Këtë vit janë të shumtë artistë kosovarë që janë bërë pjesë e Festivalit të Filmit në Venecia. Pas Luana Bajramit e cila do të ketë një paraqitje të dyfishtë në këtë festival, si aktore dhe regjisore filmi.
Regjisorja e njohur Blerta Basholli gjithashtu nuk do të mungojë në këtë festival, kësaj here si producentë e filmit “Housekeeping for Beginners” (Mirëmbajtja e shtëpisë për fillestarë), filmi i fundit i Goran Stolevskit i cili është përzgjedhë në konkurrencë zyrtare në kategorinë Orizzonti në Festivalin e Filmit të Venecias.
Por, përveç Bashollit, pjesë e kastit të aktorëve janë edhe aktorët tanë të njohur si: Rozafa Çelaj, Ilire Vinca dhe Bislim Mmuçaj.
Në film luajnë edhe aktorja e njohur rumune Anamaria Marinca (4 months 3 weeks 2 days) dhe Alina Seban, aktori kroat Vladimir Tintor, së bashku me aktorët maqedonas Samson Selim, Mia Mustafa, Dzada Selim, Sara Klimoska dhe Ajshe Useini.
Housekeeping For Beginners është një histori që eksploron të vërtetat universale të familjes, si ato në të cilat kemi lindur, ashtu edhe ato që i gjejmë vetë. Dita nuk donte kurrë të bëhej nënë, por rrethanat e detyrojnë atë të rrisë dy vajzat e të dashurës së saj, ngatërrestaren e vogël Mia dhe adoleshenten rebele Vanesa. Pason një betejë vullnetesh ndërsa të trija bëhen një familje e pashpresë që duhet të luftojë për të qëndruar së bashku.
Filmografia e Stolevskit përfshin filma të mirënjohur – You Won’t Be Alone, i cili u shfaq premierë në konkurrencë zyrtare në Festivalin e Filmit Sundance 2022, dhe Of an Age, që hapi Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Melburn 2022. Të dy filmat u distribuan ndërkombëtarisht nga Focus Features dhe Universal.
Producentët e filmit përfshijnë Marija Dimitrova, Klaudia Śmieja-Rostworowska, Ankica Jurić Tilić, Beata Rzeźniczek, Milan Stojanovic, Blerta Basholli, bashkëproducentët janë Kristina Börjeson, Jonas Kellagher, Kristina Ceyton, Sam Jennings, Linnings, T. Jan Naszewski shërbyen si producentë ekzekutivë.
Filmi është prodhuar nga List Production, Madants, Kinorama, Sense Production, Industria Film, në bashkëprodhim me Film i Väst, Common Ground Pictures, Causeway Films dhe në bashkëpunim me Tango, New Europe Film Sales dhe Adelaide Film Festival.
Shitjet ndërkombëtare menaxhohen nga New Europe Film Sales.
Kurse pjesë e ekipit ishin edhe dy kosovarë tjerë, Leonora Mehmeti Hoxha- grimere dhe Berat Kryeziu VFX.
Filmi është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës si bashkëprodhim minor. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian ka rrëfyer historinë e Kosovës nëpërmjet fateve personale të: Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit, Blerta Bashollit, Egzon Sylës, Hana Qerimit dhe gazetares ukrainase Liudmyla Makei, të cilët janë pjesë e delegacionit të Presidentes në këtë adresim.
“Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian ka rrëfyer historinë e Kosovës nëpërmjet fateve personale të: Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit, Blerta Bashollit, Egzon Sylës, Hana Qerimit dhe gazetares ukrainase Liudmyla Makei, të cilët janë pjesë e delegacionit të Presidentes në këtë adresim.
“Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot”, ka theksuar Presidentja Osmani. Gjatë prezantimit të delegacionit, Presidentja Osmani, spikati të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës nëpërmjet rrëfimeve jetësore të anëtarëve të delegacionit.
“Ky është përfaqësimi i vërtetë i Republikës sonë të dashur – që përfaqëson historinë e trishtë dhe sfiduese të Kosovës, si dhe frymën e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe vendosmërisë që është një premtim për një të ardhme më të madhe”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani. Presientja Osmani tha se Vasfije Krasniqi Goodman ishte ajo që e kuptoi se plagët thellohen në heshtje.
“Sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, tha ndër të tjera Presidentja Osmani. Më tej, në adresimin e saj, Presidentja Osmani shpalosi edhe fatin jetësor të znj.Fahrie Hoti.
“Ajo e ktheu pikëllimin në motivim, ajo e ktheu dhimbjen në vendosmëri”, shtoi presidentja Osmani. Veprimet e saj, sipas Presidentes Osmani, jo vetëm që shpëtuan jetën e qindra grave në fshatin e saj, por historia e saj frymëzoi edhe filmin “Zgjoi”, të regjisores Blerta Basholli.
Duke folur për një të ardhme më të mirë, Presidentja veçoi rrëfimin e suksesshëm të Hana Qerimit, bashkëthemeluese e Digital School dhe StarLabs, dy kompani, të cilat janë etabluar në tregun evropian me punën që bëhet në Kosovë. Historitë e këtyre njerëzve, sipas Presidentes Osmani janë mishërimi i qëndrueshmërisë.
Në këtë kontekst, Presidentja përmendi angazhimin e Egzon Sylës, nga kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit në FSK, i cili ka udhëhequr ekipin në përpjekjet e shpëtimit nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqi. “Sot, një 2-vjeçar si dhe të tjerë janë ende gjallë për shkak të Egzonit dhe ekipit të tij. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre tregon shpirtin e vërtetë të popullit të Kosovës: atë që nuk dorëzohet kurrë dhe që jep gjithmonë”, tha Presidentja Osmani.
Në fjalimin e saj, Presidentja prezantoi edhe rrëfimin e Liudmyla-n. Liudmyla Makei, gazetarja e parë ukrainase që u prit në Kosovë si pjesë e Programit të Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë të nisur nga institucionet kosovare në mbështetje të kauzës së tyre për të mbrojtur të vërtetën. “Populli im e njeh edhe ndjenjën e pakrahasueshme të lirisë dhe paqes. Dhe, shpresoj se populli i Ukrainës së shpejti do t’i përjetojë këto ndjenja ndërsa e fiton luftën ndaj agresionit të Rusisë”, ka thesuar ndër të tjera Presidentja Osmani./ KultPlus.com
Filmat mund të prekin emocionet dhe kujtimet më të thella të audiencës. Ata krijojnë një përvojë të përbashkët që mund të ngjallë të qeshura, lot, zemërim dhe madje edhe frikë, duke komunikuar ide ndryshe nga çdo mjet tjetër tradicional i artit të bukur. Historia e filmit i përket shekullit të 19-të, e historia e suksesit të Kosovës në këtë fushë daton në shekullin e kaluar, por në vitin 2021 kinematografia e Kosovës arriti kulmin më të lartë të suksesit ndonjëherë, me arritje të jashtëzakonshëm në mbarë botën.
Nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës, në ambientet e Kino ARMATËS është organizuar edhe ndarja e çmimeve vjetore të kinematografisë.
I pari që hapi këtë ceremoni ishte Berat Miftari, i cili falënderoi të pranishmit në sallë dhe gjithë komunitetin e kineastëve që ngriten në piedestalin më të lartë emrin e Kosovës.
“Ja ku jemi në ndarjen e çmimeve për kinematografi. Ngjarje që bën bashkë njerëzit që përgjatë gjithë vitit mblidhen dhe nëpërmes ekranit të madh i japin botës tregimet më të mira që vijnë nga Kosova dhe të njëjtat fluturojnë kudo në botë. Sot është e pamundur që në një festival me renome në botë të mos jenë edhe kineastët edhe nga Republika e Kosovës, të cilët përmes rrëfimeve të tyre, jo vetëm që janë pjesëmarrës, por në shumicën e tyre nga këto festivale edhe kthehen me çmime. Është kjo ceremoni që shpërblen më të mirët në artin e shtatë siç njihet, natyrisht është arkitektura, piktura, skulptura, vjen muzika, është poezia, është vallëzimi e të gjitha këto arte me një mjeshtëri të jashtëzakonshme inkorporohen brenda shiritit filmik, e jo rastësisht thuhet se bota është e paimagjinueshme të jetojë pa filmin, të jetojë pa ju për fjalë të tjera.
