Shënime nga biseda sekrete e Stalinit me Enver Hoxhën

Çfarë interesimi shprehte Stalini mbi situatën në Shqipëri dhe si i interpretonte tendencat jugosllave? Kush mori pjesë në bisedime dhe çfarë tha Enver Hoxha? Pse Enver Hoxha i ankohej Stalinit për presionin jugosllav? Punimin nga dokumentet arkivore të historianit Agim Zogaj.

Moskë, 23 mars 1949, ora 22:00.

SEKRET

pranishëm:

Nga pala sovjetike: A. J. Vishinskij, i dërguari i BRSS në Shqipëri, D. S. Çuvakin dhe V.I. Erofejev (përkthyes);

Nga pala shqiptare: Spiro Koleka, kryetarii Komisionit të Planit të Shtetit të Shqipërisë Spiro dhe i dërguari shqiptar në BRSS M. Prifti

Pas këmbimit të përshëndetjeve të ndërsjella, shoku Stalin pyet nëse delegacioni shqiptar arriti mirë në Moskë. Hoxha thotë se delegacioni shqiptar mbërriti shumë mirë, duke shtuar se është ngarkuar, para së gjithash, që t’i transmetojë shokut Stalin, në emër të partisë dhe të popullit të Shqipërisë, ndjenjat më të thella të dashurisë dhe të mirënjohjes për gjithçka që është bërë dhe po bëhet për Shqipërinë.

Shoku Stalin e falënderon Hoxhën dhe pyet nëse ka realizuar në Shqipëri çdo gjë që është premtuar. Hoxha përgjigjet me pohim.

INTRIGAT BRENDA PARTISË SHQIPTARE!

Shoku Stalin pyet se çfarë ka për të thënë Hoxha. Hoxha përgjigjet se ai, para së gjithash, do të dëshironte të bëjë një panoramë të gjendjes së krijuar në vend e në parti, pastaj të kalojë në parashtrimin e disa kërkesave të karakterit ekonomik, si dhe të flasë për ushtrinë shqiptare dhe për nevojat e saj. Përveç kësaj, ai do të donte të shtronte disa pyetje, për të cilat shokët shqiptarë do të dëshironin të merrnin sqarime nga shoku Stalin. Në përfundim, Hoxha do të donte të paraqiste shkurtimisht gjendjen në kufijtë e Shqipërisë.

Shoku Stalin thotë se Hoxha mund të shtrojë çfarëdo pyetje, pa kufizim.

Hoxha thotë se letrat e partisë bolshevike, drejtuar KQ të Partisë Komuniste Jugosllave dhe Rezoluta e Byrosë Informative e shpëtuan Shqipërinë nga katastrofa e pashmangshme. Shoku Stalin pyet se a mund të ndodhte kjo katastrofë. Hoxha përgjigjet se nacionalistët jugosllavë ndiqnin qëllime të caktuara, që drejtoheshin kundër BRSS-së, kundër kampit demokratik antiimperialist, kundër vetë Shqipërisë.

Shoku Stalin shton: “Edhe kundër myslimanëve”. Hoxha bie dakord me këtë.

Hoxha deklaron se nacionalistët jugosllavë, të grupit të Titos, e kanë zhvilluar veprimtarinë e vet minuese në Shqipëri që nga çasti i çlirimit të vendit.

Komunistët shqiptarë nuk mund të mos shihnin se marrëdhëniet ekonomike dhe marrëdhëniet tjera midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë zhvilloheshin në mënyrë të pakënaqshme. Mirëpo, vigjilenca revolucionare e partisë shqiptare ishte jo sa duhet e mprehtë. Përgjegjësia më e madhe për këtë bie mbi të, mbi Enver Hoxhën. Njëfarë roli luajti edhe fakti që shqiptarët ishin mësuar që në kohën e luftës t’u besonin marrëdhënieve miqësore të jugosllavëve. Të gjitha këto, të marra së bashku, bënë që udhëheqësit shqiptarë nuk vunë re që, siç thotë populli, se peshku ishte qelbur nga koka. Trockistët jugosllavë merreshin me gjithfarë intrigash brenda partisë shqiptare, duke u përpjekur që ta përçanin atë.

JUGOSLLAVËT SYNONIN PËRMBYSJEN E RENDIT NË SHQIPËRI!

Në këtë veprimtari minuese ata mbështeteshin në përkrahjen e partizanëve të tyre, të përfaqësuar nga Koçi Xoxe, Pandi Kristo etj.

