Ishte mik dhe shtyllë e festivalit, koncerti i dytë i ‘Kosova KamerFest’ i dedikohet pianistit Derek Han

Flonja Haxhaj

Kryeveprat e ikonave të muzikës botërore, Ludvig Van Beethoven dhe Ernst von Dohnanyi, zbritën mbrëmë në Prishtinë nën interpretimin e pashoq të Sihana Badivukut në violinë, Blerim Grubit në violë dhe Aristidh Prosit në violonçel, në mbrëmjen e dytë koncertale të festivalit ‘Kosova KamerFest’, përcjell KultPlus

Mbrëmja e dytë koncertale e edicionit të XXI-të të këtij festivali iu kushtua e gjitha pianistit amerikan, Derek Han, i cili ishte mik dhe shtyllë e këtij festivali që nga themelimi i tij në vitin 2001.

Ishin tingujt e instrumenteve harkore ato që lanë pa fjalë për një orë publikun që kishin mbushur plot sallën e Modelariumit në fakultetin e Arkitekturës në Prishtinë, sallë kjo ndonëse e improvizuar, në këtë koncert ishte e përshtatshme në paraqitjen e akustikës së duhur për veshin e dëgjuesve.

Në mbrëmjen kushtuar kolegut dhe mikut të saj, pas performancës foli për KultPlus violinistja dhe drejtoresha artistike e festivalit, Sihana Badivuku e cila mes emocionesh thotë se ky koncert për ‘Trio harkor Kosova’ ka qenë tejet i veçantë dhe me shumë përgjegjësi.

“Kjo mbrëmje për mua si violiniste, artiste dhe si drejtoreshë artistike e festivalit, por edhe e kolegëve të mi, ka qenë shumë e veçantë sepse kemi pasë shumë përgjegjësi sepse ia kemi kushtuar pianistit Derek Han i cili ndërroi jetë vitin e kaluar e ai ka qenë shtyllë e këtij festivali prej vitit 2001”, tha Badivuku e cila shtoi se Han ka qenë një mysafir i përhershëm i festivalit ku kanë luajtur në formacione të ndryshme.

Ndonëse ‘Kosova KamerFest’ u rikthye pas dy viteve mes shumë vështirësive sidomos për shkak të mungesës së sponzorëve, Badivuku thotë se ky edicion ka filluar me këmbë të mbarë për shkak të pjesëmarrjes së artistëve të mirënjohur.

“Koncerti i parë ishte shumë impresiv me violinistin shqiptar me famë botërore Klaidi Sahatçi dhe në piano Merita Rexha Tërshana e cila është zëvendës-dekane në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ajo ka qenë edhe më herët në ‘Kosova KamerFest’ kurse Klaidi për herë të parë.Çka është ajo e veçanta prej vitit 2017 është se është zgjeruar ‘Kosova KamerFest’ më degët e festivaleve të ngjajshme në ‘Skupi KamerFest’ dhe ‘Albanian KamerFest’.”, u shpreh ndër të tjerat drejtoresha artistike e festivalit, Sihana Badivuku.

Pas interpretimit të pashoq në mbrëmjen e dytë koncertale, për KultPlus foli edhe violisti Blerim Grubi i cili është njëherësh edhe themelues i këtij festivali.

“Këtë festival e kemi themeluar në vitin 2000, dhe kemi pasur një rrugëtim 21-vjeçar së bashku ku kemi bërë shumë koncerte me shumë artistë botërorë. Shumë ngjarje kulturore kanë kaluar nëpërmjet këtij festival, mundet të shënohet një histori kulutore artistike nëpërmjet këtij festivali sepse nga fillimi kemi pasur emra të njohur botërorë dhe tash në fund pas dy viteve po e rifillojmë, po e rivazhdojmë aty ku kemi mbetur.”, tha Grubi për KultPlus.

Grubi tha se ‘Trio Harkor Kosova’ u kthye sërish në Prishtinë pas shumë performancave në Evropë dhe në festivale të ndryshme evropiane.

“Kishim dëshirë të shprehim një ngushëllim dhe një mirënjohje artistit dhe mikut tonë Derek Han i cili ka pasë një ndjesi shumë të madhe ndaj neve shqiptarëve sidomos artit, kulturës dhe ka bërë gjithçka që të ecë përpara muzika dhe arti duke na përkrahur, ai ka bërë çmos me mënyrat e tij që të bëjmë hapa që ne të shkojmë përpara si shoqëri artistike.”, u shpreh Grubi duke folur për tematikën e këtij koncerti.