Kryeministri Albin Kurti në një fjalim të veçantë gjatë kësaj ceremonie, tha se kinematografia e Kosovës ka arritur majat në vitin e fundit, dhe detyrë e tyre është që të ushqejnë talentin e kineastëve, të rinjëve dhe të rejave të vendit,
“Çdo vit shteti i Republikës së Kovoës nderon me çmimin lauretët e shumë fushave artistike. Sonte jemi mbledhur këtu për t’i nderuar e kremtuar këta kinematografë me dy çmime. Çmimin për Vepër Jetësore në Kinematografi dhe Çmimin Vjetor në Kinematografi. Gjatë vitit të kaluar por edhe gjatë këtij viti, kinematografia jonë arriti në majat më të larta që ka arritur ndonjëherë. Përfaqësimi ndërkombëtar gjithëandej planetit, çmime të jashtëzakonshme dhe të panumërta të fituara na treguan edhe një herë se talentin e kemi brenda shtëpisë dhe se ne duhet të punojmë me të e për të. Talenti pa punë është pothuasje asgjë, vetëm puna e madhe dhe e vazhdueshme do të shfaq horizonte të reja. Detyra e jonë është që ta ushqejmë këtë talent dhe ta hapim e t’ia hapim e t’ia lehtësojmë rrugët drejt sukesit e t’i mbështesim jo vetëm kur të arrihet suksesi”.
Kurti përmend edhe marrëveshjet që janë arritur në kinematografi, duke përmendur atë të bashkëprodhimit kinematografik me shtetin e Izraelit dhe atë të Francës.
“Këto marrëveshje hapin rrugë dhe ofrojnë mundësi për prodhime të reja, që nënkupton më shumë financim, më shumë shkëmbim të stilave dhe gjëra të tjera të filmbërjes. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit aktualisht po punon edhe në Ligjin për Kinematografi, i cili do të përcillet për diskutim në Kuvendin e Kosovës. Do të ketë edhe shumë insentime dhe jetësime të tjera të shumta për fushën e filmit. Me shpalljen e filmit si interes i veçantë shtetëtor i yni, do t’i jipet vëmendje dhe rëndësi procesit të bërjes së filmit në vend.
I pari i ekzekutivit shton edhe pjesën e rritjes së interesimit për të shikuar filma në Kosovë, duke përmendur statistika në shitjen e biletave nëpër kinematë e vendit, me ç’rast është shtuar interesimi për të shikuar filma vendor.
“Prandaj, filmi te ne po shikohet shumë më shumë se më parë, e krahas kësaj është rritur edhe kritika për të. Edhe prodhimi i filmit po shtohet, sepse imagjinata po thellohet. Të rejat e të rinjtë tanë kanë imagjinatë të madhe, këtu nuk mund pa i përmendur gratë që janë emri i suksesit tonë të Kosovës, e këtë e kemi parë në film, pikturë e gjithëandej. Këtë e kemi parë edhe në poezi, e shkënce e sport. Ne jemi këtu për asgjë tjetër vetëm për të punuar që imagjinatën tuaj ta bëni për të gjithë neve”.
Regjisorja Blerta Zeqiri, si pjesë e jurisë ka lexuar edhe arsyetimin për çmimin vjetor për kinematografi për vitin 2021.
“Çmimi Vjetor për Kinematografi i jepet regjisores për suksesin e jashtëzakonshëm të filmit të saj debutues të quajtur “Zgjoi”. I vlerësuar dhe i shpërblyer ndërkombëtarisht, përfshirë 3 çmimet kryesore në Sundance 2021, “Zgjoi” tërhoqi përsëri vëmendjen e botës në pjesën e dhimbshme të historisë së Kosovës, duke promovuar kinematografinë dhe shtetin tonë përmes distribuimit në të gjitha kontinentet. Në vitin 2021, Blerta Basholli ishte shembull për regjisorët, e sidomos për regjisoret e reja se si me përkushtim dhe vizion mund të sfidohej izolimi i kineastëve tanë dhe të deportohet në qarqet më prestigjioze filmike botërore”, tha Zeqiri.
Ndërkaq, Blerta Basholli me shumë emocione në fytyrën e saj, u shpreh e lumtur që mori këtë çmim dhe falënderoi gjithë ekipin për punën e madhe.
“Ky çmim për mua është shumë i veçantë, sepse po e marrim në Kosovë, po e marrim prej një kryeministri e ministri që përveç që janë filmdashës, i kanë dhënë një fokus të veçantë kinematografisë nga fillimi. Ky çmim nuk më takon vetëm mua, por gjithë njerëzit që kanë marrë pjesë. Kemi punuar shumë e kemi marrë mbështetje për t’u bërë ky film. Filmi “Zgjoi”, si çdo film tjetër, ka kërkuar punë e përkushtim që të arrijmë këtu. Sot po e marrë një çmim vetëm unë, por jemi një grup i madh i njerëzve që punuam shumë që të arrijmë këtu”.
Basholli vlerësoi bashkëpunimin si shumë të këndshëm, nga producentët, aktorja Yllka Gashi, e gjithë të tjerët që ndihmuan në realizimin e këtij filmi.
“Kam kaluar kohë shumë të mirë gjatë realizimit të filmit “Zgjoi” për shkak të punës dhe përkushtimit të secilit. I falënderoi të gjithë”.
Ajo nuk harroi që të përmend edhe kolegët e saj nga Kosova që kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm, e nuk duhet vetëm që të marrim shembull nga kinematografia e huaj.
“Për mua janë shumë më inspirim kolegët e mi, përfshirë Blerta Zeqirin që lexoi arsyetimin e saj. Kur Blerta ka shkuar në Festivalin e Filmit “Sundace”, isha në Amerikë në studime dhe thash se si arriti të shkojë atje. Inspirimi për mua ka qenë shumë më shumë prej kolegëve sesa nga regjisorët e mëdhenj, sepse ne shpesh herë harrojmë me i përmend kolegët tonë që janë sa më afër nesh e kanë korrur suksese të mëdha. Jo vetëm filmi “Zgjoi”, por edhe shumë filma të tjerë kanë arritur majat vitin e kaluar”.
Blerta Basholli falënderoi gjithë të pranishmit, përfshirë edhe familjen e saj, e gjithashtu përmendi edhe pjesën e buxhetit dhe mbështetjes së institucioneve.
“Uroj që bashkë edhe institucionet edhe komuniteti të punojmë bashkë që të zhvillojmë tutje industrinë e filmit, sepse kemi korrur shumë suksese por kemi nevojë që sa më shpejt të shtyjmë përpara me ligj, me lehtësira financiare, me krejt sa më shpejt që të ruajmë kuadrot që i kemi kriju, që mos të na hupin kuadrot që i kemi. Shpresoj që shumë shpejt të bëhet ligji për kinematografi dhe kjo industri e filmit të rritet shumë e më shumë”.
Ndarja e Çmimit për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” i është ndarë aktorit post-mortem, aktorit të madh kosovar, Abdurrahman Shala.
Edhe një herë tjetër, Blerta Zeqiri lexoi arsyetimin duke thënë se aktori Shala ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e kinemasë si atë vendore dhe atë botërore.
“Me rolet e tij të paharrueshëm, Abdurrahman Shala ka krijuar një opus artistik gati të pakrahasueshëm në historinë e kinematografisë kosovare. Nuk ka film të rëndësishëm të asaj periudhe kohore që nuk ka pasur Shala. Roli i tij i fundit ishte ai i Zekirit, të filmit “Para shiut”, film fitues të Luanit të Artë në Fesitvalin e Venedikut dhe film i nominuar për çmimin “Oscars”. Shala ka dhënë kontribut edhe në krijimin e shtëpisë së parë filmike të Kosovës “Kosova Film”, drejtor i parë i të cilit ishte, dhe më vonë edhe në krijimin e unionit të artistëve të filmit të Kosovës, duke lënë gjurmë të pashlyera dhe duke trazuar rrugët për zhvillimin e një industrie sado të vogël të filmit në Kosovë. Duke marrë parasysh gjithë këto, dhe duke kuptuar madhështinë dhe veçantinë e një njeriu dhe artisti si Abdurrahman Shala, juria është unanime në vendimin e ndarjes së këtij çmimi. Gjithnjë me shpresë se gjeneratat e reja do të gjejnë inspirim nga veprat e tij.
