Enver Birko, ndër pionierët e artit koreografik shqiptar

Mbushen plot 35 vite nga ndarja nga jeta e Artistit të Merituar Enver Birko (1935 – 1989), një nga pionierët e artit koreografik shqiptar, me një karrierë të pasur prej më shumë se 40 vjetësh.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit solli në kujtesën e publikut disa nga momentet e rëndësishme të jetës dhe karrierës artistike të artistit.

Birko e nisi rrugëtimin e tij artistik në vitin 1950, si pjesë e grupit të valleve në Filarmoninë Shqiptare. Ai qëndroi aty deri në krijimin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1957, ku u bë një ndër interpretuesit më të shquar.

Me pasionin dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm, Enver Birko fitoi zemrat e publikut shqiptar. Lëvizjet e tij të gjalla, teknika e përsosur e interpretimit dhe shkathtësia në skenë ishin të papara. Publiku mbeti i mahnitur nga harmonia dhe rrjedhshmëria e lëvizjeve të tij, ku plastika e trupit, duarve dhe këmbëve, përshkonte një rrugëtim dinamik drejt kulminacioneve të valleve popullore.

Nën interpretimin e tij të shkëlqyer dhe të trupës së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, vallet e mjeshtrave si Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli dhe Agron Aliaj, të cilat ishin të pasura dhe të larmishme, fituan madhështi dhe një cilësi të re artistike.

Jeta e tij e gjatë artistike është e pasuruar me një sërë vlerësimesh, përfshirë medalje, çmime dhe titullin e nderit “Artist i Merituar”. Enver Birko ishte shembull jo vetëm në artin e tij, por edhe në jetën e përditshme, si një njeri korrekt, i qeshur, i çiltër dhe me shpirt të madh. Ai ishte një prind i përkushtuar dhe virtytet e tij si person e përforcuan edhe më tej madhështinë e figurës së tij artistike./atsh/ KultPlus.com