I pranishëm në mbrëmjen ku jehoi muzika e dy kompozitorëve që lanë gjurmë në historinë botërore artistike ishte edhe gazetari i kulturës në ‘Rilindje’ i cili e cilëson veçanërisht këtë festival si një bazament të jashtëzakonshëm për muzikën dhe artin në Kosovë.

“Nga i gjithë ai spektër i prezantimeve që deri tashmë janë bërë në Prishtinë, festivali ‘Kosova KamerFest’ ka arritur të sjellë emra më me renome të muzikës kamertale dhe jo vetëm, solistë dhe interpretues të të gjitha fushave artistike dhe ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme në jetën muzikore në Kosovë.”, deklaroi Piraj duke shtuar më tutje se përgjatë 22-viteve që nga themelimi ky festival ka lënë gjurmë në jetën artistike muzikore në Kosovë dhe tashmë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.

Tutje, Piraj foli edhe për grupin ‘Trio Harkor Kosova’ i cili rikthehet në Prishtinë pas dy viteve pauzë dhe pas një numër të madh të koncerteve në Evropë dhe nëpër festivale të ndryshme.

“Trio Harkor Kosova tashmë ka një kredibilitet të jashtëzakonshëm të prezantimit të vlerave artistike sepse me vite performojnë së bashku, jo vetëm këtu në Prishtinë por edhe më gjerë, krijuar një moment të bukur, një mbrëmje që u pëlqye shumë për faktin sepse, edhe në aspektit stilistik por edhe në aspektin e veprave që prezantuan, krijuan një imazh të bukur dhe vlera që tashmë janë të dëgjuara por që u sollën edhe një herë në skenën e Prishtinës.”, shtoi për fund Piraj.

Ju kujtojmë që publiku do të ketë mundësi të shijojë magjinë e veprave kamertale në ‘Kosova KamerFest’ nga 1 tetor deri më 1 dhjetor 2022 në 11 mbrëmje koncertale.

Përveç koncertit të djeshëm të dedikuar pianistit Han, ky festival e ka emërtimin e çdo koncert me simbol ose të përvjetoreve të kompozitorëve siç janë Cesar Frank dhe Çesk Zadeja, dedikuar fëmijëve me autitëzm etj.

‘Kosova KamerFest’  do të mirpresë edhe artistë të tjerë si: String Trio Kosova, Sihana Badivuku, Blerim Grubi, Aristidh Prosi, ArsKosova Competition 2022 laureats, Vesa Dume, Eda Vlaqo, Elsa Gashi, Dejon Bendaj, Kristina Laqo, Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala./ KultPlus.com

Absurdi i një kohe dhe viola, magjia e gishtave të Blerim Grubit

Nga Flora Nikolla

Një absurd e detyroi Blerim Grubin  të shkëputej rreth 40 vite më parë, nga violina  e tij që kish nisur ta studionte kur ishte 6 vjeç.

“Duhet të studiosh violë, ose duhet të ndërpresësh studimet” , i kishin thënë  të riut shqiptar, autoritetet e ish Jugosllavisë ,

Mes dyzimeve për ta braktisur muzikën, ai zgjodhi vëmendjen e prindërve  dhe të atit të tij, që e kish nxitur që të vogël  t’i kushtohej muzikës.

Sot,  Blerim Grubi, një emër i zëshëm i muzikës në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, është një personalitet që mban mbi vete një mori të çmuar koncertesh në të gjithë botën, nga Nju Jorku në Tokio,  dhe një emër i spikatur në botën akademike që jep kontributin  e tij në rritjen e një brezi të ri në Prishtinë, Tetovë, e Shkup në Maqedoninë e Veriut.

Viola e tij, të cilën e preku  me hatërmbetjen e një dashurie të këputur në mes nga absurdi i të qënit shqiptar,  sot është një dashuri e madhe për të, nje magji qe leviz me lirshmeri magjike ne duart e tij .

Ai kujton në këtë intervistë si nisi ta njohë violën , si krijoi dimensione  dhe energji shpirtërore e muzikore më këtë instrument me një timbër, madhësi dhe ngjyrë ndryshe, nga dashuria e tij e parë.

Blerimi kur flet per trajektoren e tij artistike, thotë se, puna është mbi të gjitha dhe po të jetë në një vijë të drejtë me talentin dhe  vullnetin, krijon një artist të suksesit.