I pranishëm për të marrë çmimin ishte familjari Genc Shala, çmimin të cilin ia dhuroi Ministri Hajrulla Çeku.
“Shala ka pasur ëndrra që nuk ka arritur t’i realizojë. Në vitet 70-ta qytetin e filmit në Veterrnik por nuk iu është mundësuar një gjë e tillë. Ka dashur gjithashtu të bëjë një produksion të kasetave dhe të pllakave që mos bëjnë regjistrime në Beograd, por nuk arriti”, tha Shala duke falënderuar të gjithë për këtë çmim.
Të bëhesh regjisor kërkon pasion, vizion dhe përkushtim të pakrahasueshëm, që të tria janë virtyte për t’u kanalizuar në filma me cilësi të lartë. Regjia është një punë me presion të lartë dhe kërkon udhëheqje të fortë dhe imagjinatë të pazbutur. Një regjisor duhet të dijë si të menaxhojë njerëzit, si dhe të dijë të menaxhohet, dy aspekte të punës nga të cilat varet suksesi i një filmi.
“Shkolla e filmit ka të bëjë me zbulimin se kush je, nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një sasie të caktuar njohurish apo teknikat më të fundit. Duhet të mësosh se kush je, çfarë përfaqëson dhe sa i mirë je” (Geuens). Blerta Basholli me filmin e saj “Zgjoi”, mësoi se është një yll i madh dhe mund të arrijë suksese të jashtëzakonshme, të tilla sikurse shkrimi i historisë në njërin prej festivale më të mëdha në botë “Sundance Film Festival”, duke fituar për herë të parë në historinë e këtij filmi tre çmimet kryesore, e gjithë këto të arritura me filmin e saj të parë.
Debutim i ëndrrave
Në një interevistë për KultPlus, Blerta Basholli tregoi se asnjëherë nuk e kishte pritur që filmi të arrinte gjithë këtë sukses dhe të fitonte gjithë ato çmime.
“Nuk e kom mendu nashta as në andrrën më të mirë nuk e kom imagjinu fillimisht me u pranu në “Sundance”, e pastaj me bo edhe histori aty. Shteti na ka mbështet shumë mirë edhe në kampanjë, por ne kemi pasur fatin të gjejmë mirëkuptim dhe njerëz që e dojnë kinematografinë dhe na kanë mbështet deri në fund. Ky çmim i dhuruar nga institucionet e Kosovës është çmim shumë i rëndësishëm për mua, e kjo ndoshta është edhe kulmi i ëndrrave”.
Shkrimi i historisë, larg horizontit
“Për të qenë e sinqertë, nashta pse e kemi pas plan gjatë gjithë kohës për t’u pranu në “Sundance”, nuk e kom prit që të fitojmë çmime e të shkruajmë histori në “Sundance”, i veçoi si çmime më të veçanta. Por edhe medalja presidenciale nga presidentja Vjosa Osmani është i veçantë, edhe ky sot gjithashtu. PriFest, si festival nga Prishtina ku fituam çmim është shumë i veçantë dhe secili ka ndjenjën e vet”.
Puna e madhe dhe xhirimet e shumta gjatë procesit të bërjes së një filmi, detyrimisht të largojnë nga filma dhe qëndrimi larg tyre asnjëherë nuk është diçka e mirë, megjithatë Basholli vlerëson se puna e saj herë pas here ia mundëson që ndonjëherë ta kalojnë shumë kohë me fëmijët, dhe ndonjëherë të mos i shohin për një kohë të gjatë.
“Puna jonë e ka një të mirë dhe një të keqe, kur je prind dhe punon në industri të filmit mundesh me pas më shumë kohë me kalu me fëmijët, sesa një prind që punon në orar të rregullt, sepse je gjithë ditën në shtëpi, mundesh me planifiku pushime më të gjata. Gjatë kohës kur është realizuar filmi, unë kam qenë edhe drejtoreshë e kulturës dhe masdite isha në montazh, kështu që fëmijët e mij për disa muaj më kanë parë shumë pak, falë nanës sime e cila u kujdes, sepse as Artani nuk ishte në shtëpi. Gjatë kohës kur nuk jemi të zënë, i marrim gjithë kohën me veti dhe kalojmë shumë kohë me ta”.
Filmi i dytë, jeta e rinisë së Bashollit në vitet e 90-ta
“Jom mundu pak a shumë me paraqitur pjesën gjatë kohës së okupimit. Kom kontaku me familjarët dhe shoqërinë, por hala s’kom kontaktu me ta rreth të drejtave të emrave. Duhet me lyp të drejtën për emra, sidomos nga familja jem, e sigurisht për të gjithë të tjerët”, përfundoi ajo.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, beson se Kosova do të arrijë edhe suksese të tjera më të mëdha sa i përket pjesës së filmit.
“Unë besoj që në raport me talentin dhe potencialin që e kemi si shoqëri në fushën e kinematografisë, nuk e kemi arritur akoma kulminacionin sepse ka shumë e shumë për t’u arritur.. Por ajo që është arritur deri tani, është rezultat i punës vetëmohuese i filmbërësve të Kosovës. I përkulem suksesit të tyre që ka ardhur nga puna e palodhshme dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm në vitet e fundit. Suksesi i tyre është obligim për institucionet, dhe ne përveç që e kemi dyfishu buxhetin për filmin dhe do të vazhdojmë rritje progresive në vitet e ardhshme, tanimë po hartojmë ligjin e ri për kinematografinë, po ofrojmë insentiva të reja për të atrakuar investime të reja për film në Kosovë.
Mobilizimi i institucioneve për filmin = sukses i garantuar
“Kemi nënshkruar marrëveshje për bashkëprodhim kinematografik me Izraelin e Francën, shumë shpejt do të vazhdojmë edhe me disa shtete të tjera evropiane. Po negociojmë anëtarësimin e Kosovës në Euro Imazh, që është fondi më i madh evropian i filmit, pjesë e Këshillit të Evropës. Shumë shpejt në pjesën e dytë të këtij viti do të kemi çasje në programin “Media” të Komisionit Evropian, që është edhe në fond tjetër ku filmbërësit tanë mund të aplikojnë dhe të përfitojnë. Një angazhim e mobilizim i madh i institucioneve, i nxitur nga sukseset e artistëve tanë, që është i madh e i jashtëzakonshëm, sukses për të cilin jam i bindur që do të jetë edhe më i madh vitet në vazhdim.
Ligji i Kinematografisë, jetik për të ardhmen e filmit
“Ne tash po e përmbyllim koncept-dokumentin për art dhe kulturë, ky koncept-dokument po na i rekomandon disa ligje të reja, ligji i përgjithshëm për kulturën, një ligj i veçantë ai për kinematografinë, do të kemi edhe një për muzetë dhe veprimatinë botuese. Ligji për kinematografinë unë besoj shumë që si të përfundon faza e miratimit të koncept-dokumentit në qeveri, nga ai moment do të fillojë hartimi dhe gjatë vjeshtës ligji i ri për kinematografi duhet të jetë në procedurë parlamentare.
Ne kemi një fond të veçantë dhe një çasje të veçantë, shpesh edhe të jashtëzakonshme edhe kur nuk kemi fonde dhe e dijmë se një film ka potencial për sukses në ndonjë fesitval për të marrë çmim, ne mobilizojmë fonde shtesë, kështu ka ndodhë edhe me “Zgjoin”. Është rezultat shumë i madh suksesi i tij, po përgjigjja e shkurtë është se edhe atëherë kur fondi hargjohet, ne gjithmonë gjejmë mundësi të reja, sepse të rinjtë tanë dhe artistët tanë, e sidomos e veçanarisht ata të artit të 7-të, janë një potencial i jashtëzakonshëm për promovimin e shtetit tonë, janë një potencial i jashtëzakonshëm për të krijuar dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës, kështu që ne nuk na takon asgjë vetëm të krijojmë kushte më të mira”.
Përpos yjeve nga fusha e kinematografisë, në këtë mbrëmje kori “SIPARANTUM” mori një vëmendje më të veçantë, duke patur paraqitje briliante të kohërave moderne, ku bëri të gjithë publikun për veti dhe dëshmoi talentin e madh që Kosova ka edhe në fushën e muzikës. Në përfundimin e kësaj cereonie është organizuar edhe një koktej rasti, derisa më vonë është shfaqur edhe filmi “Era dhe Lisi”, me aktorë të mëdhenj të skenës shqiptare, Abdurrahman Shala, Faruk Begolli, Xhevat Qorraj etj. E gjithashtu, kinematografia e Kosovës po vazhdon të lulëzojë dhe sukseset po vijnë në mënyrë të natyrshme. /KultPlus.com
Me fillim nga ora 18:00, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë ndarjen e çmimeve për kinematografi, shkruan KultPlus.
Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë ndarë Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” i cili i është dhënë laureatit Abdurrahman Shala, aktor post-mortem, ndërsa Çmimin Vjetor për Kinematografi e ka fituar regjisorja Blerta Basholli.
Hapjen e kësaj ceremonie e bëri Berat Miftari, i njohur për veshët e shumë qytetarëve të Kosovës.
Çmimin Vjetor për Kinematografi e ndau kryeministri Albin Kurti, i cili u shpreh mirënjohës për të arriturat e kinematografisë kosovare.
Ndërkaq, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ndau çmimin për familjarin e Abdurrahman Shalës.
Në anën tjetër, me ftesën e MKRS-së, Kori Siparantum pati disa performanca të jashtëzakonshme që u ndjeken me duartrokitje nga publiku i pranishëm në sallë.
Anëtarë të jurisë profesionale ishin, Blerta Zeqiri, Ujkan Hysaj, Alush Gashi, Veton Nurkollari dhe Bardh Rugova. /KultPlus.com
Në ditën e tretë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është mbajtur debati “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova” në ‘Endžio HAB’ si dhe është shfaqur filmi tejet i sukseshëm “Zgjoi” nën regjinë e Blerta Bashollit. Dje, këto dy aktivitete shënuan edhe përfundimin e edicionit të nëntë të këtij festivali i cili u mbajt në Beograd tash e disa ditë, shkruan KultPlus.
Për të diskutuar rreth debatit “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”, nën moderimin e zyrtarit për komunikim në BE, Filip Lukić, pjesëmarrësit në panel si: Sonja Biserko, Idro Seferi, Boris Varga dhe Visar Ymeri, folën rreth perceptimeve dominuese të pranishme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, lidhur me pushtimin e Ukrainës.
“Tema e luftës në Ukrainë shfrytëzohet për qëllime politike për të luajtur me traumat që janë ende prezente në rajonin tonë”, kjo do të ishte ajo pjesa me të cilën u përmbyll ky debat.
Por fillimisht, diskutimin e nisi reporterja Sonja Biserka e cila theksoi se data 24 shkurt nuk është një incident por luftë e planifikuar.
“Data 24 shkurt nuk është incident, por luftë e planifikuar. Por Putini gaboi në perceptim për Perëndimin. Investoi shumë para për të korruptuar majtistët. Ai u befasua kur bota perëndimore reagoi me solidaritet ndaj Ukrainës. Ai u befasua edhe nga rezistenca e Ukrainës. Kosova është pjesë e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, thotë ajo.
Sipas saj, gjithçka filloi me grevën e studentëve e më pas për dy dekada ndodhi terror shtetëror.
“Shqiptarët u larguan nga institucionet. Pacifizmi i tyre ishte i veçantë. Por pas Daytonit, shqiptarët nisin të pyesin nëse Rugova po bënte politikë relevante. Kur u shfaq UÇK-ja, Beogradi nisi ndërhyrjen e madhe. Krahasimi i Kosovës dhe Ukrainës nuk qëndron. Putini me qëllim dhe dashakeqësi e keqpërdor rastin e Kosovës. Serbia synon ndarjen e Kosovës. E Putini e merr këtë lloj argumentimi për të akuzuar Perëndimin për shkelje të të drejtës ndërkombëtare në Kosovë”, shpalos Biserka.
Ndërsa, politikani Visar Ymeri ka thënë se një prej qëllimeve të luftës së Rusisë është ndryshimi i regjimit në Ukrainë.
“Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka ardhur pas një numri të madh të krimeve dhe masakrave që janë kryer nga policia e ushtria serbe. Janë dhënë shenja për politika gjenocidale. Intervenimi i NATO-s ka qenë i përqendruar edhe territorialisht. Kurse invazioni rus ka tjetër qëllim: pushtimin e krejt Ukrainës. Tash rajoni ka filluar të shihet edhe më shumë si problem sa i përket sigurisë. Në këtë drejtim konsideroj se varësisht qasjes së Kurtit e Vuçiqit, Perëndimi do të ketë kërkesë më të madhe që të gjendet zgjidhje”, thotë Ymeri.
Sipas tij, në njërën anë, një prej qëllimeve të luftës së Rusisë duket se ka qenë dhe mbetet ndryshimi i regjimit në Ukrainë, gjë që nuk ka qenë rast i njëjtë me NATO-në dhe intervenimin në Kosovë.
“Unë mendoj që mund të ketë ngjashmëri në mënyrën se si i shohim zhvillimet e caktuara si bombardimet e shtëpive, përjashtimin e njerëzve nga Ukraina, natyrisht që kjo na evokon realitetin tonë gjatë luftës në Kosovë. Por në rrafshin politik, duhet të kemi parasysh se Pavarësia e Kosovës vjen si rezultat i shkrirjes së Jugosllavisë”, thotë ai.
Po ashtu, gazetari Idro Seferi përmendi bombardimet e NATO-s si dhe theksoi se nuk ekziston një ide e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.
“Për shumëkënd në Serbi lufta filloi me 24 mars 1999. Nuk përmendet tjetër gjë. Kur është përvjetori i bombardimit të NATO-s, njerëzit në Serbi mendojnë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë kundër serbëve, se i vrisnin dhe gjithmonë ia dilnin. Rajoni ka humbur kontrollin në rrugën evropiane”, thotë Seferi.
Sipas tij, nuk ekziston ideja e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.
“Serbia nuk ka dashur që ta zgjidhje çështjen e Kosovës në mënyrë politike. Në vitet ’90 Serbia i shtyu shqiptarët e Kosovës që të bëjnë protesta pasi nuk e respektoi as marrëveshjen për t’i lejuar shqiptarët që të arsimohen. Ka narracion se shqiptarët kanë ardhur vonë në këto anë. Një politikë e tillë bën që të stagnojë i gjithë rajoni”, thotë ai.
Gjithashtu, gazetari dhe publicisti Boris Varga ka folur rreth se si lufta në Ukrainë nuk ka asnjë lidhje me Kosovën.
“Atje është kryer një krim i madh dhe Perëndimi mendon se Beogradi nuk mund ta ketë atë territor. Suksesioni si term është i manipuluar nga Putini për të realizuar objektivat e tij. Putini po shikon të shkaktojë konflikte etnike, siç bënte Serbia në Kosovë. Ka një plan serioz se si të merret një pjesë e Ukrainës dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kosovën. Në disa debate të mbyllura e të hapura jam habitur se si mendojnë intelektualët e Serbisë. Kjo pasi Serbia nuk është ballafaquar me të kaluarën”, thotë Varga.
Kështu, në ditën e tretë si dhe njëkohësisht të fundit në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, u shfaq edhe filmi i njohur “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit në Arkivin e filmit jugosllav.
Fiona Jelići nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (Serbi) ishte ajo që doli në skenë për të përkujtuar se festivali “Mirëdita, dobar dan!” ka nisur si inspirim nga aktori shqiptar Bekim Fehmiu dhe se shfaqja e filmit “Zgjoi” është një rast i mrekullueshëm për ta kujtuar këtë fakt.
Ajo po ashtu, nuk la pa përmendur edhe sukseset e shumta të cilat i ka arritur filmi “Zgjoi”.
Me sallën e mbushur plot, të pranishmit shikuan dhe dëgjuan të vërtetën e personazhit kryesor, Fahrije Hoti, tek e cila nën aktrimin mahnitës të aktores Yllka Gashi, qysh në minutat e parë të filmit, ambicia për tu përballuar me një realitet patriarkal ku puna e grave nuk mund të kalojë përtej dyerve të shtëpisë, vërehet në sytë e saj në të cilat po të përhumbeshe thellë, atëherë do të ndjeje dhimbjen e madhe për zhdukjen e burrit të saj në luftën në Kosovë.