Shoku Stalin pyet nëse personat e përmendur janë sllavë. Hoxha përgjigjet pozitivisht, duke thënë se Koçi Xoxe është nga Maqedonia, kurse Pandi Kristo nga Korça. Shoku Stalin pyet se çfarë feje kanë këta njerëz. Hoxha përgjigjet se këta janë ortodoksë.

Hoxha deklaron se letrat e KQ të PK (b) të BS-së, demaskuan qëndrimin armiqësor të trockistëve jugosllavë. Sikur të mos ishin këto letra, komunistët e ndershëm shqiptarë do të duhej, herët apo vonë, të dilnin përsëri maleve për të bërë një luftë të re. Duke analizuar punën e saj, partia shqiptare erdhi në përfundimin se gjithçka që thuhet në letrat e KQ të PK (b) të BS-së i takon plotësisht edhe asaj, me përjashtim vetëm të faktit se komunistët shqiptarë kurrë nuk i kanë humbur ndjenjat e dashurisë dhe të besnikërisë ndaj popullit sovjetik, ndaj partisë bolshevike dhe ndaj shokut Stalin.

Shoku Stalin thotë se në këto letra nuk janë ndriçuar të gjitha çështjet, sepse ne në atë kohë nuk i dinim të gjitha. Ne më vonë morëm vesh, për shembull, se kur jugosllavët donin ta dërgonin në Shqipëri një divizion të tyre, ata kishin jo atë qëllim për të cilin flisnin, jo qëllimin e mbrotjes së Shqipërisë nga një agresion grek, por një tjetër qëllim: të përmbysnin rendin që ekziston në Shqipëri. Këtë ne e morëm vesh pastaj. Shoku Stalin thotë se jo vetëm shqptarët nuk qenë mjaft vigjilentë, por edhe ne nuk kuptonim gjithçka.

PSE STALINI INTERESOHEJ PËR PËRBËRJEN ETNIKE NË SHQIPËRI?

Hoxha thotë se shqiptarët kanë qenë në lidhje të ngushta me jugosllavët dhe ishin ata që duhej të kuptonin të parët qëndrimin e jugosllavëve. Hoxha shton se kur mori vesh për planet e jugosllavëve për të dërguar në Shqipëri divizionin e tyre, mendoi se këtë çështje jugosllavët e kishin koordinuar me qeverinë sovjetike.

Shoku Stalin përgjigjet se jugosllavët përgatiteshin ta dërgonin divizionin e vet fshehtas nga ne, por ka shumë të ngjarë që ata t’u kenë dhënë të kuptojnë shqiptarëve që kjo është bërë me pëlqimin e BRSS-së. Ne morëm vesh për planin jugosllav vetëm rastësisht nga njoftimi i Hoxhës. Kur ne i shamë jugosllavët, ata kërkuan ndjesë dhe thanë se ky qe një gabim.

Shoku Stalin pyet se çfarë përqindje zënë në përbërjen kombëtare të Shqipërisë joshqiptarët. Hoxha përgjigjet se në Shqipëri jetojnë grekët dhe hebrej, por ata janë të pakët. Përveç kësaj, në Shqipëri ka rreth 6-7 mijë maqedonas. Ata banojnë në kufirin më jugor të Shqipërisë. Shoku Stalin pyet se a ka shumë shqiptarë në Maqedoni. Hoxha përgjigjet se në Jugosllavi jetojnë afro 1 milion shqiptarë. Shoku Stalin pyet se çfarë shqiptarësh janë këta, nga pikëpamja e fesë. Hoxha përgjigjet se këta në tërësi janë myslimanë dhe pjesërisht katolikë në rrethet veriore të Shqipërisë. Shoku Stalin pyet se a ka në Shqipëri shumë ortodoksë. Hoxha përgjigjet se ortodoksët në Shqipëri zënë 30-35 për qind të popullatës, kurse katolikët 10-15 për qind. Katolikët në përgjithësi jetojnë në veri të vendit, ortodoksët në rrethet qendrore dhe pjesërisht në ato jugore, kurse myslimanët kryesisht në jug. Shoku Stalin pyet se ç’gjuhë flasin ortodoksët dhe katolikët në Shqipëri. Hoxha përgjigjet se të gjithë ata flasin gjuhën shqipe.

KRITIKA KUNDËR ELEMENTËVE PRO-JUGOSLLAVË!

