop samari për t’u fshehur pas majave, qielli po merrte një kuqësimë të ndritshme të verdhë, ndërsa zhurmat e zërave po bëheshin gjithnjë e më të paka. Zhvarrimet kishin humbur pothuaj në tërësi gjallërinë e verës, nuk ushtonte asnjë vajtim a këngë dhe asnjë fishkëllimë në mbrëmje, as gjinkallat në muzg nuk dëgjoheshin më. Vetëm ndonjë xixëllonjë e përhumbur dhe e trullosur nga lajthitja e rrugës, ndeshej për fytyrë njeriu dhe pastaj, ndoshta e frikësuar, ajo vazhdonte të largohej ose të ikte duke u puçur për degë e gjethe drunjsh dhe për oxhaqe të shtëpive të djegura. Perëndi, sa oxhaku që kishte mbetur në këmbë në mes të shtëpive të djegura dhe këtë mbetje, gatitu si ushtar pas mbarimit të luftës, deri shumë përtej besëtytnisë, të gjithë e përshkruanin dhe e parashihnin si fat, ogur i mirë, mbarësi të madhe … për ata që kishin mbetur gjallë. Dhe, për ata që mbesin gjallë, gjithmonë ka një mbarësi: jeta.
“Do të bëhet shumë mirë”, thoshin të gjithë me besim e shpresë.
Pavarësisht këtij parashikimi dëshirues, fytyra të zhvarrimtarëve dhe të tjerëve afër tyre, që bënin sehir, dukeshin të vrara, të murrtuara, me danga, ndoshta më shumë nga pandehma ç’kishte ndodhur me të vrarët që nuk gjendeshin dot sesa nga lodhja që u kishte ardhur duke mihur e rrëmuar në thellësi toke. Prisnin vazhdimisht ndonjë shpjegim ose ndonjë lajm nga të tjerë. Kërkimtarët merrnin shënimet e fundit nga ta dhe duke u vërtitur rreth gropave të zbrazëta, flisnin pothuaj pa zë.
“Nuk po kuptojmë gjë prej gjëje”, thanë ata tek vazhdonin mihjen nëpër pikat e shënjuara sipër tokës duke shikuar nga grupe të tjera të varrmihësve që me gjasë edhe ata vetëm vërtiteshin rreth gropave të rihapura.
Kërkimtarët shikuan dhe mbajtën veshë.
“Kemi çelur më shumë se një metër tokë te pjesa e rrethuar me plastmast të verdhë e të zi dhe nuk kemi hasur në asnjë të varrosur të vrarë. Toka sigurisht që nuk i ka lëshuar të vrarët”, ankoheshin, pyesnin ose kërkonin shpjegim nga njëri-tjetri varrmihësit duke shikuar me habi nga kërkimtarë të huaj, të cilët, kërrusur e me skica letrash në duar, vazhdonin të rrudhnin krahët e të pëshpërisnin, tani bashkë me ndonjë përkthyes të zellshëm.
Kërkimtarët iu qasen edhe më shumë.
Varrmihësit hapen sytë dhe veshët. Po prisnin ndonjë lajm ose rikapitulimin e numrit të mihjeve të varreve dhe të skeleteve të gjetura duke kërkuar të vrarët gjatë asaj dite. Nuk e dinin dot numrin, siç nuk po dinin as dhe shumë gjëra të tjera. Një heshtje e madhe kishte pllakosur buzëmbrëmjen dhe ata nuk dëshironin ta thyenin atë as me frymëmarrjen e vet të shpeshtuar, pothuajse me dihatje.
Arkivole të vogla, shumë të vogla, o Zot sa të vogla ishin, që kishin zënë pothuaj gjithë shpatin e ndërmjet dy maleve të renditur nëpër bar, qëndronin të heshtur, sikur ata që nuk nxirnin zë nga goja, me kapakët e hapur me emrat e të vrarëve që pandehej të gjendeshin, me ditën dhe me vendin e shkruar të lindjes. Vetëm data e vrasjes nuk ishte shkruar. As dita e vrasjes. Po pritej gjetja e eshtrave të tyre të shkapërderdhur, të drobitur, dhe, më pas, ndoshta, edhe gjetja e ndonjë njeriu të gjallë që do të dinte datën dhe kushedi, edhe ditën e vrasjes.
Përkthyesit, njëri prej tyre, me zë të vogël, kërkoi me shumë keqardhje që varrmihësit të kthenin arkivolet prapthi, me kapakë në tokë.
“Pse?” pyeti me zë të vogël dhe shumë i çuditur njëri nga varrmihësit.
“Të mos shihen emrat shkruar sipër tyre”, tha përkthyesi.
“Pse?”, pyeti sërish varrmihësi.
“Janë shkruar herët”, tha përkthyesi .
“Pse?”, insistoi me pyetje varrmihësi.
Përkthyesi ishte kthyer në anën tjetër, me gjasë për ta fshehur fytyrën.
Varrmihësit, duke larguar ca dhé që u kishte rënë sipri, i kthyen së prapthi arkivolet, ashtu si u thanë, pa kuptuar gjë prej gjëje pse po bëhej kështu.
“Të mbulohen me najlonë”, tha sërish përkthyesi që nisi të shpaloste një rrollne najloni me fëshfërimën e një puhieje.
Tashmë, nga vendgropime më të largëta, prapa malit ose pas shpatit, me kazma e me lopata në krah e në duar dhe pa fjalë në gojë, kishin ardhur edhe varrmihës të tjerë. Pasi u bënë bashkë në shpatin me bar, rreth e rreth arkivoleve të mbuluara me najlonë, në errësirën që kishte nisur ta shtrinte pushtetin e vet absolut, me shikim të vrarë drejt tyre, përpiqeshin të gjenin në çfarë ngjanin ata ashtu, të mbështjellë me plastikë dhe vetë aq të heshtur përballë tyre, as pa pirë duhan madje.
Varrmihës, kërkimtarë, përkthyes, sehirxhinj, mbajtës shënimesh, matës gropash, të gjithë që ishin aty, kthyen kokën nga zëri ose nga zërat, dhe, të hutuar e pa bërë vërë me gojë, shikuan njëri – tjetrin për sqarime.
Këngë, vaj, nanurisje, rënkime, gjëmë, dihatje, angullimë, klithje, ulurimë, jehonë, bërje veshësh, bërje sysh, fanitje, ç’kishte gjë tjetër në atë shpat.
Askush nuk dinte ç’zëra ishin ata ashtu në atë buzëmbrëmje, afër tyre, në shpat me kërcimat dhe me hudhjet mbi dhe nga arkivolet e pëmbysura.
O Zot! bënë me keqardhje, me dhembshuri varrmihësit. Ç’po ndodh kështu? Ka mbaruar vërtet lufta, apo jo?
Pastaj sikur e morën veten tek panë vajza, gra, nuse duke u ngjitur me vrap shpatit me flokët që ua përdredhte nga pas era.
-Asgjë nuk po ndodh, tha një grua veshur me të zeza duke u shkrehur në vaj mbi krahët e një gruaje tjetër veshur me të bardha. Erdhën për të shikuar sa zhvarrime janë bërë sot dhe kush do të rivarroset nesër. Erdhën për të parë se a janë gjetur nëpër varre burrat e tyre të vrarë. Fëmijët e tyre të vrarë. Etërit e tyre të vrarë. Nënat e tyre të vrara. Nuk qenkan gjetur. Tani ikën. Pastaj ajo ia ktheu shpinën gropës së hapur që kishte nxjerrë ujë të kuq.
“Do të kthehen, vazhdoi gruaja me të zeza duke u kthyer sërish nga gropa që nxirrte ujë të kuq duke mos e lëshuar asnëjhërë atë gruan tjetër nga krahët.
“Ndoshta do të kthehen”, shtoi pastaj duke shikuar nga varrmihësit që rrinin në këmbë pa lëshuar asnjë zë.
Të gjithë kishin mbetur të shushatur dhe tashmë po kërkonin shpjegime që vetë nuk i gjenin dot.
Varre të shpluara pa të vdekur brenda, arkivole prapthi mbuluar kot ose kushedi pse me najlonë, gra kërcenin sipër arkivoleve me zëra kënge a vajtimi, ata nuk e dinin dot, me vrapin e pandalur të tyre nëpër shpat derisa u zhdukën në errësirë dhe në malin përballë, njërëz të huaj që gjithashtu po kërkonin shpjegime dhe muzgu sovran që po i mbërthente të gjithë dhe gjithçka.
Ishte hera e parë që po ndodhte kështu me të vdekurit e tyre. Të mos gjendeshin aty ku i kishin lënë. Në të vërtetë, ata kurrë më parë nuk i kishin kërkuar të vdekurit e tyre nëpër tokë pas varrimit që thoshin t’ua kishin bërë me të gjitha ceremonitë.
“E ka marrë Zoti, ne ia kemi bërë shërbimet e vdekjes, u pjekshim në parajsë”, thoshin me ngushëllim. Veçse atëherë edhe varrimi, edhe vdekja, e edhe vrasja kishte qenë normale, sa nuk thuhej njerëzore, nëse mund të ketë vrasje të tillë. Në asnjë nga luftërat tjera nuk kishte ndodhur kështu, ose të paktën askush nuk e mbante mend të kishte ndodhur kështu. As të tjerët para tyre nuk kishin treguar ndonjëherë të kishin dëgjuar për gjëra të tilla: Të mos lihej i vdekuri në varr. Të trazohej i vrari për së vdekuri.
Përkthyesi fliste me ngashërima, pothuaj me lot në fytyrë:
“Ushtria dhe policia serbe, pak para hyrjes së ushtrive ndërkombëtare, ka bërë shumë zhvarrime nëpër gjithë Kosovën. I ka bërë natën, ashtu siç i ka bërë edhe vrasjet.Pas zhvarrimeve, ka bartur trupat e të vrarëve me kamionë, me traktorë, me autofrigoriferë, me trena. Më vete i ka marrë të vrarët, ndoshta si trofe, ndoshta me mendimin se duke i marrë me vete do të mund të fshihte vrasjet që ka bërë, edhe këtu në këtë fshat”.
Ata hapën sytë e veshët dhe ndonjë cigare e ndezur dukej sikur xixëllonjë që fluturon e tromaksur.
-Xixëllonjat ikën, bëri ajo gruaj me të zeza duke shikuar nga mali.
-Kthehen sërish në verë, foli gruaja tjetër me të bardha duke dashur t’ia hiqte nga mendja kaptimin e grave sipër arkivoleve.
Përkthyesi ose një zë i ngjirur i dikujt tjetër vazhdonte:
“Varreza me trupa shqiptarësh të vrarë para shtëpisë së vet të djegur dhe në oborrin e vet, po gjenden kudo nëpër Serbi: Në stadiume futbolli, në poligone ushtarake e policore, në parqe qytetesh, nëpër fusha shkollash, në aeroporte, nëpër halla fabrikash. Këto zbulime janë bërë tani, pas ndërrimeve demokratike në Serbi”.
“Ndërrime demokratike në Serbi!”, se kush qeshi ose shfaqi habinë.
“Po, po, se po të mos ishte kështu, po të mos ishin këto ndërrime demokratike, nuk do të ishin gjetur të vrarët që po i kërkojmë nëpër varrezat tona. Do të kishin humbur pa shenjë e nishan! Kështu po thonë edhe këta kërkimtarë të botës që po rrinë me ne natën e ditën”.
“Po, ashtu është”, plotësoi përkthyesin një zë. Me gjasë ishte zëri i kërkimtarëve të huaj të cilët po ashtu shfaqnin habi.
“Kjo është vrasje e dytë”, tha dikush.
Të nesërmen, të qullur nga vesa e barit dhe nga uji nëpër varret e rihapura herët, varrkërkuesit nuk flisnin veçse për kapërcimin e grave mbi arkivole dhe për të vrarët e varrosur nëpër Serbi.
Duke tundur kokën dhe duke shtruar pyetje që nuk kishte kush t’u përgjigjej, ata mihnin pa pikë vullneti nëpër gropat me ujë. Pas gjetur gjë.
“Çfarë do të bëhet tani me to?” pyeti njëri varrmihës duke drejuar gishtin nga arkivolet me najlonë të mbushur me pika uji.
“Nuk di gjë”, tha varrmihësi tjetër.
“Nuk keni pse gërmoni më këtu”.
Ata heshtën dhe shikuan.
“Këtu nuk ka të varrosur”.
Ata, duke ia zgjatur dorën njëri- tjetrit, dolën nga varri i rihapur me dorezat dhe me çizmet plot baltë. Kërkuan sqarime me sytë e hapur drejt tyre.
“Siç iu kemi thënë edhe mbrëmë, në këto varreza nuk janë më të varrosurit e vrarë. Operacioni i zhvarrimeve mbaron në këtë pikë dhe në disa pika të tjera të rrethinës. Shënimet me të dhënat për të vrarët tashmë janë dërguar në Serbi. Beogradi ka premtuar bashkëpunim dhe ai tashmë ka filluar zbulimin e varrezave masive siç po quhen”, tha një zë.
“Beogradi dhe bashkëpunimi”, bëri njëri.
Askush nuk foli, të gjithë shikonin njëri -tjetrin dhe kërkimtarët e përkthyesit me shumë habi.
“E ç’janë varrezat masive?” pati guximin të thyente heshtjen më pas dikush.
Një varrmihës kuqalosh e shpatullgjerë, hyri në mesin e varrmihësve të tjerë që kishin zgurdulluar sytë: “Varrimi me buldozherë, me eskavatorë ose me traktorë, një gropë e madhe e bërë shpejt e shpejt me plugje të mëdha natën ose shumë fshehtas ditën në të cilën u hodhën të vrarët ose të vdekurit. Pothuaj shkarkohen. Si gurë ose si dhe ose si një diçka tjetër që nuk ka pasur kurrë shpirt. Ashtu hudhën, ose më mirë gjuhen. Pa lutje, pa lule, pa shenjë e nishan. Pastaj mbulohen me dhé, me baltë, e gurë, me dushk, me bar. Sikur kafshët e ngordhura”, tha pothuaj me lot në sy ai.
“As në kohë kolerash e mortajash nuk ka ndodhur kështu”, bëri një zë.
Karl Marksi krehu mjekrën me duar dhe hyri në shpellën mbi tokë. Një hije dielli përthyhej mbi nëngur dhe një rreze reje fshehu erën që gromësinte me kollë mbi qiell.
Karl Marksi vuri syzet mbi hundë dhe mbylli sytë për të parë më qartë në qerpikët që i thernin faqen plot djersë. Nga muret e larta të shpellës binin pika të rënda uji që kërcitnin frikësueshëm në errësirën mbi gurë dhe bënin të kruheshin vetullat e tij të trasha si të ariut prej nga rrëzoheshin një nga një qimet në nënfytyrë.
Asgjë nuk shihej, gjithçka dëgjohej.
Pastaj Karl Marksi futi thonjtë e gishtërinjve në flokët e gjatë zi e bardhë dhe nisi të shkruante çdo gjë, ashtu, kot së koti fare, për majmunët, për njerëzit, për merimangat, për minjtë, mizat, gjarprinjtë, punën…
Një morr, një midhje dhe një gaforre lëvizën para, pas dhe përfundi ballit që bëri të rrudhej nga gërvishja, thimthimi, djersët dhe pikat e gjakut me pagjumësinë që zgjatej në natën e pafund të Karl Marksit, të cilën kishte vendosur ta shpiente larg, shumë larg vetes, krejtësisht dikund tjetër.
Ai u ndal të pyetej: Ku? Ku?
