Kanë nisur debatet dhe mendimet rreth rastit të Blert Morinës, djalit i cili e fitoi betejën me shtetin duke e ndërruar emrin dhe gjininë e tij.
Reagim i fortë ka ardhur sot nga Armend Ibrahimi, një aktivist i ri dhe i angazhuar edhe në jetën politike, për disa vite pjesë e LDK-së. Ai e ka quajtur rastin si goditje ndaj institucionit familje.
Ky është postimi i tij i plotë huazuar, pa lejen e Ibrahimit, nga Facebook i tij zyrtar.
Armend Ibrahimi (marrë nga Facebook)
Rasti i Blert/a Morina dhe përdhosja e identiteteve gjinore të Qytetarëve të Kosovës
Më 11 dhjetor 2019 është bërë i plotfuqishëm aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin iu dha të drejtë Blerta Morinës ta ndërrojë shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumente të identifikimit në shpërputhje me identitetin e saj gjinor. Pra, emrin nga Blerta ne Blert, dhe identifikuesin e gjinisë, nga F (Femër) në M (Mashkull).
Nuk besoj dikush prej nesh të ketë problem me atë se si dikush ndihet për veten, synojmë ta lëmë të lirë secilin që të ndihet si të dojë për veten e tij, madje edhe për të tjerët, nuk është kjo çështje ndjenjash!
Nëse dëshiron ajo, Shteti mund ta thërras apo ta regjistroj si Ganimete, apo Gani, apo Blert, sido që të dojë. Nuk është problemi se çfarë emri ta kane zgjedhur, apo e zgjedh për veten.
Papajtueshmëria qëndron te fakti se e vërteta natyrore është më e rëndësishme se ndjenjat e dikujt për fenomenin. Njoh qytetarë të Kosovës që do të donin të ishin më të gjatë, njoh të tjerë që do të donin të ishin më të shkurtë. Nuk duhet tash ta pyesim secilin se sa CM dëshiron të ta shkruajmë se je i gjatë në dokumentet e identifikimit (apo se cfarë ngjyre i ke sytë). Ne rastin e gjinisë, kur të lindesh, mjekët të identifikojnë dhe të regjistrojnë.
Pra, secili ka të drejtë ta ketë opinionin e vet personal, por nuk mundet që secili të ketë faktet e veta personale, sepse natyra e fakteve kërkon që të mund të verifikohen edhe nga burime të tjera. Imagjinojeni një situatë kur Meshkujt e ndërrojnë gjininë dhe bëhen Femra për t’u futur në ligën e femrave të Futbollit apo Basketbollit (me demek për tu integruar). Është diskriminim i të dy palëve!
Kur flasim për vlerat, me këtë dhe shumë veprime të tjera Republika e Kosovës ka bërë dhe vazhdon të bëjë sulme të vazhdueshme në Familjen si institucion, vlerë për të cilën karakterizohet Populli ynë.
Madje Gjykata duke i ‘bërë’ të pavërtetat – të vërteta natyrore (pra, duke thënë se Femra mund të bëhet Mashkull dhe Mashkulli – Femër), bënë sulm në të drejtat e njeriut, madje edhe atyre që ende nuk janë, njeriut që do të vjen në jetë, apo atyre që sapo kanë ardhur.
Nga fillimi rasti është dashur të trajtohet si kërkesë për ndryshimin e emrit, gjinia nuk ndryshohet, gjinia nuk prodhohet, është kategori natyrore, është fenomen i matshëm biologjik. Madje edhe Darvini i kishte identifikuar dy gjini, edhe tek Njeriu edhe tek Majmunet.
Teknikisht, ky është një rast me të cilin lejohet falsifikimi i dokumentit identifikues. Faktikisht është cenim i identitetit të më shumë se Milion qytetarëve të Kosovës.
Problemi qëndron se ata që duhet ta kryejnë punën e tyre nuk e kryejnë, e ata që duhet ta ngritin zërin në këto raste, nuk flasin.
Tash duhet të jap përgjegjësi Avokati i Popullit, duhet të flas Myftiu i nderuar Naim Ternava, i nderuari Ipeshkvi ynë Dodë Gjergji. Apo nëse doni ua sjellë një Rabin të nderuar nga Jerusalemi, madje edhe një liberal të shquar nga bota perëndimore.
Shpresoj në mirëkuptimin e kujtdo qe mendimi im apo faktet qe ua solla, ua lëndojnë ndjenjat (pavarësisht gjendjes së tyre mentale). Unë besoj se secili individ i gjallë duhet të trajtohet me dinjitet, pra nuk është kjo çështje e Blertit apo Blertës, por e të vërtetës, veçanërisht kur personalja behet politike!