Birraria e fshatit

Poezi e shkruar nga Ervin Hatibi.

Ka larë gotat e fundit, pjatat,
pirunjtë, beqarë prej alumini.
Në bërryle si një çetë e menduar
i rrjedhin
flluskat e shkumës me yndyrë.
Sa herë trokëllijnë çelësat në darkë
i duket se kyç qepenin
e birrarisë,
Pjatë që i thyhej shpesh tek e lante
hëna cifloset mbi mal,
Aty flenë barinjtë
dhe delet veshur si barinj.
Ajo fle tani brenda,
tamam brenda piskamës
së çelësit në vrimë,
këtij lakuriqi nate
që po të kishte sy do të qante.
Birraria e fshatit këtë natë, buzë udhës
Me pijanecët që rrëzohen si qeveri.
E mbyllte herët,
Sapo
muzgu, si një seks i vjetëruar, mezi ngrihej nga arat
e mbahej në plepa.
Atëhere fshatarët dy e nga dy
ndanin përgjysmë një birrë
të heshtur apo të mbytur, se flitnin
një gjuhë hundësh, po shqip.
Shatet e turpëruar
rrëzë derës i pritnin si gratë.
Të urrenin, ti veç i kishe bezdi.
Jashtë boria e një makine ngulmonte
si një fyt palloi.
Kur mbyllje qepenin
bandilli i fikte motorët,
Deriçka e pasme e dyqanit çelej si konservë.
Në shtratin e drunjtë mes zahireve,
shisheve të birrës bosh,
arkave me merimanga,
Një llampë e ngordhur si nje vezë llukë
sytë t’i shqepte, edhe ashtu të mbyllur,
po s’qe punë ta fikje,
Ti, grua zonjë, gëzoje mbytur.
Burrat qëllonin përherë me llafe
nga gulçet minjtë trembeshin nën rafte
me ca potere nënujore
Mbi shalet e bardha, faqet plot gjumë të shoferëve.
Mbi to, floku yt me këna.
Bobo, ç’gënjeshtër ishte mëngjesi.
Ai qiell i vranët, si burrë i pafjetur ()

Ti sajoje një ardhje të largët nga shtëpia,
Domethënë,
nga dera e pasme dilje e hapje
birrarinë
e natën prisje, e shkretë, mrekullinë,
neverinë,
me ç’fytyrë vallë do të të fanepsej kësaj here.

Por një ditë aty në banak
erdhën e të morën
të mekur,
në emër të popullit,
në sy të çunave të shkollës fillore
që po kthenin nga mësimi
me xhepat me shkumës
që shkruanin “kurv” tinëz tek muri i birrarisë.
Fshatarët spiunë me triumf prej Edisoni
u turrën kush e kush
ta shihte më parë atë shtrat vogëlan
që e kishin ëndërruar gra e burra
mbuluar me basme të pastër.
Do ta teproj,
po them se dikush liroi poçin e tmerrshëm hajdutçe,
mbase për të ndriçuar dhomën e miqve.
Ndonjëherë kur trokëllojnë çelësat
vërtet i brof zemra të mjerës, sidomos kur erret
i duket se kyç qepenat,
të cilat bëjnë rimë me sutienat,
Që në burg vërtet luks janë,
në burgun e qethur të grave që plaken
brenda kalendaresh vetjake
që përgjaken.