Karl Marksi menjëherë kroi kokën dhe fill e vuri gishtin në tëmth. Nuk dinte dot ku gjendej. Pastaj ai hapi hartën e grisur dhe vërejti poshtë: një flakë e kuqe mbërtheu Ballkanin dhe zhurma zërash e klithmash e krismash e kërcënimesh mbushën malet e tij me njerëz pa brekë në bythë e pa mend në kokë.
Karl Marksi qeshi dhe nxori lapsin t’u shkruante edhe një letër Engelsit dhe Leninit.
Ballkanasit, të përgjakur deri në brez, duartokitën.
Karl Marski dhe Fridrih Engelsi ua bënë me dorë.
Vladimir Iliq Lenini hoqi kapelën nga koka tullace dhe e tundi në ajri. Mjekra e rruar me kujdes iu dridh nga gëzimi.
Një grumbull i zi sorrash fluturoi sipri dhe glasoi mbi duart që ende rrihnin shuplaka mu sikur flatrat e sorrave që lypnin vende të reja në verra, në shelgje, në dushk…mbi kulme të shtëpive dhe mu në oxhaqe të tyre.
Karl Marksi krehu mjekrën me gishtërinj dhe hyri në shpellën mbi tokë duke qeshur dhe duke shkelur synë.
Shqiptarët kishin vënë shatat mbi krahë dhe mbi tokë. Fushat i bënin male dhe malet i bënin fusha. Detet i bënin liqene dhe liqenet i bënin lumenj…
Uji shterej dhe shqiptarëve ua lagte bythën. Gjerdhe të reja zinin livadhet, shëkmbinjtë e tyre.
Pak pas luftës, dy gra me flokë të shpupurisur dhe me fytyrë të djegur nga dielli, flisnin me zë të vogël:
-Të kujtohet ai trupi lakuriq i asaj gruas me flokë të verdhë e të përbaltur që u zbulua krejtësisht i padekompozuar në ditën e parë të zhvarrimit në luginë? e pyeti e para të dytën tek kujtonte dhe rrëfente një pas një ngjarje të luftës e të pasluftës.
-Jo vetëm që më kujtohet, por tepër shpesh më bie ndërmend për të. Edhe natën zgjohem me kujtimin dhe makthin e trishtë për të. Dhe, në ato momente kujtese e vegimi, ndihem tepër, tepër keq. Ngjante shumë e re, e virgjër, më duket pa asnjë plagë në trup, ose të paktën ato nuk i vëreheshin, me duart e shtrënguara shumë ndërmjet këmbëve dhe me flokët e shtrirë në gjoksin e bardhë dhe po të mos kishte nga pak dhé nëpër flokë e nëpër trup, do të thoshe se ajo sapo kishte dalë nga banjoja. Madje, kisha përshtypjen se ajo po buzëqeshte, e vdekur ose e vrarë, sado që nuk na u lejua ta shikonim më gjatë dhe se si mbetem pastaj të gjithë gojëmbyllur. Nuk kam dëgjuar më saktësisht ndonjë gjë për të, por më duket se është bërë identifikimi i saj dhe tashmë është rivarrosur, u përgjigj gruaja e dytë.
-Bute është quajtur më duket, vazhdoi pas pak ajo që e çeli bisedën.
Gruaja tjetër e shikoi sikur të kërkonte edhe më sqarime.
Ajo vazhdoi:
-Ndoshta është rivarrosur, por identifikimi i saj nuk është bërë. Askush nuk e pranon për të veten në atë gjendje që u gjet. Unë e kam bërë identifikimin dhe unë do të them kush ka qenë. Ndoshta duhet të na pëlqejë e vërteta jonë edhe kur ajo është e hidhur. Nëse jo të mos na pëlqejë, duhet ta prnaojmë, t’i besojmë, të paktën. Dhe e vërteta është se atë, tash, askush nuk po e pranon për të veten, ose ndoshta nuk ka mbetur asnjë i gjallë nga familja e saj.
-Si? pyeti gruaja e dytë.
Gruaja e parë përsëriti atë që tha dhe shtoi:
-Lufta i prish njerëzit. Shpeshherë i bën më kot krenarë dhe më kot kokulur. Edhe për gjëra që nuk ia vlejnë. Nuk është turp të vritesh në luftë. Madje, as të përdhunohesh nuk është turp. Përdhunimin, fundja, e bëjnë humbësit.
Pastaj, ato të dyja bashkë, evokuan ngjarjen që i kishte ndodhur Butes.
Butja kishte bërë të ikte drejt gardhit që po digjej flakë ndanë oborrit me gropa e me buçilla uji. Nga lodhja gjoksi i digjte zjarr në lugun e gjinjve, rrëzë zemrës e nëpër tërë kraharorin, deri në kokë. Fryma po i ndalej në fyt, gjuha i kishte mbetur e ngjitur në qiellzë dhe zëri nuk i dilte më dot nga goja.
Ndali, o Zot, thoshte më vete tek vazhdonte vrapin nga flakët që kishin nxjerrë gjuhët jashtë shtëpisë nëpër drunjtë që ngriteshin shumë sipër gardhit.
Zoti nuk e dëgjonte, ndërsa ajo i dëgjonte ata:
-Ndal! i thanë, e urdhëruan, e kërcënuan, duke shtënë në flakë të gardhit me flakë të pushkëve.
Me gjasë ata nuk kishin shtënë për ta vrarë.
Ishte teknikë dhe taktikë e ushtarëve dhe e policëve të Serbisë për të frikësuar dhe për të përshpejtuar dorëzimin.
“Të duam të gjallë, engjëllushë”, i thanë dhe vrapuan pas saj me pushkët që mbanin në duar dhe me sharjet që nxirnin nga goja.
Butja vazhdonte vrapin duke i bërë flokët bistekë. “Mund të varem me këto gërsheta në lisin ose në pemën e parë”, mendonte tek thurte bistekët duke provuar me duar fortësinë e tyre dhe duke besuar shumë se do t’ia mbanin trupin varur në degë. Por, o Zot, sa larg që ishte mali, lisat, drunjtë, krejtësisht në anën tjetër të luginës, andej nga më së pari arrinte terri i mbrëmjes dhe sa afër që ishin ata, te këmbët e asaj ishin ata. Nata po vononte shumë për të ardhur, ndërsa ajo, tek vraponte, besonte më kot në errësirën shpëtimtare pasi ata i kishin hapat shumë të gjatë tek e gjuanin herë pas here, lart mbi kokë, me shpresën e madhe se do t’iu dorëzohej.
Butja kishte vendosur: “E gjallë në dorë nuk do t’iu bie”.
-Ndal, vazhdonin të klithnin ata me tërë zërin, dhe, “lëvizi më shpejt gishtërinjtë Bute”, i bërtiste vetes ajo me tërë mendjen.
Te lisi i parë që iu duk më i përshtatshmi, në gjysmën e shpatit pak sipër luginës, si një kitër e zhdërvjelltë, u ngjit këmbadoras nëpër trungun e tij. Pastaj, me të dy duart shpejt e shpejt, të dy gërshtetat e thurur shumë trashë, i solli rreth qafës, i shtrëngoi aq sa mendonte se do t’ia mbanin trupin dhe si një litar me disa fije, bistekët i lidhi nyjë në degën nga iu duk se nuk se do ta prekte tokën më duke e lëshuar tërë peshën e trupit në flokët e veta zinxhir lidhur shumë fuqishëm në fyt. Koka i kërciti përnjëherë bërram ose dhe me një zhurmë tjetër, iu bë se qafa iu këput mu aty ku ia mbante kokën, sytë iu mbyllën ose i pëlcitën, sepse një terrimë e madhe shumë e zezë e mbushi gjithë pjesën e luginës e të shpatit afërt lisit, ndërsa shtati i mbuluar me një fustan të bardhë, si një vello nusërie, jo jo, nuk pati më kohë të mendonte kështu, nisi të pehatej ngadalë dhe rëndë ndërmjet tokës dhe lisit të gjatë duke u ndeshur herë pas here për trungun me myshk të ritavtë. Ashtu, tek era dhe trungu loznin me trupin e saj mbajtrur për gërsheta, duke ndier se qielli po i hypte gjithnjë e më shumë sipër duke ia rënduar plumb kokën dhe toka po ia zinte këmbët e po ia fuste gjithnjë e më thellë në dhe, o Zot sa shumë thellë që i sharronin këmbët në tokë, bashkë me një zjarr që ia kishte kapluar gjithë gjoksin e kraharorin, ajo nuk dëgjonte më ata që e kishin ndjekur dhe që me gjasë ende po e ndiqnin: Zërat e tyre, as të beftë e as kërcënues, nuk i shkonin te veshët që përfunduan ushtimën dhe çdo gjë tjetër.
“E pafytyra, e pashpirtja, si na e bëri këtë, është dashur ta vrisnim si bushtrën, me një plumb në kokë”, bënë ata pothuaj njëzëri me shumë pendim duke shikuar trupin e saj hollak që ende tundej nën degën që kërciste.
-Hiqjani, rrobat, zhvisheni! bëri njëri nga ndjekësit që dukej të kishte qenë komandanti.
Ata filluan ta zhvishnin.
Në ato çaste trupi i Butes ose kushedi se çfarë, i çoi duart te pjesa e mesme e shtatit dhe aty i ngurtësoi përnjëherë.
-Zhvisheni të tërën, vazhdoi urdhrin serbisht komandanti.
Ata, nga poshtë këmbëve, ia tërhoqën fustanin e bardhë duke ia prerë herë pas here me bajonetë dhe duke grisur me shumë zemërim.
Trupi lakuriq i Butes qëndronte i bardhë, tamël, pa asnjë shenjë në turp.Ata mbeten pa zë duke e shikuar bardhësinë varur pak nën trungun e lisit të gjatë. Pastaj e shikuan me sy eprorin, sikur të kërkonin ç’duhej të bënin më tej me atë trup.
-Lart në lis, urdhëroi ai.
Ata hipën.
-Këputeni litarin!, urdhëroi ai
Ata e shikuan nga lart.
-Ç’më shikoni ashtu, këputeni atë litar, ku djallin e paska pasur me vete.
-Nuk është litar, komandant!
-Si? Nuk është litar? E ç’është?
-Bistekët e flokëve të saj, komandant!
Komandanti tërfëlliu.
Ata bënë disa lëvizje me duar sipër në degë ndërsa dy ose tre të tjerë e shtynin shtatin e Butes lart.
Trupi i Butes lakuriq kërciti në bar dhe ata pothuaj u trembën nga kjo kërcitje. Flokët e verdhë, si ar, o Zot, sesi iu kishin shpërndarë sipër gjoksit dhe përposhtë barkut duke ia mbuluar edhe duart që i kishin zënë vend në mes të trupit. Ata e shikonin të habitur dhe pothuaj të frikësuar. “Varje me flokë të veta, me bistekë”, ata nuk kishin dëgjuar kurrë më parë për këtë.
-Lijeni kështu, le ta hanë bishat e malit ose qentë, bëri me hidhërim komandanti që sillej rreth trupit të saj të plandosur.
-Kontrolluat gjë, mos ka pasur ar?
-Kontrolluam, nuk pati ari, komandant.
-Mos të ju kontrolloj unë tani, tha komandanti duke i shikuar të gjithë në sy.
Ata qëndruan gatitu dhe nuk lëvizën.
-Në rregull, tha pasi u bind.
-Përpara për atdheun, “napred”, bëri ndërsa ata e ndoqën nga pas.
Të dy gratë tashmë kishin filluar dënesat e vajit./ KultPlus.com
Një anije e madhe që ai nuk e dinte dot në ç’formë gjeometrike ishte dhe as ç’ngjyrë mbante, kishte ndritur paksa mbrëmjen e vonë me qiellin ende të purpurtë nga dielli që kushedi se ku kishte shkuar, ujin e zi të valëzuar me shkëlqim të kuq, dhe, i kishte ndritur sidomos njerëzit që i dukeshin aq të panjohur, shumë të largët, nga pak të huaj, të ardhur nga një planet tjetër, shumë të ftohtë, edhe pse ai e dinte ose thoshte kot se deti i ngroh njerëzit dhe ndjenjat njerëzore në brigjet e veta.
Në port, pos anijes me të cilën ai do të udhëtonte, kishte dhe shumë anije të tjera, ca të mëdha e ca të vogla, të zeza e të bardha, pothuaj me të gjitha ngjyrnat e mundshme, ose të paktën me të gjitha ngjyrnat që ai i dallonte me sy.
Tek i shikonte ato dhe tek i vështronte njerëzit në platformë, ai përnjëherë dhe me rrëmbim, para vetes, nga njëra anë e detit, nxori lembat e Teutës e të Agronit me shumë lundërtarë e me shumë ushtarë me shqyta e me ushta, me tërfurq e me sëpata, me topuzë e shigjeta, ndërsa nga ana tjetër e detit, i renditi një për një, si me spango, galerat e Romës me shumë remtarë, me shumë shigjetarë, me shumë hobistë, me shumë shpatarë…
Zjarre të vogla e të mëdha dilnin nga uji e hije të zeza e të kuqe binin në ujin shumë të trazuar të detit. Aty për aty dhe përnjëherë, në paraport, te këmbët e tij, para gjithë atyre njerëzve e anijeve dhe sidomos para syve të tij, u zhvillua një betejë e ashpër detare, me të gjitha mjetet e forta luftarake. Atij iu duk, madje, se në betejë, pos njerëzve dhe armëve, u përfshinë edhe peshq e peshkaqenë nëpër valët e mëdha të ujit.
Duke shikuar këtë skenë, ose dhe duke e udhëhequr vetë luftën detare, betejën, e korrigjoi ai veten, nuk e mori vesh dot se kush dhe cili fitoi: Teuta e Agroni dhe ai bashkë me ata, apo ushtria e Romës me senatorin që ngriste dorën dhe bënte me gisht para syve të mbretit e mbretëreshës e të atij dhe me peshqit e peshkaqenët që kohë pa kohe dilnin mbi valë duke tundur bishtin dhe duke nxjerrë ujë nga shpina.
Senatori thoshte me kërcënim që asnjë lembë e mbretëreshës të mos binte më nëpër det e të mos ndalej në brigje, ndërsa Teuta po i krihte flokët para çadrës duke u qeshur dhe duke i ftuar me gisht ushtarët një për një që të futeshin në çadrën e madhe.
Pak më vonë, ose dhe ndoshta mu në momentin e ngritjes së armëve, të zjarreve, të dorës e të zërave nga uji, edhe lembat e edhe galerat, i përbiu një e valë e madhe deti dhe i futi përnjëherë shumë thellë në brendësinë e zezë të ujit.
Ai, duke shikuar me habi njerëzit në mol, anijet që tundeshin në ujë, ofshani, gjëmoi, nga dhembja ose nga frika, bëri me duar e me këmbë sikur të notonte për të shpëtuar nga ajo valë që kurrë s’e mori vesh nga dhe si i erdhi aq afër, dhe lëvizi me hapa shumë të ngadalshëm, sikur i penduar, as vetë s’e dinte përse, drejt shkallëve për t’u ngjitur në kuvertë. Pastaj u ndal në mes të shkallëve dhe shikoi poshtë, atje ku gjendej grumbulli i madh i njerëzve.
Ai nuk foli.
Nuk kishte si të fliste, iu mor goja dhe mendja: Përpara tij, pranë çadrës së madhe të verdhë, Teuta, me tunikën e zezë në supet e bardhë, me balluket nën helmetë te vetullat, me flokët në bel, me gjoksin shumë të nxjerrë, me sytë si deti, me duart që vërtisnin shpatën vërdallë dhe sipër kokës së tij, e kishte ngulur heshtën në tokë dhe po i nxirrte ushtarët e zgjedhur një nga një nga rreshti duke ua treguar me duar e me majë shtize çadrën nga duhej të ecnin.