Përgjatë gjithë filmit, sytë e të pranishmëve dukshëm ishin të ngulitur tek ekrani i madh, nëpërmjet së cilit u shfaq puna e mrekullueshme e regjisores Blerta Basholli e cila frikën, brengën e shpresën i ngërtheu në një fuqi të vetme. Këto emocione të paraqitura në film ngjallën edhe emocione të shumta në publik. Në përfundim e sipër, teksa filmi po shënonte dhe fundin, audienca ishte ajo që shpërtheu në lot e njëkohësisht ndjeu thellë edhe dhimbjen e atyre familjeve që ende mbajnë shpresë për personat e pagjetur.
Ishin duartrokitjet e gjata, brohoritjet dhe fishkëllimat e shumta ato të cilat u lëshuan menjëherë qysh kur filmi shënoi fundin.
Filmi “Zgjoi” është filmi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që hyri në listën e shkurtër për nominimin për ‘Oskar’ këtë vit. “Zgjoi” ka fituar çmime të shumta, përfshirë këtu edhe tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimi i publikut. Ndërkaq, kujtojmë se premiera e filmit në Prishtinë u shfaq më 24 gusht të vitit 2021.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.
Pas shfaqjes së filmit në Beograd, në skenë për një fjalë rasti doli edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila tha se vetëm me art dhe kulturë është e mundur që të shprehen ato se çfarë janë përjetuar me të vërtetë.
“Jam shumë e lumtur që regjisorja më ka përzgjedhur për të prezantuar një nga shumë historitë e luftës që ekzistojnë në Kosovë. Ne me fuqinë tonë, sadopak, jemi munduar të arrinim diçka që dikush e ka përjetuar gjatë luftës. Jam me të vërtetë e lumtur që jeni sonte këtu për të parë atë se çfarë kemi përjetuar ne si popull. Vetëm me art dhe kulturë ka mundësi që t’i shprehim ato që me të vërtetë i kemi përjetuar. Me artin tonë dhe kulturën tonë, duhet të tregojmë se çfarë kemi në zemra tona”, thotë Matoshi.
Kurse, për KultPlus foli aktorja Branka Petriq që njëkohësisht është edhe gruaja e aktorit shqiptar Bekim Fehmiu. Ajo e vlerësoi lartë punën e mrekullueshme të aktores Yllka Gashi si dhe regjisores Blerta Basholli.
“E pashë filmin dhe u gëzova shumë sepse kjo hapësirë e kinotekës jugosllave ishte e mbushur plot. Filmi ishte aq i mirë, aq i sinqertë, aq i thjeshtë por në të njëjtën kohë edhe i ndërlikuar, për shkak të gjithçkaje që solli jetë në situatat e grave në film. Qysh në momentin e parë që e pashë Yllka Gashin thashë si po e bënë atë. Është fantastike sepse në një anë kemi regjisoren Basholli dhe në anën tjetër është aktorja Gashi. Ju mund të shihni qartë se si ato punojnë së bashku aq bukur. Mendoj se të gjithë ata që panë filmin, ishin të impresionuar shumë nga ai. Jam jashtëzakonisht e lumtur sepse isha këtu sonte. Urimet e mia shkojnë për kinematografinë kosovare dhe të gjithë njerëzit që janë të përfshirë në industrinë e filmit.”
Edicioni i nëntë i “Mirëdita, dobar dan!” krejt në fund u përmbyll me një festë muzikore me DJ Genc Elezaj.
Bekim Fehmiu që ishte aktor me famë botërore u bë inspirim për krijimin e “Mirëdita, dobar dan!”. Përmes festivalit, vizitorët patën mundësinë që të mësojnë më shumë rreth kulturës dhe traditës së Kosovës e Serbisë përmes filmit, teatrit, muzikës e artit pamor.
Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. / KultPlus.com
Në kinemanë Trianon, të mbushur me audiencë dhe në praninë e disa përfaqësueseve institucionalë grekë dhe diplomatëve ndërkombëtarë, filmi “Zgjoi” u shfaq për herë të parë në Greqi.
Me bashkëpunimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës së Filmit Grek, u mbajt edhe një panel diskutimi pas filmit ku morën pjesë regjisorja Blerta Basholli, aktorja Aurita Agushi, drejtuesi i QKK-së, Lum Çitaku, dhe anëtarja e Këshillit Drejtues të Qendrës së Filmit Grek, Maria Kallimani.
Përveç diskutimeve mbi temën e filmit, gjithashtu u fol për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit në fushën e filmit mes Kosovës dhe Greqisë.
Dy Qendrat Kinematografike ishin shumë pozitivë për bashkëpunim në bashkëprodhim të filmave në të ardhmen.
Gjithashtu, ekipi i filmit dhe këshilltarja për Kulturë e Ministrit Çeku, Rozafa Imami, vizituan Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë dhe diskutuan mbi agjendën e aktiviteteve kulturore të radhës në Greqi.
Nëna e këngëtares shqiptare me famë botërore, Rita Orës, Vera, sot nëpërmjet një ‘InstaStory’ në rrjetin social Instagram, ka bërë të ditur se filmi tejet i suksesshëm shqiptar “Zgjoi”, do të shfaqet në kinematë në Angli, shkruan KultPlus.
Ora ka ndarë një fotografi të një kinemaje, ku shihet dhe posteri i filmit “Zgjoi”.
“Në kinematë nga e nesërmja, në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com
“Çdo shkrepje llogaritet në dramë për luftën e gruas kundër burrave të dhunshëm vendas për të mbijetuar dhe siguruar për fëmijët e saj në vazhdën e luftës”, kështu nis artikulli për filmin e suksesshëm “Zgjoi” të regjisores Blerta Bashollit nga gazeta prestigjioze “The Guardian”, shkruan KultPlus.
Filmi debutues i Blerta Bashollit është një film për mjaltin dhe gjithashtu për ajvarin, një pjatë e ëmbël nga ish-Jugosllavia e bërë nga patëllxhanë dhe speca të kuq. Por filmi ka shije të ashpër dhe të mprehtë, si kafeja e zezë, vazhdon tutje gazeta.
Sipas tyre, ai bazohet në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, një gruaje kosovare, bashkëshorti i së cilës u zhduk gjatë luftërave ballkanike të viteve 90, dhe kështu vetëm për të qëndruar gjallë dhe për të siguruar jetesën e saj, ajo formoi një kolektiv vetëm për gratë dhe vejat (ose të vejat e supozuara, që dëshirojnë një lajm përfundimtar se çfarë bënë forcat serbe me burrat e tyre të zhdukur) duke bërë mjaltë dhe ushqime të tjera për të shitur. Por filmi e tregon atë duke u përballur me mizogjininë brutale dhe dhunën nga burrat në fshatin e saj, të cilët mendojnë se ajo po e tejkalon veten. (Drama vjen me një mohim përmbyllës që thekson se disa prej tyre janë fiktive.)
“Aktorja kosovare me origjinë shqiptare Yllka Gashi është e shkëlqyer si vetë Fahrije, një grua që e filloi këtë biznes të paktën pjesërisht për të menaxhuar apo shuar hidhërimin e saj: kosherja në kopshtin e tyre u ngrit nga i shoqi. Kjo është mënyra e saj për të qëndruar pranë kujtimit të tij; ajo kujton se sa instiktive ishte kontakti i tij me bletët dhe se si ai nuk u pickua kurrë. Fahrije, nga ana tjetër, gjithnjë thumbohet dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse ajo kalon kryesisht në ajvar; çdo thumbim është një kujtesë”, shkruhet në artikull.
Po ashtu, “The Guardian” thotë se ekziston një skenë e mrekullueshme në të cilën djali i vogël i Fahrijes po kreh flokët me mendime para pasqyrës, ndoshta me disa nxitje kotësie adoleshente. Duke e parë atë, Fahrije papritmas buzëqesh, me dashuri dhe dhimbje transparente, dhe pa pasur nevojë t’i thuhet mund të shohim se ajo mendon se ai i ngjan babait të tij. Vetë vjehrri i saj Haxhi (një interpretim i mrekullueshëm i aktorit dhe muzikantit veteran kosovar Çun Lajçi) është një figurë vezulluese, e cila përballet me agoninë dhe pikëllimin në mënyrën e tij, por gradualisht po e vlerëson Fahrijen. Kjo është një dramë shumë inteligjente, në të cilën çdo fjalë dhe çdo goditje ka rëndësi.
Filmi “Zgjoi” nesër do të shfaqet në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut.
Të shtunën në ora 18’00 dhe 20’00, në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut do të shfaqet filmi i Blerta Bashollit “Zgjoi”.
