The Weeknd do të nderohet me çmim për kontributin e tij në bamirësi

Ylli i muzikës, The Weeknd, do ta pranojë çmimin “Quincy Jones Humanitatian Award” në ceremoninë e parë shpërblyese “Music in Action Awards”.

Këngëtari i hitit “Blinding Lights” do të jetë ndër artistët e nderuar në ngjarjen e përvitshme të organizuar nga “Black Music Action Coalition”, e që mbahet në një hotel të Hollywoodit më 23 shtator të këtij viti.

Çmimi që do t’i ndahet muzikantit kanadez e nderon angazhimin e tij të madh në fushën e bamirësisë, me ç’rast artisti ka dhuruar miliona dollarë për çështje të ndryshme bamirëse, prej fillimit të pandemisë së koronavirusit.

Ndër organizatat që kanë përfituar nga donacionet e artistit 31-vjeçar, janë: “Black Lives Matter Global Network”, “Colin Kaepernick Know Your Rights Camp Legal Defense Initiative” dhe “National Bail Out”, si dhe fushatat për lehtësimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, “MusiCares” dhe disa organizata tjera në Etiopi dhe Libi.

Çmimet “Music in Action” do t’i nderojnë artistët, drejtuesit dhe bizneset në industrinë e muzikës, të cilët kanë dhënë kontributet më të rëndësishme për drejtësi sociale, barazi dhe ndryshim, gjatë vitit të fundit. / Koha.net / KultPlus.com

@AP/Associated Press

Qëllohet me armë në kokë një aktiviste e re e Black Lives Matter në Londër

Një aktiviste e re nga lëvizja Black Lives Matter ndodhet në gjendje kritike në një spital në Londër pasi u qëllua në kokë. 27-vjeçarja Sasha Johnson, nënë e tre fëmijëve, ishte kërcënuar vazhdimisht me vdekje. Të shtënat ndodhën në rrethin Southwark, në jug të metropolit anglez.

Episodi u raportua nga aktivistët e partisë “Taking the Initiative”, që janë aktivë në fushën e barazisë sociale dhe të drejtave civile.

“Me shumë trishtim ju informojmë se Sasha Johnson u qëllua me armë në kokë. Ajo gjithmonë ka qenë e përfshirë në luftën për njerëzit me ngjyrë dhe kundër padrejtësive që rrethojnë komunitetin me ngjyrë”, shkruan lëvizja duke i ftuar njerëzit të luten për shërimin e saj.

“Ne të gjithë shpresojmë që gjendja e vajzës të përmirësohet. Hetimi ynë është në fillimet e tij dhe ne po përpiqemi të kuptojmë rrethanat”, tha kryeinspektori Jimi Tele, i cili u bëri thirrje banorëve të Rrugës së Konsortit, ku ndodhi sulmi, që të kontrollojnë kamerat e citofonëve dhe zileve të derës në kërkim të ndonjë të dhëne. / KultPlus.com

Lëvizja ‘Black Lives Matter’, protestuesit rikujtojnë 1-vjetorin e vrasjes së Breonna Taylor

Në 1-vjetorin e vdekjes së Breonna Taylor, familja e afro-amerikanes së vrarë nga policia vazhdon të bëjë thirrje për drejtësi, teksa qindra protestues u mblodhën në qendrën e qytetin të Luisville me thirrjet “pa drejtësi nuk ka paqe”.

Më pas familjarët e të ndjerës marshuan së bashku me demonstruesit drejt Bashkisë së Qytetit.

“Dua të them që e vlerësoj shumë dashurinë dhe mbështetjen për Breonna Tayjor dhe familjen e saj, veçanërisht këtu dhe në të gjithë botën”, tha njëri prej protestuesve.

26-vjeçarja afro-amerikane humbi jetën 13 marsin e kaluar pasi policia mësyu gabimisht në apartamentin e saj në kërkim të trafikantëve të drogës. Taylor, e cila ndodhej në apartament së bashku me të dashurin e saj u godit 5 herë nga plumbat e forcave të rendit.

Vdekja e Taylor nuk u trajtua shumë publikisht, për shkak edhe të Covid-19, por pas vrasjes së George Floyd dhe dëshmisë së partnerit të saj, Gjykata e Louisville hapi një hetim mbi çështjen./ KultPlus.com

Ankandi artistik që është bërë viral, mbështet familjet e grave të zeza të vrara nga policia

Cardi B është në mesin e 100 artistëve që kanë kontribuar për një ankand të ri në internet të quajtur “Show Me the Signs”.

Reperi përdori një copë kartoni për të shkruar emrat e 34 burrave dhe grave të zeza të vrara nga policia, të tilla si Sandra Bland, Eric Garner dhe Breonna Taylor, bashkë me frazën “Thuaji Emrat e tyre”, shkruan The Guardian, përcjell KultPlus.

“Ne duam të dërgojmë një mesazh që jeta e gjithësecilit ka rëndësi, ju nuk mund ta thoni atë mesazh kur po lini jashtë gratë e zeza”, tha Shermena M Nelson,  drejtore e programeve në Forumin e  Politikave Afrikano-Amerikane, i cili është organizator i ankandit.

Fondet e mbledhura nga ankandi online në Artfizz, i cili mbyllet më 30 nëntor, do të shkojnë në Rrjetin e Nënave #SayHerName të AAPF, i cili ndihmon në sigurimin e strehimit, tarifave ligjore dhe kostove të tjera për nënat e grave që janë vrarë nga policia.

