Gonxhja-Çeku: Shqipëri e Kosovë, projekte të përbashkëta kulturore

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u prit në një takim në Prishtinë nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Hajrulla Çeku.

Gjatë takimit Gonxhja dhe Çeku diskutuan mbi mundësi konkrete për bashkëpunim dhe projekte të përbashkëta kulturore, shkëmbime artistike dhe promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore.

Ministri Gonxhja theksoi se “në fokus të bisedës ishte edhe sinergjia e mundshme e qendrave tona kombëtare të kinematografisë, si një hap drejt fuqizimit të industrisë filmike mbarëkombëtare, dhe binjakëzimi i Muzeut tonë Kombëtar “Marubi” me Galerinë e Arteve në Prishtinë, ku mund të ekspozojmë një pjesë të çmuar të arkivave”.

“Teatri ishte gjithashtu temë me shumë interes për programe e festivale rajonale”, tha Gonxhja.

Gonxhja ndodhet në Prishtinë në kuadër të seancës plenare të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Sitet kulturore pritën më shumë se 1,2 milionë vizitorë në 10 muaj

Sitet tona kulturore kanë mirëpritur plot 1,229,195 vizitorë gjatë periudhës janar-tetor 2024. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau statistikat sa i përket këtij 10-mujori që krahasuar me një vit më parë ka një rritje prej 34%, ku 61% e vizitorëve janë turistë të huaj.

5 destinacionet më të preferuara prej vizitorëve janë:

Kalaja Gjirokastër – 248,890 vizitorë

Parku Arkeologjik Butrint – 195,216 vizitorë

Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë – 160,402 vizitorë

Parku Arkeologjik Shkodër – 146,541 vizitorë

Parku Arkeologjik Apolloni – 117,325 vizitorë

Numri i vizitorëve në muzetë kombëtarë arriti në 422, 020, ndërsa në parqet arkeologjike 478,769 persona. Të gjitha këto vizita gjeneruan të ardhura të cilat llogariten në 443,906,770 lekë, 40% më shumë se të ardhurat e vitit 2023.

“Shpirti i Shqipërisë është i gjallë në këto monumente, ku historia takohet me të tashmen dhe përcillet ndër vizitorët dhe brezat e të ardhmes”, shkroi ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com

Turistët në kërkim të trashëgimisë kulturore shqiptare

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale një video të dy prej turistëve që ende janë duke vizituar vendin tonë edhe këtë fundtetori. Videoja është xhiruar në kishën e Shën Kollit, Voskopojë, ku historia dhe bukuria e arkitekturës takohen në çdo gur dhe mur.

Në një udhëtim të shkurtër, turistët gjermanë kanë zbuluar magjinë e trashëgimisë sonë kulturore, duke përjetuar një atmosferë të qetë dhe të thellë shpirtërore. Çifti i turistëve të moshuar, thonë se po përjetojnë një përvojë fantastike dhe se ndihen me fat që gjenden në Shqipëri, ku do të qëndrojnë për 37 ditë.

Kisha e Shën Kollit ndodhet në qendër të Voskopojës. Kisha është shpallur Monument Kulture, i llojit “Arkitekturë” dhe është ndërtuar rreth vitit 1721.

Ajo është kishë ortodokse dhe më e rëndësishmja për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e periudhës postbizantine dhe cilësisë së pikturës. Struktura është ndërtim prej guri e tipit bazilikal, me naos me kupolë, narteks, hajat dhe kambanore. Kryesisht dekorimi në brendësi të kishës ka nisur rreth vitit 1726, nga David Selenica, një prej mjeshtërve më të mirë të shek. XVIII. Stili i tij i përket shkollës tradicionale të artit të paleologëve, e njohur si “shkolla maqedonase”.

Kisha e Shën Kollit përfaqëson edhe një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike të Voskopojës. Sot një pjesë të ikonave origjinale janë pjesë përbërëse e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Bienalja e Artit Bashkëkohor promovon turizmin dhe trashëgiminë kulturore të Durrësit

Bienalja e Artit Bashkëkohor me edicionin e saj të parë në qytetin historik të Durrësit, e vendos Shqipërinë në hartën botërore kushtuar artit bashkëkohor. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh përmes një postimi online se kjo ekspozite ndikon edhe në promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore.

Tema e bienales është “Inteligjenca Artificiale: e ardhmja Hibride”. Ky aktivitet ka bërë bashkë 17 pavijone kombëtare dhe marrin pjesë me punët e tyre 40 artistë nga vendi dhe bota, të cilat janë shpalosur në hapësirat publike dhe historike të qytetit të Durrësit.

Bienalja e Artit Bashkëkohor ka themelues dhe kurator Oltsen Gripshin dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Bienalja do të finalizohet me çmimin e madh për pavijonin më të mirë kombëtar.

Kjo ekspozitë e ka algoritmin e zhvillimit të saj në çdo dy vite (biennale) dhe kërkon të bëjë bashkë rrymat, qasjet estetike dhe stilistike më të fundit të artit bashkëkohor ndërkombëtar, duke e shndërruar qytetin e Durrësit një herë në dy vite, në skenën më të rëndësishme dhe kuptimplotë, për sa i përket artit pamor kudo gjetkë.

Kjo ekspozitë e përdyvitshme ndërkombëtare e artit bashkëkohor mbështetet edhe nga Bashkia e Durrësit, si një mënyrë për të përqëndruar vëmendjen krijuese të artistëve më të shquar të artit bashkëkohor, vendas dhe të huaj, në qytetin më të lashtë të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Së shpejti, një Bibliotekë e re Kombëtare

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, gjatë një seance dëgjimore në Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, tha se po punohet për një bibliotekë të re kombëtare pranë Gardës në Tiranë.