“Zgjoi” ka rrëmbyer tre çmime kryesore të Sundance Film Festival në SHBA: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit.
Po ashtu ky film ishte nominuar edhe për çmimin e madh të “Oscarit”.
‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.
“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK./ KultPlus.com
KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.
Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.
Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.
Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.
KultPlus iu sjell në vazhdim një nga regjisoret kosovare më të sukseshme vitin e kaluar, Blerta Basholli, e cila me filmin “Zgjoi” ka vendosë Kosovën në kryetituj të medieve më prestigjioze. Ka bërë historinë në Sundance Film Festival, ku për herë të parë ky festival i ka ndarë një filmi tre çmimet kryesore, e këto çmime i ka marr pikërisht filmi i Blerta Bashollit, që nëpërmjet filmit “Zgjoi” ajo ka dërguar dhimbjen, forcën dhe kurajon e grave shqiptare.
“Zgjoi” që nuk arriti të futej në pesëshen e filmave të nominuar për kategorinë e filmave në gjuhë të huaj, tashmë ka mbi 20 çmime të festivaleve më prestigjioze, sikurse që ka një rrugëtim të madh në rrjete të ndryshme të kinemave nëpër botë.
Dhe pikërisht Blerta Basholli tash e dy herë i përjetoi ethet e çmimeve Oscars. Për herë të parë ishte në rolin e asistentes së regjisë, për filmin artistik të metrazhit të shkurtë “Shok”, ku ky film me regjisorin Jamie Donoughue kishte arritur të përjetonte edhe emocionin e filmit të nominuar për Oscars.
Dhe për herë të dytë, por tash me një format tjetër, Blerta Basholli qau rrugën e gjatë deri te lista e ngushtë e filmave për çmimin Oscars, në cilësinë e skenaristes, regjisores dhe të një rrëfimi real.
Blerta Basholli është në proces e sipër të filmit të saj të ri, e cila në deklaratat e saj nëpër medie të ndryshme ka potencuar se aktualisht i ka skenarët e gatshëm për pesë filma.
“Dy prej tyre janë në një fazë më të avancuar ndërsa njëri është tashmë në realizim e sipër. Fjala është për një film që tematizon jetën e të rinjve, adoleshentëve të moshës sime në vitet `90 në Kosovë, në kushtet e okupimit. Kam përshtypjen se, ndryshe nga temat e luftës, kjo temë sikur i mungon kinemasë sonë. Mendoj se ka qenë një jetë megjithatë dinamike dhe disi “Underground” dhe ja vlen të bartet në film. Edhe ky film do të jetë në koproduksion me Zvicrën dhe edhe këtu do të luajë një rol Yllka”, kishte deklaruar Blerta Basholli. / KultPlus.com
Filmi ‘Zgjoi’ me regji dhe skenar nga Blerta Basholli bëri që emri i Kosovës të përmendet në vende të ndryshme të botës vitin e kaluar dhe një gjë e tillë po e përcjell edhe këtë vit, shkruan KultPlus.
Aktualisht, ‘Zgjoi’ është duke u shfaqur nëpër kinematë e Spanjës, derisa atje ka marrë vëmendjen e shumë mediave spanjolle.
Këtu mund të gjeni shkrimet e disa prej tyre:
“Një grua kundër patriarkatit në Kosovë. Regjisorja kosovare, Blerta Basholli na shfaq luftën në vendin e saj nga këndvështrimi i grave, duke marrë si referencë një histori të vërtetë, atë të një të veje që ka hapur një biznes në kundërshtim me përditshmëritë e shoqërisë” – El Periodico
“Blerta Basholli: ‘Komuniteti i grave është ashtu siç duhet’. Regjisorja kosovare, Blerta Basholli debuton në metrazh të gjatë me një film të bazuar në realitet, një histori frymëzuese që u jep të drejtë grave dhe denoncon shoqërinë patriarkale” – La Gran Ilusion
“’Zgjoi’ i bazuar në një histori të vërtetë, tregon vështirësitë e një gruaje që kërkon të punojë në një mjedis patriarkat” – La Vanguardia
“Blerta Basholli, regjisorja e ‘Zgjoit’: Politikanët serbë shfrytëzojnë inatet e vjetra për të fituar vota. I shpërblyer në Festivalet e Filmit në Sundance dhe atë në Valladolid, kineastja kosovare është frymëzuar nga një historie e vërtetë e një gruaje e cila hapi një biznes bashkë me gra të tjera në një shoqëri rrënjësisht patriarkale” – El Espanol
“Blerta Basholli, regjisorja e ‘Zgjoit’: “Shpresoj që kjo histori të jetë frymëzues për gratë” – Abc.es
“Blerta Basholli: Është një brez i tërë që nuk e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë” – Larazon
“’Zgjoi’: Gruaja që sfidoi shoqërinë patriarkale, duke mësuar që të vozisë veturë, në Kosovën e pas luftës. Filmi i Blerta Bashollit, kandidati i Kosovës për ‘Oscars’ shpalos rrëfimin e grave që bashkohen në kohë lufte” – El Diario
“Filmi i parë i gjatë i regjisores kosovare, Blerta Basholli, tregon historinë frymëzuese të një grup grash dhe luftën, këmbënguljen e zgjuarsinë e tyre” – Cineuropa
“Zgjoi” konsiderohet si filmi më i suksesshëm i shtetit të Kosovës, ku është shpërblyer me shumë çmime ndërkombetare dhe gjithashtu arriti të nominohej në listën e ngushtë për çmimiet Oscars. /KultPlus.com
Filmi me regji të Blerta Bashollit “Zgjoi” ka triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Braunschweig”, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Festivalit në “Instagram”, ata kanë publikuar listën e filmave fitues për edicionin e 35-të të tyre.
“Jemi të kënaqur që mund t’ju prezantojmë filmat fitues të edicionit tonë të 35-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Braunschweig në bashkëpunim me Hallenbad Wolfsburg.
Nga data 6 deri më 10 mars 2022, ju mund të shihni përsëri më të mirët nga më të mirat, të rikujtoni dhe të jeni në humor për sezonin e festivalit të këtij viti”, thuhet në njoftim, derisa “Zgjoi” do të shfaqet më 9 mars.
‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të sajë të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj sajë. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetëveten. /KultPlus.com
Filmi ‘Zgjoi’ me regji dhe skenar nga Blerta Basholli është padyshim bëri që emri i Kosovës të përmendet edhe më shumë gjatë këtij viti në gjithë botën, përcjell KultPlus.com
Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrije Hotin nga Krusha e Madhe, e interpretuar nga aktorja Yllka Gashi, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient patriarkal e që nuk e mbështet iniciativën e saj, përcjell KultPlus.
Fitues i trefishtë në festivalin e filmit ‘Sundance’ e shumë festivale te tjera ndërkombëtare, ‘Zgjoi’ është filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që hyri në listën e ngushtë të nominimeve për Oscars.
Blerta Basholli në një rrëfim për KultPlus ka thënë se fillimisht për Fahrije Hotin kishte dëgjuar rastësisht historinë e saj në televizor, sa ishte në Amerikë. Ajo shprehet se kur e ka dëgjuar rrëfimin e Fahrijes, menjëherë ka marrë vendimin që sapo të kthehet në Kosovë, të shkojë e ta takojë për të marrë të drejtën ta bëjë film tregimin e saj.
Edhe pse nuk u nominua për ceremoninë Oscars, ‘Zgjoi’ mbetet filmi që bëri historinë në kinematografinë e Kosovës./ KultPlus.com
Filmi më i suksesshëm në histori të kinematografisë së Kosovës, “Zgjoi”, po vazhdon të shfaqet nëpër vende të ndryshme të botës, shkruan KultPlus.
Regjisorja Blerta Basholli ka njoftuar se filmi do të shfaqet nëpër kinematë në Australi dhe Zelandë të Re nga 24 shkurti.
“Zgjoi”, i cili ishte në listën e ngushtë për t’u nominuar në Oscars, flet për historinë e Fahrije Hotit, një grua nga Krusha e Madhe e cila arriti të krijojë në një mënyrë të veçantë biznesin e saj edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme të luftës.