Ushtarët e zgjedhur, të trembur, e lëshuan rreshtin ushtarak dhe iu afruan Mbretëreshës duke e futur në mesin e tyre.
– Rreshtohuni, iu tha pastaj Teuta ushtarëve.
Ushtarët u rreshtuan me shpejtësi shumë të madhe.
Edhe ai bëri të rrinte gatitu me ta.
Teuta ia nisi rivistës.
“Një, dy, një, dy”, numëroi hapat ushtarakë ai.
– Ti, ti dhe ti, pas meje, bëri Teuta me zërin e dridhur duke hapur me shpatë dyert e kuqe të çadrës së verdhë.
Ushtarët e ndoqën nga pas.
Teuta hyri në çadër. Edhe ushtarët pas saj.
Edhe ai bëri të ecte.
“Dua të jem ushtar i Mbretëreshës”, “dua të jem ushtar në çadrën e saj”, tha ai.
– Shporrmu sysh! Qëroho, menjëherë, nga këtu! Ti nuk je ushtar, nuk je as për ushtar dhe nuk ka si të jesh ushtar as për çadrën time, në asnjë mënyrë nuk mund të jesh ai ushtari që e dua dhe që e dëshiroj unë, bëri, udhëroi mbretëresha duke mbyllur me majë shpate dyert e kuqe të çadrës së verdhë dhe duke larguar tunikën nga supet e duke nxjerrë jashtë krahët e bardhë si tamli.
Ai u struk, u bë një grusht njeri, mbylli sytë, veshët, gjithë shikimin para vetes, të gjitha zhurmat e ujit, njerëzve, anijeve tek dëgjonte zëra dhe klithma dashurie që nuk e dinte dot se nga vinin dhe se nga dilnin.
Pastaj hapi sytë dhe veshët: As çadër e verdhë, as ushtarë të rreshtuar, as mbretëreshë e shpupurisur flokësh.
Projekti më i ri i titulluar titulluar “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” i cili po zhvillohet për herë të parë nën organizimin e PEN Qendrës së Kosovës, tashmë ka shënuar natën e dytë me radhë, me ç’rast mbrëmë u zhvillua edhe një aktivitet tjetër kulturor e letrar në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Me këtë projekt origjinal, nata e dytë solli pranë të pranishmëve debatin rreth temës ‘Botimi dhe vlerësimi i letërsisë sot’, ku për të diskutuar më thellësisht, në panel të ftuar ishin: shkrimtari dhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota, prozatori, përkthyesi dhe publicisti, Binak Kelmendi si dhe moderatori Ibrahim Berisha.
Këto ngjarje të cilat gjithmonë nisin fiks në orën 17:00, kanë mbajtur pranë vetes edhe një numër të vogël të publikut i cili gjithmonë qëndron besnik ndaj këtyre aktiviteve. Andaj, për të diskutuar më gjerë për temën ‘Botimi dhe vlerësimi i letërsisë sot’, në bashkëbisedim janë bashkangjitur edhe të pranishmit.
‘Botimi dhe vlerësimi i letërsisë sot’, është një temë kjo që shpeshherë gjen rreth vetes argumente e analiza nga më të ndryshmet nga njerëz që i përkasin fushave diversive. Duke pasur parasysh se letërsia shqiptare, sidomos në Kosovë, është një letërsi që ka nevojë për një kujdes e përkushtim më të veçantë ndaj saj, janë pikërisht këto dy pika kryesore si botimi dhe vlerësimi që prekin thellë brenda problematikave në letërsi e që shpesh mbesin të pazgjidhura për arsye të ndryshme, kurse mbrëmë ishin pikërisht ato që janë shtjelluar në vazhdim nga të ftuarit në panel.
Ndërsa, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.
Mbrëmjen e hapi moderatori Ibrahim Berisha, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke folur pak për temën dhe rëndësinë e saj.
“Sot tema është e përqendruar në botimet, sidomos në vitet e fundit. Natyrisht që botimet e fundit sot nënshtrohen ndaj shumë dimensione nga ajo që lidhet me vetë përgatitjet në shtyp pastaj me marketingun, shpërndarjen dhe formën më të re të publikimit të veprave, forma elektronike”, thotë Berisha.
Fillimisht në këtë ngjarje për të folur nga një anë studimore për sa i përket botimeve dhe vlerësimit të letërsisë sot, përkthyesi dhe publicisti, Binak Kelmendi ka prekur qasjen e lirisë jo vetëm brenda shkrimtarëve por edhe atë të mediumeve.
“E sotmja, të paktën sipas perceptimit tim, gjithmonë duhet të ketë qenë më e vështirë sesa e djeshmja. Nuk është këtu për liri e joliri, as për kushte pushtimi e çlirimi dhe as për luftë e paqe. Fjala është për letërsi dhe për letërsinë në kushtet dhe në rrethanat tona. Për botimin e saj në ditët e sotme dhe për vlerësimin që i bëhet kësaj letërsie jo vetëm në këtë kohë pandemie. Dhe nuk ka si të mos mendohet, natyrisht, edhe për brezat që do të vijnë. Sepse edhe ata do ta kenë, të sotmen dhe të djeshmen e tyre sikur dhe të ardhmen e tyre për veprimtari krijuese”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, letërsia, në përgjithësi, nuk ka dje dhe sot, letërsia nuk ka kohë, ajo mund të ketë vetëm vazhdimësi kohore. Prandaj, në vend të kohës, letërsia ka vetëm letërsi. Për këtë dëshmojnë më së miri autorë botërorë të mesjetës, të hershëm e të vonshëm por edhe ata nga antikiteti i kahershëm pasi që vlera artistike e veprave të tyre edhe sot konsiderohet dhe është kulminante, e ndoshta edhe e paarritshme.
“Ofrimi shkrimeve autoriale letrare te lexuesi dhe tek opinioni bëhet përmes botimit dhe shpërndarjes së veprës së shkruar. Botimi, pra, është vetë dhe vetëm finalja e krijimit të një vepre letrare. Ndërsa shpërndarja, shkuarja ose arritja e saj te lexuesi është një rrugëtim tjetër që te ne, në periudhën e pas luftës, ka qenë relativisht vështirë, ndërsa tani, në këtë kohë pandemie, nuk do mend, është bërë edhe shumë më i vështirë. Këtu nuk pse të përmendet decenia e parë e para luftës, kur pushtuesi serb kishte zhbërë të gjitha institucionet tona kulturore dhe kur kultura ndoshta ishte, apo dhe konsiderohej luks, sado që edhe në këtë periudhë të pushtimit të egër, u botuan kryevepra letrare shqiptare filluar nga Fishta e të tjerë me të cilat synohej armatosja shpirtërore për rezistencë, por edhe vepra të reja të krijuesve që për patos kishin poashtu qëndresën”, shpalos ai.
Për të, sot është e vështirë të numërohen shtëpitë botuese që botojnë libra. E me këtë edhe shtypshkronjat që i prodhojnë ato. Ai thotë se prodhohen librat, dhe këtë ai nuk e përdor vetëm në kuptimin pezhorativ. Ky prodhim librash është bërë ose është shndërruar në një industri përfituese, para së gjithash për këta botues, por, ndoshta shumë më shumë, për pronarë, poashtu, të shumtë, shtypshkronjash. Me një fjalë, veprimtaria botuese e printuese sa nuk është shndërruar në veprimtari botore.
“Portalet që në Kosovë janë me shumicë, “harrojnë” ose nduk duan ta dinë se letërsia është ushqimi shpirtëror i njeriut dhe shumë pak merren me trendin letrar në vend. Përjashtim bën portali i specializuar për çështje kulturore “KultPlus” në të cilin pothuaj çdo ditë zënë vend krijimet letrare të autorëve të gjinive të ndryshme. Këtu shpesh botohen edhe kritika, recensione e vështrime dhe vlerësime letrare për botimet më të fundit. Në disa televizione tona nacionale, ka emisione javore përgjithësisht për letërsinë dhe ato shpesh prezantojnë botimet më të reja bashkë me autorët e atyre botimeve. Ndonjë lajm, herë pas here emetohet edhe për botimin e ndonjë libri”, përfundon Kelmendi.
Ndërsa, shkrimtari dhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota, foli rreth mungesës së një strategjie efikase në fushën e kulturës si dhe mungesës së mendimit kritik për librin e ri.
U bënë më shumë se njëzet vite dhe Kosova ende nuk ka krijuar një strategji të qartë dhe efikase në fushën e kulturës, edhe sa i përket botimeve dhe vlerësimit të letërsisë së vet, pothuajse, në të gjitha nivelet, mbase duke filluar nga Abetarja e deri te librat me karakter enciklopedik. Nuk do të thotë se kanë munguar përpjekjet institucionale të disa niveleve udhëheqëse, por nuk është arritur diçka e vlefshme në këtë drejtim që do të duhej të mbahej në mendje, madje të jetë edhe si pikë referimi. Edhe pse në masë jo të mjaftueshme, ndoshta i vetmi përjashtim mund të jetë Ministria e Kulturës, e cila ka arritur në një mënyrë të ofrojë përkrahje në këtë drejtim”, thotë Bashota.
Sipas tij, ka vepra të shumta me poezi, disa në prozë, tepër pak vepra me ese dhe studime letrare, disa sosh me përkthime, ndërkaq përkthimi i letërsisë shqipe jashtë vendit, pra në gjuhë të ndryshme botërore, kryesisht bëhet me nisma individuale të autorëve dhe deri më tani nuk mund të evidentohet ndonjë projekt serioz që udhëhiqet nga institucionet vendore për të prezantuar vlerat e letërsisë shqipe në mënyrë dinjitoze, kur dihet se këto vlera ekzistojnë dhe janë brenda nesh.
“Letërsia shqipe në Kosovë, pothuajse, në të gjitha periudhat e zhvillimit të saj paraqet vlera të rëndësishme në kuadrin e letërsisë shqipe në përgjithësi, edhe pse sot e gjithë ditën mungon integrimi i saj në raport me letërsinë që krijohet në Shqipëri dhe për më tepër, botimi i librit në Kosovë dhe botimi i librit në Shqipëri, mbase edhe në kohë të pandemisë janë dy botë me vete. Ka disa vite me radhë që maksimumi i tirazhit të botimit të një libri në Kosovë është pesëqind ekzemplarë. Tirazhi i një libri me gjithsej pesëqind ekzemplarë që nuk arrin të shpërndahet nëpër bibliotekat e qyteteve të Kosovës apo që nuk e gjen lexuesin e vet përmes formës së shitjes, meqë interesimi për të është minimal apo për disa libra nuk ekziston fare, tregon për anomalitë që janë të pranishme në mjedisin tonë kulturor”, shpalos Bashota.
Për të, brezi i ri letrar, sidomos lexuesi i ri në Kosovë, do ta kenë vështirë të krijojnë përfytyrimin e qartë dhe të saktë për përcaktimin e e gjykimit të tyre: për vlerat që mbesin në heshtje dhe askush nuk merret me to dhe për pseudovlerat që përpiqen ta diktojnë ritmin e kësaj shoqërie, madje jo rrallë tentojnë ta marrin primatin e vlerës përfaqësuese.
“Mendimi kritik profesional për librin e ri, pothuajse, sot mungon. Pra, kritika e përditshme në formë të recensionit, ku bëhet vlerësimi i parë nga kritikët profesionalë për botimin e librit të ri, pa dyshim, se do ta afirmonte vlerën letrare, në njërën anë, por edhe do ta pengonte në masë të madhe vërshimin e pseudovlerave në mjedisin tonë kulturor, në anën tjetër. Misioni i shkrimtarit të mirë sot është përpara një sfide, sepse asnjë shkrimtar në Kosovë, madje asnjë nuk mund të jetojë nga puna e vet në fushën e botimit dhe të shitjes së librit. Ky është një fakt për cilën ka kohë që diskutohet dhe nuk ndërmerret ndonjë veprim që së paku të krijohet një fond institucional për mbështetje financiare të autorëve që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në afirmimin e vlerave të letërsisë shqipe”, përfundon Bashota.
Kështu krejt në fund, biseda u zgjerua edhe më shumë me bashkëngjitjen e Avni Spahiut, shkrimtarit dhe prozatorit, Ibrahim Kadriu dhe poetit Lulzim Tafa, të cilët së bashku me të pranishmit bisedën e dërguan edhe në një nivel më të gjerë e më të afërt, duke krijuar kështu një atmosferë komode mes tyre nën ngrohtësinë shpirtërore të bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery.
Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Leximi dhe biblioteka, Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë, Komunikimi ndërkulturor, Gjuha e shkrimit letrar sot, Letërsia dhe teknologjia, Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.
Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar dy tema si: Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi dhe vlerësimi i letërsisë sot. / KultPlus.com
Ardi erdhi në Kosovë dhe ndenji vetëm katër ditë E mirë qenka liria tha Këtu çdokush bëka çfarë duaka Edhe rryma po u ndalka pa e prek butonin Edhe uji po u ndalka pa e shtypur rubinetin Kontejnerët e bërllokut qenkan nëpër shkallë Fiks liri
Nuk di a është kështu te “Hasan Prishtina” Në kohën time shkonim kokulur në shkollë Nëpër derën e gjerë hynin serbët e serbet duke u kakarisur Mësuesit i prisnin me revole në brez dhe me dorën në revole Ne ulnim kokën Mezi përbiroheshim nëpër derën e vogël Mësuesja na merrte përdore: Mos shikoni andej nga porta e madhe Andej janë ata Po duan të zënë në thua në ne Kanë për të rënë në kokërr të shpinës kanë për ta thyer kokën… e thefshin. Qenka e mirë liria, Nxënësit në shkollë po kaluakan nëpër derën e madhe me këngë tha dhe iku me lirinë tjetër të vet. (tetor, ’21)./ KultPlus.com
Jeta dhe vepra e shkrimtarit të ndjerë, Ramiz Kelmendit, sonte u përkujtua në aktivitetin e pestë me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2” nga PEN Qendra e Kosovës të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast në këtë mbrëmje letrare u shpalosën jo vetëm analizat e ndryshme letrare por edhe momentet nga më të përzemërta të të pranishmëve që kishin ndarë me shkrimtarin, shkruan KultPlus.
Fillimisht, moderatori Haqif Mulliqi, nisi takimin letrar me fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e shkrimtarit e më pas duke ndarë edhe ndodhi nga kujtesa e tij me të.
“Ramiz Kelmendi ka qenë një satirist, një tregimtar, ka shkruar radiodrama, është shquar si bashkë skenarist i filmit “Gjurmë të bardha” me Ekrem Kryeziun, ka shkruar romane, profesor i Universitetit, pra njihet si një personalitet kompleks. Ai ishte edhe një përkthyes i jashtëzakonshëm, i pasionuar me emrat më të shquar të letërsisë botërore”, thotë Mulliqi.
Gjithashtu, i pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për botimin e Kelmendit, të titulluar “Nga ditari im”, ishte edhe shkrimtari Ibrahim Kadriu.
“Emri i Ramiz Kelmendit me dekada ka gjetur hapësirë në të gjitha gazetat dhe revistat tona dhe në raftet e bibliotekave me aq shumë libra origjinal dhe përkthime. Ai paraqet një individualitet të veçantë si krijues e pedagog, duke dëshmuar individualitetin me kreativitet dhe angazhime organizative në krye të edicionit botues të “Rilindjes”, në teatër dhe së fundi si themelues i shkollës së gazetarisë nga e cila kanë dalë kuadro që u bënë kontribuues të mjeteve të informimit. Kur përmend edicionin botues, më kujtohen vitet e fundit të gjashtëdhjetave kur, falë angazhimit të drejtpërdrejt të Ramiz Kelmendit, u pasuruan bibliotekat tona me botimet e Tiranës pikërisht në kohën kur ende merrte frymë politika e etiketimit të botimeve të Shqipërisë”, thotë Kadriu.
