ShBA autorizon dhënien e dozës së katërt të vaksinës kundër Covid-19

Rregullatorët amerikanë kanë autorizuar dhënien e dozës së dytë përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga Pfizer/BioNTech, për personat mbi moshën 50-vjeçare dhe për ata me sistem të dobët imunitar.

Doza përforcuese – e cila përbën rundin e katërt të vaksinës – do të mund të jepet rreth katër muaj pas marrjes së dozës së tretë, dhe besohet se ofron më shumë mbrojtje kundër shtrirjes në spital.

Ky autorizim vjen teksa disa shkencëtarë kanë thënë se janë të shqetësuar për një nën-variant të Omicronit, i cili ka rezultuar me rritje të rasteve të infektimit në disa shtete.

Numri i të infektuarve me koronavirus ka rënë ndjeshëm në Shtetet e Bashkuara prej pikut të janarit, mirëpo në javët e fundit është vërejtur sërish një rritje, sipas Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

William Schaffner, profesor i Mjekësisë në Divizionin e Sëmundjeve Infektive në Qendrën Mjekësore Universitare Vanderbilt në SHBA.

“Teksa autorizimi për përdorim urgjent do të ndihmojë disa njerëz, ne jemi duke punuar për të zhvilluar një vaksinë tjetër që, jo vetëm se mbron kundër varianteve aktuale të koronavirusit, por edhe ofron përgjigje më afatgjatë”, ka thënë shefi i kompanisë Pfizer, Albert Bourla.

Shkencëtarët kanë debatuar tash e një kohë nëse të rinjtë dhe personat e shëndetshëm kanë nevojë për dozë të katërt të vaksinës.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë se Qeveria ka doza të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën për një tjetër rund vaksinash kundër këtij virusi për personat më të cenueshëm./REL/ KultPlus.com

Kreu i “BioNTech” shpjegon pse nevojitet doza e tretë e vaksinës kundër COVID

“Rreth shtatë muaj pas dozës së dytë të vaksinës Covid, ne mund të marrim koronavirusin”, kështu ka deklaruar Ugur Sahin, kreu i kompanisë gjermane të BioNTech, për gazetën “Bild”.

Ai shpjegon se doza përforcuese e vaksinës vjen për të mbushur boshllëkun dhe madje është efektive kundër mutacionit “Delta”.

Deklaratat e kreut të kompanisë gjermane të BioNTech vijnë në kohën kur gjiganti farmaceutik amerikan Pfizer, me të cilin po bashkëpunon për përgatitjen e një vaksine kundër Covid-19, njoftoi se ai ka gati pilulën kundër koronavirusit.

“Nga muaji i shtatë, i tetë apo i nëntë pas dy dozave të para të vaksinës Covid, nivelet e antitrupave fillojnë të bien, duke e lënë trupin të prekshëm ndaj sëmundjes”, tha Sahin.

Duke komentuar gjetjet e provave klinike, drejtori i BioNTech tha se kur dikush është i infektuar me Covid dhe është plotësisht i vaksinuar, nuk do të sëmuret rëndë.

“Përveç kësaj, ne kemi të dhëna studimore që tregojnë se një dozë përforcuese rikthen mbrojtjen e vaksinës (gjashtë muaj pas dozës së dytë). Kjo vlen edhe për mutacionin e virusit Delta. Për këtë arsye të moshuarit duhet të marrin urgjentisht dozën përforcuese, gjashtë muaj pas dozës së dytë të vaksinës kundër koronavirusit”, tha Sahin. / KultPlus.com