Premiera e “Të gjashtët kundër Turqisë”, shfaqja e cila u bë britmë për ata që nga frika heshtin 

Era Berisha 

Me një imazh të këndshëm (një shitës që bën pambuk sheqeri, qetësisht këndon një muzikë të lehtë turke), ka nisur mbrëmë premiera e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë”, me regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt. Shfaqja e shkruar nga Jeton Neziraj, ka prekur një temë të ndjeshme, por tejet të domosdoshme për të dalë në pah e vërteta të cilën shpesh, asnjeri nga ne nuk dëshirojmë ta shohim e as ta dëgjojmë, shkruan KultPlus. 

Ora shënoi fiks 20:17, kur të pranishmit tashmë veçse kishin mbushur hapësirën e Teatrit Oda, qosh më qosh. Zhurmimet e audiencës para nisjes tregonin një faktor kyç për interesimin që kishin për të parë këtë shfaqje. Loja nisi me një muzikë të qetë turke dhe imazhi i skenës na tregonte për krijimin e pambuk sheqerit dikund në një rrugicë të vogël, me një simbol të flamurit turk mu në krye. Por, shpejtë kalon në diçka tjetër. Shfaqja krijon një shfaqje brenda saj, më saktësisht, një “skenë” të improvizuar me emrin ‘Gerçek tiyatrosu’, që nëpërmjet një flamuri me dimensione të mëdha, shfaq dy kukulla që ironizonin me degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë, nëpërmjet personazheve si: Hoxha efendi dhe Tayip efendi. Ato lëviznin nën hije, njëlloj sikurse edhe pushteti që është në dorë të pushtetarëve të tanishëm të botës. 

Skenografia e krijuar nga Alice Vanini i ka dhënë shfaqjes një estetikë të përmbushur mirë. Reflektorët e mëdha në të dy anët ndërronin ngjyrat në secilën skenë dhe çdo herë arrinin të krijonin një intensitet të paparë për ta dramatizuar më mirë shfaqjen, kësisoj edhe dalloheshin edhe atmosferat e ndryshme të skenave të ndryshme përbrenda.  

Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi dhe Don Shala. Qysh në fillim ata prezantojnë personazhet e tyre dhe tregojnë se marrin përgjegjësi vetëm për talentin e derdhur mbi atë skenë. “Ne marrim përgjegjësi për mundin, djersën, talentin që e derdhim në këtë skenë, madje edhe për këtë botë që tatëpjetën e ka marr. Por, refuzojmë të asocohemi prej skenave që do i shihni në vazhdim, që kanë ndodhur në realitet, jo shumë kohë më parë në Turqi, Pensilvani e Kosovë.” 

Në vitin 2018, gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin se ata gjoja përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetëra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.   

Ndjeshmëria e kësaj çështjeje në Turqi nënkupton se edhe rrugëtimi deri tek procesi i provave nuk ka qenë i lehtë. Këtë e tregojnë edhe vetë aktorët, të cilët shpalosën se dy aktorë turk janë përzgjedhur nga thirrja e hapur specifikisht për këtë shfaqje, mirëpo ata menjëherë hoqën dorë nga frika e pushtetit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, për të cilin konsiderohet që ka një ideologji shtypëse.  

“Të gjashtët kundër Turqisë” vazhdimisht ka shtruar pyetje për shoqëritë me pikëpamje specifike të cilat dështojnë të mbajnë premtime dhe për politikanët të cilët gjithnjë duan që të krijojnë pushtetin nën vazhdën e ideologjisë shtypëse. Por, shfaqja kalon edhe përtej kufijve, nëpërmjet skenave nga të cilat kërkohet llogari për regjimet shtypëse të pushtetarëve të tjerë të botës. 

“Kushdo që flet për korrupsion, quhen/bëhen të burgosur politik”, “Në Turqi ka më shumë të burgosur politik se në Iran e Kinë”, “Turqia antidemokratike, e korrupsionit dhe e krimit”, janë disa nga mesazhet që epen në shfaqje, nëpërmjet lojës aktoreske të mrekullueshme. Në anën tjetër, “Nuk ka forcë që mund të na gjunjëzojë”, thotë personazhi i Tayip efendisë, i cili tenton të portretizojë më së miri luksin, mendësinë dhe çnjerëzimin e presidentit aktual të Turqisë. 

Mes elementeve të shumta që ndonjëherë vinin jo të “ngjitura” mirë, më interesant qe ai i hologramit nga i cili fliste personazhi i Hoxha efendisë. Po ashtu, prania e bomave, armëve, koncepti i “nëntë jetëve”, moskallja e flamurit turk në skenë dhe dronit lëvizës e “mbikëqyrës”, tregonin shumë për prapaskenat e vijës së bardhë e të zezë, prapa të cilave fshihen pushtetarët e botës.  