Sipas tij, libri “Nga ditari im” si i tillë ka vlerë të shumëfishtë, meqë ngërthehet përmes rrëfimeve të “huazuara” në periudhën kohore prej dekadave, rrëfime që janë të pasuruar me referenca, por edhe me nuanca të asaj përditshmërie që na ndihmojnë ta kuptojmë atë realitet të hidhur përmes së cilit, autorit, i është dashur të kapërcejë gjithnjë me frikën e të ndjekurit.
“Duke lexuar Ditarin, duke shëtitur bashkë me autorin rrugëve kah kishte kaluar ai, më erdhi një si qortim për veten, se nuk e kisha njohur sa duhet, se pata fat (me këtë lexim) ta njihja më të plotë, sado që gjatë këtyre pesë dekadave prej kur këmbenim mendimet dhe përvojat, e kisha të qartë portretin e këtij krijuesi, si figurë komplete e letrave shqipe. Asaj njohjes sime paraprake, faqet e ditarit të tij, i erdhën si dëshmi për të deshifruar shumëçka biografike në veprat e shkrimtarit”, thotë Kadriu.
Për Kadriun, libri “Nga ditari im”, përkundër dilemës së autorit, të shkruhej apo të mos shkruhej, që e thotë në parathënie, është fat që, megjithëkëtë, është shkruar dhe, para lexuesve, del edhe si roman, edhe si dramë, edhe si tragjedi, por edhe si komedi. Për të gjitha këto zhanre ky ‘Ditar’ ka brumë të mjaftueshëm dhe, me atë brumë, i ndihmon teorisë mbi individualitetin e shkrimtarit si protagonist e veprave të veta.
“Kur e kemi parasysh Ditarin, na vjen keq që aq shumë tema të shtruara në faqet e këtij libri në mënyrë fragmentare, nuk janë realizuar si vepra (të tjera) të veçanta. Ndoshta për këtë ka ndikuar tërheqja, për një kohë të gjatë, e shkrimtarit nga shkrimi, e që mund të kuptohej si revoltë për shkak të ndodhurave politike përmes dhunës mbi shqiptarët. Largimi nga krijimi i këtij autori, prandaj, mund të kuptohet edhe si varfërim i letrave shqipe, por ja që, në moshë të shtyrë të autorit, na erdhi botimi: Nga ditari im”, përfundon Kadriu.
Tutje, prozatori, përkthyesi dhe publicisti, Binak Kelmendi foli rreth publicistikës tek shkrimtari Ramiz Kelmendi, duke e cilësuar atë si rilindës i edicionit, rilindës i publicistikës dhe rilindës i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ramiz Kelmendi ka qenë rilindas i “Rilindjes”. Rilindas i edicionit, Rilindas i publicistikës. Dhe Rilindas i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Them se ka qenë rilindas i “Rilindjes” pasi që dy periudha të jetës së vet ia kushtoi kësaj gazete. Fillimin e parë në këtë gazetë e nisi në vitin e largët 1947. Këtë e pohon ai vetë, Ramizi, kur thotë se: unë gazetar jam vetëm dy vjet më i ri se “Rilindja”; kjo lindi më 12 shkurt 1945, e unë botova shkrimin tim më të parë në këtë gazetë – dy vjet më vonë”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, “Letra prej Ulgini” është një korrespondencë e sajuar e gazetarit Ramiz me dy rezidentë të Ulqinit (Muho Ficigi- Muharrem Fici dhe Hajro Doçiqit-Hajrudin Doçit) njohës shumë të mirë të situatës politike dhe të gjendjes së përgjithshme shoqërore të shqiptarëve në Kosovë e në Mal të Zi.
“Është evidente se “Letra pre Ulqini”, tejkalon krejtësisht konturat e rëndomta gazetarore, e do të thosha edhe ato publicistike jo vetëm të kohës kur është shkruar, fundi i viteve të gjashtëdhjeta. Si e tillë ajo mbetet një dëshmi me interes për zhvillimet te shqiptarët në ish-Jugosllavi që nuk ishte veçse një Serbi e madhe me apetite të pashuara për kolonizim e mbisundim ndaj të tjerëve dhe në veçanti me aspirata të qarta antishqiptare. Në fakt, “Letra prej Ulqini”, është një kronikë me frymë e me shpirt e një periudhe katandisëse në Kosovë”, thotë ai.
Për Kelmendin, vepra tjetër “Fytyra dhe turinj” është një përmbledhje polemikash e rilindasit publicist ku Kelmendi, duke u marrë me historikun e polemikës në letrat shqipe, ka përzgjedhur dhe ka analizuar polemika autorësh të njohur shqiptarë që nga mesjeta dhe deri në vitet e 70-ta të shekullit të shkuar.
“Kelmendi jo vetëm shkroi e bëri një kohë të gjatë gazetari. Ai e krijoi edhe shkollën e vet te gazetarisë me emrin “Faik Konica” e cila veproi deri pas çlirimit. Një kohë e botoi edh gazetën “Gazetari’. Ramiz është Rilindas i Edicionit ose i asaj që e njohim si Shtëpia Botuese e Rilindjes. Në kohën e qëndrimit të tij në Edicion, si kryeredaktor, Ramizi theu murin e madh që ekzistonte ndaj librave të botuar në Shqipëri duke sjellë dhe ribotuar në Kosovë tituj që deri në atë kohë konsideroheshin mollë e ndaluar. Pavarësisht se pa prozën e tij, romaneske e tregimtare, pa udhëpërshkrimet e tij, pa dramat dhe pa publicistikën e tij, letërsia, kultura dhe arti ynë, do të ishin shumë më të varfër ”, përfundon Kelmendi.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari, Daut Demaku, i cili foli para pjesëmarrësve për gjuhën unike të shkrimtarit Kelmendi dhe magjinë e tij të të shkruarit.
“Mendoj se vendlindja e shkrimtarit është ka flitet gjuha e tij. Nëse flasim për art, duhet të flitet për magjinë e mençurisë së shkrimit. Nuk besoj se ka në letërsinë shqipe ajo idila erotike, ajo magjia e dashurisë, më shumë se sa në prozën e Ramizit. Ajo që më dhemb shumë, është se nuk po kemi fuqi institucionale e as të iniciativave të shoqërisë civile që të fshijmë pluhurin asaj gjenerate që i ka paraprirë Pavarësisë së Kosovës me të gjitha. Kur e sheh Ramizin, e sheh madhështinë e një rruge që ka shtruar në një mënyrë shumë të bukur artistike. Vajza është më e bukur në jetën e vet kur bëhet nuse, e shkrimtari Kelmendi, gjuhën e ka pasur nuse”, thotë Demaku.
Sipas tij, promovimi i librave të tij për brezat e ri do të ishte një krenari serioze kombëtare ku secili do të thoshte: “I lumi unë që jam shqiptar se paskam pasur dikë para meje të këtij niveli.”
Krejt në fund, nën atmosferën e ngrohtë të rrethuar me muzikë shqiptare, të pranishmit vazhdonin të ndanin kujtime të tyre të cilat mbase edhe do të mbahen mend deri në frymën e fundit të qenies njerëzore.
Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com
Një kishë e vogël ngriste kambanaren mbi një luginë fshati me një përroskë që rrjedhte shpejt pa e humbur kurrë gjelbrimin brigjeve. Pisha e silvi brenda oborrit të rrethuar, duke e fshehur herë pas herë kryqin e vogël sipër, tundeshin vazhdimisht nga era që kurrë nuk dihej saktësisht nga cila anë e horizontit vinte.
Fëshferima e pishave dhe nanuritja e Zojës bënin një melodi përgjumjeje dhe ajo pushonte vetëm kur nga kambonarja tërhiqeshin litarë për të treguar vajtjen e orës ose për të lajmëruar fillimin e një meshe. Zoja, sapo dëgjonte rënien e kambanës, ikte me shpejtësi nga oborri i kishës dhe merrte vrapin teposhtë kodrinës. Askush nuk i shkonte prapa dhe ajo ndalej sapo ndaleshin kambanta dhe kthehej prapë dukur nanuritur tek humbiste brenda kthinave të kishës.
Zojën, të alivanosur, nuk dihej kur dhe nuk dihej kush, e kishin larguar nga oborri. Pastaj, me plagë në trup e me shpirt ndër dhëmbë, ajo shumë shpejt iku nga katundi. Askush nuk dinte si dhe me kë. Më vonë u tha se ishte strehuar diku në Perëndim. Në një shtet që kishte ndihmuar çlirimin e Kosovës dhe që kishte dërguar fill përfaqësuesit e vet në Prishtinë dhe në qytete tjera të Kosovës. Edhe në vendin ku i ishte bërë përdhunimi i Zojës.
Në atë vend të atij shteti , Zoja, natë e ditë rri në qelën e një kishe.
Bukë dhe ujë i sjell murgesha të cilës Zoja ende nuk ia ka mësuar emrin. Murgesha çdo ditë ia sjell edhe foshnjën, fëmijën, djalin, vajzën. Ajo nuk e di ende e ç’gjinie është pjella e saj, rri shumë indiferente ndaj saj dhe se si e shikon, gati me hidhërim pothuajse e shikon. Në të vërtet Zoja shikon anash për të mos e parë pjellën e saj. E di që e ka pjellë, e di si e ka lindur dhe ç’është më së keqi, e di me kë e ka ngjizur. Jo, në fakt ajo nuk e di se me kë e ka ngjizur, sepse kishin qenë aq shumë ushtarë e policë sipër saj…
-O Zot, më fal, nuk e di si ndodhi ashtu. Kuku, të mos më dëgjojë burri, medet për mua! Jo, nuk ka si të më dëgjojë, është vrarë, ku më kanë mbetur fëmijët, djemtë, vajzat , o Zot… pse u bë ashtu dhe si u bë ashtu?, përsërit disa herë në ditë Zoja duke shikuar qiellin dhe duke mbuluar fytyrën tek vazhdon të bëjë se nuk e sheh fëmijën e saj lidhur me shpërngenj.
Pastaj, pa folur fare, murgesha e merr fëmijën.
Kur murgesha largohet me fëmijën në parzmë, Zoja e shikon nga larg.
Murgesha pastaj ia sjell sërish beben.
Zoja e mëkon fëmijën, duke i dërguar sytë në qiell, e mëkon sikur të mos ishte fëmija i saj, shumë ftohtë, pa ia fërkuar kurrë kokën, pa ia shikuar kurrë sytë, pa ia parë kurrë fytyrën, pa ia prekur kurrë doçkat, pa ia gudulisur kurrë barkun. Një grusht mishi i gjallë e shumë i vogël që herë qan dhe herë nanurit pa
ditur gjë. Pa ditur kurrë a ka pasur apo jo luftë, dhe fundja, pse ka pasur luftë. Një fëmijë që madje nuk di gjë as për dhembjen dhe as për urrejtjen e nënës.
-Urrejtje?
Jo. nuk e urrej. Është gjak imi, është mish imi … nuk kam çfarë të bëj. Gjashtë muaj e kam shtrënguar barkun të mos më shihej i fryrë. Shokën e burrit e kam lidhur rreth e rreth brezit, e kam shtrënguar me tërë forcën që kam pasur, sipër vrimës ku zuri jetën ky fryt, për ta bërë të vogël barkun tim, për ta bërë të paparë frytin që megjithatë rritej. O Zot, sa vështirë që ishte, o Zot pse ma rrisje ashtu këtë foshnjë?, bërtiste me tërë zërin Zoja duke shikuar nga korridori i errët nga dëgjohet ecja ritmore e murgeshës tek zvogëlohej bashkë me hijen nëpër mure.
Gjatë gjithë kësaj kohe murgesha i rri pranë duke shikuar mimikat dhe gjestet e saj. Zoja prek vetëm shpërngenjtë e foshnjës, mbulesën e saj dhe sado që ndien erën e ëmbël të saj, gjakun dhe mishin e vet, përpiqet ta mbajë sa më larg që mundet, por gjithnjë në duar. Pastaj murgesha pothuaj ia rrëmben foshnjën. E shpie dikund tjetër.
Athua ku?
Zoja nuk e di. Madje as që do ta dijë.
Megjithëse një herë ishte përpjekur të merrte vesh ku i shpihej foshnja. E kishte shikuar murgeshën përmes plasave të qelës. Por errësira kishte qenë shumë e madhe në oborrin me kalldërm të kishës. Pastaj ajo kishte hyrë në korridorin e gjatë dhe të ngushtë. Dhe Zoja nuk kishte mundur të dallonte dot as siluetën e zezë të murgeshës me beben që e tundte në duar duke ndeshur pothuaj qiparisat ndanë kalldërmit.
Zoja nuk e di ende në është mashkull a femër pjella e saj. Ndosha nuk do ta marrë vesh kurrë. Nuk ka dëshirë as ta dijë. Edhe pse, thotë më vete, po të jetë femër, mund të më ngjajë mua. E po të jetë mashkull, a mund t’i ngjajë atij?! Mos o Zot!, bëri duke mbajtur kokën me dy duart. Nuk kam ç’të bëj, nuk e di si ndodhi… Nuk di si më ndodhi… ndërsa murgesha tretet krejtësisht në errësirë duke lënë prapa hapat e vet të beftë dhe krismën e dyerve të hekurta të kishës që mbylleshin me rrapëllimë njëra pas tjetrës.
Pjella ime? Bërrrrr, bëri Zoja. Ajo, ai, nuk është pjella ime. Ajo, ai, nuk mund të jetë pjella ime. Unë nuk di si është bërë. Nuk e di si është ngjizur. Në atë ditë të zezë.
Pastaj Zoja mbyll sytë.
Zoja pasataj pa qiellin. Ende ishte i zi nga tymi ose nga retë.
Ajo hapi sytë dhe shikoi tmerrin.
Zoja, pastaj, pasi mbylli sytë që po i nxjerrnin lot e gjak. Kot bënte përpjekje për ta larguar atë lukuni ushtarësh që i versuleshin sipër me komandën “Bëjani atë punën srpski, mos kurseni asgjë, le të shohin sa të fortë jemi edhe në seks”.
Me fal o Perëndi, për këtë mëkat që kam bërë pa dashje, me dhunë… nuk desha, nuk munda të shpëtoja. Ata ishin shumë, unë vetëm një. Nuk di as shoqet ku më mbetën dhe nuk e di a shpëtuan nga këta të pashpirt, nuk kisha ç’të bëja… Dhe Zoja nis sërish të qajë.
Murgesha kthehet me foshnjën në duar duke qeshur ose duke nanurisur fjalë që Zoja nuk i kupton dot. Zoja e mëkon sërish, ia prek shpërngenjtë dhe shikon larg, shumë larg shikon,” atje nga shkojnë sytë, atje, thotë, atje shumë larg përtej reve e qiellit, në tokë, në oborrin me shtëpinë djegur, ka ndodhur ngjizja”. Pastaj e merr foshnjën nga murgesha dhe menjëherë pendohet, i thotë:
-Ma heq sysh. Nuk është imi. S’e kam bërë me dëshirë. Ma kanë bërë me dhunë. O Zot, si nuk i pave ata ç’më kanë bërë, pse s’i ndale, unë nuk mund të bëja asgjë…
Murgesha e shikon me dhembshuri, ia prek flokët, ia ndreq në ballë.
Zoja mbulon fytyrën me flokë dhe me duar. I vjen turp edhe nga murgesha.
