Shoqata e Gastronomëve bën thirrje për protestë: Kësaj radhe nuk do të ketë mirëkuptim

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka njoftuar se më datë 25 të këtij muaji do të mbyllin bizneset për një kohë të caktuar dhe do të shkojnë para Qeverisë e Parlamentit të Kosovës për të dorëzuar kuponat fiskal, përcjellë KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Petrit Kllokoqi përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku është shprehur tejet i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, duke potencuar se kësaj të fundit nuk i intereson mirëqenia e asnjë punëtori në Kosovë dhe se krejt çfarë kërkuan nga Shoqata e Gastronomëve ka qenë ‘MBIJETESA’.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Kllokoqit

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës

SHGK: Shteti tregoi që nuk i intereson mirëqenia e asnjë punëtori në Kosovë, ne kërkuam vetëm mbijetesë

Edhe një herë u cenua e drejta e biznesit në Kosovë.
Edhe një herë shteti tregoi që nuk i intereson mirëqenia e asnjë punëtori në Kosovë.

Papunësia vetëm në pandemi shënoi rritje prej 30%, e mos të flasim për gjendjen normale që gjithnjë ka qenë katastrofale. E mos të flasim as për humbjet enorme të bizneseve.

Nuk kërkuam asgjë më tepër se sa MBIJETESË.

Vazhdimisht kërkuam që ky orar të rritet, gjithnjë duke i respektuar të gjitha masat.

Kërkuam edhe një njoftim se si të punojmë brenda lokaleve tona pasi që jemi në prag të vjeshtës.

Thirrjet tona për kryeministrin, qeverinë e parlamentin po duket të jenë të kota.

Jemi shteti i vetëm në botë që skemi as plan, e as mbështetje për krizën e thellë, kemi vetëm retorikë boshe …

Herën e fundit kur Shoqata paralajmëroi dhe mbajti protestë, Policia e Kosoves me urdhër të Kryeministrit, na lejuan vetëm 7 minuta aktivitet, ne e mirëkuptuam Policinë, nuk donim arrestime e as përkeqësim të situatës, e as situata të palakmushme në mes Policisë dhe Gastronomeve. Respektuam çdo urdhër e vendim që na u dha.

Këtë radhë nuk do të kemi mirëkuptim, sepse mirëkuptim për ne nuk pat as edhe një moment. Ne duam të jemi përgjegjës ndaj punonjësve tanë, familjeve tyre dhe familjeve tona.

Fatkeqësisht më të lehtë dhe më të përballueshme e kemi të kalojmë kohë në qeli sesa të shohim shkatërrimin e asaj që ndërtuam me shumë mund. Ne nuk na ka mbetur asnjë alternativë tjetër, po na e cënoni ekzistencën, më keq se kaq nuk ka.

I bëjmë thirrje të gjithë gastronomëve të Republikes së Kosovës që me datën 25.09.2020 nga ora 14:00-15:00 të mbyllin bizneset e tyre dhe të na bashkangjiten në ora 14:00 para Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës që të dorëzojmë kuponat fiskal!

Atë që virusi po ua shkakton njerëzve, ju po ia shkaktoni Gastronomisë së Kosovës. / KultPlus.com