Po ashtu, koreografia nga Gjergj Prevazi dhe muzika nga Gabriele Marangoni, kanë shtuar një sharm të dukshëm në shfaqje. Vallëzimi i valles rrotulluese të figurës së dervishëve (sufistë të njohur në kulturën turke e jo vetëm), bukur ka plotësuar shfaqjen. E njëjta, ndodhi edhe në skenat e fundit ku mjegulla u bë pjesë e pandashme e hapësirës, që njëkohësisht portretizonte një mjegull që ka hyrë në mendësinë tonë, për t’i mbyllur sytë ndaj padrejtësive. 

Si mace rruge janë konsideruar ata që frikën e kanë në palcë. Me këtë shfaqje, aktorët janë bërë zëri i atyre që nuk kanë zë, i atyre që janë të fshehur kudo në botë. Ata nuk mund të flasin sepse nuk kanë të drejta, mirëpo kjo shfaqje vjen si britmë për shpirtin e tyre. Pra, teatri është zhurma që këta aktorë e kanë krijuar për ta mposhtur atë frikë. 

Gjithashtu, shfaqja vjen e frymëzuar nga tragjedia “Të shtatët kundër Tebës” e Eskilit, që për temë themelore ka momentin e duelit vëllavrasës mes dy djemve të Edipit, Eteoklit dhe Polinikut. Kolektivi ndërkombëtar teatror me artistë/e nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së, ka kapërthyer një temë të zorshme e cila zgjoi pikëpyetje të shumta përgjatë dy orëve interpretim. 

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2002, Recep Tayyip Erdogan ka mbikëqyrur një transformim radikal të Turqisë, që i ka hapur udhë një udhëheqjeje nga një njeri i vetëm. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, numri i shteteve që po lëvizin kah autoritarizmi është më shumë se dyfishi i atyre që po lëvizin kah demokracia dhe se regjimet autoritare në botë e kanë thelluar shtypjen e tyre. 

Aktori Adrian Morina për KultPlus ka folur për sfidat politike, mesazhin kyç e deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes që ai beson se do të  prezantohet edhe ndërkombëtarisht. 

“”Të gjashtët kundër Turqisë”, është një vazhdimësi e shfaqjeve që i përkasin teatrit politik. Qendra Multimedia përveç pjesës së prodhimit të shfaqjeve, në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në artikulimin e temave që njerëzit, artistët, nuk kanë guxim ose “nuk duan” të merren me to. Të vetëdijshëm për gjithë çfarë po ndodhë rreth nesh ose edhe me ne, ku çdo ditë e më tepër, liria e të drejtat elementare po na uzurpohen, nuk guxojmë të mos flasim e mos të reagojmë. Nëse jo ne? Atëherë kush?…Prandaj edhe si qytetar por edhe si aktor kam kënaqësi kur angazhohem në projekte si ky i fundit. Ka qenë një proces i gjatë, me shumë sfida edhe politike gjatë rrugës, me kolegë aktor turq që pavullnetshëm u desh të hiqnin dorë nga shfaqja për çështje sigurie, por besoj se ia kemi dalë të realizojmë një shfaqje të mirë. Besoj se shfaqja jo vetëm për shkak të temës por edhe për estetikën që ka, do të ketë jetë të gjatë dhe do të ketë mundësi të prezantohet edhe ndërkombëtarisht.” 

Reprizat e radhës të shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” janë me 17 dhe 18 tetor, po në teatrin “Oda” në Prishtinë.

Fotografitë: Armend Nimani / KultPlus.com 

Komedia “Kosovo for Dummies” nga Blerta Rrustemi Neziraj vjen premierë në Teatrin e Gjilanit

Komedia “Kosovo for Dummies” vie premierë në Teatrin e Gjilanit, teksa njëherit do të hap edhe Festivalin e Dramës Origjinale Shqipe, shkruan KultPlus.

E shkruar nga Jeton Neziraj dhe nën regjinë e Blerta Rrrustemi Nezirajt, komedia që do të shfaqet më 23 janar, rrëfen historinë e personazhit me emër Antigona, e cila është nga Kosova dhe përpiqet të fitoj lejeqëndrimin në Zvicër. Përgjatë këtij rrugëtimi asaj iu duhet të dëshmoj se nuk është një rinoqeront.

“Në shfaqje nuk do të derdhet as një pikë gjaku, sado që ngjarjet që ajo i shtjellon janë mjaft dramatike. Madje-madje, nuk do të eksplodojë as edhe ndonjë bombë, pavarësisht se njëri nga personazhet e shfaqjes është mysliman dhe kjo mund të paragjykohet nga dikush”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Gjilanit.

Fundi i kësaj shfaqje bëhet me dije se do të jetë i lumtur, teksa rrëfimi do të jetësohet nëpërmjet shfaqjeve artistike të aktorëve Tringa Hasani, Aurita Agushi, Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Gani Rrahmani, Avni Shkodra, Safete Mustafa. / KultPlus.com