Murgesha, pasi e shikon sërish me dhembshuri, e merr foshnjën në parzmë, i këndon me zë të vogël një ninullë të gjatë dhe niset të ecë rrugës së njëjtë të kalldërmit.
Zoja, me shikim ndërmjet flokëve, e ndjek me shikim derisa murgesha hyn në kishë.
Pastaj bien kambanat dhe ajo merr vrapin përpjetë kodrinës.
Kambanat ndalen dhe ajo kthehet te qela.
Aty sërish është murgesha me foshnjën.
-Duhet të pagëzohet foshnja. Mjaft ka ndenjur pa emër. Nuk bën të rrijë njeriu pa emër. Te Zoti secili shkon me emër dhe me bëmen e vet. Vija a emrin më. Duhet të pagëzohet. Nesër ti me foshjnë duhet të vish tek altari. Aty bëhet pagëzimi i fëmijës. Nesër. Nuk ka më kohë. Është mëkat të mbash fëmijë pa emër. Edhe nëse është bërë e ngjizur pa dashje e me dhunë e përdhunim. Zotin e ke dëshmitar për të gjitha këto, thotë murgesha.
Zoja mbërthen kokën me duar dhe ia nis vajit të heshtur.
Foshnja lëshon një klithmë të madhe dhe ia nis edhe ajo një vaji idhnak.
Pse nuk ma vë emrin.
Ashtu dëgjon ose i bëjnë veshët Zojës.
Pse më ke bërë pra?
Kuku bën, Zoja.
Unë jam yti.
Kuku, bën Zoja.
Murgesha pastaj e merr foshnjën duke pyetur me lutje:
-Vendos më cilin emër do t’ia lësh? Apo mos do që unë t’ia vë emrin?
Zoja nuk flet ose flet diçka që nuk e kupton murgesha.
-Është hera e fundit që ia ndërron emrin. E di sa herë ia ke ndërruar deri më tash? Vendos më! U bë gjatë që fëmija nuk ka emër. Është mëkat të rrijë shumë kohë pa emër.
Zoja sërish qan.
Qan edhe foshnja.
Zoja kthehet në qelë.
Murgesha merr foshnjën e Zojës në parzmë dhe hyn në kishë. / KultPlus.com
Ditë më parë, në botim të PEN Qendrës së Kosovës, doli nga shtypi libri më i ri me tregime i Binak Kelemnedit, një vëllim ky që përfshin gjithsej 20-të tregime.
“Dritat e Luftës” nga Binak Kelmendi është një kronikë artistike letrare që ndërlidh tri epokat më të të vonshme të historisë sonë: Atë të paraluftës, të luftës dhe të pasluftës së fundit.
Tregimet, sado që të tilla, në fund bëjnë një epokë dhe një cikël të vetëm, atë të bashkëkohësisë sonë nëpër të cilën defiluan dhe defilojnë njerëzit tanë: Në lufte, në paqe dhe në pasluftë.
Rrëfimet, ngjarjet dhe ndodhitë e perzonazheve në këto tregime shpërfaqen me narracionin e veçantë të autorit pa simbolika të posaçme por me një dretpërdrejtshmëri autoriale që spikat pothuaj në secilin nga to.
Tregimet e Kelmendit nuk janë të ngarkuara me personazhe. Në të shumtën e rasteve boshtin e tyre dhe si dhe vetë syzhenë e tyre e bën vetem një personazh. Kështu, autori, duket ta ketë më gtë lehtë, t’i mbajë në duar frerët e të gjitha zhvillimeve.
Ajo që i bënë më karakteristikë këto personazhe_(Halili, Zhuji, Saku, Batua, etj) është se pothujase asnjëri nga ata nuk është kryehero që ka bërë ose që bën historinë. Janë njerëz të rëndomtë që e duan jetën e lirë dhe pa pushtues dhe që për këtë dashurie japin edhe jetën ese.
“Dritat e Luftës”, shënon një hap më tej në formësimin e autorit si prozator.
Tregimet e kësaj përmbledhjeje shquhen me një stil e gjuhë te rrjedhshme e të pasur, karatkteristikë e Kelmendit edhe në veprat tjera letrare të tij. Ndërkaq, kjo është edhe pëmbledhja e tretë me tregime nga Kelmendi.
Ky autor ka të botuar edhe katër romane ndërsa merret poashtu me përkthime nga gjuha frënge në atë shqipe nga e cila ka botuar disa vepra. / KultPlus.com
Këto ditë ka dalur nga shtypi libri i titulluar ‘Ora e Shkrimtarit’, i cili vjen si rezultat i projektit me po të njëjtin titull. Aktivitetet këto që janë mbajtur në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, nga 13 tetori deri më 19 nëntor 2020, shkruan KultPlus.
Ky libër është rezultat i aktiviteteve kulturore, të cilat u organizuan nga PEN Qendra e Kosovës, me qëllim të përkujtimit të vlerave krijuese të autorëve të njohur të letërsisë shqipe, si dhe prezantimit të po këtyre vlerave letrare, estetike, kritike e të tjera, për lexuesit e sotëm.
Krijimtaria e shkrimtarëve, siç janë: Esad Mekuli, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi, është trajtuar dhe vlerësuar nga kritikë dhe studiues të letërsisë shqipe si: Milazim Krasniqi, Haqif Mulliqi, Avni Spahiu, Anton Berishaj, Osman Gashi, Binak Kelmendi, Naime Beqiraj, Ibrahim Berisha, Ibrahim Kadriu, Gëzim Aliu, Sali Bashota, Lindita Aliu-Tahiri, Adil Olluri, Agron Gashi, Blerina Rogova-Gaxha, Dije Demiri-Frangu dhe Nerimane Kamberi.
“Ora e shkrimtarit” e cila për kryeredaktor të botimeve ka Binak Kelmendin dhe kryeredaktor Sali Bashotën, është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Bëheshin shumë javë që ti po mendoje gjatë dhe shumë rreth disa shkronjave dhe numrave të skalitur në një gur varri në Kodrën e Varrezave pak sipër katundit Bogë që i kishe parë dhe shikuar sa herë kishe kaluar i heshtur andej. Dhe, në një ditë vere, ti shkove sërish te varri dhe u solle vërdallë tij disa herë.
“Do ta zgjidh këtë dilemë”, i the vetes.
Frynte një erë e madhe dhe ajo e shtrinte pothuajse krejtësisht për toke barin e rritur. Ti e prisje momentin për ta zënë te rrënja gurin e gjatë dhe shpatuk që zbulohej nga fijet e barit që të bëje sa më shumë foto të gurit të varrit. Nuk dëshiroje të shkulje barin rrëzë gurit sepse të dukej se ashtu do të shkulje eshtrat e të varrosurit pranë gurit. Ishte vetëm një gur dhe askund nuk vërehej ngritje dheu afër. Varri ishte rrafshuar me tokë, sikur të mos kishte qenë kurrë.
“E po janë bërë shumë vite që nga varrimi i tij nga ajo kohë”, the më vete duke e zënë me fotoaparat tërë gjerësinë dhe lartësinë e gurit të varrit.
Pastaj u ndale të shikoje fotot dhe t’i analizoje e krahasoje ato me skalitjet e shkronjave dhe të numrave në gurin e ngulur në tokë me barin e gjatë përreth tij,
“Halil Alia Dembogaj”, lexove një për një shkronjat.
“1839-1898”, i bëre bashkë numrat.
Dhe iu qase sërish gurit. Një gur shpatuk, pothuaj i rrumbullaktë sado që mjaft I lartë, rrëzë rrugës me baltë të rrethuar me drunj, paksa i larguar nga varret tjera me gurë të vegjël e të bardhë … E fërkove me duar, pothuaj e ledhatove gurin duke bërë edhe ca foto të tij nga lartë-poshtë.
“…Gjyshin ma kanë vrarë ata, serbët. Ishte afër t’i bënte gjashtëdhjetë vjet. Ata, serbë, nuk e lanë t’i bënte. Gjyshi ishte duke i ruajtur delet, i ka pasur mbi 500 dele, bardhoka, syka, gala… secila më e mirë se tjetra, kur ia behen ata…”.
Ata, babai kështu i quante serbët.
Ti u ndale ta shikoje babanë që fshiu fshehtas sytë për të vazhduar rrëfimin me zërin e dridhur:
“…Vetëm gjyshi kishte mbetur në shtëpi. Në të vërtetë vetëm gjyshi kishte mbetur te vatha sepse shtëpinë dhe çdo gjë tjetër e kishin djegur ata, serbët. Kur e kishin vrarë gjyshin ata, serbët, delet kishin blegëruar të shqetësuara dhe e kishin rrethuar të rrëzuarin dhe kishin filluar ta lëpinin. Ata, serbët, pastaj kishin shtënë edhe në dele sipër gjyshit dhe tri-katër dele kishin rënë mbi trupin e tij. Pastaj ata, serbët. e kishin rrotulluar me këmbë dhe e kishin vërtitur trupin e gjyshit dhe trupat e deleve të vrara kodrinës teposhtë. Trupat ishin ndalur te rrënjët e një panje… Pastaj delet tjera i kishin vënë përpara dhe duke ikur e kishin lënë katundin pasi ua kishin futur flakën të gjitha shtëpive.., Nuk dihet kush, kur dhe si e ka varrosur gjyshin tim. Katundi kishte mbetur pa burra. Thuhet se në atë kohë kam lindur unë, një vit pas vrasjes së gjyshit, apo në vitin që u vra gjyshi. Në vitin 1898”…
-Halil, thirri pastaj babai.
Vëllai i madh u ngrit në këmbë.
-Ti e ke emrin e gjyshit tim, foli babai.
-E di, bëri Halili me kokë.
-Ma sill lahutën!, t’u drejtua pastaj ty.
Ti mezi e hoqe lahutën nga gozhda.
Babai dhe vëllai qeshën: Edhe pak e u rrite, të thanë,
Pastaj babai nisi këngën për Mujin e Halilin.
Ti dëgjoje, Halili i ndihmonte herë pas here me zë.
-Ke zë të mirë, i tha babai dhe Halili të shikoi…
…Në majin e vitit 1999, ti ishte në Tiranë. Refugjat. I dëbuar. I ndjekur. I ikur. Nuk dije si ta quaje veten. Në një natë, duke kërkuar që ta gjeje me tamam se çfarë dhe cili ishe nga ata katër emra, nuk të merrte dot gjumi. Në mesnatë ose dhe më vonë cingëroi telefoni.
-Jam unë, tha zëri përtej aparatit.
-Të njoha, i the. Hë, di gjë për Kosovën, për Pejën, Llabjanin e saj?, e pyete pas pak.
Zëri heshti.
-Folë, di gjë, e lute me përgjërim ti.
-Halilin e kanë vrarë serbët, dhe zëri larg nisi dënesat.
Ti e mbylle me dorë kufjen të mos dëgjoje vajin tutje aparatit. Pastaj e vare kufjen dhe dole në oborr. Shikove qiellin dhe yjet në të. Dhe ia plase vajit.
“Ata. Serbët. Ata. Prapë serbët.Prapë ata. Njëjtë. Pas 101 vjetësh. Vrasje e re e një Halili tjetër. Afër shtëpisë së tij”.
…Pas vrasjes, ata, serbët, ia vunë flakën shtëpisë së Halilit. U dogj çdo gjë, edhe lahuta, edhe fotot e babait. Tri plaka që nga rruga shikonin flakët me shami të hequra nga koka duke mallkuar ata, serbët, u urdhëruan nga ata, nga serbët, të bënin varrimin e Halilit në livadh, sipër shtëpisë së djegur në Llabjan, jo në varrezat e katundit…
Varrimi i dytë i Halilit u bë në gushtin e vitit 1999. Tre muaj pas vrasjes së tij, më 2 maj 1999 dhe dy muaj pas dëbimit, ikjes dhe zbimit të atyre, serbëve.
Ti kishe ardhur nga mërgimi, Alzasi.
Te varri u sollën tri kurora për Halilin: Dy paksa të vjetra dhe paksa të grisura që ishin marrë nga vendi i vrasjes dhe nga varri i parë i Halilit. Kurora e re ishte për varrin e dytë.
-Halili ka qenë i madh, s’e ka zënë vetëm një varr, ngushëlloi dikush.
Nuk pati fjalime atdhetare.
Edhe ti heshte.
Madje nuk i falënderove as pjesëmarrësit e varrimit. Lëshove tre- katër lot në arkivolin që e fshive më pas, hodhe një grusht dhe mbi varr dhe bëre shumë fotografi të dërrasës si piramidë që mbante shënimet për vitin e lindjes dhe të rënies së Halilit mbi varrin me dhe të freskët:
“Halil Ali Kelmendi.”
“1941-1999.”
Bënte vapë dhe bëheshin varre të reja për të vrarët tjerë.
Ti ike duke shikuar përtej bjeshkëve të murrme dhe te varri i sapombuluar.
Dy Halilat rrinin nën dhe, 40 kilometra larg njëri- tjetrit. Dhe ti aty për aty mendove se të vdekurit flasin me njëri –tjetrin. Sidomos Halilat e babait tënd dhe Halilat e tu.
Qajte edhe njëherë dhe pastaj fotot e varreve të dy Halilave i fute në çantë dhe fole më vete: Fatet e dhe emrat e njerëzve përsëritën. Sikur ditët e javës dhe sikur muajt e vitit.
“Sidomos fatet tragjike”, bëre më vete duke i futur fotot e varreve të Halilave në çantë.
“Dy Halilat e mi”, bërtite me tërë zërin.
Të gjithë të shikuan me habi dhe me frikë. T’u duk se thanë: “Qenka çmendur”.
Ti u përgjigje: Të çmend, si nuk të çmend lufta. Sidomos kjo luftë që ka zgjatur 101 vjet, edhe më shumë, madje. Dhe nuk dihet se a do të përfundojë.
Me kokën nga varri i ri, pa shikuar askend, more rrugën për në Prishtinë.
Në Ulpianë, në banesën tënde, sërish u ndeshe me gjurmët e atyre, të serbëve: Aty, ata, serbët, kishin grisur shumë libra, i kishin lënë pa kopertina nëpër dysheme dhe kishin marrë çdo gjë tënden. Edhe kompjuterin ku e kishte pasur të skicuar pemën e familjes tënde me dy Halilat dhe shumë të tjerë të vrarë nga ata, nga serbët…
Nga përmbledhja me tregime “Dritat e Luftës” që së shpejti del nga shtypi./ KultPlus.com
Jusufi i këngës, i lapsit e letrës, shkrimtari e poeti, zëri i këngës shqipe, por edhe veprimtari i çështjes kombëtare, për disa minuta që ishin pak, u bë i gjallë në mesin e të pranishmëve që kishin zënë karriget për të marr pak nga ajo që Jusufi la pas. Dikur fëmija i një fshati të vogël, kurse sot një ndër krenaritë më të mëdha, Jusuf Gërvalla, shënoi një tjetër përkujtim, natën e dytë të nëntorit, në ambientet e ngrohta të KultPlus Caffe Gallery, në kuadër të Orës së Shkrimtarit të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.
“Lajmin për vrasjen e Jusufit e mora në Algjer ku gazetarët shqiptarë të Kosovës me gazetarë jugosllav qëndronin për një vizitë. Dhe lajmi më shokoi shumë. Por më shumë se lajmi më pati shokuar gëzimi i gazetarëve të Beogrdit tek flisnin me britma ngazëllimi rreth vrasjes së tij”, tha kështu Binak Kelmendi, teksa bëri hapjen e ‘Orës së Shkrimtarit’, natës së Jusufit e veprës së tij.