Ndoshta ky sekret i jetës së tij profesionale e ka bërë të interpretojë si solist me sukses të plotë në shumë vende brenda dhe jashtë vendit  duke  dhënë shëmbullin  që edhe  viola  të jetë një instrument që  tërheq publikun.

Pjesë e kuintetit Albanian Excellence, i cili do të interpretojë këngë qytetare të zonës juglindore të Shqipërisë dhe të pjesës së Dibrës së Madhe  në një tur koncertor të titulluar “Lule borë”, nga  data 6-10 qershor,  Blerim Grubi e thotë se “Lëvrimi i këngëve qytetare është një pasuri shumë e madhe për kulturën dhe artin shqiptar.

“U gëzova shumë që maestro Shpetim Saraçi do të japë kontribut për formacionin tonë. “Mezi pres që notat e vendosuara në pentagramin e maestro Saraçit të tingëllojnë nga instrumentet tona për t’i transmetuar në ambientin e publikut artëdashës” shprehet  Blerim Grubi i cili iniciativën e Albanian Excellence  për të krijuar këtë kuintet i cili në bazë të programit të tij ka ruajtjen dhe kultivimin e muzikës qytetare mbarëshqiptare  do ta quajë një shëmbull për pushtetet-shtetet shqiptare,dhe një tregues se gjithçka bëhet dhe arrihet me energji pozitive dhe dashuri ndaj njëri tjetrit.

Ju ftoj ta lexoni kete interviste te maestro Blerim Grubi

F.N: Blerim, cila është historia e lidhjes tuaj me Violën ?

B.G: Sa herë me bie rasti të tregoj historinë e lidhjes time me instrumentin e violës,gjithmonë h e  rrëfej medhimbje ngjarjen që më ka ndodhur gati para 40 vitesh. Pasi mbarova shkollën e ulët dhe të mesme për violinë me rezultate të shkëlqyera, ndodhi që isha i detyruar të vazhdoja  studimet për violë. Kjo  për arsye se në atë kohë ishte një periudhë e rreptë antishqiptare dhe kështu stafi i Fakultetit të Muzikës më detyroi që ose të  vazhdoja për  violë ose të hiqja dorë nga studimet për muzikë.

Isha  gati të ndërprisja studimet për muzikë dhe të vazhdoja një fakultet tjetër, por nëna ime ishte ajo që më tha qe nësë nuk  vazhdoja muzikën do t’ ia thyeja zemrën babes,që kishte qënë iniciator  të nisja të merresha me muzikë që  kur isha 6 vjeç.

F.N: Po viola e parë e kujtoni momentin kur i keni rënë për herë të parë  ?

B.G: Po si e thashë më lart, isha 17 vjec kur mora në dorë  instrumentin e violës. Ishte një moment shumë interesant sepse sdi se si nisa të ndieja dicka tjetër nga violina.

Po i bija, një  instrumenti  me një timbër, madhësi dhe ngjyrë ndryshe. Pastaj duheshe një përkushtim më i madh nga ana ime,  për të njohur më afër një vegël për të cilin nuk kisha asnjë lloj informacioni.

Sa më shumë kalonte koha , aq më shumë nisa të ndiej  një energji krejt tjetër për violën , të ndjeja një hapësirë të re dhe kështu hap pas hapi të  zbuloja risitë e instrumentit violës.

F.N:Po tani pas kaq vitesh, cilat janë violat që ju interpretoni ?

B.G:  Unë kam  dy viola, e para është nga një mjeshtër i njohur Gjerman –Zanders e vitit 1994 , viola e dytë është e punuar nga një mjeshtër i vjetër maqedonas Dimanin dhe i takon vitit 1950 .Është interesante se si këto dy  instrumenta, dallohen për nga ngjyra forca dhe madhësia.

F.N: Ju jeni një artist mjaft i njohur në Maqedoni dhe në Kosovë .., cila është veprimtaria juaj në fushen e muzikës në këto dy vende…

B.G: Kam lindur në Shkup dhe mësimet i kam ndjekur  po ashtu në Shkup, por ndoshta prejardhja ime nga babai nga Gjakova dhe nga nëna nga Ferizaj, kanë bërë  që të jap kontributin tim edhe në Kosovë.

Mbas mbarimeve të studimeve u punësova në Filharmonin e Maqedonisë  ku dua të theksoj së isha  i vetmi shqiptar në këtë institucion. Më pas, mbas vitit 1993, mora një ftesë nga Fakulteti  i Arteve në Prishtinë  dhe më vonë edhe nga Fakulteti i Arteve në Tetovë.

