Kodra e Trimave në Prishtinë po bëhet me Qendër Kulturore

Blerta Basholli, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka njoftuar se Kodra e Trimave së shpejti do të bëhet me Qendër Kulturore, shkruan KultPlus.

Sipas një njoftimi, ajo ka thënë se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat e prokurimit dhe është nënshkruar kontrata për ndërtimin e kësaj qendre.

KultPlus më poshtë ju sjell njoftimin e plotë nga Basholli.

Një lajm i shumëpritur për banorët e lagjes Kodra e Trimave!

Kanë përfunduar të gjitha procedurat e prokurimit dhe është nënshkruar kontrata për ndërtimin e Qendrës Kulturore për të Rinj dhe Bibliotekës në lagjen Kodra e Trimave.

Duke vazhduar investimi në infrastrukturë dhe aktivitete, ndihmojmë që librat dhe leximi të bëhen pjesë e përditshmërisë në shoqëri, duke ofruar mundësi të barabartë për të gjithë qytetarët në komunitetet e tyre.

Falenderojmë Universitetin UBT për bashkëpunimin dhe Studio G+A Architects për donacionin e projektit kryesor udhëhequr nga Arbër Sadiki, kurse ideuar nga Rilind Sadiku.

Faleminderit edhe të gjithë të tjerëve që bashkëpunuan!

Na shkoftë mbarë!!! / KultPlus.com

Fillon hartimi i planit për restaurimin e ish-Bibliotekës Hivzi Sylejmani, konsiderohet me vlerë të rëndësishme kulturore

Drejtoresha për Kulturë Rini dhe Sport nga Komuna e Prishtinës, Blerta Basholli, ka njoftuar se është duke u hartuar detyra projektuese për ruajtjen, restaurimin dhe adaptimin e ndërtesës së ish-Bibliotekës Hivzi Sylejmani në Tophane, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Basholli përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjera ka treguar se për këtë realizim ka ftuar edhe Jakup Ferrin, Driton Selmanajn e Alban Mujën, për një diskutim se cila do të ishtë mënyra më e mirë e shfrytëzimit të kësaj ndërtese.

‘Në fund të fundit për artistët po bëhen këto hapësira dhe kontributi i tyre në proces është i domosdoshëm. Natyrisht edhe diskutimi me qytetarë, artistë e organizata nuk do të mungojë sepse është me rëndësi këndvështrimi i të gjithëve.

Diskutimi ishte rreth shfrytëzimit të hapësires për Galeri të Qytetit, studio për artistë vendas, rezidenca për artistë të huaj, hapësira për diskutime të ndryshme etj. Një diskutim të veçantë patëm edhe rreth menaxhimit efektiv të institucionit.

Të pranishëm në diskutim ishin edhe zyrtarja Lindita Cervadiku Dibra, e cila është duke hartuar detyrën projektuese në bashkëpunim me arkitektin Nol Binakaj, asambleisti Adrian Berisha dhe zyrtarja për kulturë Arjona Caraku, të cilët do të jenë pjesë e projektit deri në përfundim.

Jakupin, Dritonin, Nolin e Albanin dhe të gjithë të tjerët i falenderojmë shumë për kontributin e tyre në këtë proces.’, është tutje shprehur Basholli. / KultPlus.com

Xhamia e Çarshisë, ndër objektet më të vlefshme kulturore ka mbetur jashtë përkujdesjes së institucioneve

Xhemile Hysenaj

Trashëgimia kulturore e një vendi është pjesa më e rëndësishme e historisë së atij vendi, sepse në secilën pjesë të saj shpaloset një pjesë e historisë, një pjesë që tregon për zhvillimin kulturor të vendit ndër etapa të ndryshme të periudhave të ndryshme kohore. Trashëgimia kulturore në Kosovë është mjaft e pasur, edhe pse ka shumë objekte të cilat janë lënë anash përkujdesjes së institucioneve përkatëse, shkruan KultPlus.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe me Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë. Një objekt tejet i veçantë në arkitekturën e tij, që konsiderohet ndër objektet më të vjetra e më me vlerë në trashëgiminë kulturore të vendit tonë, objekt ky të cilit i janë dashur dashur gjithsej 51 vjet për t’u ndërtuar (1389-1440) dhe ka përfunduar para 580 vitesh.

Xhamia e Çarshisë shënon fillimin e qendrës së qytetit të vjetër. Kjo xhami është ndërtesa më e vjetër ekzistuese në Prishtinë sot. Në të kaluarën Xhamia e Çarshisë gjendej përballë çarshisë së mbuluar të Prishtinës, prandaj edhe sot mban emërtimin Xhamia e Çarshisë. Sot nuk ka mbetur asgjë nga çarshia e vjetër, vetëm emri i Xhamisë së Çarshisë shërben për të na e përkujtuar atë. Shumë ndryshime si dhe punime për riparimin e saj e kanë ndryshuar pamjen origjinale të kësaj xhamie, mirëpo simboli i saj – kulmi i gurët minares – ka mbijetuar për më shumë se 600 vite. Këtë xhami e quajnë edhe ‘Tash Xhamia’, që në përkthim do të thotë ‘Xhamia e gurit’.