Ndonëse me një fat tragjik, Jusuf Gërvalla i fali letërsisë shqipe poezi, përkthime e romane që i qëndruan kohës, po njëlloj si vetë figura e Jusufit. Por, për poeten Naime Beqiraj, Jusufi, sikur të mos kishte një fat të tillë, Jusufi krahas letërsisë, do t’i dhuronte artit edhe vetë kombit shqiptar një shije ndryshe për muzikën, zëri tij do t’na bënte të dashuronim rishtas.
“Por, u këputën krahët e poetit për tu kthyer në një marathonomak, një luftëtar që nuk u harrua asnjëherë. Brezat u ndërruan, emrat u harruan, edhe mbiemrat, por letërsia mbet. Ashtu siç mbeti i ri, vetëm 36 vjeçar – Jusuf Gërvalla”, tha me zërin përplot emocione poetja.
Beqiraj theksoi faktin se poezia e Jusufit, e rikthen lexuesin në fëmijërinë e vet autorit. Sipas saj, sikur Jusufi t’i përkushtohej më shumë poezisë, sot nën emrin e tij do të ishin të jetësuara poezi edhe më të arrira.
“Mjeshtër i përzgjedhjes së fjalëve, i ndërtimit të togfjalëshave, Gërvalla, po t’i ishte përkushtuar poezisë, sot do të kishim nën emrin e tij krijimtari të bollshme e poezi edhe më të arrira. Fëmijëria, herë e nxjerrur jashtë hullinave, herë e thelluar në hullinat e saj bashkë me hithërat që ia djegin këmbët fëmijës ëndërrimtar, e risjellin në një ditë kur do ta ndiqte rrugën e dëshirave të veta, do të bëhej poet plot muzikalitet kur do të shkruante për fëmijërinë”, shtoi ajo.
Jusuf Gërvalla nuk shkroi vetëm për fëmijërinë, fjalët që hidhte në letër nuk i dhanë jetë vetëm fshatit ku ai jetoj jetën. Fëmijës të kullës së Dubovikut, të pashlyer në kujtesë, e mbi të gjitha kujtimet e veprimtaritë e tija, qëndronte Nëna Ajshe.
E për poeten Beqiraj, pikërisht nëna e Jusufit ishte ajo që u kthye në simbol të qëndresës, Ajshen që lexuesi para se ta njihte si qënderstari, u njoftua me Nënë Ajshe, personazhin poetik, të letrave, poezive e këngëve të Gërvallës.
“Ajo grua e cila u kthye shënjesë e qëndrestarisë, ishte person i gjallë, i prekshëm, ajo grua e cila pas vrasjes së të bijëve, e dyfishoi ashtin e qëndresës e të kujtesës dhe u bë ngushllimtare e qindra nënave shqiptare që i humbën bijat e bijtë për ta luftuar armikun. Nënën Ajshe, lexuesi, më parë e njohu si personazh poetik, pastaj si qëndrestari”, theksoi Beqiraj.
Naime Beqiraj shtoi se Jusuf Gërvalla mbetet poet, shkronjës e artist. Ai arriti që ti shoqëronte vargjet e tij me atmosferë muzikore, përshkrimi i të cilave krijoj në mënyrë vizuale katër dimensione. Ai ishte autori modern i kohës, por edhe një këngëtar modern i tingujve.
Poetja vuri në pah faktin që ndonëse për vrasjen e Jusufit është shkruar shumë, madje janë krijuar edhe dokumentar, këngë e intervista, fati i krijimtarisë së tij poetike ishte ndryshe. Kompleti i librave të tij që u botua një herë të vetme, sot nuk arrin të gjej vend në librari, e të rralla janë rastet kur ato i gjen në bibliotekat publike.
“Veprimtaria ta quajmë atdhetare, jetën e Jusufit e ndau në dysh. Përgjatë këtyre gati katër dekadave është shkruar aq shumë për aktin e vrasjes së Jusufit me vëlla e me shok, janë punuar dokumentarë, janë bërë këngë e intervista, akademi e komemoracione, tubime e përvjetorë, janë shkruar libra: romane, novela, drama e mijëra poezi, por është botuar vetëm një herë kompleti i librave të tij. Librat e Jusufit nuk gjenden as në librari, e rrallë në biblioteka publike”, përfundoi poetja, Naime Beqiraj.
Ndërkaq Agron Gashi tha se Gërvalla më mirë se kudo tjetër, la gjurmë në poezi. Sipas tij poezia e Jusuf Gërvallës vie me e pasur me figura, por edhe më e pasur për nga ana stilistike.
“Jusuf Gërvalla më mirë se ku tjetër la gjurmë në poezi. Poezia e Jusuf Gërvallës parë në kontekstin kohor a hapsinorë, përgjithnjë vjen më e ardhun si nga figuratika në t’menduem, ashtu edhe për nga stilistika në të shprehun, gjithnjë duke latue vargun e shkri fjalën”, pohoi Gashi.
Tutje ai shtoi se Gërvalla ishte edhe erudit, veprat e të cilit vënë në pah figurën shumëdimensionale të tij. Sipas tij vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij që ka mbetur gjallë në jetë, zëri prej këngëtari, poeti, prozatori, kitaristi e piktori.
“Jusuf Gërvalla ishte erudit. Vepra e tij, duke qenë e gjerë dhe e larmishme, vë në pah figurën shumëdimensionale të tij, si publicistin e regjur e këngëtarin e ndejës së hollë. Në tanësi, vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij i mbetur gjallë në jetë, është zani i tij prej këngëtari, poeti e prozatori, kitaristi e piktori, është zani i thelllë i medituesit të madh”, përfundoi Agron Gashi.
Përkujtimi për Jusuf Gërvallën ishte mbrëmja e gjashtë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një mbrëmje që ngërtheu shumë emocion e nostalgji.
PEN Qendra ka paraparë edhe katër mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim./ KultPlus.com
Autori ikonik i letërsisë shqipe, Anton Pashku, shkrimtari i letërsisë së shekullit njëzet u përkujtua sonte në ambientet e KultPlus Caffe Galery, në kuadër të “Orës së Shkrimtarit” të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.
Diskutimi mbi jetën dhe veprën e Pashkut filloi me fjalimin hyrës të moderuesit Binak Kelmendi, i cili tha se Pashku shquhet për stilin e tij karakteristik dhe për ngritjen kundër normave që ekzistonin në atë kohë.
“Antoni shquhet për stilin e tij karakteristik, modelin që e kishte vetëm ai për shpërfilljen e normave letrare që atëherë aplikoheshin ose zbatoheshin nga krijues të ndryshe, krijues të kohës dhe ai ishte hapur, ose fshehtas bashkë me një grup tjetër intelektualësh kundër normave të realizmit socialist”, theksoi Kelmendi.
Ndërkaq profesori Anton Berishaj gjatë fjalimit të tij mbi veprën kolosale të Anton Pshkut tha se do të fokusohet në veprën ‘Oh’ të Pashkut, me të cilën ai kultivoi trashëgimi të madhe.
“Unë sonte do të fokusohem në romanin ‘Oh’ të Pashkut, me të cilin ai kultivoi trashëgiminë e dadaizmit dhe surrealizmit, trashëgimi kjo që besohet se ishte kyqe në poetikën e Pashkut. Tre kategoritë që janë përdorur shumë në poetikë nga Pashku janë loja, ëndërrimi dhe shkrimi automatik si trashëgimi e surealizmit”, tha ndër të tjera Berishaj.
Shkrimtari Adil Olluri tha se ndonëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vjet që prej herës së parë kur kishte lexuar tregimin ‘Kulla’, për të ky tregim mbetet tregimi më i bukur i prozës së shkurtër shqipe.
“Megjithëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vite nga leximi i parë, ende kam qëndrimin tim se tregimi ‘Kulla’ është një nga krijimet më të bukura të prozës së shkurtër shqipe. Një krijim imagjiantiv simbolik që mund të lexohet nga kënde të ndryshme, gjë që e bënë krijim të arrirë”, pohoi Olluri.
Ai ka shtuar se rrëfimi i Anton Pashkut në të shumtën e rasteve është rrëfim asociativ sepse ka si armë të fortë idetë që janë gjëja parësore e letërsisë së shkrimtarit.
“Rrëfimi i Pashkut në prozën e tij të shkurtër në të shumtën e rasteve është rrëfim asociativ, jo i drejtpërdrejtë, dhe tregimet e tij janë tregime të ideve, sepse përveç reprezentimit figurativ e stilistik, armë e fortë e tregimeve të Pashkut janë pikërisht idetë, që shpesh herë janë lënë në plan të dytë nga interpretuesit e teksteve të tij për t’u trajtuar forma dhe struktura letrare e tregimeve si gjëja parësore dhe shpeshherë edhe e vetme e letërsisë së këtij romani”, ka thënë shkrimtari Olluri.
E pranishme gjatë kësaj nate ishte edhe e bija e vetme e Pashkut, Lule Pashku e cila e konsideronte përkujtimin për babain e saj si një ndjenjë të bukur sepse siç tregoi ajo, ai ishte nga ata shkrimtarët që ka punuar shumë dhe çdo herë ka përkrahur personat që kanë pasur dashur për artin.
“Është ndjenjë e mirë që kohë pas kohe të përkujtohet meqenëse ai me të vërtetë ka punu shumë, ka qenë një njeri që e ka dashtë shumë artin edhe njerëzit të cilët janë marrë me artin i ka përkrahë gjithmonë. Ai ka pas diapazon te gjere te dijes, pavarësisht qe ishte shkrimtar njohurit e tij ishin të gjëra edhe për degët e tjera të artit. Ai i ka përkrah të gjithë, sidomos ata që ju kanë qas, mirëpo mua më erdh mire që pash njerëz që ishin mirënjohës për atë pjesë”, tha për KultPlus Lule Pashku.
Ajo ka shtuar se është krenare që ka pasur një baba si Anton Pashku, sepse ai nuk ka qenë një baba autoritativ, por mbi të gjitha ai i ka udhëzuar çdo herë. Sipas saj Anton Pashku ka qenë një shpirt i madh.
“Unë jam krenare që kam pas baba meqenëse ka pasë shumë vlera, përveç këtyre letrare ai edhe si njeri ka qenë shumë i formuar, nuk ka qenë nga ata prindërit tradicional e të pasurit autoritetin në shtëpi. AI na ka mësu me e ngrite zërin kur nk na ka pëlqyer diçka, ai çdo herë na ka udhëzuar por nuk ka paneguar që të shprehim mendimin tonë. Ai ka qenë një shpirtë shumë i mire, shumë i madh edhe shumë i bardhë. Më vie mirë që e përkujtojnë dhe e falenderojnë për punën e tij”, ka përfunduar Pashku.
PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe gjashtë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi të cilat do të mbahen javëve në vazhdim./ KultPlus.com
Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u jetësua figura e Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili për publikun erdhi në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës. Për të nderuar figurën e Rugovës, në panel ishin të ftuar Lindita Tahiri dhe Avni Spahiu nën udhëheqjen e Binak Kelmendit, të cilët me lavdatat më të larta shpalosën figurën letrare e politike të Rugovës, shkruan KultPlus.
Mbrëmja filloi me fjalimin e Binak Kelmendit, i cili duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve, i njofti ata ndër të tjera se në këtë mbrëmje kanë tentuar të paraqesin veprën letrare e politike të Ibrahim Rugovës.
Kelmendi cilësonte se Ibrahim Rugovën, është letërsia ajo që e ka ndihmuar të merret me politikë. ‘Ai ka vepruar ashtu, sipas meje, që kur ishte në krye të gazetës ‘Bota e Re’, asaj rebeles dy javore të shkruar të rinisë (qysh e quaj unë) të Universitetit të Prishtinës, ku shkruante për plakun me mjekër të bardhë që e kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë’, theksoi ai
Kelmendi poashtu konsideronte se kthesa vendimtare drejt politikës te Rugova vërhet tek libri i tij ‘Refuzimi estetik’. Ku sipas tij, ky liëbr i Rugovës ka filluar të shkruhej pak para demostratave të vitit 81, ndërsa është botuar në vitin 87. Qëllimi dhe porosia e librit, siç theksonte ai, është e qartë -Refuzimi. Dhe, më i miri e më i përqafuari është ‘Refuzimi estetik’.
‘Aludimi i Refuzimit në këtë libër është i qartë, refuzimi i shtetit dhe i pushtetit pushtues së Serbisë që copë copë vazhdonte ta zhvishte Kosovën edhe nga ato pak atribute shtetërore që i kishin mbetur në ish-Jugosllavi’, potencoi tutje Kelmendi.
Kelmendi ndër të tjera tregoi për Rugovën, se si ky i fundit shpesh kishte pasur edhe ballafaqime verbale me disa kolegë, me shkrimtar serb të, konfrontime këto që siç tregonte Kelmendi, për pak sa nuk ishin shndërruar edhe në konfrontime fizike.
Dje ndërroi jetë gazetari dhe studiuesi i njohur i letërsisë Ramadan Musliu, për të cilin të gjithë të pranishmit mbajtën një minutë heshtje, duke nderuar kështu figurën dhe kontributin e të ndjerit.
Fjalën e mori më pas Lindita Tahiri, e cila e lartësonte veprën letrare të Rugovës, e cila cilësonte se Rugova përmes shkrimit synonte lirinë. Ajo ndër të tjerat tregonte se si vitet e 70-ta kur Ibrahm Rugova u mor me teori dhe kritikë letrare sollën ndryshime të mëdha në këto fusha, duke i ndërthurur studimet letrare me gjuhësinë, filozofinë, sociologjinë, psikologjinë, antropologjinë etj, drejt ndërdisiplinaritetit nganjëherë vështirë të pranueshëm për studimet klasike letrare që aso kohe dominonin në mjedisin tonë.
‘Edhe pse kur flitet për figurën e Rugovës, rëndom flitet për ndikimin e tij në mendimin politik të shqiptarëve, dua të theksoj se ai bëri një ndikim po aq të fuqishëm dhe një orientim vendimtar në zhvillimin e kritikës letrare shqipe’, theksoi Tahiri
‘Rugova e synoi lirinë përmes shkrimit. Si e bëri këtë? Duke u përfshirë përmes çështjeve kombëtare, që kanë qenë dukuri në kulturën tonë, ku shkrimtari tradicionalisht tek ne shfaqet si figurë me rëndësi publike, meqenëse ishte pikërisht liria artistike ajo që pritej t’i rezistoi cenzurës ideologjike dhe ta përmbushë përgjegjësine morale, kulturore e kombëtare, pra rezistenca estetike’, potencoi tutje Tahiri.
Tahiri poashtu konsideronte se koncepti i angazhimit te Rugova dhe koncepti i intelektualit shfaqet i riartikuluar duke mos u lënë i thjeshtsuar, pra është me rëndësi se këtë liri ai e artikulon në kohën e realizmit socialist, pasi sipas saj, kjo periudhë i kishte klishetizuar metodat e krijimit dhe i ka shabllonizuar pikëpamjet teorike.
Në fund krejt, fjalën e mori Avni Spahiu, prezantimi i të cilit ishte më personal. Ai shpalosi pikëpamjen subjektive, se si ishte Rugova në sytë e tij, se si ai e kishte përceptuar personalitetin e figurën e tij si intelektual në rend të parë por edhe si lider e të tjera.
‘Imazhi i përhershëm i ngulitur në mbamendjen time është ai i Rugovës jo në shtatin e politikanit, të liderit në krye të një lëvizjeje paqësore për pavarësi me përgjegjësi historike për kombin, sa në shtatin e një intelektuali humanist dhe mendimtari jo të zakonshëm që doli nga ky truall me rrënjët e shkëputura të kontinetit duke sjell ndërmend se rrënjët duhet përtritur dhe se vendi shqiptar dhe si një ndër popujt më të vjetër të Evropës duhet rikthyer aty ku përket’, shprehej Spahiu.