Hoxha deklaron se pas letrave të partisë bolshevike dhe rezolutës së Informbyrosë, komunistët shqiptarë kanë marrë masa të vendosura kundër nacionalizmit jugosllav, si brenda partisë, ashtu edhe në fushën e jetës ekonomike. Ishte e vështirë të bëhej menjëherë një analizë e plotë e punëve në parti e në vend. Kjo shpjegohej me faktin që njëri nga partizanët kryesorë të trockistëve jugosllavë, Koçi Xoxe, bëri një qëndresë të madhe dhe fshehu shumë gjëra nga partia. Duhej një kohë e konsiderueshme për të sqaruar se çfarë punë të madhe për sabotimin e ekonomisë popullore të vendit dhe çfarë veprimtarie minuese brenda partisë kishin bërë trockistët juosllavë dhe sahanlëpirësit e tyre në Shqipëri. Vendi erdhi në kongresin e partisë duke pasur tashti një ide për veprimtarinë e trockistëve jugosllavë në Shqipëri dhe intrigat e tyre brenda aprtisë. Në parti qenë bërë shumë gabime serioze.

Demokracia e brendshme në parti pothuajse nuk ekzistonte. Struktura organizative e partisë, e kopjuar tërësisht nga jugosllavët, ishte difektoze. Partia ndodhej nën kontrollin e plotë të organeve të sigurimit të shtetit. Ligjet dhe dispozitat për problemet ekonomike në vend nuk zbatoheshin. Reagimi në Shqipëri lidhur me tradhtinë e klikës së Titos ishte shumë i madh. Lufta kundër trockistëve jugosllavë dhe përkrahësve të tyre doli jashtë kuadrit të partisë dhe i gjithë populli në këtë luftë u bashkua rreth partisë. Hoxha thekson se ndjenjat e popullit shqiptar ndaj popullit jugosllav nga gjithë këto nuk u dobësuan. Por, për këtë u kujdes partia. Kongresi i partisë tregoi se në luftën kundër trockistëve jugosllavë partia u shërua dhe u bë edhe më e fortë. Kongresi tregoi gjithashtu se partia, ndonëse e re, disponon forca të mëdha dhe energji në luftën për vijë të drejtë. Kritika e ashpër kundër veprimtarisë së elementëve pro-jugosllavë u bë para syve të të gjithë popullit shqiptar. U njohën gabimet e bëra nga partia dhe u treguan rrugët për kapërcimin e tyre.

RASTI I KOÇI XOXES DHE KRISTO THEMELKOS!

Partia nuk përdori masa represive në shkallë të gjerë dhe veproi në këtë drejtim me kujdes të madh, duke u nisur nga fakti që shumë shokë, duke ecur në rrugë të shtrëmbër, besonin se vija e sugjeruar nga jugosllavët ishte e drejtë. Prandaj, shokëve që i njohën dhe i kritikuan gabimet e veta, iu dha mundësia të ndreqen. U arrestuan vetëm Koçi Xoxe, Pandi Kristo dhe tre të tjerë. Kristo Themelkua, njëri nga njerëzit më përgjegjës për zbatimin e vijës së dëmshme jugosllave dhe që me se një herë ka shprehur qëndrim jodashamirës kundrejt BRSS-së dhe shokëve sovjetikë që punonin në Shqipëri, nuk u arrestua. Kristo Themelkua paraqiti në mbledhjen e Byrosë të gjitha faktet që kishin të bënin me veprimtarinë e tij dhe ai bëri një autokritikë të ashpër lidhur me qëndrimin e vet. Autokritika u vlerësua si mjaft e ndershme dhe objektive.

Shoku Stalin pyet se çfarë posti zinte Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se ai ka qenë gjeneral dhe zinte postin e drejtorit politik të ushtrisë. Shoku Stalin pyet se ku ndodhet dhe me se merret tashti Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se ai ndodhet në Tiranë, se është mënjanuar nga punët dhe se në këtë çast nuk merret me asgjë. Shoku Stalin pyet se çfarë kombësie ka Kristo Themelkua. Hoxha përgjigjet se Kristo Themelkua është sllav. Hoxha shton se në kohën e vet Qeveria shqiptare i është drejtuar Qeverisë sovjetike me kërkesën që të lejojë Kristo Themelkon të vijë në Moskë për studime në akademinë ushtarake “Lenin”. Shoku Stalin pyet se a morën përgjigje shqiptarët lidhur me këtë kërkesë. Hoxha thotë se në fillim përgjigjja ishte pozitive, por pastaj çështja ngeci. Shoku Stalin pyet: a nuk duan shqiptarët, me dërgimin e Kristo Themelkos në Moskë, që ta heqin qafe atë? Hoxha përgjigjet se ata do të donin ta dërgonin Kristo Themelkon për studime në BRSS, me shpresë se ai do të mund ta rehabilitojë veten.