F.N: Ju jeni një artist me një karrierë të lakmueshme, mendoni se keni qënë pikë nisje që artistë të rinj të zgjedhin këtë instrument  ?

B.G: Po ndoshta  edhe kam qënë. Kam interpretuar si solist në shumë vende brenda dhe jashtë vendit dhe  kam dhënë shëmbull se edhe viola mundet të jetë një instrument po ashtu atraktiv.

F.N: Në se lufton për diçka të madhe, duhet forcë dhe pasion, por gjithashtu për të arritur sukses duhet shumë punë apo jo ?

B.G : Puna është mbi të gjitha. Sigurisht talenti dhe  vullneti janë bazë për t’u zhvilluar dhe krijuar si një artist me shumë sukses.Pastaj gjurmimet sa i takon njohurisë globale, shërbejnë për informacion shtesë për të menduar dhe vepruar më ndryshe .

F.N: Mendoni se repertori i violës, mbetet i panjohur nga publiku?

B.G: Jo, mendoj se tani kur ka më shumë interpretues violist  të shkëlqyer,  publiku dhe adhuruesit e artit kanë më shumë informata edhe nga rrjetet sociale dhe internetit . Kështu të ndjekin zhvillimet,  rrjedhat dhe risitë e veprave të shkruara nga kompozitorët bashkohorë pasi me instrumentin e violës  trajtohem mjaft bukur .

F.N: Si i shihni ju anekdodat mbi instrumentin e violës që qarkullojnë në  ambientin muzikor  ?

B.G: (Qesh) Po është e vërtetë për anekdotat. Por në punë në orkestër ose formacion, këto anekdoda, krijojnë një relaksim të atmosferës së punës .

F.N: Cila është harta e koncerteve që ju keni dhënë ?

B.G: Po në karrierën time artistike 32 vjeçare kam interpretuar me qindra  koncerte të realizuara nga Nju Jorku deri ne Tokio. Ajo që është shumë e rëndësishme, është se gjatë këtyre eksperiencave, kam njohur dhe interpretuar me shumë instrumentistë me shumë kombësi, me shumë kulturë dhe tradita të ndryshme.Them se kjo është pasuria më e madhe e një artisti për arsye se ka mundësinë për të përjetuar momente shumë interesante në jetën  e tij.

F.N :Mund të përmëndni disa nga iniciativave që ju keni marrë në fushën e muzikës dhe cil ka qënë trajektoria e tyre ?

B.G: Po është e vërtetë që kam marrë  shumë inciativa  gjatë jetës sime artistike, duke nisur nga themelimet e institucioneve shkollore dhe muzikore, fondacionet, gara për muzikë, festivale dhe organizim të aktiviteteve  të ndryshme kombëtare.

F.N: Ju aktualisht jeni pedagog në Universitetin e Prishtinës dhe të Tetovës…

B.G: Po jam në marrëdhënie të plotë pune në Prishtinë dhe i angazhuar në Tetovë.

Dua të theksoj se po ashtu jam i angazhuar edhe në vendlindjen time Shkup, (qesh) dhe këtu jap  kontributin tim artistik dhe arsimor  ku është nevoja, si për shëmbull me kërkesë nga Ansambli Shtetëror i Këngeve dhe  i Valleve, i cili mund të them se është i vetmi institucion muzikor profesional në Maqedonin e Veriut..

F.N: Ju do të jeni pjesë turit koncertor të  kuintetit të Albanian Excellence të titulluar, “Lule Borë”,  cilat janë ndjesitë tuaja në krijimin e këtij kuinteti …

B.G: Po unë që nga viti 2019 jam ftuar nga Albanian Excellece që te jem një flakadan me gjithë  artistët e  tjerë  shqiptarë nga mbarë bota ku ata veprojnë dhe jetojnë.

Por  prej më shumë se një viti jemi bllokuar nga Pandemia e Covid 19, ndaj dhe  menduam që mënyra më mënyra më e mire në këtë situatë,  ishte të formojmë këtë formacion më të vogël.

Jam shumë i gëzuar pasi në këtë mënyrë, shoqërohemi duke punuar dhe përgatitur programe për koncerte që planifikohen në këtë kohë shumë të rëndë shëndetësore.

F.N:Do të interpretoni muzikë  qytetare të trevës  juglindore të Shqipërisë dhe të trevës së Dibrës, por të riorkestruara nga mjeshtri Shpëtim Saraci … Cili është opinion juaj ?

