Parku Kombëtar i Divjakë-Karavasta është kthyer në një atraksion turistik për vëzhgimin e florës dhe faunës së veçantë të zonës.
Ky park gjithmonë e më shumë po ngjall kureshtje edhe për shumë biologë e të pasionuar të natyrës. Këto ditë në Divjakë-Karavasta kanë mbërritur biologë holandezë, të cilët kanë parë nga afër florën e pasur të këtij parku.
“Koha asnjëherë nuk mjafton për t’u treguar shumë bukuri që vërtet atyre u nguliten në shpirt. Vëzhgimi i orkideve dhe i shumë bimëve që mbushin dyshemenë e pyllit na bënë që të devijonin edhe disa lëvizje nga axhenda e planifikuar. Mbyllja si gjithmonë tek koleksioni që për ta ishte një suprizë”, theksoi në një postim në rrjetet sociale administratori i guidës turistike Divjakë-Karavasta, Altin Hila.
Sipas tij, ka kohë që biologët e huaj vijnë dhe studiojnë parkun Divjakë-Karavasta.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga destinacionet më të preferuara për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës për qindra qytetarë që e frekuentojnë në çdo stinë.
Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash.
Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe./atsh/KultPlus.com