ZGJEDHJET NË ORGANIZATAT – BAZË TË PARTISË!

Hoxha thotë se partia vazhdon të shpresojë se Kristo Themelkua do të mund të përmirësohet, porse besim të plotë politik tek ai nuk mund të ketë. Shoku Stalin thotë se Kristo Themelkua tashti nuk u duhet shqiptarëve. Hoxha përgjigjet pozitivisht. Shoku Stalin deklaron se Kristo Themelkua nuk u nevojitet shqiptarëve, por ai as neve nuk na nevojitet. Shoku Stalin pyet: Mos, vallë, shqiptarët duan ta dërgojnë Kristo Themelkon në BRSS për konsiderata të sigurisë së vet? Hoxha përgjigjet se Kristo Themelkua gjithmonë ka dashur të shkojë për studime në Akademinë Ushtarake të BRSS. Shoku Stalin deklaron që nëse shqiptarët dëshirojnë, ne do ta pranojmë Kristo Themelkon në BRSS.

Hoxha thotë se pas kongresit u morën masa për pastrimin e partisë. Një grup shokësh, që e patën kompromentuar veten me lidhjet me trockistët jugosllavë, u hoqën nga postet drejtuese në parti dhe në ushtri. U morën masa për forcimin e demokracisë së brendshme të partisë, u anuluan të gjitha dispozitat dhe udhëzimet e bëra nën influencën e jugosllavëve etj. Në kongres u zgjodh një KQ, në përbërje të të cilit u futën shokë të rinj, shokë besnikë. Përveç kësaj, u morën masa lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme, në të cilën qenë lejuar shtrembërime e padrejtësi e qenë bërë shumë punë të fëlliqura. Në këtë ministri tashti janë futur forca të freskëta. Tashti po zhvillohen zgjedhjet në organizatat – bazë të partisë në qytete dhe në gjithë vendin, si edhe në komitetet e partisë të rretheve. Si rezultat i këtyre zgjedhjeve, në drejtimin e organizatave – bazë të partisë vijnë shokë të sprovuar dhe besnikë. Në ndreqjen e gabimeve të lejuara në ekonominë e vendit, një ndihmë shumë të mirë dhanë shokët sovjetikë që punojnë në Shqipëri.

KRIZA NË EKONOMINË SHQIPTARE!

Hoxha vë në dukje se ngjarjet që ndodhën patën edhe një ndikim negativ në gjendjen brenda partisë. Në një sërë organizatash partie vihet re një rënie e disiplinës. Midis elementëve të dobët shfaqet prirja për anarki. Veç kësaj, në momentin e tashëm, kur është ashpërsuar lufta e klasave, janë bërë më të dukshme prirjet oportuniste te disa anëtarë partie. Hoxha thotë se në periudhën kur partia bënte punë në luftën kundër nacionalizmit jugosllav dhe përkrahësve të tij brenda partisë, ajo deri diku u tërhoq në çështjen e luftës kundër elementëve kulakë në fshat. Kjo tërheqje u bë me qëllim që të mos ndërlikohej së tepërmi situata në vend. Mirëpo, kjo bëri që shteti, për shkak të veprimtarisë së kulakërisë, nuk mundi të marrë në fshat sasinë e mjaftueshme të drithit. Në vend u krijuan vështirësi serioze ekonomike.

Një tjetër shkak i këtyre vështirësive ishte kjo që, kur jugosllavët po përgatisnin atentatin e tyre kundër Shqipërisë, ata gjatë 8 muajve nuk i dhanë asgjë Shqipërisë. Në tregun shqiptar lindi kaosi ekonomik. Fshatarët pushuan së hedhuri mallrat e tyre në treg, gjë që i ngriti në mënyrë të theksuar çmimet. Vetëm ndihma nga ana e BRSS-së bëri të mundur të fillohej nga lehtësimi i gjendjes së krijuar. Hoxha deklaron se me gjithë vëshitrësitë, populli shqiptar ka besim të plotë në udhëheqjen e vet shtetërore. Populli shqiptar ka vuajtur kurdoherë, i kanë rënë shumë fatkeqësi mbi shpinë, por ai nuk u trembet vështirësive. /Telegrafi/KultPlus.com