“Ka një kosto për vdekjen, ajo shkon përtej shpenzimeve të varrimit dhe përfshijnë ato financiare, shëndetsore e mendore. Humbja tragjike e dikujt ua ndryshon strukturën familjare. Ne po përpiqemi t’i mbushim boshllëqet aq sa kemi mundësi” , tha Nelson.

Shumë prej veprave të artit janë në formë protestuese, si ajo e Billie Eillish që thotë “Stop Vrasjes së njerëzve të zinj”.

 Artistë të tjerë që janë pjesë e ankandit janë Jim Carrey, David Hockney, Rashid Johnson, George Condo dhe Marilyn Minter.

Artistja nga Los Angeles, Delia Brown ka paraqitur një vepër arti që përmban emrat e grave të zeza të vrara nga policia,  shoqëruar me moshat e tyre, të cilat variojnë nga 26 deri në 72 vjeç. Në fund të veprës artistike shkruhet: “Unë nuk duhet t’i di emrat e tyre”.

“Është e vështirë të bësh një vepër arti për mungesën e drejtësisë, të cilën e përjetuan familjet e këtyre vajzave dhe grave. Unë i lashë shifrat të flasin vet, në një periudhë 5 vjeçare, vetëm dy oficerë u akuzuan për vrasjen e 48 grave dhe vajzave të pafajshme, të cilat ata duhej t’i mbronin”, u shpreh Brown.

Shitjet nga ky ankand do të ndihmojnë për financimet e tafiave shëndetësore, ligjore dhe anëtarësimin e më shumë grave në Rrjetin e Nënave. / The Guardian/ KultPlus.com

‘Black Lives Matter’ pjesë e Javë së Modës në Milano, bëhet thirrje për shkatërrimin e ideve paragjykuese në këtë industri

Për herë të parë në historinë e organizimit të Javës së Modës në Milano, një shou i tërë dedikuar disenjatorëve italian me ngjyrë, ishte pjesë e kalendarit zyrtarë të kësaj ngjarje, dhe organizatorët shpresojnë se do ta theksojë mungesën e diversitetit në industrinë e modës.

Shou digjital me titull “We are Made in Italy”, u transmetua online të dielën më 27 shtator si dhe i shfaqi koleksionet Pranverë/Verë 2021 të pesë disenjatorëve të përzgjedhur zezak të cilët në të kaluarën kishin hasur në vështirësi për të depërtuar në këtë industri, transmeton KultPlus.

Ngjarja u organizua nga anëtarët e lëvizjes “Black Lives Matter” brenda kolektivit të modës në vend, dhe anëtarja e vetme me ngjyrë në këshillin italian të modës, disenjatorja Stella Jean, e cila vazhdimisht ka bërë fushatë kundër racizmit në botën e modës.

“Është shumë e rëndësishme për ne t’i tregojmë botës se rrobat e prodhuara në Itali nuk i takojnë një race, ngjyre apo komuniteti të caktuar. Ne duam t’i shkatërrojmë idetë paragjykuese në këtë industri, se të qenit Italian do të thotë të jesh i bardhë”, citohet të ketë thënë Jean për Reutersin.

Në mesin e pesë disenjatorëve që i shfaqën koleksionet e tyre në këtë ngjarje ishin: Fabiola Manirakiza, Mokodu Fall, Claudia Gisele Ntsama, Karim Daoudi dhe Joy Meribe.

Sfilata digjitale e xhiruar në sheshin “Palazzo Clerici” të Milanos, përfundoi me një video-montazh të disenjatorëve pjesëmarrës dhe me Stella Jeanin e cila me krenari thotë: “Italia është krijuar nga ne”. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/tv/CFpjDXzo8vY/?utm_source=ig_embed

Rita Ora, Kylie Jenner, Ava Max, Rihanna dhe Stanaj i bashkohen fushatës “Black Lives Matter” pas vrasjes së Floyd

Vdekja e qytetarit nga Minneapolisi, George Floyd, i cili e humbi jetën pasi një polic i vuri gjurin në fyt për nëntë minuta, gjatë kohës sa po e arrestonte atë në Minnesota, ka bërë bujë të madhe në gjithë botën.

Ngjarja tragjike ndodhi javën e kaluar dhe nga atëherë, polici përgjegjës për vdekjen e afrikano-amerikanit, Derek Chauvin, është pushuar nga puna si dhe është paditur për vrasje të shkallës së dytë.

Veprimi i policëve të përfshirë në këtë ngjarje, cilësohet të ketë motive raciste dhe kështu ka shkaktuar protesta shpesh të dhunshme të cilat po vazhdojnë ende.

Fushatës “Black Lives Matter” i janë bashkuar edhe emrat më të njohur të muzikës në botë. Gjithashtu edhe këngëtarët shqiptarë me famë botërore si: Rita Ora, Ava Max e Stanaj, nuk kanë mundur ta neglizhojnë këtë rast. Përmes postimeve në Instagram ata i janë bashkuar fushatës.

https://www.instagram.com/p/CA7AetwHiQR/

Artistët kanë publikuar fotografi tërësisht të zeza në shenjë solidarizimi me njerëzit me ngjyrë. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CA7BRhBFV2r/
https://www.instagram.com/p/CA7QDV-Dy3D/
https://www.instagram.com/p/CA6_ckAHFvR/