B.G:  Lëvrimi i këngëve qytetare është një pasuri shumë e madhe për kulturën dhe artin shqiptar. Sidomos u gëzova shumë që maestro Saraçi do të japë kontribut për formacionin tonë. Po ashtu mezi pres që notat e vendosuara në pentagramin e Saraçit të tingëllojnë nga instrumentet tona për t’i transmetuar në ambientin e publikut artëdashës.

F.N : Mendimi juaj për kuintetin Albanian Excellencë dhe iniciativën e saj për t’u identifikuar me muzikën qytetare shqiptare të ridemensionuar ?

B.G: Çdo inciativë sa i takon ruatjes e trashëgimisë kulturore është e mirë se ardhur për plotësimin e jetës sonë të perditshme. Tradita tregon edhe të kaluarën tonë që nuk duhet dhe guxon të harrohet. Ne duhet ta ruajmë me xhelozi, duhet të mbajmë dhe zhvillojme sidomos sa i takon gjeneratës së re,ata që do të duhet ta vazhdojnë këtë traditë .

F.N: Një mesazh për publikun shqiptar këtej dhe andej kufirit ?

B.G: Mesazhi më i mirë dhe kuptimtë është modeli dhe iniciativa e projektit të Albanian Exellence për të afruar shqiptarët nga katër anët e botës sa i takon kontaktit mes njëri-tjetrit për  dhe informimin dhe njohjen e artistëve me publikun shqiptar.

A ka më mire qe shoqërimi dhe bashkimi ynë veprues në Albanian Exellence, të jetë shembull për pushtetet-shtetet shqiptarë, se gjithçka qe bëhet,  arrihet me energji pozitive dhe dashuri ndaj njëri tjetrit?/albanianexellence/ KultPlus.com

Violinisti i njohur shqiptar refuzon fondet që ia ndau Ministria e Kulturës

Blerim Grubi, ka njoftuar së fundi se ka refuzuar subvencionin e Ministrisë së Kulturës në Maqedoninë e Veriut, në lidhje me projektin ‘Skupi Kamerfest”, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë violinisti përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook, ku ka deklaruar se shumë e mjeteve të ndara për projektin në fjalë është qesharake.

Ai ka thënë se as në dy vitet e kaluara kjo ministri nuk e ka përkrahur festivalin, i cili mbahet edhe në Kosovë me bashkëpunëtoren e Grubit, violinisten Sihana Badivuku.

“Njohtoj opinonin e gjërë se unë Blerim Grubi violist nga Shkupi me keqardhje të madhe vendosa ta refuzoj vendimin e Ministrisë së Kulturës për dhënien e fondeve për proektin nga OJQ Muza “Skupi Kamerfest” në shumë prej 1954 euro. Pasi që në dy konkurset e mëparshme për vitet 2018 dhe 2019 ky projekt nuk ishte perkrahur fare nga dy ministrat shqiptar të Ministrisë së Kultrurës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kurse kësaj rradhe kjo përkrahje erdhi por me një shume qesharake prej 120 mijë denarëve, kam vendosur të mos e nenshkruaj kontratën me Ministrin zotëri Hysni Ismaili”, ka shkruar ai.

Tutje, Grubi ka thënë që këtë përkrahje e ndjen si një denigrim për personalitetin e tij dhe të bashkëpunëtores së tij Sihana Badivukun, me të cilën kanë pasur në plan ta realizojnë festivalin e muzikës klasike në Shkup.

“Kështu, ishin planifikuar 8 koncerte me artistë të muzikës klasike, emra të njohur botëror dhe shqiptar si dhe seminare-master klasë për nxënës dhe student të artit muzikor. Nga rezultati i konkursit që kemi lexuar në faqen e Ministrisë, jemi te indinjuar dhe të fyer për mos vlersimin e projektit tonë nga ana e komisionit vlerësues”, ka përfunduar Grubi. / KultPlus.com

Koncert për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Kroaci, performojnë Blerim Grubi e Arjana Kuriu Grubi

Bashkësia Shqiptare në Kroaci organizon koncert në sallën prestigjioze Hrvatski glazbeni zavod për nder të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert do të luajnë Blerim Grubi në violë dhe Arjana Kuriu Grubi në piano, ndërsa do të luhen vepra nga kompozitor shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria.

Programi përmban vepra të Maroshit, Harapit, Sokolit, Skënderit, Sulejmanit, Daijës, Paparistos, Beqirit, Dhomit dhe Tukiqit.

Koncerti vjen më 15 shkurt me fillim nga ora 17:00./ KultPlus.com