Gonxhja tha se situata në bibliotekën Kombëtare është kritike.

“Një situatë e rëndësishme për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë që është një institucion me një rëndësi të jashtëzakonshme dhe që kemi një situatë kritike sa i takon kushteve të sigurisë për fondet dhe për të gjithë inventarin, thesarin që kemi në bodrumet e këtij institucioni ku ne po punojmë për të pasur një qasje tepër kreative në kuptimin ekonomik të fjalës, një nismë të re që kemi bashkë me Bashkinë e Tiranës dhe me shoqërinë që posedon një pjesë të këtij aseti, ne të kemi një marrëveshje të re që do të na bënte që të dilnim me më shumë metra me një zgjidhje përsa i përket krizës që ka kaluar biblioteka shqiptare në vite”, tha Gonxhja.

Sipas ministrit, biblioteka e vjetër nuk do të shkatërrohet, ajo do të jetë biblioteka në konceptin që ne kemi dhe për këtë do të zhvillohen dëgjesa, një analizë për një vendimmarrje serioze.

“Biblioteka e vjetër kombëtare do të jetë atje për një theks ceremonial, muzeal, duke qenë në qendër të qytetit, pranë sheshit Skënderbej”, tha Gonxhja.

Gjithashtu do mendohet një rikonceptim i Pallatit të ri të Kulturës në shërbim edhe të Bibliotekës Kombëtare.

“Ne duam që të jetë e vizitueshme dhe të jetë një objekt historik ku do të kemi fondin historik. Biblioteka e re kombëtare do të jetë në shërbim të shumë moshave me shumë kategori. E gjitha kjo do të zhvillohet në një godinë të re që do të vijë si rezultat i një qasje kreative ekonomike”, u shpreh ministri./atsh/KultPlus.com

E drejta e autorit, hapen aplikimet për pajisjen me licencë apo ripërtëritjen e saj

Janë hapur aplikimet për pajisjen me licencë apo ripërtëritjen e saj për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to.

Nëpërmjet një publikimi, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bën me dije se afati për depozitimin e kërkesave dhe plotësimin e plotë të dosjes së aplikimit është data 3 tetor.

MEKI ftoi të gjitha subjektet e interesuara, të paraqesin pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kërkesë për shprehje interesi, formularin e aplikimit sipas formatit të miratuar, dokumentacionin shoqërues, i cili vërteton përmbushjen e të gjitha kritereve si dhe depozitimin e mandat pagesës së tarifës për licencim ose ripërtëritje të saj. Fatura e pagesës tërhiqet pranë Drejtorisë së Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com

42% më shumë vizitorë në sitet kulturore nga janari në korrik

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau lajmin e mirë se sitet kulturore kanë pasur një rritje të vizitueshmërisë me 42% krahasuar me një vit më parë. Bëhet fjalë për periudhën janar-korrik 2024, gjatë së cilës sitet tona kulturore kanë mirëpritur plot 651,796 vizitorë, 23% e të cilëve janë turistë të huaj.

“Shpirti i Shqipërisë është i gjallë në këto monumente, ku historia takohet me të tashmen dhe përcillet ndër vizitorët dhe brezat e të ardhmes”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale.

Më tutje ai renditi vizitorët për kalatë e parqet arkeologjike më të vizituara në vend, ku e para renditet Kalaja e Gjirokastrës me 120,723 vizitorë, nga muzeumet veçohet ai i Krujës dhe më pas renditen parqet arkeologjike të Shkodrës, Butrintit e Apolonisë.

Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë – 90,955 vizitorë
Parku Arkeologjik Shkodër – 85,806 vizitorë
Parku Arkeologjik Butrint – 84,742 vizitorë
Parku Arkeologjik Apoloni – 68,469 vizitorë/atsh/KultPlus.com

Gonxhja: Shndërrim i fshatrave “të braktisur” në qendra turistike

Agroturizmi shihet si sektori më efikas në rivitalizimin e zonave rurale.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, solli  në vëmendje se, modeli i “Albergo Diffuso” (AD), që fokusohet në shndërrimin e fshatrave “të braktisur” në qendra turistike, po zbatohet edhe në Shqipëri.

Albergo Diffuso (AD) është një koncept revolucionar në turizëm, i cili ka si qëllim shndërrimin e fshatrave “të braktisur” në qendra turistike autentike dhe plot gjallëri.

Me origjinë nga Italia në vitet 1980, ky model ka të bëjë më shumë sesa thjesht akomodim, ka të bëjë me përjetimin e jetës në fshatra dhe qendra të vogla historike.

Po çfarë e bën unik Albergo Diffuso?

Sipas këtij modeli, në vend të ndërtimeve të reja të hoteleve, AD shfrytëzon shtëpitë ekzistuese të fshatit.

Akomodimet janë të shpërndara nëpër shtëpi të banuara, duke ftuar vizitorët të jetojnë si vendas.

Gjithashtu AD është një model i turizmit të qëndrueshëm që respekton dhe integrohet me komunitetet dhe natyrën lokale.

E parë në këtë kontekst, përmes nismave të reja, qeveria adresoi mbështetje të veçanta për zhvillimin e agroturizmit, i cili sot ka marrë hov thuajse në çdo zonë rurale të vendt dhe jo vetëm.

Në thelb të këtij modeli qëndron fakti i të përjetuarit të jetesës së vërtetë lokale. Ndërkohë që angazhohesh me komunitetet duke ruajtur stilin e jetesës dhe mjedisin e tyre./atsh/KultPlus.com