Bllaca vendi i dhimbjes: 24 vjet nga dëbimi i shqiptarëve nga forcat serbe

Pikërisht 24 vjet më parë, në Kosovë ndodhi eksodi i shqiptarëve të cilët po dëboheshin dhunshëm nga regjimi serb në krye me Slobodan Milosheviqin, politika e të cilit synonte spastrimin etnik. Kështu, mbi gjysmë milioni shqiptarë u detyruan të iknin drejt Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Rreth gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës, të dëbuar me dhunë nga forcat serbe, u vendosën në Maqedoninë e Veriut, 24 vjet më parë.

Para hyrjes në Maqedoni, rreth 70  mijë refugjatë, me ditë të tëra mbetën të bllokuar në fushëgropën e Bllacës, pasi presidenti i atëhershëm maqedonas, Kiro Gligorov, kishte për qëllim t’i dëbonte në vende të treta.

Kosovarëve të dëbuar që u detyruan të qëndrojnë në Bllacë, në qiell të hapur, në 10 ditët e para të prillit 1999, u dolën në ndihmë qindra aktivistë vullnetarë të organizatave të ndryshme.

“Me shpërndarjen e ndihmave elementare higjienike, me artikuj ushqimor, batanije. Ishte një mobilizim i pa parë atëherë. Mbi 20 vetura dhe furgon ishin në dispozicion Shkup-Bllacë. Mbi 300 aktivist vullnetar, një pjesë bukur e madhe ata flinin bashkë me refugjatët”, tha për RTK Behixhudin Shehapi Kryetar i Organizatës Humanitare “El Hilal”.

Për shkak të presionit ndërkombëtar, më 10 prill të vitit 1999, Maqedonia e Veriut u detyrua të hapte kufirin me Kosovën.

Më shumë se gjysma e refugjatëve u vendosën nëpër shtëpitë e shqiptarëve, kurse pjesa tjetër nëpër kampe.

“Kjo ishte pika e pranimit  dhe e regjistrimit të refugjatëve, pastaj vazhdonin rrugën më tutje. Shumica e tyre vendoseshin nëpër familje private, në ndërkohë shteti i atëhershëm organizoj edhe hapjen e shtatë kampeve. Një ndër ato ka qenë Stenkoveci, kanë qenë Radusha, Çegrani, Strugë, Katllanovë dhe kështu me radhë”, tha Sait Saiti, Sekretar i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut.

Në pikën ku ndodhi katastrofa humanitare, në Hanin e Elezit, është ngritur një Qendër Përkujtimore, në të cilën qëndron edhe treni që  kishte bartur shqiptarët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. / KultPlus.com

Në Shkup themelohet Qendra Përkujtimore e Eksodit “Bllacë 1999”

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në prag të shënimit të 20-vjetorit të eksodit masiv të shqiptarëve nga Kosova drejt Maqedonisë, themeloi Qendrën Përkujtimore të Eksodit „Bllacë 1999” – Shkup. Ky subjekt i ri, i cili do të funksionojë në kuadër të Departamentit të Muzeologjisë, u themelua nga Këshilli i Institutit, me propozim të drejtorit Skender Asani.

Vitin e kaluar, Instituti kishte përgatitur një elaborat të cilin ua dorëzoi dy qeverive, asaj të Maqedonisë dhe të Kosovës, që përvjetori në fjalë të shënohet me inaugurimin e një qendre përkujtimore dinjitoze në pikën ku ndodhi katastrofa humanitare në Bllacë.

“Bllaca, atëbotë, u bë kufi jo ndërmjet shteteve, por ndërmjet jetës dhe vdekjes! Duke qenë kjo katastrofë humanitare pikërisht në fund të shekullit XX, Bllaca mund të jetë metaforë edhe e të gjitha vuajtjeve të shqiptarëve nga viti 1913 e këndej. Në Bllacë vuloset vuajtja e vaji dhe aty personifikohen shpërnguljet e shqiptarëve që kanë ndodhur gjatë gjithë shekullit. Aty është ‘Muri i vajtimit’ të shqiptarëve për eksodin që e përjetuan”, u shpreh drejtori Asani.

Sipas tij, vendosja e kësaj qendre përkujtimore në Bllacë, do të duhet të shërbejë edhe si gurthemel i marrëdhënieve të mira të Maqedonisë dhe Kosovës, si peng kujtimi për atë ngjarje. Ajo pikë është jo vetëm guri i kufirit, por është edhe kujtesë se atëbotë Maqedonia – e gjetur ngushtë nga vala e madhe e refugjatëve, pas ndihmës ndërkombëtare – i hapi dyert dhe pranoi gati gjysmë milion njerëz. / KultPlus.com

Thirrje për konkursin letrar “EGZODI `99 “

Në Mitingun Poetik , më 10 prill tw kwtij viti,  nw fushën e Bllacës,  Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe Komuna e Hanit te Elezit, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve “Naim Frashëri” dhe Klubin Letrar “A,B,C Poetike “ Shkup, shpallin Konkurs Letrar për poezi, me rastin e 20 vjetorit të gjenocidit serb ndaj popullatës shqiptare “Egzodi – Bllaca `99”.

Konkursi është i hapur nga sot, deri më 31 mars 2019 në ora 19:00. Tematika e poezive duhet te jete në këtë frymë, të egzodit dhe konkurrohet me emër e mbiemër te autorit. Poetët kanë të drejtë të konkurrojnë vetëm me një poezi (por mundësisht të mos jetë tepër e gjatë, sepse është poezi). Të drejtë pjesëmarrje kanë të gjithë shkrimtarët nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Do të jepen tri çmime : Çmimi I – rë,  200 Euro, Çmimi II-të, 150 Euro dhe Çmimi III-të, 100 Euro. Të gjitha poezitë do të botohen në librin poetik që do të dal më 10 prill 2019. Poezitë i dërgoni në emalin : [email protected], thuhet në njoftimin e organizatorit./KultPlus.com