Nis sot në Korçë Festa e Birrës 2023. Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, shkroi në rrjetet sociale se “Gjithçka është gati për 5 netët fantastike të eventit më të madh dhe më popullor të stinës së verës në Shqipëri”.
Bashkia Korçë ka bërë publike prej ditësh, rregullat mbi të cilat funksion pjesëmarrja në Festën e Birrës 2023.
Do të jenë gjithsej 222 tavolina në zonën me rezervime, përballë skenës ku artistët do të performojnë. Në këtë zonë do të ofrohet shërbim në tavolinë, ndërsa ata që nuk preferojnë të rezervojnë tavolinë, do të kenë në dispozicion gjithë hapësirën tjetër që do të jetë falas.
Hyrja për në koncertet e datave 16 dhe 17 do të jetë falas ndërsa për tri netët e tjera do të shiten bileta. Fëmijët deri në 14 vjeç do të mund të shkojnë me prindërit pa paguar.
Edicioni i 17-të i eventit më të madh dhe më popullor i stinës së verës në Shqipëri do të zhvillohet nga data 16-20 gusht tek Terminali i Autobusëve në Korçë.
5 netë elektrizuese me muzikë fantastike e këngëtarët më në zë shqiptarë si Elvana Gjata, Ylli Limani, Eugent Bushpepa, Endri e Stefi Prifti etj, që do të ngrenë peshë skenën.
Gjithashtu do të ketë dhe momente “retro” me muzikë të viteve ‘90 me grupet “No Mercy”, “La Bouche”, si dhe yjet e muzikës greke Despina Vandi dhe Keti Garbi që do të sjellin për mijëra vizitorë të festës nga brenda e jashtë vendit emocione dhe një spektakël të vërtetë/atsh/KultPlus.com