Spahiu konsideronte se Ibrahim Rugova është një emër që do të qëndrojë gjatë në mbamendjen kolektive, duke treguar kështu para publikut se sa e rëndësishme kishte qenë për Rugovën që t’i bënte me dije botës e me theks të veçantë Evropës se sa të rëndësishme e të vjetra ishin rrënjët e popullit shqiptar. Ai tregoi se si Rugova në çdo takim e bisedë me evropianët, Rugova vinte në pah lidhjet e lashta të shqiptarëve me qytetërimin evropian.
”Obsesioni i Rugovës me rrënjët evropiane përtheyj në takimin e tij në metropolet evorpiane, mbi fatin e praptë të Shqipërisë ideologjike dhe të pjesës së pushtuar të kombit në mungesë shumëshekullore të pranisë shqiptare aty ku pritej fati historik i tyre. Londra, Parisi, Berlini, Brukseli e Roma pa shqiptarët të shkëputur nga pjesa e së cilës i përkisnin, pa njerëz, pa miq e pa mirëkuptim. Kishte aq shumë për të bërë dhe duhej zënë shekuj e pushtuar hapësira, duhej krijuar miq dhe ripërtërirë miqësi dhe ne ishim vonë, tepër vonë e të paktë dhe akoma në betejë për mbijetim. Megjithatë Evropa duhej të hapte dyert për popullin më të vjetër të saj, duhej njohur vlerat dhe ta pranonte në gjirin e vetë, për më tepër të mos lejonte rrezikimin e tij në zhdukjen’, theksoi Spahiu.
As Spahiu, nuk kishte si të mos ndalej te veprimtaria letrare e Rugovës e cila zë një vend shumë të madh në jetën dhe veprën e ish presidentit tonë. Ai tregoi se si nuk e kishte krejtësisht të qartë atëherë, në vitet që po bëheshin gjithnjë e më sfiduese për fatin e shqiptarëve se ç’e shtyente këtë intelektual dhe kritik të letrave shqipe të dalë nga një mes i përvuajtur me gjakimin për liri dhe bagazhin e mbledhur nga edukimi në Francë, të këmbëngulte që të njihte sa më mirë krijuesit e artit dhe të letërsisë evropiane dhe insistimi i tij që të bëhej një përpjekje që të sillej tek lexuesi shqiptar një shije të veprës së papërkthyeshme të Joyce-t nga anglishtja në gjuhën shqipe.
‘Tek i pasionuari pas letrave shqipe, Rugova ishte një mishërim kërkimor edhe në tekstin e politikës aktuale, ai nuk ndalej së kërkuari fije dëshmishë në lidhje me Evropën, duke kritikuar shpesh vetë shqiptarët për mangësitë evidente’, deklaroi Spahiu.
PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe shtatë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.
Projekti i PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit”, është nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Kishte një kohë të gjatë që Zhuj Veselin nuk e zinte gjumi. Kishte poashtu një kohë të gjatë që Zhuji nuk mund t’i sillej shtëpisë rretherreth, as për ta parë hënën në qiell dhe as për të parë sa kishte shkuar ylli i mëngjesit afër bjeshkëve që bënin hije në rrafsh edhe natën.
Zhuj Veselin kishte kohë që e kishin lënë veshët si thuhej në ato anë për ata që nuk dëgjonin.
“Pushkë të më shprazësh këtu, nuk dëgjoj”, thoshte Zhuji duke u ankuar për dëgjimin e keq dhe duke prekur e fërkuar veshët me plot qime dhe me shumë dyll.
Një natë, kur ai dhe askush tjetër nuk e priste, befas dhe kobshëm atij iu kthye dëgjimi. Për shumë pak kohë.
Sepse: Në mesnatë, ndoshta dhe më herët, ose ndoshta dhe më vonë, në oborr, para shtëpisë së tij, ishin dëgjuar zëra të frikshëm, krisma armësh, sharje e fyerje të rënda dhe kërcënime ultimative në gjuhën serbe.
“Hair kjoftë”, kishte thënë pa zë Zhuj Veseli duke kruar veshët dhe duke bërë të ngrihej. Veshët i kishte kruar deri në thellësi të tyre, por të ngrihej nuk ia kishte dalë dot pasi që muri nuk e mbante në këmbë sado që duart i katrriste nëpër të.
Pastaj kërcënuesit dhe sulmuesit me vringëllima armësh e bërtima zërash e rënie shqelmash, hapën derën me dhunë, shkelën sipër saj në dhomë duke e bërë zap Zhujin që nuk lëvizte dhe nuk fliste, vetëm dëgjonte e shikonte për aq sa mund të shihet në terr.
“Eh, E’veri” bëri me zërin e mekur Zhuji duke ndier dhembjen e prangave të ftohta që po i nguliteshin thellë në duar. Në të vërtetë Zhuji pothuaj nuk kishte fare duar, kishte vetëm eshtra të zgjatur të duarve nga supet mbështjellë me një lëkurë pa qime dhe krejtësisht të regjur me të gjitha ngjyrat e mundshme në të.
Pastaj u përpoq të kujtohej kur për herë të fundit kishte thënë “eh E’veri”.
Kishte qenë disa vite pas vdekjes së Enver Hoxhës në një kuvend burrash, aty ku rëndom nisnin të gjitha luftërat e mundshme me fjalë.
“Ushtria shqiptare është në gjendje gatishmërie. Janë hapur tunele nëpër bjeshkë, tanket dhe autoblindat janë vendosur nëpër to dhe janë të gatshme për të ardhur në qytete Kosovës: Për gjysmë ore ose dhe për shumë më pak kohë, mund t’ia behin në në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë… Pra, Jugosllavia e Serbia janë të rrethuara me tanket që tashmë po i mbajnë të ndezur motorët… Vetëm pritet urdhi i Enverit.“
Enveri ka vdekur, tha dikush nga kryedhoma ku gjithnjë fillonin e përfundonin luftërat.
S’ ka lidhje, janë ushtarët e tij, foli një tjetër.
“Eh E’veri”, bëri Zhuj Veseli duke shikuar tutje bjeshkëve për të parë nga mund të ishin ato tunele ku fshiheshin tanket të gatshme për mësyemje …
Duket se pasthirrmën “Eh”, Zhuji e thoshte sa herë që nuk donte t’ia përmendte emrin Enver Hoxhës.
“Eh E’veri”, bëri duke u kthyer në dhomën e vet ,me derën e rrëzuar përbrenda, me prangat në duar dhe me e kutërbimin e sulmuesve në trup. Nuk pau asgjë tjetër, vetëm mjegull mbi bjeshkë dhe në sytë e vet që s’i mbanin dot syzet me xham shëm të trashë.
“Enver Hoxha”, “Enver Hoxha”, klithën, përqeshën, u tallën, shanë, fyen, kërcënuesit, sulmuesit, dhunuesit duke e shtyrë Zhujin me tërë forcën dhe duke i thënë “ecë tash me ne, do të të dërgojmë drejt e te Enver Hoxha. E ke dashur shumë. Zgjidhe njërin djalë dhe merre në shpinë. Dy të tjerët i marrim ne.”
Zhuji nuk foli, mori frymë me vështirësi dhe bëri të ecte pa ditur nga e ku. U ngatërrua në çizmet dhe në këmbët e sulmuesve dhe u rrëzua në tokë.
Sulmuesit qeshën.
Zhuji ofshani: -Eh, E’veri, bëri dhe u ngrit pipë në këmbë.
Sulmuesit e shikuan.
Zhuji sërish përsëriti “Eh, E’veri”.
Kush dhe pse janë përmendur ashtu dhe aq kot tanket?
Nuk pati kohë të përgjigjej në pyetjen që ia bëri vetes.
Flakët e tytave ndriçuan natën dhe Zhuji pa vetëm përshkëndijmin mbi bjeshkë, as hënë dhe as yll mëngjesi askund. Pastaj nuk pau më asgjë.
Me skeletet e duarve bëri t’i afronte tre djemtë e vrarë pranë vetes.
Askush në fshat s’e mban ndër mend datën e as kohën e marrjes së së Zhujit me djem nga sulmuesit dhe dhunuesit. Nuk mbahet ndër mend as dita ose nata e pushkatimit duarlidhur e këmbëlidhur të tyre. Thuhet se në natën pa hënë ishin dwgjuar shumë tw lehura qensh, krisma e tw rwnda dhe shumë zëra këngësh e vajesh
E mbajnë ndër mend, por nuk e tregojnë dot, vetëm datën dhe ditën e gjetjes të kafkave të tyre në një mullar sane të djegur. Ishte fillimmaji dhe atë ditë pati më pati më pak drita dhe zhurmë avionësh në qiell. Dhe e mbajnë ndër mend edhe varrimin e tyre pas përfundimit të luftës në të cilin prapë dikush klithi ”Eh, E’veri”.
*Zhuj Veseli Lajçi është plaku 95 vjeçar i Llabjanit të Pejës që u vra nga ushtria dhe policia e Serbisë në fillimmajin e vitit 1999. Bashkë me babanë, Zhujin, u pushkatuan edhe tre djemtë e tij.
Ky mund të jetë një variant tregimi për vrasjen e tyre./ KultPlus.com
Ditë për ditë Ulkija shkonte nëpër dyer të
ofiqarisë dhe nëpër dyert e shoqatave të grave,
të nuseve e të vajzave që ishin krijuar pas luftës. “Gratë në të Zeza”.
“Vejushat”. “Nënat e vetmuara”. “Besataret e beqarisë së grabitur”. “Mbamendja
shëron”. “Motrat pa vëllezër”. “Nuset e pamartuara”. “Jetimet”. “Të falim”.
“Mos të harrojmë”.
Në zyrë herë e priste ndonjë zonjë e
grimosur e herë ndonjë zotëri me kollare. Që të dy, rëndom, nuk kishin fjalë
për të thënë dhe në më të shumtën e rasteve, duke kërcitur gishtërinjtë, vetëm
heshtnin. Ulkija nuk prante së foluri, së kërkuari dhe së dhëni sqarime,
pothuaj për çdo gjë. Ata, me shumë keqardhje, sa nuk qëndronin gatitu, e
dëgjonin me shumë vëmendje e me shumë dhembshuri, por kjo gjë asgjë nuk i
ndihmonte Ulkijes. Ajo donte dhe kërkonte diçka tjetër.
“Është hera e nëntë që jap shënime, dhe
gjithmonë të njëjtat, besoj t’i keni mbajtur edhe ju pasi ua kam thënë edhe
juve”, tha në njërën nga ditët që vizitoi zyret Ulkija. “Është hera e nëntë dhe
të njëjtat pyetje m’i bëni dhe të njëjtin proces, më duket, e përpiloni, ose e
nxirni të njëjtin nga dosja e njëjtë”.
Ata, ai dhe ajo, mbajtën vesh.
“Unë jam Ulkija. Ulkije Bardhoshi. Lindur
në vitin … e keni të shënuar? Po. Në fshatin …
e kemi të shënuar. Komuna … e kemi të shënuar. E martuar … e kemi të shënuar.
Gjashtë vjet para luftës … e kemi të shënuar. Me burrin … e dimë, e kemi të
shënuar… E ndjekur dhe e deportuar gjatë luftës. Edhe e përdhun… nuk dua ta
them atë fjalën që poashtu e keni të shënuar. … E kemi… Kam ardhur të di nëse
keni ndonjë shënim ose ndonjë informacion të shkruar a të pashkruar për
familjen time. Natyrisht pikësëpari për fëmijët e pastaj edhe për burrin. Ose
vetëm ndonjë pistë për ta që t’iu shkoj pas për t’i parë Ndonjë informatë nga ju ose të tjerët që ju
mund të dini se e kanë. Çfarëdo që të jetë ajo informatë. E mirë ose e keqe.
Për të gjallë a për të vdekur. Nuk ka më rëndësi. Jam regjur me të gjitha e me
çdo gjë dhe tani jam e gatshme të pres e të përballoj të gjitha dhe çdo gjë.
Edhe më të keqen”.
“A mund të vish edhe nesër, për çdo rast.
Ndoshta na arrin ndonjë informacion që tregon ndonjë pistë që po e kërkon ti
dhe ne”, ia tha ajo femra.
“Jo”, u përgjigj Ulkija, “nuk do të vij,
ose dhe mund të vij nëse më garantoni vërtet për ndonjë fjalë të paktën, qoftë
dhe vdekje ose vrasje ajo fjalë”.
Ajo shikoi pastaj nga ai burri me kollare
që po shfletonte një dosje të verdhë.
Ulkija e vërejti me sy të hapur.
“Po”, tha,
i skuqur e pas një heshtjeje të gjatë, burri me kollare pas insistimit shumë
këmbëngulës të Ulkijes. “Kemi shënime dhe kemi njohuri për familjen tënde. Në
të vërtetë kemi një pistë vetëm për burrin tuaj”.
Ulkija u ngazëllua.
“Burrin ta quajnë Ujkan?”, e pyeti zyrtari
me kollare që kishte filluar të fshinte djersët me një copë letre të bardhë.
Po, u përgjigj tërë gëzim dhe pothuaj me padurim Ulkija.
“Ujkani është shëndosh e mirë. Ai ka lënë
një letër për ty”, tha me zë të prridhur zyrtari.
“Ka lënë një letër?”, pyeti Ulkija
“Po”, u
përgjigj zyrtari.
“Ndoshta jo testament””, pyeti sërish
Ulkija.
“Do ta lexosh”, tha burri me kollare dhe
bëri të hapte një dosje të verdhë.
“Ta lexoj këtu?”, pyeti Ulkija.
“Po deshe
edhe këtu”, i tha ai burri duke ia zgjatur letrën.
Ulkija nisi të lexonte.
“Ulkonja ime… e dikurshme…,
Pastaja Ulkija u ndal pënjëherë te fjala “e
dikurshme” duke shikuar nga burri me kollare që nuk ia shqiste sytë.
“Ulkonja ime e dikurshme”, e ngriti zërin
duke e mbajtur shikimin nga gurja dhe burri që nuk ia hiqnin sytë.
“Të lutëm, vazhdo të lexosh, ose merre
letrën dhe lexoje në ndonjë vend tjetër”, ia bëri burri me kollare duke fshirë
syzet me këndin e kollares.
Ulkija vazhdoi të lexonte.
“Më vjen shumë keq për këtë që do ta lexosh
ose që ndoshta do të ta lexojnë. Por, më beso, pas shumë e shumë mundimesh e
mendimesh e hamendjesh e dilemash, më duket se nuk pata rrugë tjetër, gruaja
ime. Më saktë, ish – gruaja ime, megjithatë shumë shumë e dashur dikur”, dhe këtë “dikur” sa nuk e lexoi me zë Ulkija
duke u përmbajtur për të marrë vesh të gjitha ç’kishte thënë Ujku.
Dhe e vazhdoi leximin:
“Pas gjithë asaj që të ka ndodhur ty, e
tani po them pas gjithë asaj që më ka ndodhur edhe mua bashkë me ty, nuk mund
të të pranoj më për grua”.
Ulkija fshiu ballin dhe nuk u ndal së
lexuari:
“Më vjen keq që e kam bërë këtë, dhe që ta
thash kaq troç. Ishte tepër e vështirë, por kështu është. Ta them këtë dhe ti e
di temperamentin tim: Thjesht, dhe për të vetmen arsye, nuk mund ta gëlltis atë
që të ka ndodhur ty e më pas edhe mua me ty. Më vjen keq, prapë të them, shumë
shumë keq, por kështu është … dhe nuk mundem… nuk mundem … ta duroj këtë që
të ka ndodhur dhe të të kem prapë. E di, ka qenë luftë etj. Por megjithatë e
kam shumë të pakëndshme dhe po ashtu shumë të pamundshme. Dhe kuptoje të lutëm:
Ky është vendimi im më i vështirë që kam marr ndonjëherë një jetë. Dhe besoj
shumë se do ta respektosh”.