Mirëpo, Xhamia e Çarshisë, restaurimi i së cilës është ndërprerë në vitin 2011, tashmë për pothuajse 10 vjet është lënë anash nga institucionet dhe ka mbetur si mos më keq. Qytetarët e papërgjegjshëm po e shfrytëzojnë atë për nevoja të ndryshme, duke e shndërruar atë në një vend të tmerrshëm.

KultPlus ka qenë në vendin e ngjarjes ku ka realizuar disa fotografi, tek të cilat shihet gjendja në të cilën ka mbetur ky objekt.

KultPlus ka kontaktuar me drejtorin për shtyp dhe veprimtari nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Ramadan Shkodrën, i cili ka deklaruar se kanë marrë masa për parandalimin e hyrjes së qytetarëve të papërgjegjshëm, kanë bllokuar edhe hyrjen me llamarina, por sipas tij ato janë shkatërruar.

I pyetur nëse kanë provuar të vënë një kujdestar për parandalimin e hyrjes së njerëzve në xhami, ai nuk i është përgjigjur kësaj pyetje, por ka pohuar që kanë bllokuar hyrjen me llamarina e që nuk kanë arritur ti parandalojnë.

Sipas tij Bashkësia Islame e Kosovës mbetet e shokuar me papërgjegjësinë e njerëzve që arrijnë të bëjnë vepra të tilla në një vend ku predikohet feja.

Ndër të tjera, Shkodra ka treguar për KultPlus se restaurimi pritet të fillojë shumë shpejt dhe uron që edhe përfundimi të jetë i shpejtë. Ndonëse restaurimi ka filluar nga viti 2011, si aryetim u morë edhe situata e krijuar nga pandemia Covid-19

Xhaminë e karakterizon edhe maja e minares poligonale me gurë, duke e bërë atë ndër tre xhamitë e vetme në botë që ndërtimine minares e kanë në mënyrë të tillë.

Në aspektin funksional, arkitektonik dhe historik, kjo ndërtesë është strukturë unike në harmoni me transformimet e kohës, dhe në përbërje ruan të gjitha elementet karakteristike nga koha e ndërtimit, për të cilat edhe radhitet si vepër ndërtimore e spikatur.

KultPlus ka kontaktuar edhe me Drejtoreshën e Kulturës nga Komuna e Prishtinës, Blerta Basholli, e cila ka treguar se pas nënshkrimit të memorandumit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe TIKA-së, kjo e fundit ka filluar me procedurat për hartimin e projektit të Xhamisë së Çarshisë.

Ku, sipas saj, pas punës së realizuar të hulumtimeve historike dhe arkitektonike nga ekspertët e fushës së konzervimit dhe restaurimit brenda këtij viti ka përfunduar hartimi i projektit i cili është dorëzuar ne zyrën qendrore të TIKA-së, ku nga ekspertët e fushës është marrë për shqyrtim.

Ndërkaq, akoma nuk dihet data e saktë se kur do të fillojë e sa pritet të zgjasë restaurimi i kësaj xhamie. ‘Komisioni ka dhënë rekomandimet e veta dhe ka aprovuar projektin, tani është duke u punuar projekti kryesor për të zhvilluar procedurat e fundit për ndërhyrje’, ka potencuar Basholli për KultPlus.

Sa për shfrytëzimin e hapsirës së Xhamisë nga ana e qytetarëve për nevoja të ndryshme, Basholli e ka konsideruar si një sjellje të papranueshme, mirëpo nuk ka deklaruar nëse komuna ka ndërmarrë masa drejt parandalimit të kësaj dukurie. Basholli tutje për KultPlus potencoi se për parandalimin e kësaj gjendjeje së pari duhet të hulumtojë se cila është mundësia dhe çfarë kompetenca ka Komuna e Prishtinës për të marrë masa.

Xhamia e Çarshisë në Prishtinë brenda vetes bartë një qytetërim të kahmotshëm të kryeqytetit, muret e saj tregojnë histori, traditë e kulturë qindra vjeçare dhe zhdukja apo shkatërrimi i një monumenti të tillë do të thotë më shumë se humbje, më shumë se shqetësim dhe mbi të gjitha një pasqyrë jashtëzakonisht e tmerrshme për vendit tonë. Faji i pësimit tragjik të kësaj vlere të madhe kulturore qëndron mbi supet e institucioneve përkatëse e deri tek qytetarët e thjeshtë, pasiqë asnjëra palë nuk e ka trajtuar këtë objekt me dinjitet. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi ofron bashkëpunim institucional për Bienalen “Manifesta”: I bën nderë Prishtinës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim Drejtoreshën për Kulturë në Komunën e Prishtinës Blerta Basholli.

Drejtoresha Basholli, në këtë takim njoftues fillimisht uroi Ministren Dumoshi për marrjen e detyrës duke i uruar që punën e mirë që e ka bërë në Komunën e Prishtinës si Drejtoreshë për Kulturë në qeverisjen e kaluar lokale, ta vazhdojë edhe në Ministrisë të cilën tash po e drejton.

