Ndonëse për bukuritë natyrore dhe artefaktet në pjesën e Dukagjinit të cilat i krijojë natyra dhe dora e njeriut është shkruar shumë dhe ato mund t’i gjeni në vargje poetësh, në skenarë filmash dhe në rrëfime të çdokujt që ka vizituar këtë pjesë të bukur të Kosovës, për mikpritjen dukagjinase, për vizitën në Manastirin e Deçanit, në bjeshkët Nemuna, në bjeshkët e Prejlepit, në qytetin antik të Gjakovës, zor është të gjenden fjalë të spikatura për t’i përshkruar, meqenëse fjalët janë të pakta karshi historisë, bukurisë dhe mirëpritjes tradicionale që mund ta gjeni në këtë cep të bukur të Kosovës.
Drenoci, fshat historik
Para se të ngjiteni në bjeshkët e Prejlepit, është e pamundur të mos ndaloni në fshatin Drenoc të Komunës së Deçanit, fshat ky me vlera historike, kulturore dhe tradicionale. Ky fshat dita-ditës po bëhet tërheqës edhe për turistët e huaj nga rajoni, Evropa dhe bota e largët.
E veçanta e fshatit Drenoc janë kullat prej guri. Në të dyja anët e sokakut të këtij fshati janë të ndërtuara dhe restauruara kulla prej guri me shumë mjeshtri, art dhe traditë. Ndonëse lufta e shkatërroi çdo gjë, ky fshat u ringrit duke ruajtur vlerat historike dhe kulturore.
Fëmijët që shihen duke shëtitur rrugëve të Drenocit i japin kuptim të ardhmes se jeta vazhdon.
Tradita në fshatin Drenoc nuk u shua. Turizmi çdo ditë e më shumë po zhvillohet duke ruajtur kulturën dhe zakonet shqiptare. “Këtu çdo vit kemi turistë të huaj të cilët vijnë dhe qëndrojnë me net të tëra në kullën tonë. Vijnë edhe shtetas amerikanë të cilët qëndrojnë nga dy javë. Turistët mund të bujnë këtu dhe të ushqehen me ushqime tradicionale”, tregon e zonja e kullës “Bujtina Mazrekaj”.
Artefaktet e nënave, gjysheve, baballarëve dhe gjësendet me të cilat kanë jetuar, qëndrojnë në ballë të çdo kullë në lagjen Mazrekaj. Veshja e katundit, enët antike prej druri, sofra e rrumbullakët dhe djepi ta kujtojnë kohën dhe jetesën e të parëve tanë. Pozita gjeografike, klima, malet, grykat, flora dhe fauna, trashëgimia natyrore dhe kulturore, janë elemente bazë që Deçanin e bëjnë destinacion turistik për turistët e vendit dhe të huajt.
Manastiri i Deçanit
Manastiri i Deçanit është një monument i trashëgimisë kulturore, i ndërtuar në shekullin XI. Është pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të UNESCO-s.
Manastiri i Deçanit është ndërtuar afër lumit Bistrica, nën shpatet e mprehta të bjeshkëve të Nemuna, dhe është rindërtuar mbi themelet e një kishe të vjetër ilire.
Ajri i pastër, cicërima zogjsh dhe një qetësi flladitëse që vjen nga Bjeshkët e Nemuna, të shoqërojnë derisa pret ta dorëzosh lejen identifikuese tek ushtarët e KFOR-it për ta vizituar këtë manastir.
Duke hyrë në oborrin e Manastirit të Deçanit takohesh me shumë vizitorë të huaj dhe dëgjon gjuhë të ndryshme të botës. Për Manastirin e Deçanit është thënë shumë dhe vazhdon të thuhet dhe shkruhet në mediat me nam botëror rreth historisë, tokës që rrethon, pozitës gjeografike dhe divirsitetit etik që është treguar prej shekujsh në këtë manastir, por edhe rreth etnicitetit të këtij manastiri.