Deri tani, “Zgjoi” ka arritur që të fitojë 21 çmime nga festivale të ndryshme në të cilat ka marrë pjesë. /KultPlus.com
Regjisorja Blerta Basholli është regjisorja kosovare që ka vendosë Kosovën në kryetituj të medieve më prestigjioze. Ka bërë historinë në Sundance Film Festival, ku për herë të parë ky festival i ka ndarë një filmi tre çmimet kryesore, e këto çmime i ka marr pikërisht filmi i Blerta Bashollit, që nëpërmjet filmit “Zgjoi” ajo ka dërguar dhimbjen, forcën dhe kurajon e grave shqiptare, shkruan KultPlus.
Filmi “Zgjoi” që nuk arriti të futej në pesëshen e filmave të nominuar për kategorinë e filmave në gjuhë të huaj, tashmë ka mbi 20 çmime të festivaleve më prestigjioze, sikurse që ka një rrugëtim të madh në rrjete të ndryshme të kinemave nëpër botë.
Dhe pikërisht Blerta Basholli tash e dy herë po i përjeton ethet e çmimeve Oscars. Për herë të parë ishte në rolin e asistentes së regjisë, për filmin artistik të metrazhit të shkurtë “Shok”, ku ky film me regjisorin Jamie Donoughue kishte arritur të përjetonte edhe emocionin e filmit të nominuar për Oscars.
Dhe për herë të dytë, por tash me një format tjetër, Blerta Basholli qau rrugën e gjatë deri te lista e ngushtë e filmave për çmimin Oscars, në cilësinë e skenaristes, regjisores dhe të një rrëfimi real.
Dhe tashti, kur u bënë publike filmat që vazhdojnë rrugëtimin për Oscars, producenti Yll Uka ka bërë të ditur për mediet se puna e ekipit Basholli, Uka e Bajgora fillon qysh tashti për projektin e radhës.
Blerta Basholli është në proces e sipër të filmit të saj të ri, e cila në deklaratat e saj nëpër medie të ndryshme ka potencuar se aktualisht i ka skenarët e gatshëm për pesë filma.
“Dy prej tyre janë në një fazë më të avancuar ndërsa njëri është tashmë në realizim e sipër. Fjala është për një film që tematizon jetën e të rinjve, adoleshentëve të moshës sime në vitet `90 në Kosovë, në kushtet e okupimit. Kam përshtypjen se, ndryshe nga temat e luftës, kjo temë sikur i mungon kinemasë sonë. Mendoj se ka qenë një jetë megjithatë dinamike dhe disi “Underground” dhe ja vlen të bartet në film. Edhe ky film do të jetë në koproduksion me Zvicrën dhe edhe këtu do të luajë një rol Yllka”, kishte deklaruar Blerta Basholli./ KultPlus.com
Dje, Akademia e Filmit ka publikuar filmat që janë nominuar për çmimet ‘Oscars’.
Ndonëse kishte hyrë në listën e ngushtë, filmi kosovar me regji të Blerta Bashollit, ‘Zgjoi’, nuk ishte në mesin e pesë filmave që do të garojnë për këtë çmim.
Megjithatë, filmi që portretizon rolin e Fahrije Hotit bëri historinë duke u bërë filmi i parë kosovar që ka hyrë në listën e ngushtë të nominimeve për këtë çmim prestigjioz.
Sot, regjisorja Basholli përmes disa postimeve në profilin e saj në Instagram ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën gjatë këtij rrugëtimi dhe paralajmëroi rikthimin me më shumë storje./ KultPlus.com
Shtëpia e parashikimeve për çmime të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Oscars, Variety, së fundmi po kap hapin me regjisorët e filmave të përzgjedhur për ‘Oskarin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të gjatë’ për të diskutuar rrugën e tyre drejt çmimeve dhe çfarë kanë mësuar deri më tani, transmeton KultPlus.
Drama e triumfit mbi fatkeqësinë “Zgjoi”, e cila bazohet në një histori të vërtetë, përqendrohet në një grua kosovare, burri i së cilës u zhduk në luftë. Përpjekja e saj për të hapur një biznes u përball me armiqësi nga burrat në fshatin e saj. Filmi mori çmimet e audiencës, regjisë dhe jurisë së madhe në konkursin ‘World Dramatic’ të Sundance vitin e kaluar.
Më poshtë KultPlus ua sjell intervistën e plotë të tyre me regjisoren Blerta Basholli:
Variety: Çfarë do të thotë për ju të jeni në listën e ngushtë për Oskarin më të mirë ndërkombëtar?
Blerta Basholli: Do të thotë shumë dhe është një nder në shumë mënyra. Para së gjithash, për shkak të historisë frymëzuese të grave të Krushës, të cilat vendosën të bëjnë diçka për veten dhe fëmijët e tyre dhe e bënë atë; për shkak të të gjithë atyre që punuan shumë dhe vendosën pasionin e tyre në këtë film; dhe për shkak të vendit tonë të bukur të vogël, Kosovën. Njerëzit kanë kaluar shumë në këtë vend dhe rrugëtimi i “Zgjoi” po u jep shpresë. Të gjithë, fjalë për fjalë të gjithë, janë kaq krenarë për filmin tonë dhe të gjithë po brohorasin për ne në këtë sezon çmimesh.
Variety: Cili ka qenë aspekti më sfidues i fushatës suaj deri më tani?
Blerta Basholli: Filmi e filloi udhëtimin e tij të bukur virtualisht në Sundance, ku theu rekorde dhe bëri histori me tre çmime dhe ndryshoi “Hive’s” dhe jetën tonë. Dhe për disa muaj vazhdoi të ishte kështu dhe ajo që na mungonte ishin shfaqjet personalisht dhe dëgjimi i reagimeve nga publiku drejtpërdrejt. Unë nuk kam shumë përvojë në fushatë, ndaj kisha dyshimet e mia se si mund të bëja këtë proces, por për mua ka qenë e bukur deri tani. Ne duhet të shfaqnim filmin, të bisedojmë me shumë njerëz, të dëgjojmë drejtpërdrejt nga ata se si filmi i preku dhe i frymëzoi ata. Për mua ishte një mënyrë tjetër – një mënyrë e bukur – për ta ndjerë këtë histori edhe një herë.
Variety: Edhe pse jeni në listën e ngushtë në kategorinë e veçorive ndërkombëtare, kategoria e fotografive më të mira nuk ka veçori të gjuhës jo-anglisht. “Parasite” (2019) ishte fituesi i parë në histori. A mendoni se zërat ndërkombëtarë janë mbytur në kritikat mediatike dhe filmike?
Blerta Basholli: Kur flas për t’u dhënë shpresë njerëzve nga një vend i vogël si Kosova, “Parasite” bëri pikërisht këtë për mua dhe mendoj për të gjithë kineastët ndërkombëtarë. Përveç faktit që “Parasite” është një film i jashtëzakonshëm dhe Bong Joon-Ho është një regjisor brilant, fitorja ndryshoi shumë gjëra dhe mbi të gjitha frymëzoi dhe dha shpresë për shumë prej nesh. Dhe mezi pres që më shumë filma ndërkombëtarë të fitojnë në këtë kategori.
Variety: Kur përpiqesh të bësh audiencën konsumatore të shikojë një film ndërkombëtar, duket se ka një fokus në kohëzgjatjen e një filmi, por kur diçka si “Avengers: Endgame” zgjat tre orë, fansat e Marvel janë të entuziazmuar dhe thonë se mund të largohen më gjatë nëse do të donin. A është e drejtë kjo?
Blerta Basholli: Nga këndvështrimi im, koha e vrapimit nuk është diçka që duhet të na flasë dhe të jetë diçka për të përcaktuar se çfarë është një histori e mirë apo jo. Ajo që ka rëndësi është gjithmonë tregimi dhe se si ajo histori i prek njerëzit.
Variety: Akademia ka favorizuar vendet evropiane, me Italinë dhe Francën që fitojnë tre herë më shumë se një vend si Japonia. Si mund të inkurajojmë më shumë diversitet nga të gjitha vendet në mbarë botën?
Blerta Basholli: Dhoma e transmetimit të Akademisë është një burim relativisht i ri dhe është një mënyrë e paçmueshme për anëtarët e Akademisë për të aksesuar me lehtësi filma nga e gjithë bota. Plus, fitimi i filmave si “Parasite” duket se tregon se e gjithë industria e filmit po bëhet më e larmishme dhe e hapur ndaj filmave të bukur, pavarësisht se nga janë ata.
Variety: Ju po përfaqësoni vendin tuaj në një organ amerikan të çmimeve (megjithëse ka votues që janë ndërkombëtarë). Si ndiheni kur jeni ai përfaqësues?