Në takim u diskutuan dy pika kryesore si të rëndësisë më të veçantë, e para Bienalja Manifesta e cila i bën nderë Prishtinës që të jetë nikoqire në vitin 2022, për të cilën Ministrja Dumoshi shprehu gatishmërinë e saj dhe të Ministrisë, për bashkëpunimin sa më të mirë rreth kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore që pritet të ndodhë në Prishtinë dhe e dyta trashëgimia kulturore e objekteve të rëndësisë së veçantë për kryeqytetin.

Ministrja Dumoshi theksoi se ngjarjet kulturore në Prishtinë e edhe në qytetet e tjera të Kosovës, përveç se e pasurojnë jetën kulturore e sociale e ndihmojnë Kosovën që të futet në  kalendarët kulturorë të Evropës e botës.

Ministrja Dumoshi dhe Drejtoresha Basholli, u dakorduan edhe për takime të tjera në të cilat edhe më në detaje do të shqyrtohen mundësitë për punën e përbashkët për kulturën në përgjithësi. / KultPlus.com

Filluan xhirimet e filmit artistik “Zgjoi”

Ka filluar xhirimet filmi “Zgjoi” me regji dhe skenar nga Blerta Basholli. Ky film është bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, përcjell KultPlus.

 “Zgjoi” është debutimi i regjisores kosovare Basholli me bashkëproducent shqiptar Paskal Seminin, i cili sjell në ekranin e madh historinë e Fahrijes që kërkon ende bashkëshortin e humbur në luftë. Për të siguruar mbijetesën e familjes ajo fillon një sipërmarrje të vogël duke rritur bletë. Kur bletët bëhen agresive ndaj saj, Fahrijes i duhet të vendosë se si do të bëjë paqe me to por mbi të gjitha, me veten.

Aktorët në rolet kryesore janë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Kaona Sylejmani, Mal Safqiu, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Blerta Ismaili, Molikë Maxhuni, Valire Zeneli etj.

Filmi është financuar nga QKK Kosovë, Fondi Shtetëror Zvicerian, Cineforum i Kantonit Gjenevës, Televizioni Kombëtar Zviceran RTS, QKK Shqipëri dhe Agencia Filmit Maqedoni. / KultPlus.com

“Zgjoi” sjell bashkëprodhimin e parë zyrtar në mes Kosovës dhe Zvicrës

Filmi “Zgjoi” me regji dhe skenar nga Blerta Basholli dhe producenti Yll Uka mbështetet nga tri fonde të tjera: nga Zvicra – Fondi Shtetëror (Federal office Culture OFC), Cinéforom nga kantoni i Gjenevës si dhe nga Televizioni Nacional Zvicran RTS i cili është njëkohësisht edhe bashkëprodhuesi.

Siç njofton QKK, filmi përcjell Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë.

Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.

Ky është ko-produksioni i parë zyrtar Kosovë-Zvicër, duke qenë njëkohësisht i mbështetur edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia që bën një bashkëprodhim në mes katër shteteve. Producent të tjerë të filmit janë: producenti ekzekutiv Valon Bajgora, bashkë-producentët Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Paskal Semini dhe Agon Uka.

Aktorët në rolet kryesore janë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Kaona Sylejmani, Mal Safqiu, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Blerta Ismaili, Molikë Maxhuni, Valire Zeneli etj./KultPlus.com

Blerta Basholli do të udhëheqë me kulturën në Prishtinë, ky vendim vjen nga Shpend Ahmeti

Yll Rugova ishte drejtori i fundit i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, dhe si pasojë e përplasjeve politike, ky i fundit pat dhënë dorëheqje nga ky post, shkruan KultPlus.

Ka disa muaj që kjo drejtori është udhëhequr me ushtrues detyre, kurse prej sot, kjo drejtori ka udhëheqësin përkatës.

Blerta Basholli është emëruar në krye të kësaj drejtorie, për të cilën ka njoftuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Blerta Basholli njihet për punën e saj si regjisore në disa projekte filmike./KultPlus.com

Hapet audicioni për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Zgjoi”

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Zgjoi” është në përgatitje për të zgjedhur aktorët që do të bartin rrëfimin e këtij filmi që është bazuar në një ngjarje të vërtetë, shkruan KultPlus.

Filmi është me regji të Blerta Bashollit dhe flet për Fahrinë, e cila kërkon burrin e saj të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kjo grua për të mbijetuar dhe për të siguruar mbijetesën për familjen e saj hapë një biznes në një zonë patriarkale, ku ambicia e saj për tu zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë ti ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për të gjetur paqen me bletët, ajo fillon të gjejë edhe paqen me veten për të jetuar dhe mbijetuar në një situatë të re për të.

Dhe mu për këtë rrëfim tash është hapur thirrja për audicion për aktore femra për të gjitha moshat mbi 18 vjet, role këto që kërkohen për dhjetë role që flasin. Të gjithë të interesuarit mund të dërgojnë CV-itë e tyre në [email protected]./KultPlus.com