“Do ta respektoj”, bëri Ulkija e djersitur
duke vazhduar leximin.
“E marr me mend, do të thuash, ka qenë
përdhunim seksual, u ka ndodhur kështu edhe të tjerave, pastaj ndoshta do të
thuash edhe më të rëndën: Ku ishe ti, pra në atë kohë. Edhe kjo akuzë që
qëndron pak gjë ndryshon, sepse ti më njef …unë nuk jam si të tjerët. Dhe
ndoshta më kupton për aq sa të kam shkruar. Dhe nuk po di si të ta them… më
fal, ndoshta, prapë nuk më kupton”
Ulkija dërgoi njërin gisht në tëmth duke e
lexuar tri herë fjalinë ”ndoshta, prapë nuk më kupton” dhe, shumë e befasuar,
vazhdoi më pas:
“Pavarësisht kësaj, të lutëm, kuptoje dhe
dije, ky është fundi që nuk e kam dashur dhe që nuk e kam menduar për asnjë
çast të jetës. As në rrethanat më të këqija dhe më të vëshira të luftës. Me ty
e pa ty. Fundja, siç e di, unë kam qenë në front, për luftë kam qenë i gatshëm
për çdo gjë, edhe për ta dhënë jetën, por jo, nuk kam qenë i gatshëm për këtë
që të ka ndodhur ty, e edhe mua. Fundja, ti vetë e ke bërë aq publike dhe aq të
madhe atë që të ka ndodhur ty, e edhe mua me ty, sa që unë më nuk mund të dal
as në rrugë dhe as askund. Se si më shikojnë. Ose se pse më duket se të gjithë
bëjnë me gisht nga mua. Thua se vetëm jam unë fajtor dhe thua se vetëm je ti
fajtore. Prandaj, kam vendosur të ik sa më larg nga ky vend, nga kjo botë, dhe
që po më duke më së vështiri, të ik edhe nga ti, e edhe nga fëmijët tanë. Më
fal, por tani nuk kam më dëshirë as të të shoh, lëre më të tjerat…”
Ulkija shumë e skuqur dhe e kapluar nga
djersët u kollit, ndërsa ai burri me kollare e pyeti në kishte nevojë edhe për
ndonjë gjë tjetër.
“Jo”, tha, “vetëm nëse mund ta vazhdoj këtu
leximin ose do ta marr me vete letrën”.
“Si të duash”. “Ne e kemi edhe një kopje të
kësaj letre”, tha ai burri.
“Megjithatë do ta lexoj këtu. Pastaj mund
ta marr kopjen e ju mbajeni origjinalin, mund të ju duhet”, tha Ulkija.
“Lexoje”, i tha ai burri.
Ulkija vazhdo të lexonte pa zë, vetëm me
drithërimë buzësh.
“Unë e kam përgatitur të gjithë
dokumentacionin për divorc. I kam dhënë të gjitha arsyet dhe nënshkrimet e mia.
E kam autorizuar edhe avokatin tim për këtë çështje, nëse ka nevojë dhe nëse ti
kundërshton. Ti ke të drejtë ta bësh kundërshtimin. Edhe për këtë pjesë të
procesit i heq shpenzimet. Gjatë kohës që nuk u ktheve, e të prita aq gjatë,
jam përpjektur që edhe për fëmijë tanë të bëj një zgjidhje. Ndosha nuk është më
e mira dhe ti mund ta kundërshtosh. Fëmijët, pra, i kam dorëzuar në Dorf Kinder
SOS. I kam vizituar dhe janë mirë, por rriten.
Nëse nuk pajtohesh me këtë zgjidhje timen,
që e kam menduar të përkohshme, mund t’i marrësh fëmijët. Është një procedurë
në të cilën mund të të ndihmoj përmes avokatit tim. Mund t’i marrësh, të paktën
t’i kesh ata. Por mua, më fal, sesi nuk po më duken më as fëmijë të mij. As
fëmijët tanë. Aq e poshtër qenka lufta. Që na ndau mua e ty edhe me fëmijë. Ose
dhe unë që po ndahem kështu nga ti.
Më falë, shumë shumë më falë, Ulkonja ime e
dikurshme.”
Ulkija e shikoi edhe një herë letrën e
shkruar bardhë në të zezë: Ishte shkrimi i burrit të saj, i Ujkanit, me të
cilin, o Zot, sa këngët dhe sa poezitë i kishin bërë dikur për lirinë, për
jetën, për fëmijët, por edhe për luftën. Ishte aty edhe nënshkrimi i tij me
shkronja të mëdha, ato me të cilat ai i skuqur dhe pa fjalë, ia shfaqte
dashurinë kur shkruanin trakte për atdheun dhe për çlirimin: “UKI”.
Pastaj u kthye të shikonte në zyrë. Ajo
gruaja dhe ai burri, paksa të zberë, ishin heshtur pothuaj krejtësisht.
“Do ndonjë gjë tjetër?”, e pyetën gati
përnjëhërë.
“Asgjë nuk dua. “Më falni, ta marr kopjen
apo origjinalin e letrës?, vazhdoi pas pak Ulkija e hutuar duke fshirë
lotët.
“Cilën të duash”, i thanë pothuaj njëzëri
ata nga zyra që ngjanin paksa të çliruar.
“Ditën e mirë”, bëri pastaj Ulkija me një gaz të bardhë në fytyrë./KultPlus.com
A. dhe B., mbaheshin për shkrimtarë të mëdhenj, madje për
shkrimtarë shumë të mëdhenj.
Pinin verë të kuqe dhe bënin muhabet të zjarrtë. Ishin
skuqur në fytyrë dhe pothuaj i kishin shtrëmbëruar hundët nga hidhërimi gjatë
bisedës.
Asnjëri nuk ia lëshonte rrugën tjetrit, me gjeste dhe me
fjalë.
“Jo unë më i madh shkrimtar nga ti … , jo unë më shkrimtar”,
…“për mua ka shkrime këtu, atje, kudo”, thoshin me radhë dhe pa radhë A dhe B.
Në vazhdim vinte gëlltitja e pështymës, pastaj heshtja dhe
vonë, pas tre e më shumë minutash, thonjëzat sipër veshëve:
“E ka thënë kritika, s’e ka thënë kritika”.
“E kam thënë vetë, s’e ke thënë ti. Jo është tjetra e
vërteta”.
”Aq më bën kritika, aq më bën mendimi i tjetrit”.
”E ke lexuar ti tregimin tim të fundit?.
“Jo, s’e kam lexuar”.
“E ti, e ke lexuar tregimin tim të fundit.
“Jo, s’e kam lexuar?”
“Atëherë, ç’ne?”
“Atëherë, ç’ne, pra?”
Nganjëherë, në mes të fjalëve dhe tymit të duhanit, iu hynte
kamerieri.
Kjo ndodhte rëndom kur ata nuk kishin shkrepëz për të ndezur
cigaren ose dhe atëherë kur ata nuk kishin fare cigare.
Kamerieri, pasi thirri me zë të lartë cigareshitësin, u
kthye te banaku dhe aty, fshehtas,
numëroi monedhat e qerasjes. Cigareshitësi shkoi te tavolina e tyre dhe
pasi u mor veshë me mimikë me kamerierin, ua la
pakon e cigareve në tavolinë, u tha “ditën e mirë” dhe doli nga kafeneja
duke bërtitur më zë: “Cigare, shkrepësa, mbushje, cigare shkrepësa, mbushje”.
Pastaj kamerieri, me këmishën e bardhë të hapur në gjoks e me mëngë të
shkurtra, shkoi me plot gjentilencë te dy shkrimtarët që tashmë kishin lënë
fjalët. Kamerieri, pastaj, tek ua ndezi me përkulje nderimi cigaren, këmisha iu
palos për trupin e bëshëm ndërsa dy shkrimtarët mezi e afruan gojën me cigare
në buzë te flaka e vdirur e shkrepësës.
Pastaj, pasi buzëqeshi paksa, ata s’e përshkruanin dot ç’buzëqeshje ishte ajo,
“ndoshta jo e mllefit”, menduan, dëshiruan, ose shtirën kamerieri la shkrepësën në tavolinën e tyre,
mori porosinë, pothuajse gjithmonë të njëjtë nga ta dhe iku duke e tundur
tabakenë në ajër.
“Po, po, edhe nga një verë të kuqe, të shtëpisë, na e sill
me atë gotën e përthyer në majë, e di
ti”, përsërisnin të dy me një zë të prridhur duke thithur cigaret,
mendimet dhe fjalët.
Kamerieri qeshi, sa nuk tha, “e di, gjithmonë porositë dhe
fjalët e njëjta i keni ju”.
Edhe ata qeshen, vetëm për ta larguar qeshjen e
kamerierit
“Kam filluar të shkruaj një tregim për Miguel de
Servantesin”, bëri me zë të ulët dhe me shumë siguri shkrimtari A. duke shtypur
duqin e cigares në shpuzoren e qelibartë dhe mendimet e veta në kokë.
Shkrimtari B. qeshi. Qeshi me zë të lartë, e shikoi me shumë
habi shkrimtarin A. Madje, nga habia e shikimit, i ndriti sytë sikur bishti i
cigares që kishte filluar të fikej me pak përshkëndijim në shpuzoren e
qelibabartë.
Kamerieri erdhi ta ndërronte shpuzoren.
“Doni ndonjë gjë tjetër”, iu tha.
“Jo”, u përgjigjen njëzëri duke pritur largimin e tij e për
t’i vazhduar fjalët e veta nervoze të
kundërshtisë e të mospajtimit.
Kamerieri iku me hapa që atyre iu dukën shumë të ngadalshëm.
“Ti të shkruash tregim për Miguel de Servantesin?”, pyeti i
hakërruar shkrimtari B, duke dridhur me shumë hidhërim këmbën e majtë. E
dridhte aq shumë këmbën sa që nga dridhja zuri të lëkundej edhe tavolina me
shpuzoren nga e cila ngrihej lart hiri i cigares.
“Unë, u përgjigj me zërin shumë të ngritur shkrimtari A duke
e shikuar me hidhërim reagimin e shkrimtarit B pasi gjithë tymin e cigares që e
kishte thithur po ia hidhte në fytyrë.
Shkrimtari B. përpiqej ta largonte tymin e cigares me tundje
duarsh.
“Po. Unë vetë do të shkruaj një tregim për Miguel de
Servantesin, për ardhjen e tij në Detin Tonë, për qëndrimin e tij në
Kështjellën Tonë të Detit Tonë, për takimin e tij me Njerëzit Tanë në
Kështjellën Tonë të Detit Tonë. Dhe unë e kam filluar shkrimin e
tregimit”, tha me zë të lartë e të
sigurt shkrimtari A duke bërë të ngrihej në këmbë.
“O Zot”, lëshoi klithmën shkrimtari B. Pastaj iu drejtua
kamerierit i cili se si u gjend aty: “Më sill diçka ta vras veten, aman”, bëri
ai me zë më të ulët.
“Vraje, mbyte veten, kush të ndalon”, tha shkrimtari A.
Kamerieri u hyri në mes.
Shkrimtarërt vazhduan bisedën:
A: Je xheloz, ndaj thua se unë nuk mund të bëj një tregim
për Miguel de Servantesin.
B: Jo, por ma ke vjedhur idenë!
A: Si more ta kam vjedhur idenë?
B: Po, ma ke vjedhur. Unë e kam pasur ndër mend të shkruaj
një tregim për Miguel de Servantesin qëkur dështuan të shkruanin për të Agolli
dhe Kadare. Nëse nuk ke harruar, ata kishin premtuar publikisht se do të
shkruanin një tregim për Miguel de Servantesin i cili ishte mbajtur i burgosur
nga Njerëzit tanë në Kështjellën Tonë të Detit Tonë.
A: E pse nuk e shkrove?
B: Sepse, pasi vdiq Agolli, prisja që tregimin ta shkruante
Kadare. Duke e pritur atë, nuk e shkrova ende.
A: E unë nuk do të pres më, nuk kam kohë të pres. Dhe
pikërisht pse nuk e ka shkruar Kadare, këtë tregim do ta shkruaj unë!
Shkrimtari B qeshi.
Shkrimtari A u ngrys.
Pastaj ndezën edhe nga një cigare, dhe dikut, të dy, si me
komandë, e dërguan shkimin nga kamerieri.
Ai edhi me vrap.
“Edhe nga një verë”, thanë njëzëri.
I cakërruan gota me “gëzuar” dhe filluan sërish t’i
cakërrojnë fjalët.
B: E çfarë do të shkruash në atë tregim për Servantesin?
A: Do të shkruaj se si është zënë rob Servantesi nga
Njerëzit Tanë në Detin Tonë dhe si e kanë sjellë atë në Kështjellën Tonë të
Detit Tonë.
B: E si është zënë rob Servantesi?
A: Në luftë, gjatë luftimeve. I forti të zë rob, të lidhë
duarsh e këmbësh, të hedhë në burg dhe aty mund të ta bëjë edhe atë punën.
B: Në cilën luftë kanë marrë pjesë Njerëzit Tanë?.
A: Ti nuk e di historinë.
B: Në cilën luftë ka marrë pjesë Servantesi?
A: Ti nuk e di historinë.
B: Ku është zhvilluar ajo luftë?
A: Në Detin Tonë.
B: E pse u gjend aty Servantesi?
A: Servantesi ishte në mision.
B: Në ç’mision?
A: Ishte në një mision shumë të thjeshtë, madje humanitar
ishet ai mision.
B: Në ç’mision, të lutëm, ma thuaj?
A: Servantesi këtej, te Deti Ynë, në Kështjellën Tonë, në
mesin e Njerëzve Tanë, mu në mesin e tyre, kërkonte një shokun e vet.
B: Cilin shok, mo?
DON KISHOTIN, bërtiti me tërë zërin shkrimtari A.
Shkrimtari B u ngrit më ngadalë në këmbë, “më fal”, i tha,
“kam nevojë të shkoj në tualet”.
Shkrimtari A qeshi: “Pritmë, pritmë do ta dëgjosh deri në
fund tregimin tim për Servantesin”.
Shkrimtari B u ndal: “Jo, nuk ke nevojë, e kuptova, por më
thuaj në e gjeti Servantesi këtu, te Njerëzit Tanë, në mesin e tyre, Don
Kishotin.
Shkrimtari A qeshi prapë: “Po si jo. E gjeti këtu Don Koshoti.
Dhe Don Kishoti mbeti përgjithmonë
këtu”.
Shkrimtari B foli me fajësi: “Ndoshta, për këtë arsye Spanja
nuk po i njeh Njerëzit Tanë, Kështjellën Tonë, Detin Tonë”.
Shkrimtari A nuk foli më.
As shkrimtari B.
Të nesërmen shkrimtari A dhe shkrimtari B po pinin kafe në
pijetoren “Servantes”. Shikonin valët e detit që vinin njëra pas tjetrës duke
sjellë një fllad të këndshëm në fytyrat e tyre. Shikonin edhe Kështjellën që
ngrihej lart dhe që dikur bëhej bashkë me qiellin e detin. Nuk flisnin për asgjë,
vetëm përsërisnin: Don Kishoti, Servantesi, Kështjella, Deti, Njerëzit.
Dhe nuk e shihnin asnjërin nga këta. /KultPlus.com