Blerta Basholli: Një përgjegjësi e madhe dhe një nder. E gjithë Kosova i ka sytë nga ne, plus ne njihemi si njerëz që e duam shumë Amerikën. Amerika e ndihmoi vendin tonë të çlirohej dhe ne do të jemi përgjithmonë mirënjohës për këtë, dhe njerëzit e lidhin përfaqësimin tonë me këtë dhe kanë pritshmëri të mëdha.
Nominimet për Oscar do të zbulohen më 8 shkurt. / KultPlus.com
Filmi kosovar me regji të Blerta Bashollit, ‘Zgjoi’, tashmë është bërë i qasshëm edhe në platformat online, përcjell KultPlus.
““Zgjoi” bëhet i qasshëm në platformat online Për momentin atë mund ta blini ose merrni me qira në “Vudu”, “Amazon Video”, “Kino Noë”, “iTunes” e të ngjashme To all our followers we have great news Currently “Hive” is available for rent or buy on Vudu, Amazon Video, Kino Now, iTunes etc.” – thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të ‘Zgjoi-t’./ KultPlus.com
Filmi më i sukesshëm në histori të kinematografisë së Kosovës “Zgjoi”, po vazhdon sukseset e tij nëpër botë. E së fundmi, regjisorja e këtij filmi, Blerta Basholli, ka zhvilluar një intervistë me aktoren dhe producenten Elisabeth Moss, e cila ka marrë pjesë si producente ekzekutive në shtyrjen e “Zgjoi” për të hyrë në Oscar, shkruan KultPlus.
Shkrimtarja-regjisorja Blerta Basholli së fundmi bëri debutimin e saj në filmin artistik me “Zgjoin”, i cili tregon historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, një gruaje kosovare që filloi të prodhonte dhe të shiste një spec të kuq si një mënyrë për të punësuar të vejat në fshatin e saj të trazuar.
Me këtë film Kosova ka hyrë zyrtarisht në listën e ngushtë të nominimeve për kategorinë e filmave ndërkombëtar në Oscar, gjithashtu edhe shkroi histori në Festivalin e Filmit në “Sundance”.
Ylli i “Mad Men” dhe “The Handmaid’s Tale” tha se ajo e shikoi filmin disa herë dhe ishte tërësisht e impresionuar nga historia, aq sa ajo hyri në film si producente ekzekutive së bashku me partneren e Love & Squalor Pictures, Lindsey McManus.
Moss kohët e fundit u ul me Bashollin për të bërë një bisedë rreth zgjedhjeve artistike të nevojshme për të bërë një film bindës të bazuar në një histori të vërtetë dhe IndieWire ka kënaqësinë të publikojë ekskluzivisht bisedën e plotë.
Basholli tha se ajo ishte gjithmonë e tërhequr nga historia e Fahrijes dhe admirimi i saj për të rritej vetëm kur kalonin kohë së bashku. Pasi u njoh me Fahrijen, asnjëherë nuk bëhej fjalë nëse do të bënte apo jo një film për të, por thjesht një vendim se cilin kënd të përdorte. “Unë gjithmonë them se mund të kisha bërë shumë filma për të”, tha Basholli. “Dhe ky ishte vendimi më i madh për të marrë kur bazoni një film në një histori të vërtetë. Sepse si mund të bësh një film fiction, i cili nuk është dokumentar, dhe pastaj ta përqendrosh historinë rreth personit që e admiron kaq shumë?”
Moss vlerësoi portretizimin e filmit pa falje të një protagonisteje të fortë femër, si dhe refuzimin e Bashollit për të zbutur në mënyrë të panevojshme personazhin. “Kur ke personazhe të forta femra, mendoj se shumë njerëz mendojnë se duhet të jenë të pambrojtura ose duhet të jenë të dobëta ose duhet të rriten në atë vend,” tha ajo. “Por qartë, duke qenë se kjo bazohet në një grua të vërtetë, ju duhet të ndiqni narrativën e vërtetë. Dhe pajtohem, ajo padyshim ishte një person shumë i veçantë për të qenë në gjendje të bënte udhëtimin në jetën e saj që bëri.”
Basholli e di se ajo mund të përfshijë vetëm kaq shumë aspekte të jetës së pabesueshme të Hotit, por ajo shpreson që historitë që ajo zgjodhi do të ndihmojnë në ndërtimin e një trashëgimie për një sipërmarrës të ve. “Thjesht u përpoqa të kujtoja se çfarë më bëri më shumë përshtypje prej saj, dhe çfarë do t’i bënte përshtypje edhe audiencës, dhe kjo ishte historia e saj e suksesit. Historia e saj fuqizuese, se si ajo krijoi dhe mbajti së bashku atë komunitet të grave që lehtësisht mund të kishin shkuar veçmas, dhe ndoshta edhe mund të ishin çmendur nga kaq shumë vuajtje,” tha ajo. “Dhe pastaj thjesht gjithmonë duke pritur që dikush ta ndihmojë atë.”
Regjisorja shtoi: “Në shumë mënyra, ajo bëri gjëra kaq të mëdha. Nuk e di nëse ajo ishte e vetëdijshme për shtrirjen e të mirave që po bënte.” /KultPlus.com
Më poshtë është e përfshirë edhe biseda e plotë, që mund ta ndiqni edhe duke klikuar KËTU.
Regjisorja e filmit ‘Zgjoi’, Blerta Basholli sapo ka ndarë një postim në rrjetet sociale, ku theksohen fjalët e këngëtares kosovare me famë botërore, Dua Lipa, e cila gjithmonë ishte një përkrahëse e filmit Zgjoi dhe po vazhdon të mbetet e tillë, shkruan KultPlus.
Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:
“Zgjoi është një film i bukur që tregon historinë prekëse dhe frymëzuese të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës. Kjo histori lufte dhe këmbënguljeje është ajo që duhet treguar. Ajo flet për shpirtin e përvojës kosovare dhe shpresoj se mund të ndihmojë në shërimin kolektiv të familjeve që u ndanë dhe njerëzve që humbën të dashurit e tyre.
Jam shumë krenare për atë që ka arritur Blerta Basholli – është një frymëzim. ZGJOI mori shumë çmime në Sundance dhe bast im është që Basholli do të shtojë një Oscar në koleksionin e saj”, ka thënë Lipa.
Dukagjin Lipa ka shprehur përkrahjen e tij për filmin shumë të sukesshëm kosovar, “Zgjoi”, i cili është duke pritur për një nominim në “Oscars”, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, Lipa, ka shprehur përkrahjen e tij duke i uruar shumë fat, Blerta Bashollit.
“Koha e nominimeve për Oscars. Uroj fatin më të mirë për miken time Blerta Bashollin dhe gjithë ekipin e “Zgjoi”. Shihemi në tapetin e kuq”, shkroi ai.
Anëtarët e jurisë së Akademisë së Filmit nga 27 janari kanë filluar votimet e tyre për nominimet e çmimeve ‘Oscars’ dhe do të vazhdojnë deri më 1 shkurt. /KultPlus.com
Qytetarët e Kosovës janë aktivizuar për të shpërndarë sa më shumë fotografinë e posterit të filmit “Zgjoi”, i cili është shumë pranë nominimit për Oscars, shkruan KultPlus.
Protagonistja e këtij filmi, Yllka Gashi, së fundmi është shprehur shumë falënderuese për përkrahjen e madhe që kanë shprehur njerëzit në rrjete sociale.
“Të dashur miq,Ju falemnderit nga zemra për gatishmërinë tuaj e për tërë përkrahjen!Fjalët janë të pakta për të shprehur mirënjohjen e falenderimin ndaj secilit prej jush që e keni shpërndarë dhe vazhdoni ta shpërndani postimin për nominimet në Oscars 2022.Jemi duke punuar me përkushtim e pasion të madh e shpresojmë shumë që të kemi fat e ta sigurojmë nominimin e parë e historik për Kosovën. Sido që të na prijë fati, jam tepër e nderuar nga dashamirësia e përkrahja juaj!Mbi 21 mijë shpërndarje, dy fish aq falenderime për çdo njërin nga ju!U gëzofshim bashkë më 8 Shkurt!”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit u fut në listën e ngushtë prej 15 filmave për të kaluar drejt çmimeve “Oscars”. / KultPlus.com