Një pjesë e hapësirës te Manastiri i Deçanit vazhdon të jetë çështje mospajtimesh në mes të përfaqësuesve të manastirit dhe Komunës së Deçanit për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese e cila i njeh manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë. Drejtuesit e Komunës së Deçanit thonë se këto prona janë të dy ndërmarrjeve publike dhe se gjykata ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka. Edhe tri vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në terren mundësitë për ta zbatuar këtë vendim shihen të pakta. Mospajtimet për këta 23 hektarë tokë vazhdojnë ende.
Afër Manastirit rrjedh edhe burimi i ujit të Gushavcit, i cili është mineral dhe edhe shërues i shumë sëmundjeve. Deçani, që njihet për bukuritë e bjeshkës, tashmë ka edhe këtë burim të ujit, ku çdo ditë e më shumë po rritet interesimi për qytetarët për ta përdorur këtë ujë.
Bjeshkët e Nemuna
Me të kaluar Manastirin e Deçanit, rruga të shpie te Bjeshkët e Nemuna të cilat shtrihen në veri të Shqipërisë, në perëndim të Kosovës dhe në juglindje të Malit të Zi.
Ndërkaq, ndërthurje me këto bjeshkë bëjnë dhe bjeshkët e Prejlepit të cilat kanë lartësi mbidetare 2 150.
Lartësia mbidetare (2656 metra) e Bjeshkëve të Nemuna ofron kushte të përshtatshme për zhvillimin e turizmit sezonal dimëror dhe turizmit sezonal veror.
Turizmi dimëror zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në Komunën e Deçanit duke iu referuar terreneve shumë të përshtatshme natyrore, hapësinore e klimatike për zhvillim.
Këto bjeshkë karakterizohen me bukuri të shumta natyrore, të cilat, të ndërthurura me stanët e ndërtuar nga banorët e kësaj ane, ajrin e pastër, dhe bimët e shumta natyrore, përbëjnë pamje mahnitëse.
Peizazhi i tyre është në të katër anët, madje me t’u ngjitur deri në krye, mund t’i shihni pikat kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Për jetën turistike në bjeshkët e Prejlepit kanë folur dy vendësit e kësaj ane, Hatmone Lokaj dhe Besnik Hulaj. Besnik Hulaj nga fshati Prejlep, që është edhe pronar i bujtinës turistike “Guest House – Hulaj”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në verë dhe dimër ka vizitorë të shumtë.
Ai ka treguar se si filloi të rigjallërohej kjo bjeshkë menjëherë pas luftës, meqenëse në luftë forcat serbe i kishin djegur të gjitha stanet, por ato u rindërtuan sërish. “Diku në vitin 2001 familjarët e mi ishin ndër të parët që erdhën këtu dhe filluan ta ndërtojnë stanin të cilin e kishin djegur serbët. Në atë kohë kishte hezitime, meqenëse kishim drojën mos forcat serbe kanë lënë ndonjë minë dhe mund të eksplodojë. Mirëpo, gradualisht banorët e Deçanit filluan t’i rindërtojnë stanet dhe tani, siç e shihni, është një peizazh i mrekullueshëm që vizitohet nga shumë turistë vendorë dhe të huaj”, ka thënë Hulaj, duke shtuar se, pos ajrit, ujit dhe pamjeve magjepsese, në këtë vend turistët mund të ushqehen me ushqime tradicionale. “Vizitorët mund ta marrin me vete ushqimin, por ka dhe nga ata që duan ushqime tradicionale dhe këtu mund të porosisin çfarë të duan. Çmimet janë të arsyeshme”, ka treguar Hulaj.
Për ushqimet tradicionale ka folur edhe Hatmone Lokaj, e cila gatuan të gjitha llojet e ushqimeve tradicionale me porosi.
“Një vit pas luftës ne kemi dalë në bjeshkë. Unë gatuaj çfarëdo ushqimi tradicional me porosi për vizitorët që vijnë në këtë pjesë”.
Një herë në javë dërgoj ushqim tradicional edhe në Gjakovë. Zakonisht përgatiti nga tri-katër pitë brenda ditës. Gjithashtu, gjatë verës merrem edhe me mbjelljen e frutave, si mjedra dhe boronica”, ka thënë Hatmone Lokaj./epokaere/ KultPlus.com